Samstag, 17. August 2013

Odhise Grillo: Vjersha për fëmijë


Balada e burrave

Kam pasur një gjyshe
mbi të gjitha gjyshet,
kur ajo tregonte,
heshtnin dallëndyshet.

Kur fliste ajo,
mbanim vesh dhe gurët,
thaheshin mocalet,
lulëzonin drurët...

Po ku je, moj gjyshe,
se më dogji malli,
je prapa një ylli,
a prapa një mali?

Kur të kujtoj ty,
këngët e përrallat,
gjumi edhe sot
vjen m'i mbyll qepallat...

Moj e mira gjyshe,
kur të sjell në mend,
më kujton një re,
më kujton një shkëmb.

Po c'shkëmb më kujton,
cfarë reje vallë
aty ku rreh deti
dhe si mal ngre valë?

Më kujton shkëmbinjtë
në Vuno, përposh,
pa më kujton retë
përmbi Mjegullosh.

Kur isha i vogël,
shpesh të kam pyetur:
- Këta shkëmbinj c'janë,
pse rrinë të heshtur?

Dhe ti më tregoje,
gjyshe gojëmjaltë:
E di pse qëndron
ky fshat e kjo baltë?

Se në krahë i mbajnë
shkëmbinjtë me thinja
nën qiellin me diell
dhe me vetëtima.

Po shkëmbinjtë c'janë,
mund të më tregosh,
që me valë i rreh
deti kaltërosh?

Burrat që s'e lanë
vetëm këtë vend,
që mbetën në fshat
dhe u bënë skëmb...

Ata përmbi supe
mbajnë këtë dhe,
ku ka mbirë ulliri,
ku jetojmë ne.

Po retë në qiell
cfarë janë vallë?
Përse vijnë e ikin
dhe përse qajnë?

Janë kurbetllinjtë
që ikin më natë,
që i lanë pas
fshatin edhe gratë.

Edhe shkuan larg,
të huaj, të shkretë,
me ditë e me javë,
me muaj, me vjetë.

I hëngri kurbeti
dhe në vend të largët
hapën varr për vete,
për ne hapën plagët...

Tani i merr malli
edhe bëhen re,
vrapojnë në qiell
dhe vijnë te ne.

Me lotë të nxehtë
mallin zënë e derdhin,
pastaj nisin kthehen
prapë andej nga erdhën.

Na u dhemb në zemër
edhe plagë e kanë,
që morën kurbetin
dhe fshatin e lanë.

Shkëmbinjtë e Vunoit
dhe retë që qajnë,
janë fshati ynë,
janë burrat tanë!

Kam pasur një gjyshe,
mbi të gjitha gjyshet
kur ajo tregonte,
heshtnin dallëndyshet!





Kryefjala e fjaleve

I mora A-ne atit,
ne te ishte dhe nena,
i mora T-ne tokes,
ne te ishte dhe zemra,
i mora D-ne detit,
ne te ishte dhe qielli,
i mora H-ne henes,
ne te ishte dhe dielli,
i mora E-ne eres,
ne te ishte dhe shiu,
i mora U-ne ujit,
ne te ish dhe njeriu...
I lidha te gjitha bashke
dhe si ylber shkelqeu
e para kryefjale
e fjaleve :
ATDHEU!



Ç'ënderrojnë vogëlushët

Ç'ënderrojnë vogëlushët,
qe shetisin rreze malit?
Eh, te kishim per qeleshe
pak nga bora e Korabit.

Ç'ënderrojnë vogëlushët
qe po lozin ne lugina?
Eh, te kishim ne ne faqe
portokallet qe ka Vrina~

Ç'ënderrojnë vogëlushët,
qe mrizojne rreze bjeshkes?
Eh, te kishim ne per syte
pak nga ujerat e Prespes!

Ç'ënderrojnë vogëlushët,
qe shtegtojne pas kopese?
Eh, t'i kishim ne kemishat
porsi fusha e Myzeqese!

Ç'ënderrojnë vogëlushët,
qe po ngjiten maje kodres?
Eh, t'i kishim ne fustanet
si qilimat e Kosoves!


Blerta na harroi gërshetat

Nena dhe babai
na e pyesin :
- Blerte,
Cfare vizatove
permbi ate flete?

- Vizatova veten,
a nuk e shikoni?
Ju jeni te rritur
si nuk e kuptoni?

-Po c'ke ngaterruar
blete edhe qershi
flutur e kalem
molle dhe kuti?

Jo asgje, asgje
nuk kam ngaterruar,
ne fletore veten
une kam vizatuar!

Po habitet nena
babai ben cudi...
- Ti nuk je kalem,
ti nuk je kuti!

Molle edhe qershi
ti nuk je, moj Blerte,
pastaj ketu c'duan
nje flutur,
nje blete?

- Jua thote gjyshja
pritni kur te vije...
- Kur s'e dime ne
gjyshja s'mund ta dije!

- Jo e di, e di!
Gjyshe moj, vrapo,
se c'kam vizatuar,
eja na trego.

Ja ku erdhi gjyshja,
vizatimin pa...
- Kjo ketu eshte Blerta! -
prinderve u tha.

Se, kur afron mbremja
edhe do te flere,
i kendoj nje kenge,
qe gjumi ta zere.

Gjumi mbi qepalla
vete edhe vjen
une, nje kenge, mbeses
nis edhe i them :

" I ke faqet molle,
syte si qershi
hunden si kalem,
gojen si kut".
Pa, i them : "Je blete"
Pa i them : "Je flutur",
se eshte punetore,
sepse eshte e bukur.

Pra ne vizatim
eshte vete Blerta
vecse ka harruar
te beje...gershetat!

Vjersha nga Rifat Kukaj

 
1. ZOGU I LASGUSHIT

Yll i ndritur në natë qershori
Sikur ra prej gjithësisë,
Ngazëllyeshëm, sytë m’i mori
Në degë t’qershisë.

U purtekëm unë e gjethet
Qetë e lehtë me petalet,
Qielli vetë nisi të prehet
Edhe malet.

Kënga nga zogu i brishtë
Lindi krejt ëndërrimtare,
Dritë feksoi n’flatra e bisht
Dhe n’për dritare.

Gëzim, shpresë, në gji më derdhe
E hare të butë si pushi,
Zog-magji ti mirë se erdhe
Nga Lasgushi!

Ato porosi të larta
Te dritarja e shtëpisë
Po m’i thotë me vargje t’arta
Kalorësi i bukurisë.

 

2. NËNË KAM POR JAM JETIM

(Mikut të sinqertë, shkrimtarit Odhise Grillo,
që ma frymëzoi këtë vjershë)


Udhëtova nga anë e anës
Deri n’sheshin e Tiranës.

Aty pashë një vogëlush
Që i kishte sytë si rrush!

Dhe e putha në dy faqe
Ç’aromë lulesh-manushaqe!


E përkëdhela dhe në gushë
Si rrezja zogun në fushë.

Ai më pa me habi:
-Or xhaxha, kush je ti?!

Jam poet - ca i krisur
Nga Drenica larg i nisur...

Erdha të thith nënën në gji
Bashkë me një vëlla të ri.

M’i fshij lotët ylli im
Nënë kam por jam jetim.

Na ndau skilja Evropë
Që u ndaftë: copë-copë!

 
3. BALADËZ

Me pushkë në krah
Një ditë dola për gjah.

N’shteg qëndroja si guhak
Zagari lehte n’imshtak.

U mbështeta për një ah
Harrova zagar e gjah,
Mbi dëborën e ndritur
Pikasa një zog të përhitur,
Aq i brishtë e krejt i ngrirë
Në acar ai martir
Në shpinë i shtrirë!

Këmbët thik përpjetë
Ah jetë, sa e shkretë.

Mbase shpresa i ka thënë:
“Shtriji e ngrohi në Hënë!”

Në mua vajtonte dita
Në dy zyçka ende drita
Po fiksonte por e mekur
Porsi Hëna e paprekur
Nga këmbët e zogut të gjorë
Orëprerit në dëborë.

Mbaron rrëfmi për një jetë
Në vargun e njëzetetretë!

 
4. BUKUROSH EDHE LAROSH

Kryet në det
Bishtin te retë...

Në këtë shpat
Puth shtëpitë,
Në atë shpat
Zogjtë e fëmi’ të...
Degë më degë

Edhe qershitë...
Bukurosh edhe larosh
Ah, ta kisha për krahosh!
Lart në qiell I larmi hark
E gudulis Lumi në bark...

Nuk është urë
Është pikturë!

Këndoi trishtili:
“Ciu, ciu, ciu...

Se ç’na doli
Pas shiut?!!!”



