Donnerstag, 7. März 2013

Poezi për fëmijë nga Agim Gashi - Drenica



AGIM GASHI - DRENICA
 
MALLË

S’e di pse sonte
N’shpirt kam kaq mall
Perjashtë i ftoht akull
Brenda digjëm zjarr.

Para Kullës t’Ajfelit
Kujtimet me marrin për dore
Me kthejnë ne atdhe
Ne tokën arbërore.

Me qojne në vendlindje
Me kthejnë ne femijëri
Ne kohën e skamjës
- Por , plot dashuri.

Me shetisin maleve
Majeve te shpatit,
Sikur dikur zbathur
Rrugëve te fshatit .

Me shetisin dhiareve
Krojeve me uji bilur
Fushave t’vendlindjes
Tek vrapoja dikur.

Ah,te kish mundësi
Sonte , Kullën e Ajfelit
Do e kisha ndërruar
Me një lis t‘zabelit?!!!



LOTËT E GJYSHIT

Ia dërguan ftesën
e mori dhe vizën,
mezi priste gjyshi
t'vizitonte Zvicrën.

Te takohej me nipin
dhe mbesat e ti',
kurrë s'i kish parë
- pos në fotografi

E gjatë iu duk rruga
- në avion dy orë,
qe t'i mirrte n'prehër
t'i përgdhelë më dorë

T'u flas për atdheun
- për fusha e male ,
- për farë e për fis
për Lokën e Madhe.

Qëndroi veç një javë -
kish ardhë për një muaj,
më fëmij't s'u muar vesh
-flisnin në gjuhë të huaj.

Në ndarje tha gjyshi
me lotë këto fjalë,
më mirë kishte qenë
të mos kisha ardhë!!!





LIVADHET E VENDLINDJËS

Nëna gjendet n'punë
babi s'është n'shtëpi,
Linda me te vëllan
- dalin në sheti.

Pranë parkut t'lojrave
Linda e ndalë marshimin,
Eja te luajmë bashkë
- e lutë vëlla Mergimin.

Ai ndalët në vend
shikimin e hedhë për dhe,
ç'te gjeti i thotë Linda
-pashë motrën ç'ke?!
S’me pelqejnë këto lojëra
- dhe u ulë në bari,
s'dua t'luaj tha ai
dhe buzët i vari.

Si s'te pelqejnë vëlla
he ti mbetësh pa mend,
ku ka lojëra më te mira
-se sa në këtë vend ?!

Ka!- si nuk ka
ia ktheu Mergimi-Lindës,
lojërat më të bukura
n'livadhe t'vendlindjës.




NA THËRRASIN

Na thërrasin kullat
na thërret bjeshka,
- na pretë ara
na pretë kreshta.

Na thërrasin lisat
na thërrasin gurrat,
-na presin plisat
-na presin burrat.

Na thërrasin varrët
na thërrasin pragjët,
- na presin nënat
- t'ua terim faqët.
 
 
 
 
 KAH ËSHTË KOSOVA

Tek shetisnim bashkë
- këtu në mergim,
ja ç'pyetje më bëri
një ditê nipi im.

Shqetêsimin e tij
shpejtë e kuptova,
kah i bjen atëdheu
kah është Kosova.

E sheh atë mal
te mbuluar më dëborë,
andej është Kosova
- i tregoj me dorë.

Fjala e tij -
zemrën se ç'ma dridhi,
adej gjysh i dashur
çdo ditë lind dhe dielli.
 
 
 
 
KUSH ËSHTË ELONA...

Unë quhem Elona
jam pesë vjeçare,
e lindur në Francë
por jam shqiptare.

Unë kam pak vjetë
por jam rritur si pip ,
i flas mirë tre gjuhë
Frangjish, gjermanish-shqip.

Po vijë para jush
dhe jam shumë krenare,
qe para shtëpisë në Francë
dalë në veshje kombetare!

P.S. Kjo voglushe (është mbesa ime) qe ja dha edhe emrin përmbledhjës sime te parë me vjersha për femije
  
 



GJYSH TË KAM SHOQE


Kam një mbesë të vogël
- i ka veç dy vjet,
por është shumë e gjallë
- gjuha shumë i pret.

Elona e vogël -
këtu në mërgim,
për mua është jetë
- është i vetmi gëzim.

Ajo flet me mua
dhe më bën shoqëri,
- unë luaj me te
sikur t'isha fëmijë.

Një ditë gjërsa loznim
m'tha kjo bukuroshe,
- gjysh të dua shumë
gjysh ty të kam shoqe!


Sonntag, 3. März 2013

Rrethi letrar i të rinjve të shkollës “Ilaz Thaçi"


(Rrethi letrar i të rinjve të shkollës “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit më solli një ditë tufën e poezive.
Pasi i lexova me ëndje, vërejta se kishte cilësi ideo-artistike te to. Kuptohet, me disa ndërhyrje të vogla, u përpoqa të formësoj këto krijime, duke ua sjellë për debat ndërmjet tyre.
Kalofshi mirë me poezitë, gjykimet frymëzuese, kënaqësitë e ndërmjetvetshme!)

                                                                           
                                                                                       Përgatiti: FADIL CURRI


 ME KUSUR E BLEU NJË HISTORI

Një mëngjes nëna më dërgoi në treg që të bleja ushqime. Rrugës për në dalje vërejta se ishte hapur Panairi i Librit. I doja librat, ndaj dhe doja të bleja një. Më kishin mbetur disa para nga kusuri. U humba fare me të hyra në panair e nuk dija cilin libër e doja më shumë se një princesë. Ia tregova paratë e metalta nga kusuri shitësit të librave, duke e lutur në kishte ndonjë libër që të mund ta bleja me to. Shitësi sikur u step duke i shikuar paratë në dorën time të djathtë, u mendua pak, shikoi kah një shtand dhe më rrëfeu se me ato para të pakta të mia mund të bleja një prozë të shkurtër që bënte fjalë për luftën e Kosovës. Nuk isha shumë e kënaqur, por e bleva librin që ma pëlqeu shitësi në panairin. Rrugës i hodha një sy dhe e pashë se ai kishte çmim më të lartë se që e kisha paguar.
U ktheva në shtëpi me vrap, duke i rrëfyer nënës se ç’ kisha blerë. Kur ajo e shikoi librin dhe i shfletoi disa faqe duke ndenjur më këmbë, më tha se po ia kujtoja kohën e luftës, gjatë së cilës ishin ndjerë të gjallë si të vdekur. Isha kureshtare të dija më shumë për këtë që më tha, ndaj edhe e pyeta se si janë ndjerë asisoj. Sikur u zgjua nga kllapia e gjumit, duke më thënë: “ Jo, jo asgjë, ti shko mëso e unë do të përgatis drekën”. Por, si do ta përgatisë nëna ushqimin duke qarë, mendova më vete. Nuk kisha zemër ta përjetoja në atë gjendje, ndaj u ngjita lart në dhomë e nisa ta lexoj prozën rreth luftës së Kosovës .
Ndjeja si të ndiqja një dokumentar ose film aksion, sepse shkruhej për armë, plumba, gjak, arratisje, dhunime, heroizma njerëzish, etj.
“Oh, Zot, ç’ kishte qenë gjithë kjo marrëzi që iu ishte bërë shqiptarëve nga barbarët serbë?!”, sikur bisedoja me veten, duke mos iu shqepur leximit.
Ndonëse prozë e shkurtër, nga leximi i saj kuptova shumë, se kush kishte qenë Adem Jashari, trim, patriot që flijoi jetën dhe familjen e tij për të çliruar Kosovën, komandant shpirtëror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për lirinë e popullit të tij. Nga libri mësova se meritohet të krenohemi me të flijuarit. Poashtu mësova se duhet të jemi mirënjohës për ndihmën që na e dha shteti vëlla i Shqipërisë dhe shqiptarët e Maqedonisë e vendeve të tjera, kudo qofshin ata, ashtu si ndihmon vëllai vëllain kur gjendet në halle të mëdha.
Libri nënës i ka ngjallur kujtime të shumta, të hidhëta nga lufta, mbase edhe ndonjë vrasje e plagosje, por mua më kujtoi një ditë tejet madhështore, 17 shkurtin 2008, ditën kur në televizor pata parë Shpalljen e Kushtetutës së Kosovës, pastaj kremtën popullore të popullatës nëpër qytete dhe fshatra anekënd ku ka shqiptarë. Isha e vogël atëbotë, por kujtimin e asaj dite e kam të madh dhe të paharrueshëm, ndaj e kujtoj përvjet, edhe këto ditë në prag të përvejtorit të saj të pestë.

