O MOJ SHQYPNI
O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n'hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t'mira e begati,
Me varza t'bukura e me djelm t'ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n'luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s'i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t'rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t'bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s'të ka mbetun as em'n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t'zezë.
Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:"jam turk", tjetri:"latin"
Do thonë: "Jam grek", "shkje"-disa tjerë,
Por jemi vllazën t'gjith more t'mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t'fitoni,
Besën e t'parëve t'gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!
E s'i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M'ata sy t'bukur q'dini me qa,
Eni t'vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet' e shkretë pa em'n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s'pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m'e e lan' me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s'e do
Këtë faqe t'zezë gjithkush e dro!
Para se t'hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n'dorë le t'desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap'edhe rrezë,
Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t'tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.
Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Lindi në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë në dorë në revolucionin e Venedikut kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, P.Vasa u vendos në Stamboll. Në Turqi P.Vasa u ngrit në shkallën e lartë të hiearkisë shtetërore. Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit. Gjatë gjithë jetës së tij P.Vasa s'ka rreshtur së menduari për Shqipërinë dhe ka dëshiruar ta shohë të lirë, të pavarur, e të kulturuar. Veprimtaria e tij politike fillon në vitet `60 në Stamboll, ku bashkpunoi me K.Kristoforidhin, Ismail Qemalin, Hoxha Tasinin. Mori pjesë në përpjekjet për oragnizimin e shoqërive patriotike e kulturore, për krijimin e një alfabeti të shqipes dhe bashkë me Samiun ishte ndër themeluesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. P.Vasa qe një nga frymëzuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe mbrojti me forcë çështjen kombëtare në Stamboll dhe në qarqet diplomatike jashtë perandorisë.
Veprimtarinë letrare P.Vasa e zhvilloi kryesisht në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të tij si komb. "A mos është krim ta duash vendin tënd? - shkruante ai. - Ajo që është një cilësi, një virtyt për të tjerët, nuk mund të jetë tjetër gjë për ne„. Shkroi poezi, prozë artistike, publiçistikë dhe libra gjuhe.
Veprat më të rëndësishme të P.Vasës janë: përmbledhja me vjersha "Trëndafila dhe gjemba„(1873), ku flet me zjarr e mall për vendlindjen dhe dëshiron lirinë e Shqipërisë. Më 1879 botoi frëngjisht trajtesën: "E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët„, në të cilën argumenton lashtësinë e popullit shqiptar, tregon vetitë e tij dhe mbron të drejtat kombëtare. Botoi më 1890 romanin "Bardha e Temalit„ të shkruar frëngjisht, ku përshkruan zakone e doke të jetës shqiptare në sfondin e luftës për çlirim kombëtar. Shkroi edhe një "Gramatikë të shqipes për të huajt„(1887). Por kryet e vendit në krijimtarinë e tij e zë vjersha "O moj Shqypni„
Kjo vjershë lindi në ditët e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe qarkulloi gojë më gojë, ngandonjëherë edhe si këngë. Në të ndihet jehona e ngjarjeve dramatike që kalonte vendi ynë, kur shqiptarët mbronin me gjak trojet e tyre nga lakmitë e shovinistëve fqinjë dhe nga vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit. Vjersha sintetizon në mënyrë poetike gjithë idetë e mëdha të lëvizjes kombëtare dhe me patosin kushtues, shërben si një manifest poetik i saj.
Vjersha është ndërtuar mbi bazën e antitezës. Për nga brendia ajo përmban dy pjesë, dy tablo të Shqipërisë. Në të parën, si gjithë rilindësit, me nota romantike e idealizuese autori prezanton të kaluarën, kurse në pjesën e dytë përshkruhet me ngjyra rrëngjethëse gjendja e mjerë e atdheut të robëruar.
Vjersha fillon me ton elegjiak, me një pyetje plot dhembje sdrejtuar Shqipërisë, që e kanë "qit me krye n'hi„, që s'e ka më forcën dhe lavdinë e mëparshme.