5. NËNA 

Ti ke pak zjarrmi
Vogëlushe Leonorë,
E nënës i digjet
Zemra në kraharorë.

N’mëngjes, po e zëmë
S’të hahet - nuk ha,
Urinë e tërë botës
Nëna at’ ditë e ka...

Oh, pa pandehur gishtin
E gërvishte pak,
E di ç’ndodh me nënën?
Zemra i pikon gjak!

Mbi shtrojën më t’butë
Ajo shpesh këlthet:
-Kam dro’ ndonjë pupël
Vashëzën mos ma vret.

 
6. VESHËT E LEPURIT
 

Në arën me grurë
Në fshatin Veleshtë
Lepuri herë i çonte
Herë i palonte veshët...

Në fshat po qante një fëmijë
Këtë lepuri s’desh ta dëgjonte
Ndaj veshët i palonte...

Në fshat po qeshte një fëmijë
Këtë lepuri desh ta dëgjonte
I lumtur veshët i çonte...
 

7. DY MOTRA

“Dy motra, ven’ e vijnë,
Njëra tjetrën s’e arrijnë..."

”Kujdes, në kthesë
Mos e ngre kokën lart
Se më puthesh me asfalt!

Lëviz me këmbë mbaju me dorë
Hapi sytë-në semaforë!

Je i lehtë në Biçikletë, a dëgjon?
Por s’je vetëm në komunikacion...

Tregim nga Rifat Kukaj


LEPURUSHI ME KËPUCË

Në oborrin e dajave të vet, Dreni ka parë Lepurushin për herë rë parë. Me siguri që është çuditur. Ka parë një krijesë që pak i ngjet maces e mace s'është. Pakëz i ngjet qenit e qen nuk është. Viç nuk është. Ç'është? - ka bluar mendja e tij.
Fëmijët e dajave i kanë dhënë Lepurushit sallatë nga duart e tyre. Më vonë i ka dhënë edhe Dreni. Prekja e buzëve të lepurit ka qenë e butë, miqësore.
E ku ta di unë ç'kanë lozur tjetër me lepurushin. Po si më treguan, Dreni ia paska avitur këpucët e veta para shputave. Ka dashtë t'i mbathë lepurushi këpucët. Paska kërkuar edhe një palë këpucë të vogla. Mos i ka vajtur mendja që t'ia mbathë katër këpucë në katër këmbë dhe të dalin për të shëtitur qytetit?
Kështu e ka Dreni. Sa herë i them se shkojmë “ba" që në gjuhën e tij domethënë shetitje, ai nxiton te këpucët.
Duke dëgjuar ç'i kishte ndodhur Drenit te dajat, mora me mend diçka të pabesueshme. Po merrni edhe ju me mend se lehtë e keni. Mendja fluturon si zogu. Merrni me mend, nipin tim, Drenin, zbathur duke ecur rrugës së qytetit, e pas tij një lepurush duke ecur jo me shputat e buta, por me katër këpucë!
- Tap, tap, tap, - këmbët e Drenit.
- Krrop, krrop, krrop, - këmbët e lepurushit.
E njerëzit nga të dy anët duke parë me habi ç'po ngjet.
A thua kështu ka menduar Dreni? Ndoshta po, ndoshta jo.
Po atëherë pse ka dëshiruar t'ia mbathë këpucët?
Parmbrëmë sa e pyeta për lepurushin e dajave, lëvizi buzët ashtu si lepurushi dhe ngriti duart sipër veshëve. Uh, e paskan habitur edhe veshët e tij të gjatë. Nuk është larg mendësh se kur ta shohim një gomar do të mendojë se është babai i lepurushit!

Vjersha nga Makfire Maqedonci - Canolli


ABETARJA, FLORIRI ME YJE

Abetarja është libri i parë,
nga nis e gjithë dituria,
me kaq flori që ka brenda,...
matet e tërë pasuria.

Shkronjat që ka ajo,...

i kanë marrë librat e tjerë,
kush i mori më lehtë,
kush me shumë poterë.

Floriri i Abetares
është flori me okë,
ama kur fëmijët,
e futin thellë në kokë.

Në çdo fletë të Abetares,
është nga një yll,
me çdo grafikë shkronjash,
ndriçojnë një pyll.

Zbret aty dhe dielli,
si mësues i jetës,
lidh fijet e dritës,
derdh mjaltin e bletës.



JONA KA EMËR PREJ DETIT

Jona mburret shumë për vete,
që është shoqe me ca dete,
dhe kur flet për oqean, ...
ia merr valët për jorgan.

Aq më shumë u lavdërua,
kur foli për emrin e vet:
Jo thjesht nga një krua,
por tha del nga një det.

E kur fle gjumë të thellë Jona,
sheh në ëndërr shumë Valbona,
u flet shoqeve me krenari,
për valët që i rrinë përmbi.

Kur zbret hëna mbi oqean,
ia merr rrezet të bëjë dritë,
me poetin të shkruaj vargje,
edhe natën ta bëjë ditë.

Zogj e yje mblidhen në vargje,
dhe pulëbardhat në fluturim,
por tallazet rrahin brigjet,
e tundojnë pa pushim.



KUDO QË JAM, SHQIPTAR JAM

(Me rastin e Festivalit të
fëmijeve në Kopenhagë)

Sot unë në këtë festival,
dua t’i them botës mbarë,
se ndihem shumë krenar,
që mbaj emrin shqiptar.

Prindërit tanë të nderuar,
qofshin përherë të bekuar,
që ne për të mos u asimiluar
gjuhën shqipe na e kanë mësuar.

Na mësojnë me dashuri,
si të ndjejmë ne krenari,
për shqiponjën dykrenare
dhe Kosovën legjendare.

Sa herë ne që flasim shqip
si shqiponjat rritemi çdo ditë,
dhe së bashku të bashkuar,
kombin kemi për ta lartësuar.

Unë jam lindur në mërgim,
por kam gjakun e babit tim,
që rrjedh në damarë të mi,
bashkë me emrin Shqipëri!

Atje është toka jonë,
ku kanë lindur prindërit e mi,
andaj edhe unë me nostalgji
kam në zemër shumë dashuri.

Edhe pse linda në mërgim,
Shqipëria është mëmëdheu im,
dhe sot me zë mbi lapidar,
them se edhe unë jam shqiptar.

 


DRINI S'FLE AS ME PËRRALLË

Kot përkund gjyshja Drinin,
nuk po fle as me përrallë,
mendon tek i lëmon buzët:...
A mos dëshiron të pijë pak dhallë?

Një valë gjyshes seç i thotë:
Edhe dhalla bëhet prej Drinit,
kot acari shtrëngon dhëmbët,
s’e ngrin dot as gjatë dimrit.

Ninanana, vazhdon gjyshja,
por valët ngrenë tallazin
dhe sheqerkën e hedhin në tokë,
nuk heq Drini dot marazin.

Ulën, ngritën valë të tjera,
herë më lehtë, herë me tërbim
shpirti i tyre s’do qetësi,
sulën keq kur kanë zemërim.

Pastaj foli vetë Drini i Bardhë:
Nuk jam fëmijë, por jam plak,
mijëra vjet në këtë shtrat,
s’më ka lidhur nëna lulak.

 


UNË DHE DALLËNDYSHJA

Të dy jemi shtegtarë,
unë e ti, dallëndyshe!
Ama në jetë ca gjëra...
i kemi paksa ndryshe.

Ti shtegton në vende të nxehta,
e kapërcen oqean e det,
ti ke krahë të shkruar,
unë avion “Jet”.

Ti ndërton çerdhe
pa skicë, pa një maket,
jo si unë që pyes
fqinjin tim arkitekt.

Unë kthehem nga kurbeti
pa diktatin e stinëve
dhe ti më thua, dallëndyshe!
Më mirë unë që bëj ndryshe.

Unë dhe ti shtegtarë,
motra ime, dallëndyshe!
Më jep krahët e tu!
Nuk dua të jetojmë ndryshe!

 


KONCERT PËR BANORË TË PYLLIT

Kaq shumë kafshë,
si metafora,
vijnë në vargje,...
dora-dora.

Vjen ngadalë,
ky ariu,
rëndon vargun,
ku bren miu.

Nuk vonohet,
ai luani,
ulërin fort,
pse s’erdhi i pari.

Tigri flet
me rrëmbim:
Larg luanit,
dua vargun tim,

Elefanti nuk flet fare,
hapa e hapa seç tund okën
jo veç vargun,
shëmb dhe tokën.

Me bisht zvarrë
afrohet dhepra,
lehtë-lehtë në kotec,
ik nga vargu, ik nga vepra.

Majmuni nga Afrika,
tha tek hante me shije shegë:
Nuk dua vargje,
por dua shumë degë.

Po na morët
ne në rima,
ua bëjmë vargjet
copë e grima.

Thanë kështu
si në një kor
ketri, miu
edhe thiu.

Ajo bleta jonë punëtore,
lëshon lulet e livadhin,
e vjen në vargje
të thithë nektarin.

Bashkë me vargjet
edhe poezia,
hapën zemrat
si fëmija,
të hyjnë brenda
jo veç trimat,
edhe zogjtë
me cicërimat.

 


MBRETËRESHA E LULEVE

(Luledielli)

Jo, nuk jam mbretëreshë,
as e luleve, ...
as e fisit,
as nuk e kam pamjen
si thoni ju, të lisit.
Puna ime është e thjeshtë,
e thjeshtë fare
të mbush sofrën me vaj,
që urie asnjë fëmjë
asnjëherë të mos qajë.
Kam shumë kokrra
me shumë diell,
të zeza futë,
që ju i quani fara
nëse s’e dini,
i rrit nëpër ara.
Kam një kokë
si është vetë dielli,
e mbaj të kthyer lart,
andej kah qielli.
Nuk rritëm dot,
pa e shikuar diellin në sy,
sepse jeta ime është aty.
Natën pa diellin,
thoni se unë fle?
Jo, jo fëmijë,
asnjë orë,
numëroj farat e mia
që hani ju në shkollë.
Më lëni të shkoj në fabrikë,
Te shtrydhem
e të shtrydhem në vaj,
që ju fëmijë,
të rriteni të shëndetshëm,
dhe askush nga ju
urie të mos qajë.

 


DITA E GËNJESHTRËS

Sot gënje ti gënjeshtar
se ke ditën tënde të gënjeshtrës,
por vetëm një ditë, ama...
dhe ktheju prapë të vërtetës!

Se me gënjeshtra
dot nuk kalon jeta,
më e bukur është
kur thuhet e vërteta!

Sa e bukur do të ishte
një gënjeshtër nga ti,
se kjo jetë është e pafund
dhe nuk do të plaket njeri!

Do të doja të më gënjente
sot edhe pasqyra,
të më thoshte me buzëqeshje
se po më përtrihet fytyra!

Pse jo edhe kalendari
të më gënjente mua,
se ditët do të zgjatën
aq sa është një muaj!

Sa shumë do të doja
të më gënjente edhe ora,
e të më thoshte nga sot
mbrapsht do të ecën koha!



ZËNKA E LULES DHE E BLETËS

- Kaq shumë përralla tregon ti, bletë!
Si poeti në ato fletë,
zënka nis bëhet më e nxehtë,...
sa të shkruhet një gazetë.

- Rri, moj lule në ato halle!
Qoftë një erëz që vjen nga male,
një nga një të heq petalet,
me to në fusha i heq vallet.

- Kam kostum të bukur shumë,
të lag krahët me atë lumë,
kam shumë rrënjë e jo halle,
thith nga toka minerale.

- Po nga unë e more mjaltin,
i merr radhën lulja bletës,
dhe kthen kokën andej nga qielli
të marrë jetë me rreze dielli.

Dhe bleta nuk e zgjati më shumë,
iku shpejt nga foltorja,
nuk vazhdoi më të thumbojë,
po mjaltë të mbushte ato hojë.

 


ËNDRRAT E DETIT
 

Deti pa një ëndërr
që në gjumin e parë,
të ishte bërë nuse...
krushqit e kishin marrë.

Deti pa një endërr
të llahtarshme shumë,
i ishin djegur valët,
i ishin bërë shkurmb.

Deti pa një ëndërr
edhe më të keqe,
seç ishte ngrirë një natë,
në ato mijëra leqe.

Deti pa një ëndërr,
që qante si fëmijë
të ishin derdhur yjet
në shtratin e tij.

Deti pa një ëndërr,
tek po ndrinte agimi
të ishte bërë oqean
e ta kishte pirë Gëzimi.

Vjersha nga nxënësit mërgimtarë


FSHATI

Nën hijen e kodrës
Një vend i gropuar,
gjendet fshati im,
gjithnjë i lulëzuar

Lumi në mes
Ëmbël gurgullon,
Bukurin e fshatit
Më shumë ia shtonë.

Shkolla në mes,
Me trimëri qëndron,
Ku shumë fëmijë
Me dije i pasuron.


Esra Beluli, Sh.F. VS1; Kl.4b, Perg - Austri


 
LUMI


Rrjedh lumi pa pushim
E njerzit dalin për peshkim.

Fëmijët luajnë e notojnë,
në lumë edhe ne sot do të shkojmë.


Zehra Beluli, SHF VS 1 Kl.4b. Perg - Austri



BORA

Dimri është i ftohtë,
por fëmijët e duan borën,
bora e parë ju sjell shumë gëzime

Fëmijët mezi presin sajat që ti gjejnë,
dhe me shpejtësi tetpjetë
shpejtë në rrëshqitje
të fluturojnë.

Por edhe kjo stinë,
do të përfundoj,
do të vij pranvera,
lule do të lulëzojnë.


Erblina Xhezairi, SH.F. VS1 Kl 4b; Perg - Austri


_______________
Pëgatiti mësimdhënësi Izri Reaxha

Vjersha nga Elionita Rexhepaj

NËNA 

Nënën time
Shumë e dua
Sepse ajo...

Më rriti mua.

Ajo mua më mëson
Më edukon
Të gjitha dëshirat
Mi plotëson.

Nëna ime
Më ndimon
Jetën e saj
Mua ma dhuron.

Nëna ime
Për mua lufton
Me punë e vepra
Ajo mua më begaton.

 

SHQIPTARËT

Ka shumë lule
Me aromë lirie
Këngë më e bukur...

Vjen nga shqiptaria

Skënderbeu
Tha një fjalë
Mos mi këputni
Lulet e mia

Se krejt dridhet
Dardania
Trojet shqiptare
Kanë bërë një abetare.

Në këtë përvjetorë
Të njëqind me radhë
Pavarësia në Vlorë
Vjen me abetare-kombëtare

 
 
PINGUINI

Larg vendit tim
Ai jeton
Në vende të ftohta...

Ku dielli nuk mjafton.

Në ujërat
E ngrirë
Me rrugë
Kurrë të shkrirë.

Me këmish të bardhë
Kostum të zi
Jeton bashkë si don
Në shoqëri.
 
 

ME DHIMBESET TOKA

Ka nje gje
Me na bashkue?
Ka nje vend...

Me na roberue
Me dhimbset toka.

Ka argjend
Qe shkelqen
Valet e detit
I rremben
Me dhimbset toka.

Ka nje ore
Qe bukur kalon
E gjithqka
Ne bukuri shendrron
Me dhimbset toka.

Ne kete vit
Oj tok e bekuar
Pesë vjetorin
E ke fituar
Prap me dhimbset toka.

Qdo gje e mire
Nese sot ndodh
Prap do te me dhimbset
Mua kjo tok.

Tok e mjere
Me dhimbsesh ti
Se dora e shkjaut
Derdhi shume gjak mbi ty.
 

NJË DITË

Një ditë loti
Nuk dotë pushoj
Një ditë errësira...

Do të na mbuloj.
Një ditë era
Të lëkundë
Të rrëzon
Por ti prap qëndron.
Një ditë djelli
Nuk perëndon
Nata pa hënë
Prap ndriqon.
Një ditë ylli
Do të ndriqoj
Ylberi shumë ngjyrësh
Do të lulëzoj.
Një ditë zogu
Do të këndoj
Shumë më mir
Jetën do ta fillojmë.


Isa Baftiu: Vjersha për fëmijë


KUJTIM QË NUK HARROHET

Në shkollë një ditë
hynë barbarët,
na i dogjen lapsat...
dhe abetaret.

Shumë policë...

hynë brenda n'shkollë,
na i dogjen fletoret
na i thyen vizoret.

Paqja e liria
do të triumfojë
Kosova martire
me diell do të gjelbërojë.

Do të agojë dita
N'këto fusha, male
Kosova e dashur
më nuk do t'ketë halle!

 


GËZOHEN ABETARET

Në mesditë -
ja ç'na tha lala Met:
- Kush punon ...
ka shëndet!

Në rend të parë
mësoni e mësoni,
Me punë e dije
atdheun nderoni.

Merrni, merrni dituri
stolisni ditarët
Gëzohet mësuese Gresa,
gëzohen abetaret.



KTHEHU...

Kthehu në Kosovë
kthehu, o vëlla...
Malli na ka marrë...
- aq më sa s'ka!

Kështu i shkrova letër
Binit e Zojës
Që vajtën n'kurbet
për kafshatën e gojës!

E lanë nënëloken
me lot në shtëpi,
Lanë babin e nënën
me pak dashuri.

Babai një ditë
një letër e shkroi:
- Lokja ju thërret;
Kosova ju do, Kosova ju pret.

 


MUAJT E VITIT

Janari, janari -
të fohtë ka Bujari...
po edhe ky shkon...
dhe shkurti ofron.

Shkurti n'shkollë na gjen
- neve o shokë fëmi'
Pastaj marsi vjen
edhe ky sjell lumturi.

Po pas marsit prilli -
... bukur, bukur këndon
Me atë zë bilbili -
të gjithëve na gëzon.

Ashtu për majin duhet t'flasim -
e tërë natyra është n'zbukurim
Luadheve të gjithë ngasim
- oh sa gëzim, oh sa gëzim.

Edhe qershorin s'duhet harruar -
ështëi bukur për ne mbarë
Edhe pak n'mësim duhet shkuar
pastaj - pushim për çdo shkollar

Muaj korrik dalngadalë -
ai vjen me hapa - leht'
Zemrat tona bëhen mal
... kush n'liqe e kush në det.

Gushti, gushti -
muaj i tetë...
Ai ik e vjen shtatori
- prap zilja na thërret.

Kështu themi pas shtatorit
- tetori, tetori veç arriti
Këto janë fjal't e Mentorit
- zemrat bjeshkë na i rriti.

Po edhe nëntori o shokë -
është muaj i kuq për ne
se për të buçasin këngët
buçasin për t'SHTRENJTIN ATDHE

Dhe, së fundi dhjetori -
është muaj i dymbëdjhjetë,
ku me këto o shokë e fëmi' -
kryhet një vjet.

 


BETIMI

Dardanin e ka dajë
e Kosovaren teze
Vogëlush,mos qaj -...
pash gjyshen Leze!

Se dajën e hidhëron
dhe tezja nuk të flet,
Bana nuk këndon
- qielli errësohet!

E pse s'të bleva lodër,
po të kallëzoj drejt
- Pasha timen motër:
asnjë para s'më mbet!

... çka bleva patate
jo i bleva tri bukë,
Borxhin që ia patëm -
ia ktheva lalës Ukë.

Ti thua - m'blej këtë
jo më blej atë
E krizë e madhe është
kudo - n'qytet e fshat.

Madje vazhdoi Beni
- prit, o imi Bin
Lirinë do ta kemi...
veç edhe pak durim!

Se pasha rininë time,
e pasha timen Bletë
Kosova jonë e lirë,
e lirë do të jetë...

 


HËNA

Hëna nuse
me rrezet flokë
Faqe-kuqe...
nuse mbi tokë.

Vallëzon krenare
n'Atdheun tim
Është guximtare
- oh,sa gëzim!

Guximtare
dhe trimëreshë
Shih sa këndshëm
mbi mal qesh!

Errësirën e natës
kah e dëbon
Me rrezet e arta
ne na gëzon.

 


ÇAPA ÇUPA ÇAP

- Çapa, çupa, çap
lahet e vocërra Florë
- rapa, rupa, rap...
gati për në shkollë

Të past'ra jemi edhe ne,
po Flora ka shumë lavdata
Ja sa bukur i ka kreh'
to flokë të gjata!

Pastaj, shoqet i thërret
- Hajde n'shkollë po shkojmë
Shoqe e shokë të vet -
ja, për të, se ç'thonë:

- Mësojmë edhe ne,
veç Flora pak më shumë
Kur recituam vjersha dje,
e lavdëroi mësuesja Lumë.

Pra, ajo veç mëson -
përtesën s'e ka dëshirë
Për këtë mësuesja e do
do, çdo nxënës të mirë.

 


MË THUAJ BABI

Lindi, Lindi
Lindi i vogël
... vizaton...
dhe shpesh babit
i tregon:

- Babi, babi
a sheh, këtu?
Ky është lepli,
unë e kam vizatu'.

- më thuaj, babi
më thuaj ti
A i kam bëlë milë
mustaqe e sy!?

 


DËSHIRA

Krahë shtrirë
gjer në qiell
Ndër ne mirë...
mot me diell.

Në çdo mot
(po gjithkund)
Qofshim të lumtur
- t'lumtur shumë.

Zi askund
të mos ket
As n'katund
as n'qytet.

Unë uroj:
- kudo n'botë
Fëmijtë mos t'jenë
të mbytur n'lot!

Lot mos pastë
veç lumturi
Dhe veç bardh
- pastë liri.

Zë barbari
mos u dëgjoftë
Në Kosovë...
liri mbret'roftë.

 


LIBRI...

Shumë e dua
më do shumë,
është për mua...
për të jam unë.

Ky është
- libëroshi
ose ndryshe
- bukuroshi

Bukurosh
libri im
e mbaj pastër
më jep mësim.

Mësim na jep
të gjithëve mbarë
ne nga ai
bëhemi shkollarë

Nebih Bunjaku: Cikël me poezi për fëmijë

 
 
PUSHKËN NË PENË

Gjakmarrja ndër shekuj
Si gjarpër i zi
Kokën në Mesjetë...

Krismën në Arbëri

Me pushtimin e Lules
Linden krime gjaqe
Mbiu farë e keqe
Edhe ndër bajraqe

Degët thahen n’ethe
Trungu n’agoni
Mbyllja e nje varri
Hapte varr të ri

Toka plagë e gjak
Të Gjergj Elez Alisë
Kushdo që merrte hak
Therra n’prag të sh’pisë

Malet ulnin kokën
Për miqësi pa shpresë]
Me gjak ujitej toka
Besa lypte besë

Kanuni shkruhej ashpër
N’ethe vazhdonte jeta
Paragrafet si mengene
Vrisnin nenet e veta

Lekë Dukagjini qortonte
“Gjak për gjak me mbetë”
Nëna kërcure vajtonte
E pikëlliuar për jetë

Shekujt na rrallonin
Nga krismat e pushkës
Fëmijët na mallkonin
Për huqet e mushkës

Zvarritej hakmarrja
Deri në ditët tona
Rinia shpejt e zhbiu
Larg u dëgjua jehona

Në Kosovën trime
Ajo pagoi haraqin
Populli e anatemoi
Dhe i gjeti ilaçin

Pushkën në penë
Amanet për jetë
Që më n’trojet tona
Hidra të mos ketë
Krushqit e pajtimit
Një Pranverë vrapuan
Plagën shekullore
N” Kuvend e shëruan
 
 
 
NËNËS

Dielli i zemrës sime
është veç Nëna ime
më lindi më rriti ...

veç me ledhatime

Nëna ime e shtrenjtë
është një Shtyllë shtëpie
Ajo ma ngroh shpirtin
me rreze dashurie

dashuria e saj
zemrën ma freskon
me dorën e zemrës
kur më ledhaton
 
 
 
YLLI I SHPIRTIT

Diar Dilit

Ylli i shpirtit n'Norvegji...

Midis yjesh - më i miri
Rrezet tua n'zemrën time
Je i vogël - yll dëshiri

Edhe larg n'shpirt të kam
Yll i gjyshit - yll me fletë
Dardania të ka xhan
Nëna e mjaltit ti je bletë

Dardaninë mos e harro
T'do me mall e me zemër
Me gjithë rrezet e ndriço
Ji krenar ti për këtë emër

Kur të rritesh të jesh diell
Ngrohja shpirtin Dardanisë
Ty të do edhe në qiell
Krenaria e Ilirisë

Prishtinë, 13.2.2012

Gjuha Shqipe

Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indoiranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjerën prej gjuhëve të sotme indoevropiane. Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjehësore indoevropiane, u arrit të përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të studimeve të gjuhësisë historike krahasuese.
Ishte sidomos merita e njerit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane. F Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë me titull “Ueber das Albanesische in scinen verwandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në vitin 1854.
Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në dy grupe: në gjuhë lindore ose satem dhe në gjujë perëndimore ose kontum, shqipja shkon me gjuhët lindore (satem), bashkë me gjuhët indoiranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten.

 
Origjina

Problemi i origjnës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njerës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës traka. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe ghuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve.
Përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez Hans Erich Thunmann në veprën e tij “Undersuchunger liber di Geschichte der Östlichen europäischen Völker” Leipzig 1774. Ai, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhduesit autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve.
Tezea e origjinës ilire te shqipertarëve është mbështetur nga albanolugu i mirënjohur austriak Johannas Georges von Hahn në veprën e tij Albanesische Stidien,publikuar më 1854
Që nga ajo kohë deri në ditët tona, një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin tezën e origjinës dhe të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Disa nga keto argumente themelore, jane:
1. Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar fise ilire; nga ana tjetër në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u vendosur në trojet e sotme.

2. Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra sendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.

3. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato jane zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, dmth kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse.

4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishtjen e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe ështe zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjithë këto argumente, të paraqitur në mënyrë të përmbledhur, rezulton se teza e origjinës ilire e gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore.


Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ajo që quhet “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Eshtë një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re shrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijtë e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915”.
Më pas, një botim filologjik të këtij dokumenti, bashkë me riprodhimin fotografik të tij, e bëri filologu francez Mario Rognes në “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris 1932.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496. Udhëtari gjerman Arnold von harf, nga fshati i Këlnit, në vjeshtë të vitit 1496, ndërmori një udhëtim pelegrinazhi për në “vendet e shenjta”. Gjatë udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë, gjatë bregdetit, duke u ndalur në Ulqin, Durrës e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht. Ky Fjalorth u botua për herë të parë më 1860 në Këln, nga E.von Grote.
I fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XV është edhe një tekst tjetër i shkruar në gjuhën shqipe dhe i gjendur brenda një dorëshkrimi grek të shekullit XIV në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos. Teksti përmban pjesë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabet grek. Ky tekst i shqipes i shkruar , njihet në literaturën shqiptare me emrin “Ungjilli i Pashkëve”.
Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë letrare, por paraqesin interes për historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.
Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, që njohim deri më sot, është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare. Nga ky libër, na ka arritur vetëm një kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Libri përmban 220 faqe, të shkruara në dy shtylla. “Meshari” i Gjon Buzukut është përkthimi në shqip i pjesëve kryesore të liturgjisë katolike, ai përmban meshet e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë të ritualit dhe të katekizmit. Pra, ai përmban pjesët që i duheshin meshtarit në praktikën e përditëshme të shërbimeve fetare. Duket qartë, se kemi të bëjmë me një nismë të autorit, me një përpjekje të tij, për të futur gjuhën shqipe në shërbimet fetare katolike. Pra, edhe për gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë të tjera, periudha letrare e saj nis me përkthime tekstesh fetare.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të parë në Romë nga njeri prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi. Por libri humbi përsëri dhe u rizbulua më 1909 nga peshkopi Pal Skeroi, gjurmues dhe studiues i teksteve të vjetra. Në vitin 1930, studiuesi nga Shkodra Jystin rrota vajti në Romë, bëri tri fotokopje të librit dhe i solli në Shqipëri. Në vitin 1968 libri u botua i transliteruar dhe i transkriptuar, i pajisur me shënime kritike dhe me një studim të gjerë hyrës nga gjuhëtari i shquar, prof.E.Çabej. Në mënyrë të pavarur, tekstin e Buzukut, e pati transkriptuar edhe studiuesi N.Resuli.
“Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në gegërishten veriore (veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta. Libri ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht të stabilizuara, çka dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.
Prof.Eqerem Çabej, që ishte marrë gjerësisht me veprën e Gjon Buzukut, ka arritur në përfundimin, se gjuha e saj “nuk është një arë fare e papunuar”. “Duke e shkruar me një vështrim më objektiv këtë tekst – pohon ai – nga gjuha e rrjedhëshme që e përshkon fund e majë atë dhe nga mënyra, me gjithë lëkundjet e shpeshta, mjaft konseguente e shkrimit, arrin të bindet njeriu, se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë, së paku që në mesjetën e vonë, një traditë letrare me shkrime liturgjike”. Kjo tezë, sipas autorit, gjen mbështetje edhe nga gjendja kulturore e Shqipërisë mesjetare; “shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve perreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut”.
Për nje traditë të shkrimit të shqipes para shekullit XV, flasin edhe disa dëshmi të tjera të tërthorta.
Kleriku francez Gurllaume Adae (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341), si Kryepeshkopi i Tivarit dhe pati mundësi t’i njihte mirë shqiptarët, në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terrom sanctam”, dërguar mbretit të Francës Filipit VI, Valua, studiuan ndër të tjera: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapësëprapë, ata kanë në perdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”. Pra, ky autor flet për libra në gjuhën e shqiptarëve, duke dhënë kështu një dëshmi se shqipja ka qenë shkruar para shekullit XV.
Edhe humanisti i shquar Marin Barleti, në veprën e tij “De obsi dione scodrensi” (Mbi rrethimin shkodran), botuar në Venedik, më 1504, duke folur për qytetin e Shkodrës, bën fjalë për fragmente të shkruara in vernacula lingua, dmth në gjuhën e vendit, të cilat flasin për rindërtimin e qytetit të Shkodrës.
Këto dëshmi të G.Adae dhe të M.Barletit, dy njohës të mirë të shqiptarëve dhe të vendit të tyre, janë në pajtim edhe me të dhënat historike për këtë periudhë, të cilat flasin për një nivel ekonomik e kulturor të zhvilluar të viseve shqiptare në shekullin XIV dhe në fillim të shekullit XV. Në atë periudhë, në veri dhe në jug të Shqipërisë, lulëzuan ekonomikisht Durrësi, Kruja, Berati, Vlora, të cilat u bënë qendra të rëndësishme tregtare, zejtare dhe kulturore.
Këto janë dëshmi që e bëjnë të besueshme ekzistencën e një tradite më të herëshme shkrimi të shqipes, megjithatë, deri sa kërkimet të mos kenë nxjerre në dritë ndonjë libër tjetër, “Meshari” i Gjon Buzukut do të vijojë të mbetet libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe dhe vepra e parë e letërsisë shqiptare.
Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe te arbëreshët e Italisë. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë Matrenga “E mbesuame e krishterë….”, e botuar në vitin 1592. Eshtë një libër i vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi. Libri është shkruar në dialektin e jugut, me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta për të paraqitur ato tinguj të shqipes, që nuk i ka latinishtja.
Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën penën e një vargu autorësh, si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të cilët nuk bënë vetëm përkthime, por shkruan edhe vepra origjinale,
Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin fjalor, “Fjalorin latinisht-shqip”, me të cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore shqiptare. Gjatë Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX, në kushte të reja historike, lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe hyri në një etapë të re. Në këtë periudhë u bënë përpjekje të vetëdishme për të ndërtuar nje gjuhë letrare kombëtare, standartizimi i së cilës u arrit në shekullin XX.

 
Dialektet e gjuhës shqipe

Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e veriut ose gegërishten dhe dialektin e jugut ose toskërishten. Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithëshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e mesme. Në anën e djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior (gegërishtja), në anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).
Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa vështirësi njeri me tjetrin. Megjithatë, ekzistojnë disa dallime në sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore e në leksik, nga të cilët më kryesorët jane: dialekti i veriut ka zanore gojore dhe hundore, kurse dialekti i i jugut, vetëm zanore gojore; togut ua të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me togun ue (grua ~ grue); togut nistor va të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me vo (vatër ~ votër); â-së hundore të theksuar të gegërishtes, toskërishtja i përgjigjet me ë të theksuar (nânë ~ nënë).
Dialekti i jugut ka dukurinë e retacizmit (kthimin e n-së ndërzanore në r (ranë ~ rërë), që në gegërisht mungon; në toskërisht, grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, etj. Ruhen të plota, kurse në gegërisht, janë asimiluar ne m, n, (mbush ~ mush, vend ~ ven). Në sistemin morfologjik, dialekti i veriut ka formën e paskajores së tipit me punue, kurse toskërishtja në vend të saj, përdor lidhoren të punoj. Forma e pjesores në toskërisht, del me mbaresë, kurse në gegërisht, pa mbaresë (kapur ~ kapë), etj. Dialekti I jugut ka format e së ardhmes: do të punoj dhe kam për të punuar , ndërsa dialekti I veriut përveç formave të mësipërme ka formën kam me punue.

 
Shqipja standarte

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarte), si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proòes i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.
Ne vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punen per te krijuar alfabetin shqip dhe ne vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari qe shprehu qellimet e Rilindjes Kombetare Shqipëtare nëpërmjet traktatit të tij, parathënies së “Evetr”-it të pare dhe shume shkrimeve të tjera.
Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojëshme, zinin një vend qëndror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.
Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit, më 1904.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u arrit të përvijoheshin dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjedhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëhere, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 Nentor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotesuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në perdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lire edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja leshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.
Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.
Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.
Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njesimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarte) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi te organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.
Me 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapsiren shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërkohë, perpjekje për njesimin e gjuhes letrare dhe të drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në Kosove.
Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për njesimin e gjuhes letrare kombëtare shqipe.
Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes “ i vitit 1967, pas një diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, qe u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e gjuhes shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare kombëtare.
Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morën pjesë delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshet e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e berë deri atëhere për njesimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.
Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarte), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut.
Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që kodifikojnë normat e gjuhës standarte, sic janë “Drejtshkrimi i gjuhes shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori Drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së sotme shqipe I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997).