 Elvira Maliqi







NDJESIA

Kur isha e vogël
Dhe tani që u rrita
Zemra më mbushej
plot me xixa.

Ndoshta nga vetmia
Ose lumturia
Mendoja të kaluarën
në kujtimet e mia.

Po mendoja vdekjen
Si? Nga? Kah?
pyeta vetveten
zemra nis të më rrahe.

Por, mërzinë që kisha
S'dija kujt t'ia rrëfej
kështu qe prita ndjersinë
ç’ të më rrëfejë.

Harbina Laçi




 ËNDRRA

Më çon andej-këndej
Që gjithë botën ta rrëmbej
Me çon në qiell që yjet ti arrij
Më jep rreze diellli që akullin ta shkrij.

Dhe bie në tokë
Që të gjitha lulet t’ i mbledhë
Dhe në grumbulll të fantazive,
Të gjithëve lumturi t’ i sjellë.

Por, për një çast një krismë e vogël
Ëndrrën m’ a ndërprenë
Dhe çdo gjë që kisha në duar
çastet m’ i rrëmbenë.

Jeta Berisha




NËNA

Sikur rrezja e diellit
Fytyra po i ndriçon
Nënës time të dashur
Që kurrë nuk përton.

Në mëngjes heret
Ajo mua më zgjon,
Dhe më bën gati
Që në shkollë të shkoj.

Po sikur mjalta
Fjalë të ëmbla nga goja lëshon
Duke më dëshiruar suksese
Ajo më përqafon.

Dhe unë në shkollë
E lumtur shkoj
Dhe nënën time
Me pesa e gëzoj.

Ajo është drita ime
Ajo është hëna ime
Ajo është zemra ime
Ajo është nëna ime.

Jeta Berisha




TË MËSOJMË SOT PËR NESËR

Kam bindje se të gjithë ata që nuk kanë mësuar, janë penduar. Dëshira e vetme e prindërve është që fëmija të mësojë, të arrijë diçka mirë për të ardhmen. Këtë e vërej edhe te prindërit e mi. Gjithmonë babai ose nëna nuk do të tolerojnë me arsye kur të më shohin duarlidhur, parazite, duke ndenjur kot.
“Mëso , mëso dhe vetëm mëso”, ishin fjalët refren që më bënin nervoze kur më kanë thënë . Sot më vie turp për sjelljen time dhe, sigurisht që edhe jam penduar.
Vetë fjala “Mëso sot të mos pendohemi nesër”, e ka kuptimin dhe vlerën e posaçme, por edhe një porosi për të gjithë nxënësit në tërë botën, që te mësojmë dhe të arrijmë shumë në të ardhmen.
E dini pse prindërit tanë na tolerojnë? Sepse, edhe ata janë penduar tash, por ajo kohë nuk u kthehet më. Mirë është që këtë kohë që e kemi, ne ta shfrytëzojmë për mësim.

Firdane Bardhi



 KULLA E JASHARËVE

Kjo është kulla ku fitohet liria,
Ku i merr plagët Serbia.
Këtu këndohej kënga e Jasharëve
Këtu mburreshin heronjtë e të parëve.

Si kafshim murtaje për armiqtë
Kanë qenë Hamza e Ademi,
që luftuan për çdo kënd
dhe çliruan çdo skutë vend.

Në këtë ditë të madhe
që gëzojnë çdo të drejtë
Kulla e Jasharëve
është shkaku i vërtetë.

Firdane Bardhi



 VENDLINDJA IME

Oh, sa lumturi
është të tregoj
Për vendlindjen time
ku unë jetoj.

Ka shume kodra,
kullosa për bagëti,
qengja të bukur,
për kënaqësi.

Është një lumë i vogël,
Është një lumë i mirë
ku gjatë stinës së verës
Lahen fëmijët të lirë.