Me një ndjenjë krenarie, poeti na jep përfytyrimin e dikurshëm, të Shqipërisë si një zonjë e rëndë, plot begati, trimëri e dinjitet e, mbi të gjitha, plot vlera njerëzore:

me burra trima, me gra të dlira,
ti ndër gjithë shoqet ke kenë ma e mira.
Poeti evokon me pak vargje edhe traditat luftarake e lavdinë e së kaluarës, ato vite kur besa dhe lufta e trimave shqiptarë bënin të dridhej qiell e dhè, të dridhej armiku otoman gjer thellë në strofkullën e tij. Këto vlera frymëzonin respekt të pakufijshëm të të gjithë burrave ndaj Shqipërisë, duke pasur për nder ta quanin "nënë„. Poeti, si mjaft rilindës të tjerë, krijon raportin nënë-bir dhe e përdor si mjet themelor simbolin e figurës së nënës. Edhe më pas, thirrjet që u drejton bashkatdhetarëve, ua drejton në emër të kësaj lidhjeje, në emër të detyrës që ka çdo bir ndaj nënës, ndaj atdheut.
Toni elegjiak rishfaqet në fillim të pjesës së dytë, përzier me mllef të papërmbajtur, kur i drejtohet zemërcoptuar Shqipërisë:
Po sot, Shqypni, po m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrzuem përdhe!
Poeti zbulon edhe shkaqet e kësaj gjendjeje: shqiptarët kanë harruar "besën e të parëve„ dhe janë përçarë në Fè të ndryshme. Dhe si ideolog dhe militant i lëvizjes kombëtare, autori u drejtohet bashkatdhetarëve:´
Po jeni vllazën t'gjithë, more t'mjerë
Megjithëse toni elegjiak ndihet edhe në vargje të tjera të pjesës së dytë, poeti nuk bie në dëshpërim, madje me këtë mënyrë ai kërkon të prekë në sedër gjithë shqipëtarët. Kujt i bën zemra të shohë të poshtëruar, të coptuar e të dobët nënën e dashur. Me besim të patundur në forcën dhe shpirtin patriotik dhe luftarak të tyre, poeti i jep tone burrërore vargut dhe ngre zërin për luftë të armatosur, si e vetmja rrugë për ta shpëtuar atdheun nga shtypja e mjerimi. Është nder që jetën t'ia falësh Shqipërisë.
Vjersha që nis me një pasthirrme tronditëse, elegjiake, mbyllet me një apostrofë kushtruese:
Coniu, shqiptarë, prej gjumit, çoniu,
të gjithë si vllazën n'një besë shtrëngoniu,
e mos shikjoni kisha e xhamia,
feja e shqiptarit asht shqiptaria!
Vetëm një atdhetarizëm i flaktë mund te krijonte vargje me një forcë të tillë, vargje që shpallën parrullën e madhe rilindase se kombi është mbi çdo fè, se shqiptaria, atdheu, e ardhmja e tij janë gjithçka. P.Vasa është një nga të parët që lëshoi kushtrimin për t'u bashkuar pa dallim feje.
Vërtet në pikpamje të kompozicionit vjersha përbëhet prej dy pjesësh dhe theksi vihet më tepër tek e dyta, por patosi i saj i drejtohet edhe së ardhmes. Ajo u shkrua e frymëzuar nga aspiratat për ta parë Shqipërinë të lirë, të përparuar e plot dinjitet. Vjersha "O moj Shqypni„ është një nga krijimet më të frymëzuara të poezisë shqiptare. Figuracioni i pasur e shprehës, epitetet, krahasimet, pyetjet retorike plot ngarkesë emocionale, shkodranishtja e kuptueshme dhe e ëmbël e bënë atë aq ndikues tek masat. Vargu dhjetërrokësh (pesërrokësh i dyzuar) i jep poezisë një ritëm marshi, në përputhje me përmbajtjen, duke sintetizuar thuajse gjithë idetë e lëvizjes kombëtare: krenarinë për të kaluarën, dashurinë për vendin, urrejtjen për robërinë, thirrjen për bashkim, vjersha "O moj Shqypni„ u bë një nga kryeveprat poetike të Rilindjes.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen