Montag, 29. August 2011

Danel Cana: FABULA



FABULA

Hahej dhelpra me kangur:
-Kështu si ty, hidhem dhe unë!
-Hidhesh ti...por jo në tokë!
- Eh...! Kur s'ke këmbë...do kesh kokë!

..............................

Hahej dhelpra me majmunë:
- Nuk bën mir, përqesh të tjerët!
E ç'më duhet, ç'bën një tjetër?!
- Do ta merrja si këshillë,
Por...të mos e thosh një dhelpër.

Sonntag, 28. August 2011

Gjëegjëza nga Halil Xani


GJËEGJËZA

 I rrumbullakët
Shumë i nxehtë
Pa të bota
Nuk ka jetë.

( Dielli)


Herë si drapër
Herë si bukë
Nuk nxen fare
Terrin zhdukë.

(Hëna)

Si xixellonja
Natën ndrijnë
Kur lindë dielli
Vallë ku rrijnë.

(Yjet)

Si jorgan
Tokën mbulon
Është e ftohtë
Bimët i mbron.

(Bora)

Herë ngadalë
Herë me turr
Hyjnë në det
E s`dalin kurrë.

(Lumenjtë)

Reja resë
I bie shuplakë
Thua natyra
Po merr flakë.

(Vetëtima)

Llambat n`Radishevë
N`Galicë e Kopiliq
I kanë fitilat
Gjer në Obiliq.

(Korrenti)

Është me lara
Rrumbullak
Në të fëmijët
Kanë merak.

(Topi)

Gjatë verës
Fle në tavan
Kurse dimrit
Drutë i han.

(Stufa)

Një si saç
E një kuti
T`sjellin botën
Në shtëpi.

(Antena satelitore)

Ngushtë e mbyllur
Në epruvetë
Tregon për motin
Sa është i nxehtë.

(Termometri)

Po të kesh
Supervesh
Merresh vesh
Me Bangladesh.

(Telefoni)


S`është pëllumb
Me krahë e sqep
Pa ndërprerë
Letra merr e jep.

(Interneti)

Ka tre sy me ngjyra
Nuk qan kurrë
Në udhëkryq
Qëndron si burrë.

(Semafori)

Qoftë verë
A tjetër stinë
Kurrë s`pushon
Vetëm ngrinë.

(Frigoriferi)

Andej-këndej
I sjell saora
I bën rrobat
Sikur bora.

(Lavatriqeja)

Herë vjen poshtë
Herë lart ngjitet
Njerëzit i bartë
Fare s`mërzitet.

(Ashensori)

E mban në dorë
Ajo gjëmon
Pa u lodhur
Lisat i rrëzon.

(Motosharra)


Nuk ha sanë
Naftën pin
Për ngarkesë
Lodhje s`din.

(Traktori)

Një barkmadhe
Me gojë të gjerë
Dimrit fle
Punon në verë.

(Autokombajna)

E ëma ikën
Me gjëmë e vaj
Nuk i ndahen
Bijtë e saj

(Treni)

Ka shpinë të gjerë
Shkon detit të pafund
Në të mund të hip
I gjithë një katund.

(Trageti)

Bishtin e zjarrtë
Një shigjetë
Gjer në hënë
U ngjit përpjetë.

(Anija kozmike)

Vjetërsira
Por me vlerë
Aty gjenden
Kurdoherë.

(Muzeu)

Është një tempull
Që lëshon dritë
Ua shton fëmijëve
Dituritë.

(Shkolla)

Është një arkë
Pa dry pa derë
Ajo ruan
Gjëra me vlerë.

(Libri)

Është një arë
Në të hedh farë
Lehtë për ty
E korrë me sy.

(Fletorja)

Njeri është
Vendit s`luan
Territ, t`ftohtit
Nuk i druan.

(Busti)

Në të ulesh
Si në shalë
S`është gomar
S`është as kalë.

(Karriga)

E mban në dorë
A në tavolinë
Kohën tregon
Nga gjumi të zgjon.

(Ora)

Një sustë nëna
Kur e prek
Pogaqet në të
Saora i pjek.

(Shporeti elektrik)

Nje zog i hekurt
Fluturon me fletë
Ngjitet lart në qiell
Atje përmbi retë.

(Aeroplani)

Mbi lumenj
Përmbi përroje
Nëpër të kalojnë
Njerëzit pa droje.

(Ura)

Shkojnë dimrit
Verës vijnë
Ia shtojnë stinës
Bukurinë.

(Zogjët shtegtarë)

E mban për brirë
Shkon pas tij
Kryen shumë punë
Në bujqësi.

(Motokultivatori)

Kur e mundon barku
Zorrët i përzihen
Nga goja vjell zjarr
Re tymi lart ngrihen.

(Vullkani)

Pas shiut në qiell
Kur ka diell
Duket nje shirit
I tëri kolorit.

(Ylberi)

Ka të mëdha
E të vogla
Për fëmijë
Ka me lara
Kuqezi
Të gjithë e duan
Kur bie shi.

(Ombrella)

E kyq në rrymë
Ditën a natën
Sa e ka gojën
E merr kafshatën.