Oh, sa mirë
është kur e përjetoj,
në vendlindjen time të dashur,
Kosovë, jetën e gëzoj.

Agnesa Rexhallari



DËSHMORI I PAVDEKUR

Në lagjen time një person thërriste
Me një fuqi në zemër më godiste
Zëri ëmbël si mjaltë më joshte
kur fjalën LIRI mezi e shqiptonte.

Ajo fjalë me gjak u ushqye
Asnjë më tepër s’ më ka bërë përshtypje,
kur për herë të parë dëgjova krismën e një pushke
E zërin e nënës që nga dritarja thërriste.

Gjuha shqipe me fuqi zemre atë çast
Kumbonte si flamur në mendje, më qëndisej
Si shqiponja e Marigonës e shpata e Skenderbeut
Në fushëbetejë për çlirim trimërisht kur endej.

Xheneta Suma



AS TOPI S’ I LËVIZTE

Pashë nëna e fëmijë që qanin
Pashë burrat që u mblodhën në oborr
Pash varrin e një sypatremburi,
të një heroi shqiptar.

Shqipen kishte në gjak
Dashuri të vetme
lirinë për të cilën dha jetë,
prore dëshirë e freskët

Lufta dha të mira
Dhe pikëllim
La pas ligjërime pa mahi
Dhe shumë fëmijë jetimë.

Jeton në vepra, e jo në jetë,
Jeton në zemra, e jo në skenë
Jeton në mallet e shpirtrave tanë
Që thërrasin atë emër me zjarr.

Ai emër i ripërtërihet
Nga shumë atdhetarë në kurbet,
Që janë me trup të mërguar
Por, me dinjitet në vend të vet.

Xheneta Suma




FËMIJËT E VARFËR

Duke ecur rrugës, pashë mërzinë, e cila shprehej në fytyrën e fëmijëve të varfër. Ndoshta ishin të sëmurë, ose ndjenin të ftohtë, apo të nxehtët i kishte mbërthyer, por nuk kishin ç’ të bënin. Një ditë kaloi dhe erdhi tjetra, kur të njëjtit fëmijë sorrollateshin duke lypur rrugëve.
Njerëzit kalonin dhe nuk u interesonte për ato, papritur vetëm kur i pashë duart e mia në xhep por fatkeqësisht nuk kisha para për t’ i dhuruar dhe menjëher u mërzita.
Kalova afër parkut të lojërave, ku gjendeshin fëmijët e gëzuar dhe me asnjë brengë. Menjëherë më shkoi mendja te mërzia e fëmijëve në rrugë . Gjithë fëmijët po luanin tek lojërat, në duart e të cilëve nuk ishte fleta me shkrimin “ JU LUTEM MË NDIHMONI “, por kishin pije freskuese dhe ushqim për të ngrënë, ndërsa fëmijët e varfër as bukë për të mbijetuar …!!! Pse njeriu u bë kaq pa shpirt? Pyetje gjithmon pa përgjigje.
E di që ka shumë lypësarë, por te këta femijë ishte diçka ndryshe, ndaj vendosa që të ndihmoj. Nga dita në ditë fillova të mbledh para për t’ ua dhuroj atyre. Paratë e mblodhura ua dërgova fëmijëve. “Ahhhhhh”, psherëtiva me mendje, pa nxjerrë as edhe një tingull. Disi e qortoja veten pse nuk e kam bërë këtë mirësi më parë…!
Brenga humbi, sikur buzëqeshja u kthye. Isha shumë e lumtur, si të më ishte hequr një brengë e madhe, sikur zemra time, që e kisha bosh, m’u rimbush me dashuri e gëzim Të nesërmen kalova në rrugën, por ata fëmijë nuk ishin tashmë. Mbase kishin vendosur që të mos e kalojnë jetën në rrugë…? Nuk e di. Mirëpo, një gjë e di; fëmijët ishin ndryshe nga të tjerët. Ndonëse të varfër, fitova nindjen se ishin të buzëqeshur përjetshëm.

Dafina Rexha




GJYSHJA IME

Çdo ditë në mëngjes
Gjyshja më thërret
- Zgjohu bija e gjyshës
Shkolla po të pret.
Zgjohu ngadalë
Laji fytyrë e duar
Tash do të të përgatis
Ushqimin e preferuar.
Do ti lash dhëmbët
Edhe te vishesh
që të shkosh në shkollë
Princesha e gjyshes

Denise Çuni




SIRENA

Gjatë shëtisë rreth liqenit në fund të ujit një hije pashë se dikush po më ndiqte. U frikësova se ç’ ishte.
-Kush jet ti? - e pyeta. - Ç’ kërkon në këtë vend?
- Kjo është shtëpia ime, - tha ajo. - Edhe peshqit janë shoqëria ime.
S'kishe ç’ të shihje, pos një vajzë të bukur me flokë të gjata. Emri i saj ishte Sirenë dhe shndëriste si dielli e hëna. E habitur që po shihja, dyshova isha në ëndërr apo zgjuar. Zëri i saj ishte i ëmbël, që askush s' do ta ketë dëgjuar.

Firdane BARDHI





SHTEGTO PËLLUMB I BARDHË

Si sot, edhe nesër do t`i thuash jetës “mirëmëngjes”, do ta përshëndesësh me një gotë buzëqeshje dhe dy gota forcë për të treguar se dhimbja e së djeshmes do të jetë shpresë për të nesërmen, të cilën e ke pritur që një herë dita jote të agojë me bardhësi si bora e pastër. Pikërisht erdhi ajo ditë e zymtë.
Vit pas viti e masakruar, të bënë të keqen ty, oj Kosova ime, të dëbuan, të harruan dhe më e trishtuara, të morën djepat e lirisë. Shqiponjat që prisnin të fluturonin, u futën në dheun e zi që s`të ngroh as eshtrat, as zemrën, por rëndomë ta shton dhimbjen. E, si mund të gëzohet dikush duke eliminuar një jetë, një shpirt?! Si mund të kënaqet dikush duke shkatërruar një person, duke e hedhur në baltë e pastaj i lë edhe shenja tradhëtari, pa harruar që derdh gjak të kuq me vuajtje të zezë. Vuajnë çdo ditë e më shumë familjarët në çdo cep të dhomave të ngrysura nga lotët. E dini se çfarë po presin? Një rreze dielli që t`i than lotët, do të t`i shërojë buzëqeshjet e ngrira, ndonëse është e kot, ngase mund të kesh gjithçka. Por, gjithnjë do të ndjesh mungesën e një gjëje. Vetëm koha është shërues i gjithçkasë, ndërsa ne sot po marrim pak kohë nga brengat, nga jeta, nga ëndërrat për realitetin. E vërtetë është se jemi të pavarur, por ende nuk jetojmë si të tillë. Sepse, dëshirojmë të ecim përgjatë detit, përkundër që nuk na pëlqejnë qoftë dhe dy pika uji.Ne duam ndryshim, i cili fillon nis fillimisht vetëm nga vetja dhe te vetja. Aty fillon kapitulli i parë.
Ndonjëherë nuk është e nevojshme të ndërrosh faqe, sepse historia mbetet e njëjtë. Por, ndërro librin, ato shkronja që të mësuan të vërtetat e jetës.

Natyra Kalisi





JETA

Jeta është si qiri në errësirë
Tretet ngapak e ngapak
Ndriçon me atë pak forcë që e ka
Kjo është jeta jonë e idhur

Dafina Rexha





KUR ISHA E VOGËL

Në prehrin e nënës qaja, hedhja lot si lumë
Nëna më përkëdhelte e unë qaja më shumë
Me shikonte babai dhe më pyeste mua
Pse vogëlushe qan? S’ do të më tregosh mua?

Dafina Rexha






VITETE E HUMBURA

Një shoqëri e pandarë, një shoqëri e pashkatërruar, e paharruar, e lumtur dhe e gëzuar, për gjithë këto ishin vetëm mendimet e asaj shoqërie që mendonin se dashurinë që kishin për njërin-tjetrin s’ mund ta mposhtte askush. Me kalimin e kohës kjo shoqëri, dite pas ditur, erdhi duke u shkatërruar dhe kjo vetëm nga armiqtë e tyre.
Ishin të bindur banditët që mendonin se fitoren e kishin të sigurt. Por, banditëve u dështoi, sepse dashuria që ndjenin për njëri-tjetrin, nuk mund ta mposhtte askush. Është një gjë e pashkatërruar, që nuk mund të humbet apo të zhduke, por vetëm të fitohet. Të gjitha vitet që i kaloi ajo shoqëri e ndarë në fund, përfundoi me lumturi. U bashkuan ata shokë, të cilët për faj të disa shkrimtarëve, patën mundësi ta humbnin atë lumturi dhe ta harrojmë atë dashuri.

