Freitag, 11. November 2011

Fran Ukcama: CICRIMAT

CICRIMAT

 Ciceron telefoni,
në ballkon edhe zogu,
unë rend t`i kap i pari,
për të dy po më djeg malli..

Telefoni kap për filli,
se pas tij po më flet nipi,
një herë nipi , pastaj mbesa,
ballin tim e mbulon vesa..

Kur mbarojnë me cicërima,
më thërret dhe kanarina..
e keshtu ma ngjallet dita,
zemra si zjarr me xixa!

Vrap e vrap, ulje e ngjitje,
emocione dhe stërvitje,
me të tre, qeshim, gajasem,
nuk po gjëj kohë që të plakem!





NË KASOLLEN E HUMORIT

Hyjmë me breshka dhe zhapikë,
ne kashtoren anes detit,
barcaleta endim gjithë,
njeri me një fije kashte,
ngacmon veshin, qeshë dhe ikë..

Vjen një lopë ha plot me ëndje,
nëpër rërë lekurë shalqini,
dhe një gic zhgërryen në zhuka,
mbi slozhon ka hypyr qingji..

Dallget vijnë, pastaj shkojnë,
gumëzhin deti mbi shkëmenj,
plazhi ynë, na afron,
dele dhi dhe peshkaqen..

Se ketu kercet gallata,
me qeros me nastradin,
për nën henëz ,kur vjen nata,
ndezim zemëra ,fantazitë..

Në kashtoren e humorit,
ku humori nuk ka anë,
ja ashtu, kot se kotit,
peshku vjen vetë në tigan..

Vjen dhe delja në mengjes,
qumeshtin e sjell në gjijë,
ne shpesh luajmë indianin,
bajmë surratet me thengjijë..

Keshtu iken, s`pushon vera,
aventura e gazmore,
s`ka si plazhi ynë me zhuka,
me bageti e me pushonjes,
ku zgjerohet hop e hop,
bahet si kacek krahnori,
pak prej uji, pak prej jodi,
por se shumti nga humori!!






HËNA DHE TOLLUMBACJA

Mbesa ima me emri Iljana,
pret në dritare sa të dalin hëna..
Po një natë hëna nuk di ku u tret,
mbesa e mërzitur pa gjumë mbet...

Te cepi i dritares,degëza na vjen,
era nis e luan me krahet e paprerë,
pas pak si me magji siper na sjell,
buzegazen e ndritur, tollumbacen e verdhë..

Fshiu lotetet e qeshi, sa e pa Iljana,
me klithma thirri:-Erdhi, erdhi hana!
ne qetesi ra shtepia, aty kah mesnata,
vogelushja engjellore, iku nëpër ëndërra!!








UJQËRIT A MA HANË ANDËRREN

Ah, te stani mi kodrinë,
mes ahishtes e pres natën,
yjet prej qielli po bien,
unë i pres ta zbusin andërren..

Në torishtë dridhet ogiçi,
tringëllima lëshon kumbona,
ujqërish s`pushojnë ndër imshta,
lypin mish në orë të vona...

Auuu, shtillen ulurima,
lugines, kupës së qiellit,
ndezim zjarre t`i hutojmë,
s`po mbajnë ma hekurat e qenit..

Për nën plafin e dhintë,
dridhen si zogjë njomëzakë, zemrat,
kemi frikë nga ujku i bjeshkes,
a mos vallë i kafshon andërrat..

Eh, kjo ka ndodhë ka kohë,
dikur, në stan te Vorri i Fratit,
tash , unë gjysh, në vjeshtë të vonë,
mbledh kujtime mes asfaltit!!!!!!!!!!!!!!






MOS M`I PREK SHËNJAT E KOMBIT

Kam një za, kam një emer,
kam një vendlindje për be,
kam një tokë dhe një qiell,
unë e kam një Atë e dhe...

Kam një gjuhë të ambel mjaltë,
me të gjithë më bashkon,
kam zakone dhe tradita,
kam ma të shtrejtin, quhet Komb!

Kam flamurin kuq e zi,
shqiponja krenare në mes,
e kam hymnin për liri,
zemrën time flakë ma ndez!

Kam heronjë edhe deshmorë,
gjak e jetë i dhane ketij dheu,
mbi të ghithë lavd e kurorë,
i ka në ball Skenderbeu!!

Mos m`prek shënjat e Kombit,
pasha besën kurrë nuk të fal,
për t`i dal zot , unë, trollit,
bahem det e bahem mal!!






ABETARE

 Oh sa herë kemi kënduar,
moj e bukura abetare,
xixllonjat sa t`i duam,
duam lulet në livadhe..

Ti na rrezatove zemrën,
nëpër breza gurrë kristali,
ne, te ti i kemi emrat,
gjyshi, gjyshja, babi mami..

Kurdoherë, te ti, perkulem,
por si bleta në tërfonja,
me deshirë, aty ne ngulem,
mesojmë tingujt edhe shkronjat..

Kah është Kombi anëmbanë,
ku janë shqiponjat krenare,
flitet veçese gluha amë,
aty je ti Abetare!!

Ah, faltorja ku ne falem,
gjithë me shpirt, pa dallim,
je simboli atedhetar,
krenaria e kombit tim!!






LOJË NË DHOMA

Sapo hy te dhoma e parë,
gjej maçokun push bardhë,
i mërzitur, sy palarë,
ë, ë, ë me të qarë!

Sapo hy te dhoma e dytë,
bubi kisht mbyllur sytë,
i vetmuar s`reagon,
ka kaluar depresion..

Sapo dal në ballkon,
kanarina nuk këndon,
ka mbyllë veshët me gazetë,
numeron yjet dhe retë..

Pse ky vaj, kjo shurdhi,
çka ka ndodhë në shtepi,
gjyshja , gjegjet te lesa,
ehu, iku nipi, iku mbesa..!!!

Ku është gazi, bukuria,
hallakama, gjurulldia,
ka ra heshtja, qetësia,
harrimi edhe vetmia...

Gjyshi kapi tupanin,
bum-bum- bam, çau tavanin,
ngrihuni merrni vallen,
kulla nuk rron ,kurrë pa kangën..

NIsi bubi me ham-ham,
maçoku hidhet në tavan,
cicërimat , kanarina,
vallen e mori gjyshja...

Ah, ja pra, jeta kallet,
lumi ecën , nuk ndalet,
yjet luajnë vrap e vrap,
nip e mbesa vijnë prap!!!!

Agim Metbala: Shtatori i veçantë

Agim Metbala

SHTATORI I VEÇANTË
Gjatë luftës në vendlindjen time, armiku tregoi gjithë vrazhdësinë dhe urrejtjen patologjike. Vrau mbi një mijë qytetarë të pafajshëm - gra, pleq dhe fëmijë. Dogji në mënyrë barbare me mijëra shtëpi, burgosi dhe rrëmbeu pengje lufte me qindra qytetarë të pafajshëm, për fatin e të cilëve as sot e kësaj dite nuk dihet gjë...
Ishin vërtet ato ditë e tmerrit.
Gjatë atyre ditëve, nga bombardimet e armikut, në këmbë u plagos rëndë edhe shoqja jonë e klasës, Liridona. Gjatë kohës sa ishte lufta, ajo u mjekua në spitalin e Prizrenit. Pas çlirimit, u transferua për mjekim në Tiranë, dhe nga atje, me ndihmën e një organizate humanitare, është dërguar për shërim të mëtejmë në Zvicër...
Plot dy vjet, banga e Liridonës mbeti e zbrazët. Ne shokët dhe shoqet e klasës, shpesh e kujtonim dhe bisedonim për të, sepse ajo jo vetëm se ishte nxënëse e shkëlqyeshme, por ishte edhe shumë e afërt me të gjithë dhe e përgatitur në çdo moment për sakrificë. I dëshironim shërim të shpejtë, por nuk kishim kurrfarë informate për shëndetin e saj...
Pushimet verore kaluan si në ëndërr. Fëmijët u çlodhën, u freskuan dhe secili mezi e priste shtatorin për t’u takuar sërish me shokë dhe shoqe të klasës, si dhe me mësuesën e arsimtarët e dashur.
Një shtatori. Dita kishte gëdhirë e bardhë, me rrezet e veta të ngrohta. Fushat kishin marrë një pamje papërshkruar vjeshte. Vreshtat me pamjen e tyre të bukur, joshnin secilin shkrimtarë dhe secilin piktorë.
Kuptohet, sikurse secili fëmijë, ashtu edhe unë, u zgjova shumë më herët se rëndom. I përgatitur veçmas për ditën e parë të vitit të ri shkollor. Pasi u përshëndeta me mëmën, u nisa për në shkollë. Oborri i shkollës gumëzhinte nga hareja. Në fytyrën e secilit fëmijë, haptas vërehej gëzimi i papërshkruar.
Pa humbur kohë, ra zilja e parë, dhe të gjithë në rreshta hymë nëpër klasa. Pasi zumë vendet, vërejtëm se vendi i Liridonës, sërish kishte mbetur i zbrazët. Kujdestari i klasës me plot dashuri filloi të na mbajë një fjalim të shkurtër:
- Nxënës të dashur!...
Për një moment, u dëgjua një trokitje e lehtë:
- Tak, tak, tak!
- Hyr! – urdhëroi kujdestari i klasës.
Dera u hapë ngadalë. Çfarë mrekullie! Në derë u duk Liridona. Të gjithë u stepëm nga befasia dhe gëzimi. Liridona buzëqeshte me një butësi përrallore. Buzëqeshja e saj pushtoi tërë klasën.
- Eja, eja, Liridonë e dashur! – e theu heshtjen dhe befasinë e krijuar kujdestari i klasës.
Liridona me kujdes dhe ngadalë me patericat, u drejtua drejt bankës së ve. Në atë moment, Djellëza filloi me duartrokitjet. Pas saj e tërë klasa u ngritëm në këmbë dhe duartrokitjet nuk pushuan për një kohë të gjatë.Të gjithëve na dolën lotët e gëzimit.
Pastaj kujdestari i klasës, me fjalë të zgjedhura, i dëshiroi mirëseardhjen.
Në faqet e Liridonës, rrëshqitën lot nostalgjie, ajo pastaj na rrëfeu për peripecitë, për vuajtjet, dhe për amputimin e këmbës së djathtë, gjatë shërimit të saj në Tiranë dhe në Zvicër...
Për mua dhe shokët klasës, ky shtator dhe ky vit shkollor ishte i veçantë, sepse në klasë u kthye sërish shoqja jonë e dhashur, Liridona, e cila prapë u ul në bankën e saj.
Këtë shtator do ta mbajmë në mend tërë jetën.