 
Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarte.

Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një mbizotërim të tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. Një pjesë e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjeter janë zhvillime te mëvonshme.
Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga shtatë fonema zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit.
Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z), 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).
Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjate fleksionit. Në shumicen e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen e parafundit.
Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.
Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht; ka nyje të përparme te emrat në rasen gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës të tipit të folurit, etj. Përvec fleksionit me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash ~ desh, marr ~ merr); ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm (i madh, i ndershëm) dhe të panyjshem (trim, besnik). Te numërorët përdor kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19, formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj dhjetshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në gjuhët sllave.
Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishem. Shqipja ka një sistem të pasur formash menyrore dhe kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë menyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore). Koha e ardhëshme ndërtohet në menyre analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).
Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshem është rendi subjekt+verb+objekt.
Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej disa shtresash. Një shtresë të veçantë përbëjnë fjalët me burim vendas, të trashëguar nga një periudhë e lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër, motër, jani, etj.), ose të formuara më vonë, me mjete të shqipes (ditor, dimëror, i përnatshëm).
Një shtresë tjetër, përbëjnë fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera, si pasojë e kontakteve të popullit shqiptar me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët e huazuara kanë hyrë nga greqishtja, greqishtja e vjetër dh e re, nga latinishtja dhe gjuhët romane, nga sllavishtja dhe nga turqishtja.
Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur origjinalitetin e saj, si gjuhë e veçantë indoevropiane.

 
Përhapja e gjuhës shqipe

Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore, si dhe në viset e Çamerisë në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këtë dhjetëvjeçarin e fundit.
Gjuha shqipe mësohet dhe sudjohet në disa universitete dhe qëndra albanologjike në bote, si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Plermo, Leningrad, Pekin, München, Bukuresht, Selanik, Sofie etj.

 
Studimet për gjuhën shqipe

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studjuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor edhe një filozof i madh, sic ishte Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për ta shpjeguar atë. Në disa letra, qe ai i shkruante një bibliotekari të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.
Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese nga mesi i shekullit XIX. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari gjerman Franz Bopp, arriti të provonte që në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas tij, studjues të tjerë, si G.Meyer, H.Pedersen, N.Jokli, studjuan aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G.Meyer do të hartonte që në vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), i pari fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh gjuhëtarësh të huaj, si F.Miclosich, G.Weigand, C.Tagliavini, St.Man, E.Hamp, A.Desnickaja, H.Ölberg, H.Mihaescu, W.Fredler, O.Bucholtz, M.Huld, G.B.Pellegrini, etj. kanë dhënë kontribute të shënuara për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe gramatikën historike, si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.
Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën shqipe të albanologëve të huaj, lindi dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj që në shekullin XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635). Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu, në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një nga arbëreshët e Italisë, botoi veprën “Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno 1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”, Prato 1866. Më 1882, Kostandin Kristoforidhi botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1806, Sami Frashëri botoi “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”, i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë Botërore. Në vitin 1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.
Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare. Në fushën e gramatikës u shqua sidomos Proff. Dr.Aleksandër Xhuvani.

 
Aleksandër Xhuvani (1880-1961)

Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e shkollës sonë me tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951, 1954, 1956.
Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqerem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e fjalformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe.
Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961).
Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.
Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999).
Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga shtypi.
Eshtë bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave gramatikore të gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysëmshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë: "Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh.Demiraj), etj.

 
Eqerem Cabej (1908-1980).
Studjuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare.

Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një gjysëm shekulli, duke lënë një trashëgimni të pasur shkencore.
Eqerem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqerem Cabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës, në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.
Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes” (1944).
Ai është bashkëautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.
Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetra referate e kumtesa në kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.
Veprat e prof. Eqerem Cabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin “Studime gjuhësore”.
Me veprimtarinë e shumanëshme shkencore e me nivel të lartë, Eqerem Cabej ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë.

Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë veçanërisht prof.Androkli Kostallari.
Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjuhësisë studimore e studjuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsidrueshëm veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në këtë fushë
Kontribut të veçantë për gjuhen shqipe kanë dhenë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të njohur si “Arbëresh”
Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë), Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, etj.

 

Himni kombëtar

Në një vështrim të përgjithshëm, çështja e himneve kombëtare të vendeve të ndryshme është një problem i cili filloi të popullarizohej fillimisht në Angli, diku aty nga mesi i shek. XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe përpara kësaj kohe, por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qënë në këtë shkallë kaq të rëndësishme të cilës i referohemi neve sot, pasi askush nuk e mendonte se ky llojformimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të popujve. Muzikologjia daton si të parin himn atë të Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 - “Wilhelmus van Nassouwe”. Ndërkohë, himni me fjalët më te vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori. Po në këtë arsyetim, himni më i gjatë në ekzekutim është “Marcha de la Patria”, i Argjentinës kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813; ndërkaq himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë etj. Pra siç e shohim, historia e formimit të himneve kombëtare është e ndryshme në vende të ndryshme. Me sa duket, në përcaktimin ose jo të një krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol kryesor kanë luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në historinë e një vendi.
Por ka edhe shembuj të tjerë. Këtu gjej rastin të përmend faktin, se p.sh himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin 1949 me anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në bazë të himnit të Vatikanit qëndron muzika e kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e shkroi këtë muzikë në vitin 1846 (vepra quhet “Marcia Pontificiale” dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila gati 100 vjet më vonë u vendos të ishte himn zyrtar i Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka shumë.
Historiku i krijimit të himnit tonë kombëtar
Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollesi, lidhet me faktin e thjeshte se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: -…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”.
Nga këto rradhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte jashë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të bënim shtetin, si me thene: “buxhakun para oxhakut”. Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull “Kënga që s’kuptohet”, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi.
Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin “The Guinnes Book of Music”, është shkruar si më poshtë: himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912, fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni, muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku.
Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vëteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.
Së dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar siç është flamuri, dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut. Ja poezia e plotë e “Betimi mi flamur”-(Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni në vitin 1908:
 
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vënt.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!