Shpresë Shyti







ADEM JASHARI

Trim legjendar
Luftoi për liri
Kurrë s’ diti të ndal’.

Ti në familje
Pate shumë trima
Dhe të gjithë
Mbetën viktima.

Por Zoti deshi
Disa shpëtuan
Dhe familja jote
Përsëri u shtua.

Kurse të rënët për liri
Çdo herë i kujtojmë
Dhe falë tyre
Pavarësinë e gëzojmë.

Gjaku i tyre
Që u derdh për liri
Duhet ta ruajmë
E ta nderojmë me dituri

Elvira Vila






KRYETRIMI

Zemra e trimit
Po luftonte për liri.
Zemra e nënës qante
për të sajin bir.
Kosovë, Kosovë trimi
pr ty u shtri për tokë.
Ushtri për tokë i plagosur
o i ndezur, o i gjakosur.
Sa me mall e dhembshuri
e kujtojmë fytyrën e tij.
Emri i tij është kudo.
Adem Jashari përgjithmonë.

Mirgona Qajani





DUA

Dua të jem Ulqin e Preshevë,
Dua të jem Tetovë e Janinë,
Dua të jem Korçë e Prizren
Dua të jem Shkup e Shkodër.
Dua të jem një shtet
Dua të kemi një emër
Dua te jetojmë të pandarë
Si trupi me një zemër.

Ishte ëndërr e parealizuar
Kjo ishte deklaruar
Atëherë kur zemrai shte deklaruar
Kosova, Presheva, Bujanovci ishin robëruar.

Më kujtohen fjalët
Që nëna m’ i ka thënë;
Të luftojmë me armë
Si çdo shqiptar…

Më rrinë në mendje fjalët e babasë
Ku thoshte: lufto e mos ndalo
Nëse ende babain
Ti e do.

Motra e gjorë
Nuk dinte ç ’të bënte
Herë kapte armën,
Herë pas here qetësohej.

Familja iu është copëptuar
Na thoshte turku e serbi.
Shqiptarët e etur
Vazhdonin duke ecur.

Zemra u bë mal
Mal me përtejmall
Kur shqiptarët së bashku
Luftuan me armë.

Erdhi koha e pavarësisë
Se Kosovës sonë
Ku kremtuam e harruam
Hallin e motrës së gjorë.

Nuk jam e qetë
Pse Presheva e Bujanoci janë
Në dorë të shkaut, ku djemve
Të lirisë nuk i lihet as kujtimi i feniksit.

Xheneta Suma





VENDLINDJA IME

Për vendlindjen më lidhin shumë kujtime
çdo gjë është e lidhur me zemrën time
aty është vendi ku kam jetuar
aty gjendet shtëpia ku jam strehuar
aty gjej ngrohtesin e diellit
aty shikoj yjet e qiellit

Çfarë do që të ketë fat
të jetë qytet ose fshat
është ky vendi im
ku e shoh me gëzim
ku zgjohem me freskinë e mëngjesit
ku bie të fle me perëndimin e diellit
ku marrë frymë si me magji
vendi im përplot me dashuri