2000

Donnerstag, 8. September 2011

Poezi për fëmijë nga Pilo Zyba





PYETJET E VOGELUSHES

Mami sot me thuaj ti,
Perse erdhem ne Gjermani?

Mami hop, e merr ne duar:
-Te jetojme, pellumb i shkruar!

Ketu ka buke dhe pune,
Cokollatat derdhen lumw.

Lodra, zogj, hop nje te puthur,
Per ty jane te tera flutur.

Vajza futet ne mendim,
Dhe jep pyetje pa kuptim:
-Ateher, pse quhet megrim?

-Vertet emir eshte i rende,
Por Brenda ka edhe kenge,
Thelle ne zemer mban nje brenge.

Por mundimi eshte I kote,
Zogezes ajo çti thote,
Nga syte i pikojne lote…

Vogelushja lotin fshin:
-Nuk me thua mami im,
Edhe loti shpreh gezim?

 
 
 

POEMAT E NAIMIT

Sa kenge kendoi Naimi
Me vargje te embel mjalte,
Porsi ne Frasher burimi
Me fytyren e kristalte?

Po te kapen te gjith vargjet
Si valltare dore per dore,
Si tela shtrihen mbi mallet,
Arrijne deri ne Stamboll.

Naimi i shtriu poemat
Tel ate gjate telefoni,
Malli qe ndjente dhe brengat,
Deri ne atdhe tia çonin.

 
 
 


DITA E BALONAVE


Si kjo feste ku eshte pare,
Balonat vene ne gare.

Ne duart e cdo felije,
Lidhur nje fill dashurie.

Balonat po fluturojne
Folezat ato kerkojne?

Me balona u mbush Athina,
Si me lule plot lendina.

Iliriani ben balone,
Sa te bukur nje shqiponje.

Era I fryn dhe me krah,
E ngren la edhe me la…

Por cndodhi, ne re u fut,
Edhe peri u keput…

Qesh Kristina me thanasin,
Dockat me gezim perplasin:

-Ilir ku eshte balona,
Nga duart iku shqiponja!

-Kur u ngrit poesi veri,
Pa folene ne Shqiperi.

Perin keputi dhe shkoi,
Per jete atje te jetoi.

 
 
 

BURIMI I FSHATIT

Kendon kenge e shushurin,
Neper gjethe nje burim.

I shkon lules per vizite,
E freskon dhe e vadit.

Bleta e shikon qe lart,
Dhe vrapon te beje mjalt.

Pi ky zogu dhe drenusha,
Krahehapur e prêt fusha.

Vajza pi, lot me sterkala.
Lumturohet kur sheh halla.

-Te pelqen, te pelqen,
Burim ne bote si ky sgjen.

Hidhet vajza ne nje shteg,
Here si kec here si sheleg.

Pastaj lutet gjith gezim:
-Mund ta marr kete burim?

Me vete ta kem kujtim,
Nga vendlindja e babit tim.

Ta coj te shoqet ne Athine,
Te na shtoje dashurine.

-Mbese e vogel, syte e shkruar,
Kurre neuk eshte degjuar.

Burimi siken prej djepit,
Nuk merr rruge per jashte shtetit.

 



KUR FLE GJUME VAJZA

Syte mbyll si dy dritare
Behet nate e nuk sheh fare.

Porse ja, ashtu pa pritur,
Ne xham vjen duke trokitur.

Nje gjeth rrushi, tak. tak. Tak:
-Vogelushe hape pak!

U poq rrushi I embel mjalte,
Varur ne pemen e arte.

Bletet, grerat po e hane,
Se femijet ikur kane.

Vajza trembet dhe hap syte,
Veten sheh ne kat te dyte.

Ne qytet diku ne Patra,
Larg nga rrushi, larg nga vatra.

-Ah!Moj enderr e bekuar,
Me ç duke fluturuar.

Larg neper viset e mia,
Ku rri fshehur femijeria.

-Kam dy bote – thote e gezuar,
Nje kur fle, nje kur jam zgjuar.

Po ke dua une me shume?
Syte mbyll e bie ne gjume!

Montag, 29. August 2011

Danel Cana: FABULA



FABULA

Hahej dhelpra me kangur:
-Kështu si ty, hidhem dhe unë!
-Hidhesh ti...por jo në tokë!
- Eh...! Kur s'ke këmbë...do kesh kokë!

..............................

Hahej dhelpra me majmunë:
- Nuk bën mir, përqesh të tjerët!
E ç'më duhet, ç'bën një tjetër?!
- Do ta merrja si këshillë,
Por...të mos e thosh një dhelpër.

Sonntag, 28. August 2011

Gjëegjëza nga Halil Xani


GJËEGJËZA

 I rrumbullakët
Shumë i nxehtë
Pa të bota
Nuk ka jetë.

( Dielli)


Herë si drapër
Herë si bukë
Nuk nxen fare
Terrin zhdukë.

(Hëna)

Si xixellonja
Natën ndrijnë
Kur lindë dielli
Vallë ku rrijnë.

(Yjet)

Si jorgan
Tokën mbulon
Është e ftohtë
Bimët i mbron.

(Bora)

Herë ngadalë
Herë me turr
Hyjnë në det
E s`dalin kurrë.

(Lumenjtë)

Reja resë
I bie shuplakë
Thua natyra
Po merr flakë.

(Vetëtima)

Llambat n`Radishevë
N`Galicë e Kopiliq
I kanë fitilat
Gjer në Obiliq.

(Korrenti)

Është me lara
Rrumbullak
Në të fëmijët
Kanë merak.

(Topi)

Gjatë verës
Fle në tavan
Kurse dimrit
Drutë i han.

(Stufa)

Një si saç
E një kuti
T`sjellin botën
Në shtëpi.

(Antena satelitore)

Ngushtë e mbyllur
Në epruvetë
Tregon për motin
Sa është i nxehtë.

(Termometri)

Po të kesh
Supervesh
Merresh vesh
Me Bangladesh.

(Telefoni)


S`është pëllumb
Me krahë e sqep
Pa ndërprerë
Letra merr e jep.

(Interneti)

Ka tre sy me ngjyra
Nuk qan kurrë
Në udhëkryq
Qëndron si burrë.

(Semafori)

Qoftë verë
A tjetër stinë
Kurrë s`pushon
Vetëm ngrinë.

(Frigoriferi)

Andej-këndej
I sjell saora
I bën rrobat
Sikur bora.

(Lavatriqeja)

Herë vjen poshtë
Herë lart ngjitet
Njerëzit i bartë
Fare s`mërzitet.

(Ashensori)

E mban në dorë
Ajo gjëmon
Pa u lodhur
Lisat i rrëzon.

(Motosharra)


Nuk ha sanë
Naftën pin
Për ngarkesë
Lodhje s`din.

(Traktori)

Një barkmadhe
Me gojë të gjerë
Dimrit fle
Punon në verë.

(Autokombajna)

E ëma ikën
Me gjëmë e vaj
Nuk i ndahen
Bijtë e saj

(Treni)

Ka shpinë të gjerë
Shkon detit të pafund
Në të mund të hip
I gjithë një katund.

(Trageti)

Bishtin e zjarrtë
Një shigjetë
Gjer në hënë
U ngjit përpjetë.

(Anija kozmike)

Vjetërsira
Por me vlerë
Aty gjenden
Kurdoherë.

(Muzeu)

Është një tempull
Që lëshon dritë
Ua shton fëmijëve
Dituritë.

(Shkolla)

Është një arkë
Pa dry pa derë
Ajo ruan
Gjëra me vlerë.

(Libri)

Është një arë
Në të hedh farë
Lehtë për ty
E korrë me sy.

(Fletorja)

Njeri është
Vendit s`luan
Territ, t`ftohtit
Nuk i druan.

(Busti)

Në të ulesh
Si në shalë
S`është gomar
S`është as kalë.

(Karriga)

E mban në dorë
A në tavolinë
Kohën tregon
Nga gjumi të zgjon.

(Ora)

Një sustë nëna
Kur e prek
Pogaqet në të
Saora i pjek.

(Shporeti elektrik)

Nje zog i hekurt
Fluturon me fletë
Ngjitet lart në qiell
Atje përmbi retë.

(Aeroplani)

Mbi lumenj
Përmbi përroje
Nëpër të kalojnë
Njerëzit pa droje.

(Ura)

Shkojnë dimrit
Verës vijnë
Ia shtojnë stinës
Bukurinë.

(Zogjët shtegtarë)

E mban për brirë
Shkon pas tij
Kryen shumë punë
Në bujqësi.

(Motokultivatori)

Kur e mundon barku
Zorrët i përzihen
Nga goja vjell zjarr
Re tymi lart ngrihen.

(Vullkani)

Pas shiut në qiell
Kur ka diell
Duket nje shirit
I tëri kolorit.

(Ylberi)

Ka të mëdha
E të vogla
Për fëmijë
Ka me lara
Kuqezi
Të gjithë e duan
Kur bie shi.

(Ombrella)

E kyq në rrymë
Ditën a natën
Sa e ka gojën
E merr kafshatën.

(Fshesa elekrike)

Tregim për fëmijë nga Pilo Zyba


NË ORËN E MËSIMIT
                                                
- Tregim për fëmijë -

Mësuesi vuri në vidio kasetën dhe me të dalë në televizor  pamjet e para, filloi të shpiegonte gjith pasion e dashuri.