(Fshesa elekrike)

Tregim për fëmijë nga Pilo Zyba


NË ORËN E MËSIMIT
                                                
- Tregim për fëmijë -

Mësuesi vuri në vidio kasetën dhe me të dalë në televizor  pamjet e para, filloi të shpiegonte gjith pasion e dashuri.

“ Siç e shikoni dhe të filmuar dhe nga vetë pamjet, qyteza jonë e vogël është  një perlë e vërtetë si nga bukuria vizuale, nga ana artistike dhe nga ajo historike. Kalaja që po shikoni në ekran është ndërtuar në fillimet e shekullit të shtatëmbëdhjetë. Ajo është  e ndërtuar nga mjeshtra të zotë me talent të ardhur nga Epiri. Mjeshtra këta që njihen historikisht që përpara shekullit të pesëmbëdhjetë. Kjo kala ka shërbyer si një qëndër qëndresë kundër, Venecianeve, Sllaveve, Turqëve. Rrugicat e bukura të ndërtuara me gurë të gdhëndur sipas traditës së epiriotëve të lashtë me sokaqet me motive shërbejnë sot si mjetet më të fuqishme për tërheqjen e turistëve të huaj, veçanërisht atyre Francezi dhe Gjermanë ”.

          Ndërsa  fliste, mësuesi, hidhte vështrimin rreth e rrotull dhe kontrullonte me kujdes perqëndrimin e nxënsve ne mësim.

          Në ekran shfaqeshin në mënyrë të pa ndërprerë sokaqet e kalasë, shtepitë karakteristike me mure guri të gdhëndur dhe të lidhur me baltë të përzier me rërë deti dhe gëlqere. Dritaret në më të shumtën e rastëve ishin mesatare dhe me fytyra nga deti. Disa herë të prera, por, në përgjithësi të harkuara në formën e kupolave të kishave bizantine.

          Klasa ishte e kredhur e tëra në heshtje. Të gjithë të përpirë nga një etje e madhe, kishin përqëndruar vëmëndjen dhe vështrimin në ekran, sikur kërkonin ta hanin. Ishin po ato rrugë në të cilat kalonin përditë, luanin përditë, por diçka tjetër  u dukej tani që i shikonin në ekranin e televizorit. Ato dukeshin disa herë më të bukura.  I shikoje dhe  bije në mendime apo ëndërroje. Të dukej çudi, si përpara katër shekujsh, në këto rrugica të ngushta me kalldrëm, luftëtarët ecnin revan mbi kuaj duke lëshuar shkëndija nga potkonjtë, siç i përshkruanin shkrimtarët e poetët nëpër veprat e tyre.

          Në ekran dikush foli për fustanellat. Studjuesi një njeri i gjatë me një mjekër të kuqërremtë dhe jo aq shumë të dëndur, fliste në gjuhë të huaj, por pas tij mësuesi shpjegonte.

          Ndonse në televizor ikonat ndërroheshin vazhdimisht, Driloni, një djalë i imët me ca flokë të zverdhura e krehura pa kujdes, kish përhumbur me vështrimin në ekran, por me mëndje diku larg, shumë larg. Në ekran i dukej sikur shikonte “ Mësonjtoren ”. Një nga trimat kaçak me fustanellë, hipur mbi një kalë të bardhë, që ecte revan. Flokët e gjatë ja rrëmbente era, ndërsa palat e fustanellës i ktheheshin në flatra, në flatra që i jepnin krah. I kujtoheshin festat popullore, dhe asamblet me këngët e bukura labe. Zëri i tyre i bashkuar që ushtonte e fluturonte në tufa pëllumbash mbi çatitë e shtëpive, dhe mbi kalanë e Gjinokastrës. Mbi rrugicat dhe kalldrëmet e bukura, dhe mbi bustin e lartë të Çerçizit. Tani i dukej se pëllumbat e këngëvë të tyre, kishin ikur diku larg, larg, të shpërndarë për...ai as vetë nuk ishte në gjëndje, të jepte një shpjegim të saktë.

          Mësuesi fiku vidion, dhe u kollit dy herë (shënjë e njohur kjo, për të tërhequr vëmëndjen e nxënsve).

          “ Pamjet që patë, shtoi pastaj, janë të filmuara nga një turist Gjerman. Këto pamje ai i ka filmuar përpara disa vitesh, kur erdhi në Greqi, dhe bëri një studim historik për Monemvsian, të cilin bashkë me një libër të vogël, dhe nxori nga sirtari librin, i paraqiti në njërin nga universitetet e Gjermanisë dhe mbrojti doktoratën.

          Të gjithë, ishin kthyer me fytyrë nga mësuesi, i cili shpjegonte githë pasion. Djali ende i përhumbur, ëndërronte. Qëndronte me vështrim mbi ekranit e televizorit ndonse ai ishte i fikur, por dukej lehtë se mëndja e tij shëtiste diku.

          “ Drilon ” ! Mësuesi i tërhoqi vëmëndjen.

          Djali u trëmb.

          Në klasë shpërthyen të qeshura.

          Driloni uli kokën i turpëruar i zverdhur në fytyrë.

          “ Drilon ! i foli mësuesi, për ti dhënë të kuptonte se nuk kishte ndodhur asgjë. Në vëndin tuaj, në Shqipëri, ka kala si kjo e jona, të rrethuar me mure të lartë e me bedena. Si veshja jonë karakteristike me fustanellë, ju çfar përdorni, desha të them, çfar përdornit në të kaluarën? Si ishin trimat, të fuqishëm, shtatlartë, me vështrim...dhe çfar gjuhe përdornin?

          “ Me leje mësues, nga fundi dikush u ngrit të fliste ndonse pa lejen e mësuesit ai foli. Trimat në Shqipëri vishnin çitjane, dhe në vënd të përkrenarëve kishin shami të zeza si gratë ” !

          Në klasë shpërtheu një e qëshur e zgjatur. Mësuesit iu desh pak kohë për ta pushuar. Por ende pa pushuar mirë, një tjetër u ngrit dhe hodhi një grusht me grerëza.

          “ Për gjuhë, mësues, përdornin atë të qënëve, ndërsa për kala kasollet e dhënve ” !

          Ndërsa moshataët e tij flisnin e lëshonin rromuze, Drilonit i dilte përpara Gjergji më përkrenaren me kokën e dhisë, me shpatë në dorë dhe flamurin me shqiponjën me dy krerë. Ai e përmbajti veten. Përpara i shfaqeshin rrugicat e ngushta të fëmirisë, të braktisura prej tre vjetësh. Tek, tuk me pika gjaku nga gjunjët, të gërvishtur nga lojrat me shpata.

          “ Drilon ! mësuesi ruajti qetësinë. Na thuaj diçka për vëndin tënd, për vëndlindjen tënde ”.

          Në klasë ishte vënë qetësia. Të gjithë prisnin të qeshnin përsëri. Për ta Driloni, ishte një njeri që vinte nga një vënd i huaj, pa histori, pa këngë, e pa...pa...pa...

                                                                                                                                           Driloni rrëmbehu prej Gjergjit flamurin dhe shqiponjën me dy krerë dhe u tregoi se, kur ra Stambolli, Gjergji me trimat e tij fluturonte i lirë mbi kuajt e bardhë, duke korrur fitore me betejat e Torviollit, Krujës... Driloni i vogël, ngriti në duar dhe solli në atë shkollë të vogël fshati, Krujën, Beratin, Durrësin, Gjinokastrën. Uli në bangot e saj Boçarin e Bubulinën. Zëri i tij dëgjohej kumbues e melodioz. Ai mbizotëronte mbi heshtjen që kishte pllakosur të gjithë klasën. Në të vërtetë tani, ai ishte një trim që luftonte, luftonte në fushën e tij të betejës për jetë a vdekje. Sulmonte kundërshtarët nga krahat, përballë, dhe së fundi me fitoren e sigurtë në duartë e njoma hodhi vështrimin mbi ta. Mbi ata që me duart e mbështetura mbi tryezat e vogla, me vështrimin drejt tij me gojën gjysëm të hapur, prisnin, prisnin...

          Jashtë u dëgjua zëri kumbues i ziles elektrike. Lajmëronte se ora e mësimit kishte mbaruar, por nga bangat nuk po lëvizte asnjëri për tu ngritur. Në fund, në klasë shpërtheu një duartrokitje e furishme, duke filluar që nga mësuesi, e zjarrtë e shoqëruar me një, bravo, prej shumë moshatarëve të tij.

          Driloni u ul. Sytë e tij të vegjël dukeshin si dy vatra zjarri, nga ku flaka e vështrimeve përpinte gjithë klasën. Ai e kuptoi dhe vetë që kishte fituar, po, po...kishte fituar një betejë jo të zakonshme. Dhe pse larg vëndit ku është krijuar historia, ajo udhëton bashkë me ta larg atëdheut, kudo ku jetojnë. ajo krijon vatrën e saj. Me trimëritë, besën, fjalën e ëmbël si mjaltë, dhe gjuhën e shqiponjave.  

Vjersha për fëmijë nga Janaq Pani



KËSHTU I KE DHËNË SHPIRT

Hidh ca male në një hartë
Në midis shpalos luginat,
Pishat, bredhat kryelartë
Manushaqet, trëndelinat.

Fushat gjer te deti zgjati,
Me kaskada i bën lumenjtë
Dhe shqiponjėn pėr sė larti
Që mbron çerdhen mbi shkëmbenjtë.

Të gjithë njerëzit i skalit
Me tipare burrërore,
Kështu i ke dhënë shpirt
Mbi glob tokës Arbërore.





O TOKA MËMË ME SHPIRT
TË DUA

O toka atë, o toka nënë
Të parët tanë na kanë lënë.

Na lanë fushat, pyjet, buronjat
Dhe majëmalet ku rri shqiponja.

Na lanë nderin, na lanë besën
Dhe burrërinë edhe qëndresën.

Na lanë shkronjat, gjuhën amtare
Që nisin rrugën në abetare.

E shtrenjtë je gjithmonë për mua
O toka mëmë, me shpirt të dua.





PËR SHQIPËRINË
JETËN SHKRIU

( Naim Frashërit )

Gjeti penë e gjeti kartë
Kish dhe fjalëzën e artë
Kishte zemërzën e artë.

Për Shqipërinë jetën shkriu
Veç në këmbë si qiriu
Ndaj dhe manushaqja mbiu.

I këndoi trimërisë
Bagëtisë e Bujqësisë
Ky baba i vjershërisë,
Nder e nur i bukurisė.

Ju fėmijë të gjithë e dini
Është poeti i madh Naimi.





NË DITËLINDJEN E ELONËS

Vogëlushja jonë Elonë
ditëlindjen po feston.

Uron mami, uron babi,
gjithë fëmijët e pallatit.

Vijnë shokët, shoqet vijnë,
mbushin plot me gaz shtëpinë.

Në një gojë të gjithë i thonë:
" Njëqind vjeçe u bëfsh Elonë!"

Sot dhe lulja e shqiponjës
duket se i thotė Elonës:
"Çfarë kërkon të të dhuroj?
Ja, një gjethe po e shtoj!

Si më shtohet mua blerimi
ty, Elonë, t'u shtoftë gëzimi!"






VJEN E MË SHFAQET
NJË YLL
( Për mbesën Joanë)

Se ç'më ngjan një çupë e bukur
Herë zog
E herë flutur,
Herë si yll i këputur.

Dhe sa herë sytë i mbyll
Vjen e më shfaqet ky yll
Brenda syrit më bën dritë
Pa më zbret nga lartësitë
M'i sjell pranë Perënditë
Kjo e mira e florinjtë.

I malluar krahët hap
Këtë yll dua ta kap,
Ta mbaj butë në pëllëmbë
Ëmbël t'i këndoj një këngë
Ta hedh hopa nëpër duar
Ta shtrëngoj në kraharuar
Unë gjyshi i malluar,
Këtë yll me rrezatime
Që i ngjan Joanës time.





FOTOGRAFIA

Uuu, moj mami, sa çudi
bëj me babin dhe me ty,
sa herë dal fotografi
po më luteni të dy:

"Shpirt i vogël, pa qesh pak
aparati kur bën traaak!..."

Mami, moj, lodheni kot,
i kurdisur nuk qesh dot.

Kur po shoh Tomin e Xherin
si po ndjekin njeri-tjetrin,
pa kuptuar hedhin grepin
fët e fët gazin ma nxjerrin.

Atë çast me zemër qesh
më shkon goja vesh më vesh.
Atë çast moj mami, ti
traaak, më nxirr fotografi.

_____Janaq Pani______

Rrëfenjëza nga Agim Metbala

UJKU NË QIELL

Albi luante në oborr me Laroshin. Papandehur shikoi nga qielli. U habit. Murmuroi në vete:
- Ujku në qiell?
- Me çfarë shkalle hypi aq lart? - pyeti më vete.
- Larosh, e sheh ti ujkun në qiell?
Laroshi duke i ngritur veshët lart e duke lëvizur bishtin i hodhi një shikim Albit. Albi vrapoi në dhomë për t'i treguar babit. I mbushur frymë, i tha babait me të shpejtë:
- Babi, babi, ujku në qiell!
- Jo, biri i babit, ujku jeton në male! - ia ktheu babi për t'ia ndërprerë pyetjet e tjera.
- Po, babi, Po! Unë e Laroshi e pamë ujkun në qiell! Nuk më beson? Eja ta shohësh sa i bukur që është! Eja, eja babi të lutem!
Babi e mori Albin për dore dhe së bashku dolën në oborr.
- Ku është ujku Albi?
- Në qiell, babi!
Që të tre, edhe ai, edhe Albi edhe Laroshi, shikuan nga qielli.
- Shih, tani u bë arushë!
Babi shikonte renë e murme se si lëvizte lehtas qiellit.
Albi vazhdoi për ta hapur pusin...

 
 
 
GJYSH, A NUK JAM UNË TRIM?

Halla i solli Albit një qese me biskota, të cilat ia bleu në vetëshërbim. Albi zuri t’i hajë me shije. Së pari e hëngri një luan, pastaj me të shpejtë një ujk e në fund, me lezet e kallofiti edhe një dhelpër.
- Gjysh, a nuk jam unë trim?
- Pse Albi?
- Si pse, gjysh? Kam ngrën një luan të madh me dhëmbët si sharrë, një ujk të rrezikshëm, e besa edhe një dhelpër, si thua ti, dinake.
Halla e mami qeshën.
- Që të bëhesh trim, duhet t’i hashë së paku edhe tri biskota! – ia ktheu gjyshi. Albi shpejt e shpejt i hëngri edhe tri biskota.
- Tani je trim, Albi!
Albi, në shenjë ngadhënjimi, ngriti grushtin lart . . .