Elvira Maliqi






EDHE BABAI KA MUNDUR TE VDESË NË LUFTË

Shqiptarët, ndonëse të rrezikuar nga shumë pushtues, luftuan dhe kurrë nuk u dorëzuan. Njëri ndër armiqtë më të fortë dhe më të rreptë të Kosovës ishte okupatori serb, në krye me komandatin serb, Arkanin. Në fillim të vitit1997 ushtria serbe filloi të hyjë në disa territore të Kosoves. Mirëpo, pasi mori vesh Adem Jashari që forcat serbe po hynin në Kosovë, e formoi nje ushtri me shume trima, që e quajti USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVË.
Pas luftës së viteve 1998-1999 UÇK doli fitimtare.Dhe, kështu nëntë vite më vonë, që do të thotë më 17 shkurt 2008, e shpallën pavaresinë e Kosovës nga kryeministri Hashim Thaçi. Ne duhet t’ ua dimë për nder të gjithë lufëtarëve të UÇK-së në veçanti dëshmorëve.
Populli shqiptar ende nuk u vedijësua, sepse kriza ishte në vëllim te madh. Kosova e re nisi nga fillimi që të punojë, por luftëtetarët që shpëtuan, ende nuk i harrojnë trishtimet e përjetuara gjatë luftës. Kur dëgjoj babain se nganjë herë flet se si i kanë përjetuar ato rrethana, mua më rrëqethet trupi. Nganjëherë ne televizor kur e shikoj luftën, flas me veten dhe pyetem: si kanë mundur t’ i përjetojnë këto? Fëmijët qanin, nënat rrinin të mërzitura, sepse mendonin se i kanë vdekur fëmijët e tyre që kanë luftuar. Një ditë isha vetëm në shtëpi duke shikuar TV. Shikoj se gjatë luftës njerëzit që kanë vdekur, i kanë gjetur varret e tyre masive nëpër skajet e një rrugice. Shumë herë po flitet për luftën. Disa njerëz i kanë harruar dëshmorët, të cilët kanë derdhur gjak për Kosovën e atyre nuk iu interesohet hiq. Mirëpo, familja ime nuk i harron dëshmorët, seps babai ime ishte në luftë. Edhe ai mund te kishte vdekur. Kaluan 13 vite dhe qeveria e Kosovës ende nuk e ka zgjidhur stausin e veteranëve e dëshmorëve, pra nuk kanë pensione dhe asgjë më tepër se ata që nuk kanë qenë në luftë.

Shpresa Shyti





KUSHTRIMI I LIRISË

Sot ka festë Kosova
Të gjithë po festojmë
Emrin më të bukur
E mban shkolla jonë.

Në një fshat të largët
Me emrin Kryenik
Ra dëshmor baca Ilaz
Me fshatarët e tij.

Tani vit pas viti
Ne po festojmë
Dhe kurrë Bac Ilazin
Nuk dore do ta harrojmë.

Ajtene Bardhi





JETIMJA LIRIDASHËSE

Duke notuar, duke notuar
Në lumin e mendjes sime
Në një vend gjeta
Të shkruar emrin familje.

E kam menduar dje
Dhe nesër do ta mendoj.
Oh, sa do të kisha dashur
Që sot me ta të jetoj….

Por, ja që kështu ndodhi
Lufta të gjithë m’ i mori
Këtu me mua s’ jetojnë
Por zemra ata shumë i vlerësoi.

I falenderoj të gjithë
Që vendit lirinë ia dhuruan
Edhe pse jam jetime
Jam krenare për ata qe jetën e flijuan.

Xheneta Suma





MËSUESI IM

Po rri ulur dhe mendoj,
kur do të vijë koha,
Që mësuesin tim të dashur ta takoj?
Si të më falej bota....

Në ënderr e kam parë,
Sytë e tij shpirtar,
Shkëlqenin si drita e hënës,
Me si një yll polar.

Në ditët e shkollës,
Ora e tij kur vinte,
Gëzimin na e shtonte,
Me buzëqeshje mrekulli na dhuronte.

Kur na shpjegonte gjuhën,
në klasë na sillte ilirishten.
Kur na sqaronte letërsinë,
Më të dashur na e bënte shqipen.

Kur fliste për Naimin,
E donim më shumë Shqipërinë,
E me Buzukun e Bogdanin,
Na e ngjallte Arbërinë.

Kur shpjegonte Cvajgun për aktorin Moisiu,
Skena gjermane shqip foljen buçiste,
Kur e mësonim Marin Barletin,
Nga arkivat e botës emrin tim nxirrte.

Fjalët e tij edhe në ëndërr nuk i fshij
Me dashurinë e pakrahasueshme,
Nuk e kuptova ai ose lënda e tij
Gjuhën shqipe e letërsinë e amshonte.

Kaltrinë Berisha



Marrë nga "Faqja për fëmijë" në FB