“ Siç e shikoni dhe të filmuar dhe nga vetë pamjet, qyteza jonë e vogël është  një perlë e vërtetë si nga bukuria vizuale, nga ana artistike dhe nga ajo historike. Kalaja që po shikoni në ekran është ndërtuar në fillimet e shekullit të shtatëmbëdhjetë. Ajo është  e ndërtuar nga mjeshtra të zotë me talent të ardhur nga Epiri. Mjeshtra këta që njihen historikisht që përpara shekullit të pesëmbëdhjetë. Kjo kala ka shërbyer si një qëndër qëndresë kundër, Venecianeve, Sllaveve, Turqëve. Rrugicat e bukura të ndërtuara me gurë të gdhëndur sipas traditës së epiriotëve të lashtë me sokaqet me motive shërbejnë sot si mjetet më të fuqishme për tërheqjen e turistëve të huaj, veçanërisht atyre Francezi dhe Gjermanë ”.

          Ndërsa  fliste, mësuesi, hidhte vështrimin rreth e rrotull dhe kontrullonte me kujdes perqëndrimin e nxënsve ne mësim.

          Në ekran shfaqeshin në mënyrë të pa ndërprerë sokaqet e kalasë, shtepitë karakteristike me mure guri të gdhëndur dhe të lidhur me baltë të përzier me rërë deti dhe gëlqere. Dritaret në më të shumtën e rastëve ishin mesatare dhe me fytyra nga deti. Disa herë të prera, por, në përgjithësi të harkuara në formën e kupolave të kishave bizantine.

          Klasa ishte e kredhur e tëra në heshtje. Të gjithë të përpirë nga një etje e madhe, kishin përqëndruar vëmëndjen dhe vështrimin në ekran, sikur kërkonin ta hanin. Ishin po ato rrugë në të cilat kalonin përditë, luanin përditë, por diçka tjetër  u dukej tani që i shikonin në ekranin e televizorit. Ato dukeshin disa herë më të bukura.  I shikoje dhe  bije në mendime apo ëndërroje. Të dukej çudi, si përpara katër shekujsh, në këto rrugica të ngushta me kalldrëm, luftëtarët ecnin revan mbi kuaj duke lëshuar shkëndija nga potkonjtë, siç i përshkruanin shkrimtarët e poetët nëpër veprat e tyre.

          Në ekran dikush foli për fustanellat. Studjuesi një njeri i gjatë me një mjekër të kuqërremtë dhe jo aq shumë të dëndur, fliste në gjuhë të huaj, por pas tij mësuesi shpjegonte.

          Ndonse në televizor ikonat ndërroheshin vazhdimisht, Driloni, një djalë i imët me ca flokë të zverdhura e krehura pa kujdes, kish përhumbur me vështrimin në ekran, por me mëndje diku larg, shumë larg. Në ekran i dukej sikur shikonte “ Mësonjtoren ”. Një nga trimat kaçak me fustanellë, hipur mbi një kalë të bardhë, që ecte revan. Flokët e gjatë ja rrëmbente era, ndërsa palat e fustanellës i ktheheshin në flatra, në flatra që i jepnin krah. I kujtoheshin festat popullore, dhe asamblet me këngët e bukura labe. Zëri i tyre i bashkuar që ushtonte e fluturonte në tufa pëllumbash mbi çatitë e shtëpive, dhe mbi kalanë e Gjinokastrës. Mbi rrugicat dhe kalldrëmet e bukura, dhe mbi bustin e lartë të Çerçizit. Tani i dukej se pëllumbat e këngëvë të tyre, kishin ikur diku larg, larg, të shpërndarë për...ai as vetë nuk ishte në gjëndje, të jepte një shpjegim të saktë.

          Mësuesi fiku vidion, dhe u kollit dy herë (shënjë e njohur kjo, për të tërhequr vëmëndjen e nxënsve).

          “ Pamjet që patë, shtoi pastaj, janë të filmuara nga një turist Gjerman. Këto pamje ai i ka filmuar përpara disa vitesh, kur erdhi në Greqi, dhe bëri një studim historik për Monemvsian, të cilin bashkë me një libër të vogël, dhe nxori nga sirtari librin, i paraqiti në njërin nga universitetet e Gjermanisë dhe mbrojti doktoratën.

          Të gjithë, ishin kthyer me fytyrë nga mësuesi, i cili shpjegonte githë pasion. Djali ende i përhumbur, ëndërronte. Qëndronte me vështrim mbi ekranit e televizorit ndonse ai ishte i fikur, por dukej lehtë se mëndja e tij shëtiste diku.

          “ Drilon ” ! Mësuesi i tërhoqi vëmëndjen.

          Djali u trëmb.

          Në klasë shpërthyen të qeshura.

          Driloni uli kokën i turpëruar i zverdhur në fytyrë.

          “ Drilon ! i foli mësuesi, për ti dhënë të kuptonte se nuk kishte ndodhur asgjë. Në vëndin tuaj, në Shqipëri, ka kala si kjo e jona, të rrethuar me mure të lartë e me bedena. Si veshja jonë karakteristike me fustanellë, ju çfar përdorni, desha të them, çfar përdornit në të kaluarën? Si ishin trimat, të fuqishëm, shtatlartë, me vështrim...dhe çfar gjuhe përdornin?

          “ Me leje mësues, nga fundi dikush u ngrit të fliste ndonse pa lejen e mësuesit ai foli. Trimat në Shqipëri vishnin çitjane, dhe në vënd të përkrenarëve kishin shami të zeza si gratë ” !

          Në klasë shpërtheu një e qëshur e zgjatur. Mësuesit iu desh pak kohë për ta pushuar. Por ende pa pushuar mirë, një tjetër u ngrit dhe hodhi një grusht me grerëza.

          “ Për gjuhë, mësues, përdornin atë të qënëve, ndërsa për kala kasollet e dhënve ” !

          Ndërsa moshataët e tij flisnin e lëshonin rromuze, Drilonit i dilte përpara Gjergji më përkrenaren me kokën e dhisë, me shpatë në dorë dhe flamurin me shqiponjën me dy krerë. Ai e përmbajti veten. Përpara i shfaqeshin rrugicat e ngushta të fëmirisë, të braktisura prej tre vjetësh. Tek, tuk me pika gjaku nga gjunjët, të gërvishtur nga lojrat me shpata.

          “ Drilon ! mësuesi ruajti qetësinë. Na thuaj diçka për vëndin tënd, për vëndlindjen tënde ”.

          Në klasë ishte vënë qetësia. Të gjithë prisnin të qeshnin përsëri. Për ta Driloni, ishte një njeri që vinte nga një vënd i huaj, pa histori, pa këngë, e pa...pa...pa...

                                                                                                                                           Driloni rrëmbehu prej Gjergjit flamurin dhe shqiponjën me dy krerë dhe u tregoi se, kur ra Stambolli, Gjergji me trimat e tij fluturonte i lirë mbi kuajt e bardhë, duke korrur fitore me betejat e Torviollit, Krujës... Driloni i vogël, ngriti në duar dhe solli në atë shkollë të vogël fshati, Krujën, Beratin, Durrësin, Gjinokastrën. Uli në bangot e saj Boçarin e Bubulinën. Zëri i tij dëgjohej kumbues e melodioz. Ai mbizotëronte mbi heshtjen që kishte pllakosur të gjithë klasën. Në të vërtetë tani, ai ishte një trim që luftonte, luftonte në fushën e tij të betejës për jetë a vdekje. Sulmonte kundërshtarët nga krahat, përballë, dhe së fundi me fitoren e sigurtë në duartë e njoma hodhi vështrimin mbi ta. Mbi ata që me duart e mbështetura mbi tryezat e vogla, me vështrimin drejt tij me gojën gjysëm të hapur, prisnin, prisnin...

          Jashtë u dëgjua zëri kumbues i ziles elektrike. Lajmëronte se ora e mësimit kishte mbaruar, por nga bangat nuk po lëvizte asnjëri për tu ngritur. Në fund, në klasë shpërtheu një duartrokitje e furishme, duke filluar që nga mësuesi, e zjarrtë e shoqëruar me një, bravo, prej shumë moshatarëve të tij.

          Driloni u ul. Sytë e tij të vegjël dukeshin si dy vatra zjarri, nga ku flaka e vështrimeve përpinte gjithë klasën. Ai e kuptoi dhe vetë që kishte fituar, po, po...kishte fituar një betejë jo të zakonshme. Dhe pse larg vëndit ku është krijuar historia, ajo udhëton bashkë me ta larg atëdheut, kudo ku jetojnë. ajo krijon vatrën e saj. Me trimëritë, besën, fjalën e ëmbël si mjaltë, dhe gjuhën e shqiponjave.  

Vjersha për fëmijë nga Janaq Pani



KËSHTU I KE DHËNË SHPIRT

Hidh ca male në një hartë
Në midis shpalos luginat,
Pishat, bredhat kryelartë
Manushaqet, trëndelinat.

Fushat gjer te deti zgjati,
Me kaskada i bën lumenjtë
Dhe shqiponjėn pėr sė larti
Që mbron çerdhen mbi shkëmbenjtë.

Të gjithë njerëzit i skalit
Me tipare burrërore,
Kështu i ke dhënë shpirt
Mbi glob tokës Arbërore.





O TOKA MËMË ME SHPIRT
TË DUA

O toka atë, o toka nënë
Të parët tanë na kanë lënë.

Na lanë fushat, pyjet, buronjat
Dhe majëmalet ku rri shqiponja.

Na lanë nderin, na lanë besën
Dhe burrërinë edhe qëndresën.

Na lanë shkronjat, gjuhën amtare
Që nisin rrugën në abetare.

E shtrenjtë je gjithmonë për mua
O toka mëmë, me shpirt të dua.





PËR SHQIPËRINË
JETËN SHKRIU

( Naim Frashërit )

Gjeti penë e gjeti kartë
Kish dhe fjalëzën e artë
Kishte zemërzën e artë.

Për Shqipërinë jetën shkriu
Veç në këmbë si qiriu
Ndaj dhe manushaqja mbiu.

I këndoi trimërisë
Bagëtisë e Bujqësisë
Ky baba i vjershërisë,
Nder e nur i bukurisė.

Ju fėmijë të gjithë e dini
Është poeti i madh Naimi.





NË DITËLINDJEN E ELONËS

Vogëlushja jonë Elonë
ditëlindjen po feston.

Uron mami, uron babi,
gjithë fëmijët e pallatit.

Vijnë shokët, shoqet vijnë,
mbushin plot me gaz shtëpinë.

Në një gojë të gjithë i thonë:
" Njëqind vjeçe u bëfsh Elonë!"

Sot dhe lulja e shqiponjës
duket se i thotė Elonës:
"Çfarë kërkon të të dhuroj?
Ja, një gjethe po e shtoj!

Si më shtohet mua blerimi
ty, Elonë, t'u shtoftë gëzimi!"






VJEN E MË SHFAQET
NJË YLL
( Për mbesën Joanë)

Se ç'më ngjan një çupë e bukur
Herë zog
E herë flutur,
Herë si yll i këputur.

Dhe sa herë sytë i mbyll
Vjen e më shfaqet ky yll
Brenda syrit më bën dritë
Pa më zbret nga lartësitë
M'i sjell pranë Perënditë
Kjo e mira e florinjtë.

I malluar krahët hap
Këtë yll dua ta kap,
Ta mbaj butë në pëllëmbë
Ëmbël t'i këndoj një këngë
Ta hedh hopa nëpër duar
Ta shtrëngoj në kraharuar
Unë gjyshi i malluar,
Këtë yll me rrezatime
Që i ngjan Joanës time.





FOTOGRAFIA

Uuu, moj mami, sa çudi
bëj me babin dhe me ty,
sa herë dal fotografi
po më luteni të dy:

"Shpirt i vogël, pa qesh pak
aparati kur bën traaak!..."

Mami, moj, lodheni kot,
i kurdisur nuk qesh dot.

Kur po shoh Tomin e Xherin
si po ndjekin njeri-tjetrin,
pa kuptuar hedhin grepin
fët e fët gazin ma nxjerrin.

Atë çast me zemër qesh
më shkon goja vesh më vesh.
Atë çast moj mami, ti
traaak, më nxirr fotografi.

_____Janaq Pani______

Rrëfenjëza nga Agim Metbala

UJKU NË QIELL

Albi luante në oborr me Laroshin. Papandehur shikoi nga qielli. U habit. Murmuroi në vete:
- Ujku në qiell?
- Me çfarë shkalle hypi aq lart? - pyeti më vete.
- Larosh, e sheh ti ujkun në qiell?
Laroshi duke i ngritur veshët lart e duke lëvizur bishtin i hodhi një shikim Albit. Albi vrapoi në dhomë për t'i treguar babit. I mbushur frymë, i tha babait me të shpejtë:
- Babi, babi, ujku në qiell!
- Jo, biri i babit, ujku jeton në male! - ia ktheu babi për t'ia ndërprerë pyetjet e tjera.
- Po, babi, Po! Unë e Laroshi e pamë ujkun në qiell! Nuk më beson? Eja ta shohësh sa i bukur që është! Eja, eja babi të lutem!
Babi e mori Albin për dore dhe së bashku dolën në oborr.
- Ku është ujku Albi?
- Në qiell, babi!
Që të tre, edhe ai, edhe Albi edhe Laroshi, shikuan nga qielli.
- Shih, tani u bë arushë!
Babi shikonte renë e murme se si lëvizte lehtas qiellit.
Albi vazhdoi për ta hapur pusin...

 
 
 
GJYSH, A NUK JAM UNË TRIM?

Halla i solli Albit një qese me biskota, të cilat ia bleu në vetëshërbim. Albi zuri t’i hajë me shije. Së pari e hëngri një luan, pastaj me të shpejtë një ujk e në fund, me lezet e kallofiti edhe një dhelpër.
- Gjysh, a nuk jam unë trim?
- Pse Albi?
- Si pse, gjysh? Kam ngrën një luan të madh me dhëmbët si sharrë, një ujk të rrezikshëm, e besa edhe një dhelpër, si thua ti, dinake.
Halla e mami qeshën.
- Që të bëhesh trim, duhet t’i hashë së paku edhe tri biskota! – ia ktheu gjyshi. Albi shpejt e shpejt i hëngri edhe tri biskota.
- Tani je trim, Albi!
Albi, në shenjë ngadhënjimi, ngriti grushtin lart . . .

 
 
 
BABI,ATËHERË, MUA MË HAHEN MOLLËT


Pasi hëngrën drekën, mami e pastroi tavolinën. Edhe Albi i pastroi duart në lavabo dhe u kthye në dhomë. Ndejti sa ndejti mbi minder, pastaj u ul në prehrin e babit dhe ia lidhi dy duart rreth qafe.
- Babi, babi!
- Urdhëro, shpirt!
- Të hahen tash mollët?
- Po ty, Albi?
- Mua jo, babi!
- As mua Albi! – ia ktheu babi i painteresuar.
- Atëherë babi, mua më hahen! - ia ktheu Albi.
Në dhomë plasi gazi e dhoma u mbush me të qeshura.
Gjyshja doli në kuzhinë dhe ia qëroi një mollë të kuqe Albit.

 
 
 
MAMI, MIZA MË THERI ME GJILPËRËN

Albi hante kokrrat e ëmbla të kalaveshit të bardhë të rrushit, derisa mami përgatiste drekën. Papritmas bërtiti dhe zuri të qajë me të madhe:
- Kuku, mami!
Mëma, e frikësuar, u kthye me nxitim nga Albi:
- Çfarë të ndodhi, biri i mamit?
- Mami, mami! – belbëzonte Albi. – Ajo, miza më theri me gjilpërë! – i tha duke ia treguar atë me gishtin tregues.
Mami vërejti bletën duke fluturuar. Me të shpejtë nxori nga frigoriferi një copë akull dhe ia fërkoi Albit vendin në dorë, ku e kishte ngrënë bleta.
Albit dhimbja iu tret në sarajin e vet...

 


MUA MA BLEU GJYSHJA

Albi doli mbrapa ndërtesës me shokë e shoqe.
- Albi, paske kapelë të re?
- Po, Artan!
- I ndërrojmë?
- Me çka, Artan?
- Unë të jap trotinetin, e ti mua - kapelën.
- Jo, nuk dua, Artan!
- Je i marrë, Albi? A kushton më shtrenjtë kapela apo trotineti? – e pxeti Artani.
- Trotineti!
- Atëherë? – shtoi Artani.
- Nuk dua!
- E pse nuk do?
- Sepse, kapelën ma ka blerë gjyshja për ditëlindje!
Artani me shokë e shoqe e miratuan mendimin e Albit dhe vazhduan të luajnë me top . . .

 

TË KEMI LËPIRË SHEQERIN

Në dhomë të gjithë shikonin televizorin. Fitorja luante me kukullën që ia kishte blerë mami për ditëlindje. Albin e vogël e merrte herë gjyshi, herë gjyshja, herë mami dhe herë-herë babi, duke e puthur e përkëdhelur me dashuri...
- Gjyshe, gjyshe!
- Urdhëro, Fitore!
- Kë do më shumë, mua apo Albin?!
- Ty të kam shpirt, kurse Albin xhan!
- Jo gjyshe, jo! Ti Albin e do më shumë se mua. Atë e puth më shpesh, kurse mua shumë rrallë.
- Bija e gjyshes, ty të kam puthur aq shumë, saqë nga puthjet e shumta, ta kam lëpirë krejt sheqerin!
Sakaq Fitorja iku në kuzhinë. Lyu shpejt e shpejt faqet me sheqer, pastaj u kthye në dhomë.
- Ja gjyshe, edhe unë tani jam gjithë sheqer!
Fitoren pastaj e puthën të gjithë me radhë, ndërsa gjyshja ia fshiu sheqerin nga faqet...

 
 
 
GJYSH, KUSH T’I KRIPOSI FAQET?

Gjyshi ujiste lulet në kopsht. Albi ngarendte pas fluturave të kuqe e të larme... Faqet i ishin skuqur e bërë prush. Dikur gjyshi ulet të pushojë nën hije të dardhës. Në prehër i ulet Albi. Albi e puthë gjyshin në të dy faqet, pastaj papritmas pështyn në bar.
- Ç’ke Albi? - e pyeti gjyshi.
- Gjysh, kush t’i kriposi faqet?
Gjyshi përdredhi mustaqet e bardha, iku te kroi dhe i lau faqet me ujë të freskët për ta larguar djersën...
Albi pastaj e puthi edhe disa herë me kënaqësi të madhe.

 
 
 
ALBI I PANGOPUR

- Mami, më jep pak bukë?
Mami i jep Albit bukë, kurse ai me të shpejtë del në oborr.
Dhe prapë:
- Mami, më jep edhe pak bukë?
Mami i jep bukë prapë, ndërsa ai si shigjetë ik në oborr...
Dhe prapë:
- Mami, më jep vetëm edhe pakëz bukë?
- Ç'je duke bërë me bukë, pëllumbi im?
- Mami, sot më hahet shumë buka!
Mami lëvizi me kokë e hutuar.
- Mami, mami! Genci ka një qen!
Mami, e kënaqur, i dha Albit sërish bukë...