 
 
 
BABI,ATËHERË, MUA MË HAHEN MOLLËT


Pasi hëngrën drekën, mami e pastroi tavolinën. Edhe Albi i pastroi duart në lavabo dhe u kthye në dhomë. Ndejti sa ndejti mbi minder, pastaj u ul në prehrin e babit dhe ia lidhi dy duart rreth qafe.
- Babi, babi!
- Urdhëro, shpirt!
- Të hahen tash mollët?
- Po ty, Albi?
- Mua jo, babi!
- As mua Albi! – ia ktheu babi i painteresuar.
- Atëherë babi, mua më hahen! - ia ktheu Albi.
Në dhomë plasi gazi e dhoma u mbush me të qeshura.
Gjyshja doli në kuzhinë dhe ia qëroi një mollë të kuqe Albit.

 
 
 
MAMI, MIZA MË THERI ME GJILPËRËN

Albi hante kokrrat e ëmbla të kalaveshit të bardhë të rrushit, derisa mami përgatiste drekën. Papritmas bërtiti dhe zuri të qajë me të madhe:
- Kuku, mami!
Mëma, e frikësuar, u kthye me nxitim nga Albi:
- Çfarë të ndodhi, biri i mamit?
- Mami, mami! – belbëzonte Albi. – Ajo, miza më theri me gjilpërë! – i tha duke ia treguar atë me gishtin tregues.
Mami vërejti bletën duke fluturuar. Me të shpejtë nxori nga frigoriferi një copë akull dhe ia fërkoi Albit vendin në dorë, ku e kishte ngrënë bleta.
Albit dhimbja iu tret në sarajin e vet...

 


MUA MA BLEU GJYSHJA

Albi doli mbrapa ndërtesës me shokë e shoqe.
- Albi, paske kapelë të re?
- Po, Artan!
- I ndërrojmë?
- Me çka, Artan?
- Unë të jap trotinetin, e ti mua - kapelën.
- Jo, nuk dua, Artan!
- Je i marrë, Albi? A kushton më shtrenjtë kapela apo trotineti? – e pxeti Artani.
- Trotineti!
- Atëherë? – shtoi Artani.
- Nuk dua!
- E pse nuk do?
- Sepse, kapelën ma ka blerë gjyshja për ditëlindje!
Artani me shokë e shoqe e miratuan mendimin e Albit dhe vazhduan të luajnë me top . . .

 

TË KEMI LËPIRË SHEQERIN

Në dhomë të gjithë shikonin televizorin. Fitorja luante me kukullën që ia kishte blerë mami për ditëlindje. Albin e vogël e merrte herë gjyshi, herë gjyshja, herë mami dhe herë-herë babi, duke e puthur e përkëdhelur me dashuri...
- Gjyshe, gjyshe!
- Urdhëro, Fitore!
- Kë do më shumë, mua apo Albin?!
- Ty të kam shpirt, kurse Albin xhan!
- Jo gjyshe, jo! Ti Albin e do më shumë se mua. Atë e puth më shpesh, kurse mua shumë rrallë.
- Bija e gjyshes, ty të kam puthur aq shumë, saqë nga puthjet e shumta, ta kam lëpirë krejt sheqerin!
Sakaq Fitorja iku në kuzhinë. Lyu shpejt e shpejt faqet me sheqer, pastaj u kthye në dhomë.
- Ja gjyshe, edhe unë tani jam gjithë sheqer!
Fitoren pastaj e puthën të gjithë me radhë, ndërsa gjyshja ia fshiu sheqerin nga faqet...

 
 
 
GJYSH, KUSH T’I KRIPOSI FAQET?

Gjyshi ujiste lulet në kopsht. Albi ngarendte pas fluturave të kuqe e të larme... Faqet i ishin skuqur e bërë prush. Dikur gjyshi ulet të pushojë nën hije të dardhës. Në prehër i ulet Albi. Albi e puthë gjyshin në të dy faqet, pastaj papritmas pështyn në bar.
- Ç’ke Albi? - e pyeti gjyshi.
- Gjysh, kush t’i kriposi faqet?
Gjyshi përdredhi mustaqet e bardha, iku te kroi dhe i lau faqet me ujë të freskët për ta larguar djersën...
Albi pastaj e puthi edhe disa herë me kënaqësi të madhe.

 
 
 
ALBI I PANGOPUR

- Mami, më jep pak bukë?
Mami i jep Albit bukë, kurse ai me të shpejtë del në oborr.
Dhe prapë:
- Mami, më jep edhe pak bukë?
Mami i jep bukë prapë, ndërsa ai si shigjetë ik në oborr...
Dhe prapë:
- Mami, më jep vetëm edhe pakëz bukë?
- Ç'je duke bërë me bukë, pëllumbi im?
- Mami, sot më hahet shumë buka!
Mami lëvizi me kokë e hutuar.
- Mami, mami! Genci ka një qen!
Mami, e kënaqur, i dha Albit sërish bukë...

 
 
 
ATË NATË E PAU SKËNDERBEUN N’ËNDËRR

Albi i vogël, mori abetaren e së motrës. Në faqen e parë pa fotografinë e Skënderbeut. Menjëherë e njohu, sepse e kishte parë disa herë në televizor.
- Mami, mami!
- Urdhëro Albi!
- A ka ngrënë bukë Skënderbeu?
- Po si jo, sikur ti Albi!
- A ka fjetur Skënderbeu, mami?
- Shumë më pak se ti, Albi!
- Po fëmijë, a ka pasur Skënderbeu?
- Po, si unë ty!
- I ka dashur ai fëmijët, mami?
- I ka dashur, bile i ka dashur shumë!
Edhe shumë pyetje të tjera, Albi i vogël i bëri së ëmës për Skënderbeun, derisa nuk e mori gjumi i parë.
Atë natë Albi e kishte parë Skënderbeun në ëndërr.