Lidhur me origjinalitetin e poezisë së himnit do të citonim përsëri Lasgushin i cili thotë se “…tituli “Betimi mi flamur”, që i ka vënë himnit Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt etnikërisht shqiptar”. Po të njëjtën gjë në koncept e pohon edhe Migjeni, qysh në vargun e parë të poezisë kushtuar Melodisë kombëtare: “U vodh kënga nga zemra e kombit”. Që të gjithë e njohin edhe kontekstin e betimit popullor mbi flamur: - “Nën hijen e tij qofshim dhe në dorën tonë valoftë”.
Së treti lidhur me muzikën e himnit. Si Migjeni, po ashtu edhe Lasgush Poradeci anojnë të paktën në karakterizimin e përgjithshëm të himnit tonë për nga përbërësi muzikor i tij. “Këngë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi! (Migjeni); “U bë Shqipëria! Po u bë duke vuajtur me buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbe: me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar” (Lasgushi).
Më tej, Prof. Sokoli thotë se “… motivi i këtij himni e ka burimin te tradita muzikore gjermane , meqë këngët e lartpërmendura (nga kjo traditë-shënimi ynë) janë më të hershme se kompozimi i Porumbeskut”. Edhe kompozitori i shquar bashkëkohor George Ligetti konstaton me të drejtë ngarkesën edhe origjinën internacionale të parakrijimit të Himnit Shqiptar të Flamurit. Pohimi i kësaj të dhëne është me rëndësi jo vetëm për faktin se krijimi i himnit tonë në pikëpamje muzikore ishte drejtuar përkah orientimit të përgjithshëm perëndimor, por dhe se në këtë mënyrë nuk ka arsye që ende të citohet Porumbescu si krijues i tij. Vetë krijimtaria muzikore e Purumbeskut ka një lidhje të fortë me traditën e shquar muzikore të Austrisë, vend ku ai studioi muzikë pranë konservatorit të Vienës. Tashmë njihet fakti, se në bazë të himnit të tij qëndron një nga meloditë më te njohura të rinisë austriake të gjysmës së dytë të shek. XIX. Në rastin e himnit të vjetër të Rumanisë “Pe al nostin steag”, të kompozuar nga C. Porumbescu me fjalë të A. Barteanut, po sipas Prof. Sokolit, “… mjafton të krahasojmë fillimet e këtyre këngëve gjermane me fillimin e Himnit të Flamurit për të parë ngjashmërinë e madhe, ose pothuajse njëjtësinë e disa masave”.
Në Shqipëri në vitet 1900-1945, nga muzikologjia jonë konstatohet se krahas folklorit muzikor dhe tendencave të para të muzikës profesioniste shqiptare, u krijua dhe kultivua edhe nje repertor këngësh me origjinë vendase dhe internacionale, këngë të cilat këndoheshin në gjuhën shqipe. Kjo gjë u vu re si në aspektin e këngëve lirike si psh serenatat, po ashtu edhe në fushën e këngëve patriotike e më pas atyre partizane. Pa u zgjatur këtu do të përmendja këngën “Të gjithë ne o djema”, me fjalë dhe muzikë nga Spiridon Ilo (1876-1950); këngën “Vlora-Vlora”, me kompozitor Thoma Nasin dhe poezi nga Ali Asllani; “Këngën e dëshmorëve të Shkodrës”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Këngën e Asim Zenelit” me fjalë nga Qamil Buxheli dhe muzikë nga Mustafa Krantja; “Bashkohi shokë me ne në çetë”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Shkrep me zjarr porsi rrufeja”, me fjalë nga A. Skali dhe muzikë nga Kristo Kono; këngët “Kushtrimi i lirisë”, “Britma e çlirimit”, “Hakmarrja” , “Ato maja rripa-rripa”, “Rini-Rini”, “Himni i ushtrisë” me muzikë të Dhora Lekës e shumë të tjera. E gjithë kjo krijimtari kishte bërë jetën e saj nga goja në gojë dhe vetëm gjatë viteve ’50, tek ne u bënë përpjekjet e para për të grumbulluar dhe notizuar këngët patriotike edhe partizane që ishin kënduar nga populli për vite me rradhë duke përfshirë këtu edhe himnin e flamurit. Dy botimet e para të kësaj fushe i përkasin vitit 1959 të përgatitura përkatësisht nga Gaqo Avrazi -“Këngë patriotike”, dhe nga Baki Kongoli - “Këngë partizane”.
Në materialet shoqëruese të tyre me të drejtë konstatohet se në përgjithësi për të gjithë këtë repertor vihet re se pjesërisht janë krijime me autor, pjesërisht të popullit dhe pjesërisht melodira të importuara që tashmë ato janë asimiluar në thesarin e muzikës sonë. Konstatimi vazhdon me faktin se populli këto këngë i ka bërë të tijat duke marrë formën shqiptare saqë po t’i krahasosh me origjinalin ndryshojnë mjaft njera nga tjetra. Dhe ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Në kulturën muzikore të ç’do vendi, në të gjitha kohërat gjendet një repertor i tërë muzikor i cili qarkullon pa ndërprerë, duke ndryshuar gjuhën si dhe stilemat muzikore të materialit fillestar. Kjo është një dukuri normale e shkëmbimit të kulturave.
Për sa më sipër, edhe muzika e himnit kurrsesi nuk mund të quhet plagjaturë e për më tepër imitim. Po ashtu, ajo nuk duhet të konsiderohet si një pamundësi kompozimi prej krijuesve shqiptarë. Pikërisht zgjedhja e kësaj melodie ndoshta mund të ketë qënë edhe e rastësishme, por ne mendojmë se parapëlqimi i saj synonte zgjedhjen e një gjuhe muzikore tepër të lexueshme e të qartë për të tjerët, për të kuptuar aspiratën e kombit shqiptar në ato vite të errëta të historisë së tij. Duke pasur dhe përdorur në ndërtimin e tij melodik, gjymtyrë të tëra pan-evropiane, himni synonte (me gjetjen muzikore “rastësore”), pikërisht Europën. I krijuar në kohën e ripërtëritjes së ndërgjejges historike shqiptare, melodia me tekstin e Asdrenit sillte dhe ende sjell zërin e njërit prej popujve të rilindur të Europës.
Rreth historisë së shkrim-notizimit të himnit kombëtar
Duhet theksuar se që nga krijimi i tij e deri në fund të viteve 40’ të shek. XX, himni ynë përveç se është kënduar dendur, ka bërë një jetë më së shumti gojë më gojë dhe pjesërisht është interpretuar me nota. Pas vitit 1912, interpretimi me nota i himnit ishte domosdoshmëri pasi ai ishte i destinuar të luhej edhe në ceremoni të ndryshme të shtetit shqiptar jashtë vendit. Në një letër të dërguar nga Faik Konica, në atë kohë përfaqësues në legatën e Mbretërisë Shqiptare në Washington, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme shkruhet shprehimisht se “… morra nga ministria e detit e Sh.B.A një letrë ku më luten t’u gjej një kopje për bandë t’avazit kombëtar të Shqipërisë…kuptova që avazi ynë ësht i vetëmi avaz kombëtar që nuk e kanë”.
Për herë të parë për partiturën e himnit flet Lasgushi kur përshkruan dërgimin e himnit në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit në vitin 1908 me anë të Tashko Ilos dhe Hilë Mosit i cili punonte ne kete kohe si sekretar prane nje tregetari te madh te Korces. Lasgushi i quan ata me qëllim kasnecë, pasi ishin në të vërtetë mbartës të një mesazhi që fillimisht duhej kënduar. Që të dy erdhën në Korçë “… me partiturat e himnit të bëra imtësisht gati me fjalë shqip”, dhe prej këtu filloi mësimi dhe përhapja e himnit kombëtar në të gjithë Shqipërinë. Po sipas Lasgushit “…përhapja parashikonte në krye të të gjithave mësimin e këngës”. Pikërisht për këtë arsye u zgjodh Hilë Mosi i cili kishte përveç formimit letrar dhe intelektual edhe talentin muzikor.
Mendoj se përhapja e himnit në popull do të ketë pasur vështirësi serioze për dy arsye. E para lidhet me mungesën e mësimit të muzikës dhe të sistemit muzikor në Shqipëri në ato vite, dhe e dyta lidhet me veshin muzikor të shqiptarit. Përhapja e himnit në një rrugë “gojë më gojë”, ndërmjet transmetuesve të tij (shpesh herë pa arsim muzikor), dhe bartësve të tij të ardhshëm , me siguri duhet ë ketë sjellë një rikrijim të mundshëm të tij. Së dyti, historia ka provuar se është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një populli si i yni t’i imponosh një melodi të huaj, aq më tepër melodinë që do të shndërrohej më pas në këngën kombëtare shqiptare.
Në një kohë me ardhjen e Hil Mosit dhe Tashko Ilos në Korçë, një shtytje mësimit të muzikës në përgjithësi dhe mësimit të himnit në veçanti i dha krijimi i “Bandës së Lirisë” themeluar më 1 tetor 1908. Qysh në formim banda përbëhej prej 25 muziktarësh me vegla të ndryshme. Fakt është se komuniteti i ri i muziktarëve në Korçë, pajtoi me pagesë një dirigjent italian të quajtur Pasquale i cili shërbeu si dirigjent i “Bandës së Lirisë”. Aq shumë u lidh ai me të sa më vonë edhe himnin e bandës së Lirisë e kompozoi ai vetë me fjalë të Hil Mosit. Pas kësaj periudhe, me gjallimin edhe të formacioneve të tjera muzikore nëpër qytetet e Shqipërisë si Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora, Gjakova etj, përhapja e himnit me nota u bë më e lehtë.
Mbi regjistrimet muzikore të himnit tonë kombëtar
Regjistrimi i parë muzikor në disk i himnit tonë kombëtar, është bërë nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph Records”. Kjo është shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit të XX, e ideuar dhe themeluar në Amerikë në vitin 1923 nga muziktari dhe patrioti Spiridon T.Ilo nga Korça. Në një kontekst më të përgjithshëm, vlera e “A.P.R” është shumëplanëshe dhe lidhet me gjithë zhvillimin e kulturës dhe artit muzikor shqiptar të viteve ‘20-‘40. Himni ynë kombëtar është kënduar dhe regjistruar në disk nga vetë Spiridon Ilo së bashku me tenorin arbëresh Giuseppe Mauro. Vlen të theksohet se tenori arbëresh Giuseppe Mauro, në vitet 20’ të shek. XX ka qënë një ndër tenorët me famë botërore. Në kohën kur së bashku me Spiridon Ilon regjistroi himnin tonë kombëtar në diskun e prodhuar nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph records”, me nr. E-3948, G. Mauro ishte ftuar në New York nga Metropolitan Opera për të interpretuar atje rolin e Otellos nga opera me të njëjtin titull e Verdit.
Himni ynë ka njohur shumë versione të regjistruara në disqe duke filluar prej viteve ‘40 e deri në fund të viteve ’60. Ndër këto regjistrime në disqe, përmendim atë te regjistruar pranë “ODEONIT” me nr. Ab 56 me mbishkrimin: “Hymni i flamurit”, Një pjes e korit të shkollës Normale Femërore të Korçës drejtue prej Maestro Z. Sotir V. Kosmos. Ky kor ka interpretuar gjithashtu në diskun me nr. Ab 55 edhe “Hymnin Mbrentorë” etj. Regjistrimi më i mirë profesionalisht i himit tonë kombëtar, është ai i vitit 1995. Ky regjistrim është interpretuar nga orkestra simfonike e Bambergut-Gjermani dhe është orkestruar posaçërisht për këtë orkestër nga kompozitori ynë i shquar Prof. Çesk Zadeja (1927-1997(-“Artist i Popullit”) me rastin e vizitës së Presidentit gjerman në Shqipëri.
Historiku i përpjekjeve për himne të tjera kombëtare
Na duhet të themi se mbas pëlqimit të përgjithshëm të “Rreth flamurit të përbashkuar” si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull “Hymni i flamurit”, Mihal Grameno me titull “Kënga Kombëtare”, Hil Mosi “Himn i Bandës së Lirisë”. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek “Vallja e yjeve” etj. E përbashkëta e gjithë këtyre poezive është fakti se që të gjitha pothuajse i referohen përsëri simbolit të flamurit, gjë që është edhe në thelb të poezisë së Asdrenit.