 
 
 
ATË NATË E PAU SKËNDERBEUN N’ËNDËRR

Albi i vogël, mori abetaren e së motrës. Në faqen e parë pa fotografinë e Skënderbeut. Menjëherë e njohu, sepse e kishte parë disa herë në televizor.
- Mami, mami!
- Urdhëro Albi!
- A ka ngrënë bukë Skënderbeu?
- Po si jo, sikur ti Albi!
- A ka fjetur Skënderbeu, mami?
- Shumë më pak se ti, Albi!
- Po fëmijë, a ka pasur Skënderbeu?
- Po, si unë ty!
- I ka dashur ai fëmijët, mami?
- I ka dashur, bile i ka dashur shumë!
Edhe shumë pyetje të tjera, Albi i vogël i bëri së ëmës për Skënderbeun, derisa nuk e mori gjumi i parë.
Atë natë Albi e kishte parë Skënderbeun në ëndërr.

 


P A J T I M I -

- Mami, pse rri e mërzitur?
- Ma dhemb paksa koka!
- Albi, më sjell "Rilindjen"!
- Pse nuk ia kërkon mamit?
Mami e babi heshtën... Albi e shikoi një herë mamin e pastaj edhe babin.
Pas kësaj heshtjeje, Albi i drejtohet babit:
- Babi, ti më pate thënë se me shokët e shoqet nuk duhet të mos flasim.
- Po, ashtu, biri i babit!
- Po ti pse nuk flet me shoqen tënde?
Babi qeshi. Qeshi edhe mami. Babi i kërkoi mamit gazetën. Ajo ia solli.
Albi i gëzuar i hypi fshesës edhe filloi të "kalurojë" nëpër dhomë . . .

 
 
 
BABI, SHKRUAJ DIÇKA PËR MUA

Babi rri në dhomë dhe me laps shkruan diçka në fletore...
Albi, duke ngarendur nëpër dhomë e pengon babin, sikur lodron mbi kokën e tij.
- Babi, çka po bënë kështu?
- Po mundohem të shkruaj diçka për gazetë, biri im!
- Mirë babi!
- Mirë, por ti më pengon. Nga ngarendjet tua, më ik frymëzimi dhe nuk mund të shkruaj!
- Të tregoj unë, babi!
- Çfarë më tregon ti, Albi?
- Ja, shkruaj për mua, babi!
Babi vuri buzën në gaz dhe në fletoren e vet, vërtet shkroi për Albin.
Albi mori arushën, lodrat e veta të preferuara dhe i gëzuar, vazhdoi me ngarendjen prapë të vraponte nëpër dhomë...

 
 
 
VJERSHA E ALBIT

Babai i Albit, shkruante diç në makinë. Ai pastaj shkroi një vjershë të bukur për një vocërrak palestinez. Albi lozte nëpër dhomë me trenin elektrik që ia kishte sjell ai nga udhëtimi zyrtar kur ishte në Tiranë.
Pas pak, Albi i afrohet babait te tavolina e punës dhe e pyet lehtë:
- Babi, babi! Ç’po bënë ti me atë makinë për çdo ditë?
- Po shkruaj, pëllumbi i babit? – ia ktheu babai.
- Çfarë shkruan babi? – përsëri e pyeti Albi babain.
- Shkruaj vjersha për fëmijë, princi i babit! – ia ktheu babai me zë të ëmbël.
- Po a është vështirë të shkruhet vjersha, babi? – përsëri pyeti vogëlushi.
- Jo, aspak, pëllumbi i babit! – ia ktheu babi dhe e ndërroi letrën në makinë, ku vazhdoi të shkruante.
Pas pak, babi doli nga dhoma e punës. Albi shpejt e shpejt u ngrit, dhe u ul në karrigën e babit. Mori letrën e bardhë, dhe e vendosii në makinë. Pastaj filloi të shkrujaë:
A,a,a,a,...i,i,i,...ckplx587ez​h4hmuuu!!!ah,hhh,222,sss,66-6.​..778900,0,pppppppppppppp....2​,3,4,5,...zhhhhhhhhhhh...
Deshi ende të shkruante, mirëpo në atë moment u kthye babi, i cili kur e vërejti Albin, e pyeti:
- Ç’bënë ashtu, pëllumbi i babit?!
- Po shkruaj si ti babi! – ia ktheu Albi.
- Çfarë ke shkruar syrrushi im?
- Kam shkruar një vjershë, babi! – ia ktheu me të shpejt, dhe plot krenari Albi.
Babi qeshi i gëzuar, dhe ia ktheu:
- Të pastë, babi!
- Babi, babi, të lutem dërgoje vjershën time në gazetë!
Babai buzëqeshi, ia përkëdheli flokët dhe i premtoi Albit, se vjershën do ta botojë në gazetë... Në fytyrën e Albit u duk hareja dhe i gëzuar vazhdoi lojën me trenin elektrik...

1985

 

 
 
 
PUNA QENKA MË E FORTË *)

- A keni dëgjuar ju o lisat dhe shkëmbijtë krenarë, se këndej në male, do ta mbarojnë hekurrudhën dhe do të eci treni? – u tha lumi.
- Ih, çka flet budallaçe, or miku ynë i dashur, ku munden neve të na shpojnë? – ia kthyen shkëmbijtë gjigantë.
- E si munden neve të na presin? – i thanë njëzërit lisat e gjatë.
- Unë, kështu kam dëgjuar! – u tha lumi dhe vazhdoi:
- Ata do të vijnë lart, skaj shtratit tim. Ju mund të mos më besoni, por unë vetë i kam parë disa inxhinierë, duke u konsultuar dhe duke vizatuar në notesat e vet.
- Jo, jo, nuk u besojmë këtyre përrallave! – i thanë lumit shkëmbinjtë dhe lisat.
- He, e - e – e... edhe unë s’iu kam besuar këtyre përrallave, por ata mbi shtratin tim, ngritën urën e gjatë njëqind metra, pastaj ndërtuan një hidrocentral...
- Jo, jo, miku ynë i dashur. Neve s’munde të na bindësh se këtë mund ta bëjnë njerëzit! – i thanë njëzërit lumit shkëmbinjtë dhe lisat e gjatë.
- Do të thotë se ju nuk më besoni se njerëzit mund të bëjnë këtë? – i pyeti lumi.
- Ta merr mendja. Ajo që s’është bërë deri më sot, nuk mund të bëhet as sot dhe as nesër!
- Shihni ju lutem, tani është zhvilluar teknika, njerëzit kanë zbuluar makinat e reja dhe unë kam dëgjuar se njerëzit kanë shkuar aq larg, sa edhe kanë zbritur në hënë e lëre më në tokë, se nuk mund t’i çelin tunelet! – i tha lumi dhe vazhdoi:
- Mirë, mirë, do të flasim prapë! – ua ktheu lumi duke e përmbyllur bisedën.
Ditët kalonin, dhe netët rrëshqitnin edhe më shpejtë.
Një ditë, heu, çfarë kënge jehoi qytetit tim. Kudo të rinj dhe të reja. Me mjete pune të llojlloshme në duar, dhe të rreshtuar në kolona të gjata...
Dikush nga turma tregoi se këta të rinj dhe të reja, janë aksionistët vullnetarë, kanë ardhur të ndihmojnë që hekurudha të përfundojë sa më shpejtë.
Kolonat e akcionistëve u ndalën në fund të qytetit, mbase deri aty ishin vendosur binarët.
Punëtorët, kur i panë aksionistët, u gëzuan shumë.
- Mirë se na vini! – dëgjoheshin zërat e punëtorëve.
- Mirë se ju gjetëm! – u kthenin aksionistët si në kor.
Pas një kohe të shkurtër, aksionistët u vendosën, i lanë gjësendet e veta dhe me këngën e gëzimit, ia filluan punës menjëherë. Anembanë të qeshurat e ëmbëla, zërat e mjeteve të ndryshme, buçisnin pa ndërprerë...
Dita-ditës, punëtorët, inxhinierët, aksionistët dhe fëmijët e shkollës fillore "Isa Boletini" nga qyteti im, i afroheshin sa më shumë malit të lartë...
Dhe, më në fund, u afruan fare pranë malit të lartë.
Albi duke bartur valixhen e inxhinier Petritit, e pyeti me kurreshtje:
- Xha Petrit, si do të bëjmë tash? Si do t’i presim këta lisat e gjatë? Si do t’i shpojmë këta shkëmbinjtë gjigantë?
Inxhinier Petriti, duke buzëqeshur, iu përgjigj:
- Shumë, shumë lehtë pëllumbi im. E pse i kemi marrë të gjitha këto sharra elektrike? Dhe përse kemi marrë me vete gjithë këto dinamitë dhe këto mina?...
Albi duke buzëqeshur i dha shenjë se e kuptoi fare.
Inxhinier Petriti, pastaj i ftoi dhjetë punëtorë, dhe i urdhëroi t’i merrnin sharrat elektrike dhe të fillonin me sharritje.
Sipas urdhërit të inxhinierit, punëtorët filluan me sharritje.
Zërat e sharrave përplaseshin nëpër shkëmbinjtë, duke u shpërndarë grykave të malit...
- Hej, ç’po ngjet me neve? – pyesin njëri-tjetrin lisat.
- Kush po më ther mu në zemër? – pyeti nga habia lisi i vjetër dhe i trashë mbi tri metra.
- Ç’është kjo këngë? – pyesnin nga habia shkëmbinjtë e frikësuar.
- A mos vallë do të na dalë e vërtetë ajo përrallë që na e ka treguar lumi? – thanë ata njëzërit nga frika.
- Kr-a-a-ap... - u ndëgjua zhurma e madhe. Lisi plak ishte shtruar gjerë e gjatë për toke.
Pas tij, në tokë u shtruan edhe qindra lisa, ndërsa njëri prej tyre, nga habia tha:
- A thua vallë është e vërtetë kjo? Njerëzit që në krahasim me trupin tonë duken si buburrecat, do të na gjuajnë të gjithëve në tokë?
- Po, po, e vërtetë është! Ja ç’bëjnë njerëzit, ju nuk më besuat atëherë kur ju rrëfeva...
- Hej, ejani njëzet punëtorë! – thirri inxhinier Petriti.
Albi ia ofroi valixhen inxhinier Petritit.
Inxhinier Petriti, u dha urdhër punëtorëve të hapnin disa vrima nëpër shkëmbinj. Pas pak, inxhinier Petriti vendosi dinamitin dhe minat në shumë gropa nëpër shkëmbinj.
Të gjithë u strehuan.
- B-a-a-a-m-m-m-m!...
- B-u-u-u-m-m-m-m!...
- B-a-a-a-m-m-m-m!....
Kështu, me radhë, të gjitha minat eksploduan.
I pari kërceu inxhinier Petriti, dhe duke buzëqeshur siç e kishte zakon, bërtiti:
- Puna vajti shumë mirë, tuneli u hap mbi dhjetë metra!
Shkëmbinjtë nga frika filluan të dridhen.
- Çka do të bëjmë tash?
Disa më të vegjël thanë se do të dorëzohen.
Atyre u bërtiti Shkëmbi i Madh:
- Si, të dorëzoheni? Qyqarët.
Përkundër kësaj, shumë shkëmbinj të vegjël u dërëzuan menjëherë.
Lumi, duke qeshur ëmbël, i tha Shkëmbit të Madh:
- Mos u beso përrallave të mia!
Vetëm Shkëmbi i Madh, nuk deshi të dorëzohej.
Pastaj inxhinier Petriti, i thirri të gjithë punëtorët, aksionistët, dhe Shkëmbin e Madh e rrethuan anembanë, më pastaj filluan nga një copë, nga një copë, t’ia çelin gropën mu në zemër.
Tash edhe Shkëmbit të Madh, filloi t’i hyjë frika në palcë, mirëpo nuk dorëzohej kurrsesi.
Kaloi një muaj i tërë, e Shkëmbi i Madh nuk dorëzohej.
Mbasi ia hapën një gropë të madhe mu në zemër, inxhinier Petriti, dha urdhën të vendoseshin shumë nina.
- Hej, ç’do bëni me mua – klithi shkëmbi i trembur.
Nuk kaloi shumë kohë, filluan krismat e mëdha:
- B-a-a-a-m-m-m-m!
- B-a-a-a-u-u-u-u!
- B-u-u-u-m-m-m-m!...
I tërë mali dridhej nga minat.
Pasi shpërthenin të gjitha minat, inxhinier Petriti u ngrit i pari në këmbë, dhe i buzëqeshur e shikoi Shkëmbin e Madh të shtruar përtoke.
Ia nisi këngës nga gëzimi. Atij iu bashkuan të gjithë
Shkëmbi i Madh i rrëzuar për toke, psherëtiu:
- Vërtet puna qenka më e fortë!
Në fund të vjeshtës, kaloi treni i parë!