 


P A J T I M I -

- Mami, pse rri e mërzitur?
- Ma dhemb paksa koka!
- Albi, më sjell "Rilindjen"!
- Pse nuk ia kërkon mamit?
Mami e babi heshtën... Albi e shikoi një herë mamin e pastaj edhe babin.
Pas kësaj heshtjeje, Albi i drejtohet babit:
- Babi, ti më pate thënë se me shokët e shoqet nuk duhet të mos flasim.
- Po, ashtu, biri i babit!
- Po ti pse nuk flet me shoqen tënde?
Babi qeshi. Qeshi edhe mami. Babi i kërkoi mamit gazetën. Ajo ia solli.
Albi i gëzuar i hypi fshesës edhe filloi të "kalurojë" nëpër dhomë . . .

 
 
 
BABI, SHKRUAJ DIÇKA PËR MUA

Babi rri në dhomë dhe me laps shkruan diçka në fletore...
Albi, duke ngarendur nëpër dhomë e pengon babin, sikur lodron mbi kokën e tij.
- Babi, çka po bënë kështu?
- Po mundohem të shkruaj diçka për gazetë, biri im!
- Mirë babi!
- Mirë, por ti më pengon. Nga ngarendjet tua, më ik frymëzimi dhe nuk mund të shkruaj!
- Të tregoj unë, babi!
- Çfarë më tregon ti, Albi?
- Ja, shkruaj për mua, babi!
Babi vuri buzën në gaz dhe në fletoren e vet, vërtet shkroi për Albin.
Albi mori arushën, lodrat e veta të preferuara dhe i gëzuar, vazhdoi me ngarendjen prapë të vraponte nëpër dhomë...

 
 
 
VJERSHA E ALBIT

Babai i Albit, shkruante diç në makinë. Ai pastaj shkroi një vjershë të bukur për një vocërrak palestinez. Albi lozte nëpër dhomë me trenin elektrik që ia kishte sjell ai nga udhëtimi zyrtar kur ishte në Tiranë.
Pas pak, Albi i afrohet babait te tavolina e punës dhe e pyet lehtë:
- Babi, babi! Ç’po bënë ti me atë makinë për çdo ditë?
- Po shkruaj, pëllumbi i babit? – ia ktheu babai.
- Çfarë shkruan babi? – përsëri e pyeti Albi babain.
- Shkruaj vjersha për fëmijë, princi i babit! – ia ktheu babai me zë të ëmbël.
- Po a është vështirë të shkruhet vjersha, babi? – përsëri pyeti vogëlushi.
- Jo, aspak, pëllumbi i babit! – ia ktheu babi dhe e ndërroi letrën në makinë, ku vazhdoi të shkruante.
Pas pak, babi doli nga dhoma e punës. Albi shpejt e shpejt u ngrit, dhe u ul në karrigën e babit. Mori letrën e bardhë, dhe e vendosii në makinë. Pastaj filloi të shkrujaë:
A,a,a,a,...i,i,i,...ckplx587ez​h4hmuuu!!!ah,hhh,222,sss,66-6.​..778900,0,pppppppppppppp....2​,3,4,5,...zhhhhhhhhhhh...
Deshi ende të shkruante, mirëpo në atë moment u kthye babi, i cili kur e vërejti Albin, e pyeti:
- Ç’bënë ashtu, pëllumbi i babit?!
- Po shkruaj si ti babi! – ia ktheu Albi.
- Çfarë ke shkruar syrrushi im?
- Kam shkruar një vjershë, babi! – ia ktheu me të shpejt, dhe plot krenari Albi.
Babi qeshi i gëzuar, dhe ia ktheu:
- Të pastë, babi!
- Babi, babi, të lutem dërgoje vjershën time në gazetë!
Babai buzëqeshi, ia përkëdheli flokët dhe i premtoi Albit, se vjershën do ta botojë në gazetë... Në fytyrën e Albit u duk hareja dhe i gëzuar vazhdoi lojën me trenin elektrik...