Mbi njatë flamur Perëndia
me dorë t’vet Ai ka shkrue:
Për shqiptarët do t’jet Shqupnia.
At. Gjergj Fishta
O vend e vatër,
O nëne e babë.
Fan Stilian Noli
 

Një poezi të shkëlqyer përsa i përket references sonë lidhur me flamurin kemi edhe nga Zef Serembja:
 
Flamuri shqiptar
S`i shihet n`horizont i dlirë shkëlqimi
Dhe as nuk i fal ngjyrat për fitore
Më nuk shartohet mbi lavdin njerëzore
Porsi një shenjë drite apo mjerimi.
I grisur ra dhe s`e përfill njeri,
Dhe gjindja e Arbrit, e ndershme e krenare
mori mërgimin dhe as ndalet fare
në një breg mikpritës n`siguri.
N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
Intruga diplomatësh, n`hidhërim
Ç`do shpresë e ç`do premtim ngadalë i tretet
Dhe koha kalon, rend fluturim.
Nga gjithshka na premtuan asgjë s`mbetet.
Më keq na shkelin se sa truall`n e zhveshur.

Qysh në vitin e parë të vendosjes së mbretërisë nga Ahmet Zogu, Shqipëria u bë edhe me himnin e mbretërisë. Në ndyshim nga himni “Betimi mi flamur”, himni i i ri mbretërisë i kushtohej tërësisht figurës së mbretit, një traditë e njohur kjo për të gjitha himnet e mbretërive, me muzikë të Thoma Nasit dhe me fjalë të Kristo Floqit. Një tjetër përpjhekje për himn mbretëror kemiedhe nga Loni Logori, i cili nuk arriti të njihej si i tillë. Një variant i himnit të mbretërisë është interpretuar dhe regjistruar në disqe nga sazet e Selim dhe Hafize Leskovikut në vitet ’20.
Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e “Himnit zyrtar kombëtar”. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himni dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetqeverimit, “… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”.
Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni “… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Zj. Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e dates 05. 03. 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komison-juri, e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Për hir të së vërtetës, Mid`hat Frashëri bën dorëheqjen nga kjo Juri, dorëheqje e bërë e ditur publikisht me letrën e tij të dt.26. 07. 1937. drejtuar Komisionit qëndror të kremtimeve të vetqeverimit. Nga 76 krijime, juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela[16]., i cili mbante pseudonimin “Osoja i Ri”.
 
O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t`Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim
 
Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës. Për variacion të temës së njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u quajt “Tekstet për konkursin e Hymnit të Flamurit”. Më pas kemi edhe një konkurs për melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues një kompozitor italian mjaft i njohur, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të metëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë kombëtar. Krijime artistike mbi këtë temë, të konsideruara në vetvete të pavaruara (por me titullin “Hymni Mbretnor”), kemi të realizuar me vargje të Loni Logorecit dhe “muzikuar si e këndon Spiridon T. Ilo” në tonalitetin Fa +. Ky variant është botuar edhe me nota (facsimile e partiturës) dhe hapet me strofën:

Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar

Në kopertinë të këtij botimi krahas titullit “Hymni Mbretnor”, gjejmë edhe foton e tenorit të shquar arbëresh Giuseppe Mauro dhe shënimin “… kënduar prej të dëgjuarit tenorit shqipëtar Zotit Giuseppe Mauro”.
Në këtë kohë, një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin ekzistues të flaumurit, u bë edhe nga ana e kompozitorit Thoma Nasi dhe poetit Kristo Floqi. Në ndryshim nga sa më sipër, këta dy autorë e ruajtën të paprekur linjën melodike të “Himnit të Flamurit”, por synuan ndryshimin e vargjeve të tij. Me këtë rast, kompozitori Thoma Nasi realizoi të parin klavir të himnit tonë kombëtar së bashku me harmonizimin përkatës
Pas pushtimit , në vitet 1942-43, në malet e Shqipërisë partizanja Dhora Leka krijoi himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë himneve të brigadave partizane apo formacioneve të tjera luftarake etj. Pas çlirimit të vendit më 29 Nëndor 1944, rreth fundit të vitit 1945-fillimit të 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall “Himni i Shqipërisë së re”, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946. Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjerua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse “Himni i Shqipërisë së re” (në ndonjë rast edhe me fjelë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë. Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me ministrinë e arsimit dhe kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u shpall një konkurs për “Himnin e Republikës”. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Sipas ish sekretar të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, studiueses dhe kritikes së muzikës zj. Hamide Stringa konkursi pati një organizim shumë serioz si nga ana e krijuesve ashtu edhe nga organizatorët. Më kujtohet se kemi bërë shumë takime për të parë materialet dhe për t’i seleksionuar. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar “E lirë u ngrit toka jonë”. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit “Për ty atdhe”.
Historia e himneve vazhdon edhe më tej, por gjithësesi pa sjellë ndonjë rezultat i cili të ndikonte në ndryshimin e himnit tonë kombëtar. Në të gjithë këtë histori të himneve të tjera, ajo ç’ka duhet thënë është e lidhur me faktin se asnjë vendim nga cilido forum artistik apo shtetëror, nuk ka ndikuar në zëvendësimin apo ndryshimin e himnit ekzistues të flamurit, për arsyen e thjeshtë, se himni është ngulitur thellë me rëndësinë, peshën dhe domethënien e tij në memorien kolektive të shqiptarëve. Ndoshta gjithë ç’ka thamë më sipër mund të jenë një argument i mjaftë për të kuptuar, se pse kanë “dështuar” përpjekjet për të ribërë në himn të ri të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se s’do të ketë përpjekje të tjera, por mendoj se mbrapa tyre, edhe sikur himni “Rreth flamurit të përbashkuar” të mos njihet më si himn zyrtar, shqiptarët kudo që të jenë do të vazhdojnë përsëri të këndojnë thjesht këngën “Rreth flamurit të përbashkuar”.
Së fundi
Ajo që duhet ritheksuar është fakti se ndryshe dhe si në asnjë himn tjetër të botës, himni ynë ekzistues është një me flamurin tonë kombëtar. Ky binom shprehet që në titullin e poezisë së himnit “Betimi mi flamur”, që siç e përsëritëm është një akt e fakt etnikërisht shqiptar. Nisur nga ky vështrim, himni është edhe kënga e flamurit dhe njëkohësisht edhe kënga jonë zyrtare. Për veçoritë e popullit tonë, popull i ndarë në katër shtete, faktor i bashkimit kombëtar, faktor i “prishjes” së kufijve artificialë, faktor i unifikimit etj, ka qënë edhe flamuri dhe himni ynë i njëjtë. Për sa më sipër, e udhës do të ishte që të presim kohë më të qeta, kohë gjakftohta të cilat do të na ndihmojnë që të rishikojmë të gjithë së bashku, me qetësinë dhe maturinë e duhur gjërat të cilat mund të ishin bërë ndryshe, ku një ndër gjërat mbase do të ishte edhe himni.
Deri atëhere, himni i vërtetë i shqiptarëve apo “Avazi ynë kombëtar”, siç shprehet Konica do të jetë ai që do të njihet, do të këndohet dhe do të respektohet nga të gjithë shqiptarët, ashtu siç është shkruar në nenin 14, pika 4 të Kushtetutës: Himni Kombëtar është “Rreth flamurit të përbashkuar”.