1972.

*) Në vitin 1973, ky tregim fitoi shpërblimin e dytë në konkursin letrar të "Pionierit".
 
 

BABI IM QUHET BABI

Albi rrinte para portës së shtëpisë, dhe me një thupër i mëshonte asfaltit pa ndërprerë.
- Hej ti vogëlush, si e ke emrin?
- Unë?
- Po, po, ti syrrush!
- Albi!
- E gëzofsh! Po, i kujt je ti!
- I babit!
- I babit?! Po, si quhet babi yt?
- Babi im quhet... quhet - babi! – iu gjegj Albi.
Albi vazhdoi t’i binte asfaltit me thupër.
Kalimtari i panjohur qeshi. Në ballin e tij sikur lindi një ylber. Albi, e kishte kthyer në kohën e fëmijërisë...
 
 
 
 
 
 
SI NUMËRON FITORJA

Pas darke kishte ardhur tezja e Fitorës, për të vizituar Albin, i cili ishte ftohur dhe kishte temperaturë. Tezja e mori Fitorën në prehër dhe kohë pas kohe bisedonte me nënën e saj.
- Teze, teze! – thirri Fitorja.
- Urdhëro, drenusha e tezës!
- Unë di të numroj!
- Vërtet?
- Po, teze!
- Hajde, shpirt i tezës të të shoh!
- Ja: një, dy, tre, katër, pesë!
- E më tutje, pëllumbesha e tezës?
- Më tutje nuk më duhet!
- Pse nuk të duhet?
- Ashtu, nuk më duhet. Unë nuk ha më shumër se pesë sheqerka, nuk ha bukë më shumë se pesë herë në ditë . . . Pastaj, nuk dua të më japin më tepër se pesë monedha.
Plasi gazi. Tezja nxori nga çanta pesë monedha dhe ia dha Fitorës. Fitorja i futi në xhepin e fustanit me flutura të kuqe . ..

 
 
 
 
ËNDRRA NËN HIJEN E MOLLËS

Kur u kthye Albi në shtëpi, mamin nuk e gjeti aty. Ajo kishte shkuar në vetëshërbim për të blerë ca gjëra. Kot u mundua Albi ta çilte derën e shtëpisë... Pastaj shkoi në kopsht. U shtri nën hijen e një molle. Albi pastaj hëngri një pjatë të madhe me qebapa. Hëngri edhe pesë samuna të nxehtë, si dhe një qyp me reçel dhe çka tjetër nuk hëngri...
Pastaj piu një kovë të madhe limonatë. Hëngri një shportë rrush të kuq. Deshi të kapërdijë një tepsi me ëmbëlsira... Në atë moment nga vetëshërbimi u kthye e ëma.
E zgjoi nga gjumi.
Ëndërra e Albit u tret në sarajin e blertë...

 
 

Freitag, 15. Juli 2011

Jorgo Telo: Macja e braktisur

MACJA E BRAKTISUR
(Poemë – përrallë)

Botues: ALBIN - TIRANË
Redaktore: Dr.Merita Gjokutaj (Shehu)
Korrektim e kompjuter: Autori
Ideimi i kopertinës dhe
përzgjedhja e ilustrimeve: Sofokli J. Telo

Art grafik: Suela Kolpepaj

ISBN:

Për fëmijët shqiptarë i ndërtuar ky libër me shpresën se do vijë dita që atdheu të mos e ndiejë në pafundësi dhimbjen e mallin prej largimit të bijve e bijave prej vendlindjes.
Autori

 
HYRJE

Është fshat apo qytet,
pak nga pak gjejeni vetë.
Mes dy kodrash: ca shtëpi,
gardhe kopshtrash, bagëti.
Lart në lagjen nëpër shpat
Gjen shtëpiza mbetur thatë…

Nuk plasi vullkan,
nuk ra as tërmet.
Njerëzit vargan
ia mbathën revan.

Zbritën poshtë qytetit,
shkuan drejt kurbetit,
shumë drejt bregdetit
dhe Kryeqytetit.

Disa pleq e plaka
në shtëpi të pakta
mbetën në atë lagje.
Korba dhe laraska
hipën mbi oxhaqe.

Sa porta me harqe -
Mbyllur, siguruar!
Sa lule në lagje
çelin dëshpëruar!

Në disa oborre
Tharë lulet krejt.
S’gjen thirrje gazmore.
Ferra – në çdo cep.
 

NJË IKJE E PAPARË

Tek qëndronin lart
mbi një degë të thatë,
korbi me korbeshën
shihnin vendin ngeshëm…

- Me ç’na shohin sytë, –
flet korbi plakush –
në shtëpitë pa dritë
bredhin veç miushë."

- Po misër e grurë
ku do gjejmë ne? –
e pyet korbesha
korbin sypërdhe.

Fët u hodh një sorrë,
tek hante ca zorrë:

- Të zbresim në fushë,
tek shkojnë njerëzia.
Mjafton një gëmushë,
s’na duhet shtëpia.

- Të lumtë, sorrë qorre,
paske goxha mend!
Mirë na kujtove,
t’ikim nga ky vend.
Këtu na pret ngordhja.
Të ikim sa më parë.
S’do na duket lodhja,;
Do na shkojë mbarë.

Në kuvend paspak
Hyn dhe një trumcak
Trupvogël, imcak:

"Ku është njerëzia,
të shkojë shpezëria."

Dhe me krrakërrimë
ikën fluturidhë.
Qiejt oshëtinë…
 

MACJA E MBETUR VETËM

Një mace gushëbardhë
shtrirë në fundshkallë,
u zgjua prej zhurmës,
prej zhurmës së turmës…

Mbetur në vetmi
Lau veten më parë.
Vështroi në çati…
Vështroi anembanë.

- Epësove paq! –
i tha një zë sakaq.

- Pse, more lejlek,
ku është faji im?
Kam faj a gabim…?

- Për gjumë paske ngordhur,
pa hidh sytë rrotull;
të zotët ku janë?
Braktisur të kanë.

- Uaa pa dale, o mik,
ç’po më shohin sytë?
Dyer e dritare
i kanë mbyllur fort
dhe portën e madhe
s’mundem ta hap dot.

Me se do ushqehem
sot edhe më pas?
Ja, shihe dhe vetë,
s’ka qumësht në tas.

- Eh, moj gushëbardhë,
ikën e të lanë…
Nuk ke qumësht gati!
Vetë kërkoje fatin,
siç e ke zanatin…!
Lëviz vetë tani,
gjuaj ndonjë mi.
Dihet…me bark bosh
nuk mundet të rrosh.

Pa shiko, shiko:
tej në ato ledhe
qenkërka një dele.
Ja, po rri në vend
Me të bardhin qengj.

- E shoh, te lëndina,
ku çel trëndelina
Domethënë, lum miku,
fqinjët s’paskan ikur!?

- Të iknin të gjithë,
nuk do kish lezet.
Këtu ke shumicën,
disa në kurbet
e ku deshën vetë.

- Sa mirë e ditke,
Ç’ndodhi, o lejlek!
Po ti vetë, si s’ike.
Këtu çfarë po prêt?

- Pres mikeshën time
Ka dalë mbledh ushqime.
Në krah kam një plagë
S’mundem të shkoj larg.
Kam merak për ty
Ik e kot mos rri…!