1985

 

 
 
 
PUNA QENKA MË E FORTË *)

- A keni dëgjuar ju o lisat dhe shkëmbijtë krenarë, se këndej në male, do ta mbarojnë hekurrudhën dhe do të eci treni? – u tha lumi.
- Ih, çka flet budallaçe, or miku ynë i dashur, ku munden neve të na shpojnë? – ia kthyen shkëmbijtë gjigantë.
- E si munden neve të na presin? – i thanë njëzërit lisat e gjatë.
- Unë, kështu kam dëgjuar! – u tha lumi dhe vazhdoi:
- Ata do të vijnë lart, skaj shtratit tim. Ju mund të mos më besoni, por unë vetë i kam parë disa inxhinierë, duke u konsultuar dhe duke vizatuar në notesat e vet.
- Jo, jo, nuk u besojmë këtyre përrallave! – i thanë lumit shkëmbinjtë dhe lisat.
- He, e - e – e... edhe unë s’iu kam besuar këtyre përrallave, por ata mbi shtratin tim, ngritën urën e gjatë njëqind metra, pastaj ndërtuan një hidrocentral...
- Jo, jo, miku ynë i dashur. Neve s’munde të na bindësh se këtë mund ta bëjnë njerëzit! – i thanë njëzërit lumit shkëmbinjtë dhe lisat e gjatë.
- Do të thotë se ju nuk më besoni se njerëzit mund të bëjnë këtë? – i pyeti lumi.
- Ta merr mendja. Ajo që s’është bërë deri më sot, nuk mund të bëhet as sot dhe as nesër!
- Shihni ju lutem, tani është zhvilluar teknika, njerëzit kanë zbuluar makinat e reja dhe unë kam dëgjuar se njerëzit kanë shkuar aq larg, sa edhe kanë zbritur në hënë e lëre më në tokë, se nuk mund t’i çelin tunelet! – i tha lumi dhe vazhdoi:
- Mirë, mirë, do të flasim prapë! – ua ktheu lumi duke e përmbyllur bisedën.
Ditët kalonin, dhe netët rrëshqitnin edhe më shpejtë.
Një ditë, heu, çfarë kënge jehoi qytetit tim. Kudo të rinj dhe të reja. Me mjete pune të llojlloshme në duar, dhe të rreshtuar në kolona të gjata...
Dikush nga turma tregoi se këta të rinj dhe të reja, janë aksionistët vullnetarë, kanë ardhur të ndihmojnë që hekurudha të përfundojë sa më shpejtë.
Kolonat e akcionistëve u ndalën në fund të qytetit, mbase deri aty ishin vendosur binarët.
Punëtorët, kur i panë aksionistët, u gëzuan shumë.
- Mirë se na vini! – dëgjoheshin zërat e punëtorëve.
- Mirë se ju gjetëm! – u kthenin aksionistët si në kor.
Pas një kohe të shkurtër, aksionistët u vendosën, i lanë gjësendet e veta dhe me këngën e gëzimit, ia filluan punës menjëherë. Anembanë të qeshurat e ëmbëla, zërat e mjeteve të ndryshme, buçisnin pa ndërprerë...
Dita-ditës, punëtorët, inxhinierët, aksionistët dhe fëmijët e shkollës fillore "Isa Boletini" nga qyteti im, i afroheshin sa më shumë malit të lartë...
Dhe, më në fund, u afruan fare pranë malit të lartë.
Albi duke bartur valixhen e inxhinier Petritit, e pyeti me kurreshtje:
- Xha Petrit, si do të bëjmë tash? Si do t’i presim këta lisat e gjatë? Si do t’i shpojmë këta shkëmbinjtë gjigantë?
Inxhinier Petriti, duke buzëqeshur, iu përgjigj:
- Shumë, shumë lehtë pëllumbi im. E pse i kemi marrë të gjitha këto sharra elektrike? Dhe përse kemi marrë me vete gjithë këto dinamitë dhe këto mina?...
Albi duke buzëqeshur i dha shenjë se e kuptoi fare.
Inxhinier Petriti, pastaj i ftoi dhjetë punëtorë, dhe i urdhëroi t’i merrnin sharrat elektrike dhe të fillonin me sharritje.
Sipas urdhërit të inxhinierit, punëtorët filluan me sharritje.
Zërat e sharrave përplaseshin nëpër shkëmbinjtë, duke u shpërndarë grykave të malit...
- Hej, ç’po ngjet me neve? – pyesin njëri-tjetrin lisat.
- Kush po më ther mu në zemër? – pyeti nga habia lisi i vjetër dhe i trashë mbi tri metra.
- Ç’është kjo këngë? – pyesnin nga habia shkëmbinjtë e frikësuar.
- A mos vallë do të na dalë e vërtetë ajo përrallë që na e ka treguar lumi? – thanë ata njëzërit nga frika.
- Kr-a-a-ap... - u ndëgjua zhurma e madhe. Lisi plak ishte shtruar gjerë e gjatë për toke.
Pas tij, në tokë u shtruan edhe qindra lisa, ndërsa njëri prej tyre, nga habia tha:
- A thua vallë është e vërtetë kjo? Njerëzit që në krahasim me trupin tonë duken si buburrecat, do të na gjuajnë të gjithëve në tokë?
- Po, po, e vërtetë është! Ja ç’bëjnë njerëzit, ju nuk më besuat atëherë kur ju rrëfeva...
- Hej, ejani njëzet punëtorë! – thirri inxhinier Petriti.
Albi ia ofroi valixhen inxhinier Petritit.
Inxhinier Petriti, u dha urdhër punëtorëve të hapnin disa vrima nëpër shkëmbinj. Pas pak, inxhinier Petriti vendosi dinamitin dhe minat në shumë gropa nëpër shkëmbinj.
Të gjithë u strehuan.
- B-a-a-a-m-m-m-m!...
- B-u-u-u-m-m-m-m!...
- B-a-a-a-m-m-m-m!....
Kështu, me radhë, të gjitha minat eksploduan.
I pari kërceu inxhinier Petriti, dhe duke buzëqeshur siç e kishte zakon, bërtiti:
- Puna vajti shumë mirë, tuneli u hap mbi dhjetë metra!
Shkëmbinjtë nga frika filluan të dridhen.
- Çka do të bëjmë tash?
Disa më të vegjël thanë se do të dorëzohen.
Atyre u bërtiti Shkëmbi i Madh:
- Si, të dorëzoheni? Qyqarët.
Përkundër kësaj, shumë shkëmbinj të vegjël u dërëzuan menjëherë.
Lumi, duke qeshur ëmbël, i tha Shkëmbit të Madh:
- Mos u beso përrallave të mia!
Vetëm Shkëmbi i Madh, nuk deshi të dorëzohej.
Pastaj inxhinier Petriti, i thirri të gjithë punëtorët, aksionistët, dhe Shkëmbin e Madh e rrethuan anembanë, më pastaj filluan nga një copë, nga një copë, t’ia çelin gropën mu në zemër.
Tash edhe Shkëmbit të Madh, filloi t’i hyjë frika në palcë, mirëpo nuk dorëzohej kurrsesi.
Kaloi një muaj i tërë, e Shkëmbi i Madh nuk dorëzohej.
Mbasi ia hapën një gropë të madhe mu në zemër, inxhinier Petriti, dha urdhën të vendoseshin shumë nina.
- Hej, ç’do bëni me mua – klithi shkëmbi i trembur.
Nuk kaloi shumë kohë, filluan krismat e mëdha:
- B-a-a-a-m-m-m-m!
- B-a-a-a-u-u-u-u!
- B-u-u-u-m-m-m-m!...
I tërë mali dridhej nga minat.
Pasi shpërthenin të gjitha minat, inxhinier Petriti u ngrit i pari në këmbë, dhe i buzëqeshur e shikoi Shkëmbin e Madh të shtruar përtoke.
Ia nisi këngës nga gëzimi. Atij iu bashkuan të gjithë
Shkëmbi i Madh i rrëzuar për toke, psherëtiu:
- Vërtet puna qenka më e fortë!
Në fund të vjeshtës, kaloi treni i parë!