- Kam edhe kotelen.
Ajo do ushqime.
Se kur gjej për veten,
gjen dhe bijëza ime…

- Harrove ç’të thashë,
për delen që pashë?
Prapë po e shoh këtej,
te sheshi përtej.
Një Qengji po pi delen
dhe po përkëdhelet.

Mbi mur të oborrit
u vërvit gushëbardha
Nëpër rrugë doli,
Ku ta zinte radha…
 

TAKIM ME DELEN E URTË

E pikasi delen
me qengjin e saj.
Qengji përkëdhelej.
Po ç’ndodhi pastaj?

- Uf, ç’më gjeti mua,
O qengj i bekuar!

- Nëse s’je përtace,
po të dëgjoj, mace!
Pa më thuaj pak,
ç’hall të ra në prag?

- Ç’të të them, moj dele,
ikën përkëdheljet!
Flija në minder.
Kanë mbyllur çdo derë.

- Rrugëve pse kot rri?
Shko mbi kashtë fli!

- Jam pa ngrënë, ç’më thua?
Pak qumësht e dua.

- Shko gjej një çanak,
si mund të ta jap?

- Unë s’të mjel dot.

- Prit, të vijë imzot.

- Mua më sharroi;
U bënë tri javë sot
s’kam vënë gjë në gojë.

- Di të pish si qengj?

- E ke me gjithë mend?
Di, moj, si nuk di.
Ne sisorë jemi
dhe pijmë në gji.

- Kam frikë, mos harron
edhe më kafshon…

- Gjersa më bën nder,
nuk do bëhem derr.
Me sa thonë: "derri
nuk di ç’është nderi."

Nga një anë qafoku,
qengji nga ana tjeter
Njëherësh së toku
pinë qumësht të freskët.

(Kaluan dy javë
Pinin të dy tok:
macja gushëbardhë
dhe qengji qafok.
E fliste "qafok"
zonja e shtëpisë,
se kish qafë të hollë
porsi keci i dhisë.

Qafoku, gushëbardha
fort u miqësuan.
Loznin nëpër ara,
Sa të lumturuar…!

Duke thithur qumësht
qengji tundte bishtin.
Macja – hop u turr,
bishtin ia gërvishi.

Qengji u zemërua
mëmës iu ankua:
- Macja e vetmuar
pse më grisi mua?

- Padashur, o bir,
macja pak të grisi.
Them, mos kushedi,
hardhuc iu duk bishti…
Mos iu zemëro
veç për ca gabime.
S’e sheh, o qafok,
ka mbetur jetime!
Të zotët e saj
këtej kanë fryjtur.
E shkreta s’ka faj.
Mbeti e braktisur.

- O ma, jam i vogël;
jo si ti e rritur.
Nuk di ç’do të thotë:
"të jesh e braktisur".

- Nga kopshti në shkollë
ende nuk e ditke?
Po ta shpjegoj hollë
të diel mbasdite.

Delen pyeste qengji,
tepër i mërzitur:
"Nuk po më mban vëndi,
pse është e braktisur?

- Të thashë për pasnesër;
e humbe durimin?

- Ohu, gjer pasnesër
ia gjej vetë kuptimin.
Pyes zonjush Shpresën
në orë të mësimit.

- Po të sqaroj, bir,
Mos u grind me macen!
Pse të bëjnë sehir
sorrat fluturake?
Ato janë sqepgjata,
llapin dhe pa punë.
Sa i e sheh mbi kodra,
i gjen përmbi lumë.
S’kanë me se të merren.
Klithjet kanë mësuar.
Ndodh që dhe i turren
maces së harruar,
maces së vetmuar,
maces së uritur,
mbetur e braktisur
me trup të drobitur.

Tekanjoz qafoku
Rrinte zemëruar.
Mërzitja e rroku
macen e vetmuar…

Vështroi nga delja
edhe nga qafoku.
Vështroi gushëbardha
vendin rreth e rrotull

"Nuk e marr me mend
Pse kaq sherr prej lodrës…
Do shkoj në tjetër vend.
Do shoh matanë kodrës…"

Qengji s’vuri re
ikjen e gushëbardhës.
Shprehu me "be-be!"
përgjigjen e radhës:

Ç’do të thonë fjalët
"të jesh e braktisur".
tani e kuptova
dhe pse jam i mitur,

- E kuptove vonë.
Tani gushëbardha
Nuk dimë ku shkoi.
Pa vënë gjë në gojë,
keq do përfundojë.

(Dele e qafok
rrinin ndën një shtog.
Dëgjonin një zog.
Këndonte i miri
Siç këndon bilbili.)

- Cili zog do jetë? –
pyeti qengji shpejt.

- Është bilbili vetë.
Nuk ndihet i qetë.
Për ç’shikon në botë,
me këngë e thotë…!
 
 

NJË QEN GJUETIE NDIHMON DELEN

- Be – be, o mama,
Po vjen një zagar!
Pa thuaji, mos e pa,
macen që na la.

Dhe delja e thirri:
- Hap, o zagar, gojë!
Ta zuri gjë syri
macen… nga kaloi?

- Një gushëbardhë pashë
me zile në qafë .
M’u duk shumë e urtë
ajo qimebutë.

- Për fjalë s’kemi nge;
Na thuaj, ku e pe?

- E pashë tej te ftoi
Buzë një përroi.
Maçokja e urtë
kapërceu drutë
U hodh vrap e vrap
mbi një gardh të lartë.

Hapur pa një derë;
hyri menjëherë.
Brenda ish një plakë
me një fshesë të gjatë.
 
 

NË SHTËPINË E PLAKËS SË URTË

Plaka atë cast
nuk ishte me gaz.
I kishin marrë fiqtë
në kulm të çatisë…

Si qëndroi ca,
Macja asaj i tha:
- Mjau!Mjau! Mjau!
A e di ç’më ngjau,
o e mira gjyshe?

Fliste macja e trembur,
Nga fshesa e vjetër.
Ndoshta prej dikujt
Qe rrahur me fshesë.

Plaka s’e kuptoi,
por tha nëpër gojë:
- Dikush më përlau
dy vergjet e fiqve.
Mos m’i more ti,
o moj faqezezë?
- Ç’po më flet, moj gjyshe?
Unë jam një fatzezë
e vetme, pa shpresë…
Mbeta e braktisur,
Zonja më ka ikur.
Pa qumësht në bark,
koteles ç’t’i jap?
Për të kam mëshirë
si për çdo fëmijë.

Tundte bishtin macja
dhe u qas te plaka:
- Nuk di të bëj lajka.
Mjau, gjyshez- o!
Iki, në s’më do.

Plaka heshtur ngeli
Macen përkëdheli.
Macja e vetmuar
lodrat s’i kish harruar.
Kujtoi si po rronte
gjatë ditës dhe natës.
Nisi të lodronte
me duart e plakës.

- Mace, ç’po më thua?
Të mjerët i dua.
Veç kam një merak:
Ushqim kemi pak.
Dhe këto që janë;
s’na mbajnë as një javë.
Më pastaj ç’të hamë?
 
 
 

MACJA MIQËSOHET ME QENIN LARAN

Në oborr të plakës
një qen na pa macja.
Një qen lara – lara
me një kockë përpara.

Me të bënte lojë.
E mori në gojë.
Qeni qe i qetë
foli lehtë-lehtë:

- Meqë të kanë lënë,
rri ca kohë me ne.
Rri siç rrinë miqtë,
jo si zemërligjtë,
si dinakja grifshë,
që na vodhi fiqtë.

- Ajo i ka marrë.
E pashë qëparë,
si vinte vërdallë…
 
 

ASGJËSIMI I GJARPRIT

Macja s’bëri fjalë,
u vu shpejt në radhë.

Tek hante përshesh.
plakës babaxhane
diç i tha në vesh…

- Pupu! – klithi plaka,
si të kish rënë flaka. -
Shpejt, dilni përjashta!
Një gjarpër i zi,
ka hyrë në shtëpi.
Macja sa e pa,
zëulët ma tha.

- Gjarprin s’e kam frikë, -
tha macja gushëbardhë.
Hidhem dhe e mbyt
gjarprin hileqar.

- Të ndihmoj dhe unë, -
tha qeni laran. -
Nga helmi i gjarprit
o sa tmerr që kam…!

Ç’u bë një mishmash
prapa një sënduku…!
Si e mbyti macja,
larani e nduku
e iku nxituar;
e hodhi në përrua.

Macja e uritur
dhe qeni laran
si fëmijë të mitur
rrinin pranë e pranë.
Sa të zbukuruar,
sa të miqësuar!

Mëma e laranit
qe një qen bardhan.
Nderur afër gardhit
qëndronte bardhani.

Gjarpri hileqar
e kafshoi në faqe.
Termometri lart
tregoi mbasdarke …

Një veteriner
thirrën përshpejtuar.
Shpëtoi bardhani
Plaka u qetësua.

S’mbante vendi plakën
Shkoi, gjeti kos.
Të gjithë u kënaqën,
macja sidomos.

Dhe, si hëngri kos në tas,
gushëbardhës buzëgaz
na iu kthye goxha fuqi
dhe foli me ëmbëlsi:

Nuk kuptoi plaka,
kur vështroi macen:
Qeshte nga kënaqja,
a prej gëzimit qante…!

"Dhe pse më braktisën,
s’dua të bëj keq,
Hallet që më nisën,
vetë do t’i heq…
Në s’gjej ushqim gati,
do gjuaj më shumë.
do fle më pak gjumë.
Grabitqare s’bëhem;
askujt s’i prish punë…."
 
 

ÇILJETA TE GJYSHJA

- O gjyshe, o gjyshe,
o gjyshja Miroshe!

- Kush është? – foli plaka,
e tëra thinjoshe.

- Jam unë, Çiljeta,
unë, mbesa jote.
Më dërgoi babi,
të vish tek ne sonte.