1972.

*) Në vitin 1973, ky tregim fitoi shpërblimin e dytë në konkursin letrar të "Pionierit".
 
 

BABI IM QUHET BABI

Albi rrinte para portës së shtëpisë, dhe me një thupër i mëshonte asfaltit pa ndërprerë.
- Hej ti vogëlush, si e ke emrin?
- Unë?
- Po, po, ti syrrush!
- Albi!
- E gëzofsh! Po, i kujt je ti!
- I babit!
- I babit?! Po, si quhet babi yt?
- Babi im quhet... quhet - babi! – iu gjegj Albi.
Albi vazhdoi t’i binte asfaltit me thupër.
Kalimtari i panjohur qeshi. Në ballin e tij sikur lindi një ylber. Albi, e kishte kthyer në kohën e fëmijërisë...
 
 
 
 
 
 
SI NUMËRON FITORJA

Pas darke kishte ardhur tezja e Fitorës, për të vizituar Albin, i cili ishte ftohur dhe kishte temperaturë. Tezja e mori Fitorën në prehër dhe kohë pas kohe bisedonte me nënën e saj.
- Teze, teze! – thirri Fitorja.
- Urdhëro, drenusha e tezës!
- Unë di të numroj!
- Vërtet?
- Po, teze!
- Hajde, shpirt i tezës të të shoh!
- Ja: një, dy, tre, katër, pesë!
- E më tutje, pëllumbesha e tezës?
- Më tutje nuk më duhet!
- Pse nuk të duhet?
- Ashtu, nuk më duhet. Unë nuk ha më shumër se pesë sheqerka, nuk ha bukë më shumë se pesë herë në ditë . . . Pastaj, nuk dua të më japin më tepër se pesë monedha.
Plasi gazi. Tezja nxori nga çanta pesë monedha dhe ia dha Fitorës. Fitorja i futi në xhepin e fustanit me flutura të kuqe . ..

 
 
 
 
ËNDRRA NËN HIJEN E MOLLËS

Kur u kthye Albi në shtëpi, mamin nuk e gjeti aty. Ajo kishte shkuar në vetëshërbim për të blerë ca gjëra. Kot u mundua Albi ta çilte derën e shtëpisë... Pastaj shkoi në kopsht. U shtri nën hijen e një molle. Albi pastaj hëngri një pjatë të madhe me qebapa. Hëngri edhe pesë samuna të nxehtë, si dhe një qyp me reçel dhe çka tjetër nuk hëngri...
Pastaj piu një kovë të madhe limonatë. Hëngri një shportë rrush të kuq. Deshi të kapërdijë një tepsi me ëmbëlsira... Në atë moment nga vetëshërbimi u kthye e ëma.
E zgjoi nga gjumi.
Ëndërra e Albit u tret në sarajin e blertë...