- Siç e sheh, moj mbesë,
sot nuk jam e lirë.
Pragun s’e lë shkretë.
Kam dhe mysafirë…
Kam sëmurë macen.
Erdhi ndaj të gdhirë.
Kish mbetur pa ngrënë
një muaj të tërë.
Mëkat për të zotët!
Shkuan e lanë vetëm
dhe s’menduan fare,
aspak për të shkretën…!
Kam sëmurë bardhanin
Ma kafshoi gjarpri.
Është për të qarë hallin.
Gjërat shkojnë sëprapthi…
Me sa shoh bardhani
Shpejt e mori veten.
Pa merak do mbetem.

Gushëbardha dëgjoi,
kokën pakëz ngriti:

- Delja më shpëtoi
edhe gjyshe shpirti.
Që e zhdukëm gjarprin,
më ndihmoi Larani.
Pse jo – edhe fati…

Si dëgjoi, ç’tha macja,
gjyshja e mori hop.
E ngriti te faqja
dhe e puthi fort.

Gjyshja mori kthesë
pa të mirën mbesë:

- Po tek ju, Çiljetë,
macet edhe qentë
kanë mbetur shkretë?!

Atë kohe Çiljeta
po lozte me macen
Sa do fdonte mbesa,
të kish dhe tullumbacen…!
I afrohej maces
me mjaft dashuri
Mirësi e paqe
kish në atë shtëpi.

- Tek – tuk ca shtëpi
s’kanë brenda njeri.
Dy qen të braktisur,
oh, ç’kanë ulëritur,
të zotët duke pritur!

Si pushoi pak,
vajza foli prapë:
"Kaluan gjashtë muaj;
mandej s’i dëgjuam.
Do kenë ngordhur të gjorët,
U janë tharë zorrët…!"

Shpejt shaminë nxori
thinjoshja shpirtdritë,
me të fshiu sytë…
"Mos ma vini re.
Shpirti më nxjerr lot,
ngaqë s’duroj dot
ligësi në botë…"

Si një dallëndyshe
mbesa fluturoi.
Me dashuri gjyshen
fort e përqafoi.

- Ç’do më thuash tjetër,
o moj dallëndyshe?

- Të presim patjetër,
e ëmbëla gjyshe!
E kam porosi
nga prindërit e mi.
Siç jemi, të vemi
në tonën shtëpi…

- Do më shtosh merak…
Doja të mësoja,
ç’bëhet rreth e qark…
Edhe disa mace
mbetur e harruar,
siç më thonë zogjtë,
janë egërsuar.
Bëjnë shumë dëme,
sa s’e merr me mëndje…
Dua t’u jap ndihmë.
S’duroj asnjë klithmë…
 
 

KUVEND PARA NISJES

E bukur si vesa
gjyshes i tha mbesa:
- S’mbahet, gjyshe, jeta
kështu me gënjeshtra!
Për shumë gjallesa
mban përgjegjësinë
gjithë soji ynë.
Pula, qen e mace
dhe ç’janë butake
nuk duhet të flaken.
Veç ne…ndonjëherë,
s’mendohemi thellë.
Miqtë tanë të mirë
i lëmë jetimë…

Pa mbaruar fjala,
u hodh gushëbardha:

- Pse, si puna ime
paska dhe të tjerë?!
Upupu sa keq,
soji ynë ç’po heq…!

- Mjerane si ti
na hidhen ndër sy.
Më të ziun fat
e ka ndonjë fshat,
tjetërsuar krejt,
mbetur fare shkretë…
Vetëm zvarranikë
mund të hasin sytë.

- Si mendon ti, mbesë,
vallë, në këtë mes
fajin kush e ka?
Kush po bën gjynah?

"Gjyshe, me sa di
dhe me ç’kam dëgjuar;
kur s’ ka rregullsi
edhe ligj të shkruar,
fiton ligësia…
Në të tjera vende
me urdhër të prerë
dënohet ngaherë
kush s’e punon tokën
dhe varfëron botën.
S’mbetet pa u dënuar
dhe kush lë vetmuar
gjallesat e shkreta…
nga macja tek bleta."
Gjyshja me përvojë
prushin mire mbuloi
Pas shuarjes së flakës
macja i tha plakës:

- Sa mirë do ishte,
sikur gjithë gjyshet
të ishin si ti…
me zemrën flori!

Mandej e ushqyer
Çiljetës iu kthye:

- Ty të lumtë goja,
zonjush’ bukuroshe!
Kështu hallet tona,
ndoshta do të sosen.
Kur të kryejnë njerëzit
veprime me mend,
mirësi do presim
ne edhe ky vend…

- Kështu qoftë, mace,
Mike motmotake
Për çfarë do dëgjosh e
shijosh në mbrëmje;
mundet ta harrosh
dhe braktisjen tënde…
Në këtë planet
ndodh edhe më keq:
Braktis nëna foshnjën,
zbohen pleqtë e moçëm.

- Mjau-mjau- mjau!
Ç’na dëgjojnë veshët!
As në sojin tonë
këto nuk qëndrojnë;
Kurrë te fluturakët
madje te gjithë kafshët…

E mira Çiljetë
si bletë, si flutur
nxori nga një xhep
një gjerdan të bukur.

Ia vari gushëbardhës
në qafë me merak
Fundi i përrallës
po na vjen paspak…
 
 

MBYLLJE

Çiljeta e mbarë
shpejt e bindi gjyshen.
Laran e gushëbardhë
i fërkoi për gushe…

-Tani gjithë sa jeni
Shkojmë në shtëpi
Prindërit na presin
Ejani, miqt’ e mi!

Mori fjalën gjyshja:
"Në qafë na paç.
Ne do vimë siç jemi;
Me kuç e me maç…!

E puthën Çiljetën.
Rrugën pa filluar
E thirrën njëherësh:
"Gëzuar! Gëzuar!"

Ia shprehën urimin
Çiljetës gazmore.
Nisën rrugëtimin
zënur dorë për dore.

Më tej macen gjyshja
e mori në krahë.
Larani, Çiljeta
udhëtonin bashkë.

Me ushqime e pije
tryeza qe shtruar.
Këngë dhe urime
S’kishin të mbaruar.

Ç’u kënaqën atë darkë
Gushëbardha dha Larani!
Qeni – kocka dhe pilaf
Macja – boll qofte tigani.

- S’ta kam thënë të vërtetën,
Pa dëgjomë, Gushëbardhë:
Edhe mua më lanë vetëm;
Pa gjyshen s’do isha gjallë."

Kur u kthyen shend e verë
Si Larani dhe Gushëbardha
Më shumë rrinin në minder
E këtu mbaron përralla.



FUND

Gjirokastër, shtator 2010 – janar 2011

Agim Metbala: Gracka për vete

GRACKA PËR VETE
(Dramë njëaktëshe)

PERSONAT: Agroni, Argonita, Toni dhe Venera.
Hapet perdja. Duket mësonjëtorja e parregulluar: banga të parenditura, karrigat disa mbi banga, disa nëpër dysheme....
AGRONI: (Si kryetar i klasës, hyn në mësonjëtore, fillon t’i rregullojë bangat, karrigat dhe pastron dërrasën, dhe papandehur sytë i mbesin në karrigën e mësuesës, e cila një këmbë e kishte të thyer. E merr atë, e shikon duke e kthyer disa herë nëpër duar, pastaj fillon të flasë:
- Vallë, cili do të ketë “fat” të ulet në këtë karrige?
Pih, do të kënaqemi duke u qeshur! (Qeshet me të madhe):
- Ha, ha, ha! (dhe përsëri qesh):
- Ha, ha, ha! (fillon të shetis poshtë e lart mësonjëtores).
Pas pak kohe, ndëgjohet zilja. Në skenë paraqiten: Toni, Argonita dhe Venera.
TONI, ARGONITA DHE VENERA: (Njëzërit e përshëndesin Agronin):
- Mirëdita, Agron!
AGRONI: Mirëdita juve!
TONI, ARGONITA DHE VENERA: I afrohen Agronit.
VENERA: E shikuat mbrëmë në televizor filmin “Kur shpirti ndërron jetë”?
AGRONI DHE ARGONITA, /Njëzërit/:
- Po, besa, e shikuam!
TONI: Sa i dhembshëm që ishte, koka më është rrënqethur!
ARGONITA: Mua më shkuan lotët!
ARGONITA, TONI DHE VENERA: (Bisedojnë ngadalë diçka).
AGRONI: (Ndahet nga shoqet dhe shokët, dhe niset drejt tavolinës së mësueses. Ai krejtësisht kishte harruar planin që e kishte kurdisur. Ulet në karrigën me një këmbë të thyer të mësuesës e cila kishte. Kërrak! Agroni së bashku me karrigën, rrëzohet në dysheme.)
TONI, ARGONITA DHE VENERA (Qeshin me të madhe):
- Ha, ha, ha! Hi, hi, hi-i-i-i! (ndërsa me dorë e mbanin stomakun).
AGRONI: (Ngadalë ngritet, i fshin pantallonat e përlyera prapa. Edhe ai qesh):
- Ha, ha, ha! (i afrohet Argonitës, Tonit dhe Venerës).
TONI: Ç’u bë me ty, Agron?
AGRONI:(Kthehet nga Toni)
- Kështu është gjithmonë. Unë e pata kurdisur këtë plan për ju. A e shihni atë karrigë? (Tregon me gishtin tregues). Atë e përgatita që dikush nga ju të rrëzohej, por ja që rashë vet!
TONI, ARGONITA E VENERA (Përsëri qeshin me të madhe):
- Ha, ha, ha, ha! Hi, hi, hi, hi!
ARGONITA: Atëherë mirë e paske gjetur, Agron!?
AGRONI: (duke pohuar me kokë) ashtu është, ashtu është! (e merr karrigën dhe niset të dalë nga mësonjëtorja).
TONI: Kush bën grackë për tjetrin, vetë bie në të!
ARGONITA DHE VENERA: (Edhe një herë qeshin):
- Ha, ha, ha!
VENERA: Ku e çon atë karrige, Agron?
AGRONI: Do ta çojë në punëtori! (dhe del nga mësonjëtorja).

Mbyllet perdja.