Donnerstag, 29. November 2018

Faruk Tasholli - Ku bie Shpella e Gadimës

Faruk TASHOLLI
(Fragmnt i një poeme për femijë)

Ju më thoni: Tash të nisemi
Bashkë të vemi në Gadime,
Ku nën kodër zë vend Shpella
Ndërsa jashtë vendlindja ime.

Nëse dukem i lazdruar
Mos më shihni me habi,
Unë aty nuk jam i rritur
Unë aty mbetem fëmijë.

Mbetem fëmijë e dua të jem
Si kam qenë moti, dikur,
Ku me këmbë a me duar
Kam prek gati në çdo gur.

Ja sa afër është Gadimja
Pak minuta nga Prishtina,
Nëpër Rrafshin e Kosovës
Si mbi det shket makina.

Po nuk morëm kthesën majtas
Ku tabela jep drejtimin,
Për një orë e prekim Shkupin
Tutje Strugën bashkë me Drinin.

2.

Ja këtu pranë këtij lumthi
Kishte krejt tjera shtëpi,
Ca dykatëshe ca përdhese
Ca me kashtë mbi çati.

Kishte qen e kishte mace
Si mund të ketë edhe tash,
Po unë kisha një qen t’bukur
Që e kish emrin Larash.

Kur them “qen” ju hapni sytë
Thellë më shihni me habi:
Ai më vinte gjithmonë pas
Herë në lojë, herë në shëti.

Kur Larashin kisha afër
Unë dyfish bëhesha trim,
Merrja krah ta shëtis botën
Tutje larg katundit tim.

Sa herë thirrja unë Larashin
Ngriste vesh e dridhte bisht,
Veç t’i thosha – e sulmonte
Po t’më prekte kush me gisht.

Por një ditë në fund të dimrit
Unë keq mbeta pa Larashin,
Iku, humbi, pa një gjurmë
Kushedi kah mori marshin?!

Dikush tha se e ka parë
Te therrtorja në Ferizaj,
Nuk besoja që nuk kthehet
Po ta prekte botën në skaj.

Si ta lente pa dëgjuar:
- Kut-kut-kut!, thirrjen time,
Kur të dy bashkë u rritëm
Me bukë gruri në Gadime.´

Oh, Larashi kurrë s’u kthye
As në fushë as te vatra,
Mua n’zemër ma la dhembjen
Me atë ikje me të katra.

3.

Ja këtu pranë këtij lumi
Kishte krejt tjera shtëpi,
Ca dykatëshe ca përdhese
Ndonjë me kashtë mbi çati.

Kishte krejt njerëz të tjerë
Që atëherë u thoshim pleq,
Por të gjithë ikën pas kodrës
Nuk janë më, sa më vjen keq.

Bëhej dasmë e vinin miq
Por jo si tash me makina,
Ca me tren ca me kuaj
Që nga Shkupi e Prishtina.

Në shtëpinë ku dasma bëhej
Dridhte xhamat një tupan,
Tek i binte: Bum-bum-bum!
Tupanxhiu me emrin Tan.

Tani kishte trup të vogël
E tupani dukej i madh,
Si me buton çonte valltarët
Të kërcenin në livadh.

Dienstag, 27. Februar 2018

Një libër, një përvjetor...


    Rizah Sheqiri

    NJË LIBËR, NJË PËRVEJTOR
    DHE SHUMË KUJTIME…

    Një shkrim, në shenjë falenderimi, për të gjithë ata që me respektin, mirësinë, miqësinë, bujarinë dhe mikëpritjen e tyre ma begatuan jetën me shumë kujtime të këndëshme dhe të paharruara.
    ( Rizah Sheqiri)
    ...

    "Kujt i buzëqeshin lulet" një libër imi për fëmijë i botuar nga "Toena" në Tiranë tash e 20 vjet më parë.
    Po... Ky libër i botuar 20 vjet më parë... më solli ndërmend se edhe botimi i një libri si ky mund të quhet përvjetor shumë i rëndësishëm ... Përvjetor i cili qoftë edhe për asgjë tjetër shumë i rëndësishëm për mua për faktin se më solli ndërmend shumë kujtime...


    20 vjet më parë, më 1998, doli nga shtypi në Tiranë libri im me poezi për fëmijë "Kujt i buzëqeshin lulet" botuar nga Shtëpa Botuese "Toena". Me të ndjerët; Odhise Grillon redaktor dhe Gani Xhafollin recensent.
    Kopertina është realizuar nga unë, ndërsa vajza në foto është Yllka kur ka qenë vetëm 4,5 vjet. Një foto e bërë nga unë në qytetin jugor të Suedisë, në Ystad, 5-6 vite para se të botohej libri.


    Miqë të mi, dua ta ndaj me ju disa kujtime nga kjo kohë, por në fillim po ju them vetëm edhe një fakt; sot krejt rastësisht e mora në dorë këtë libër i cili më kujtoi para së gjithash një mik timin, të madhin e lerave shqipe për fëmijë z. Odhise Grillon, i cili gjatë një jave sa qëndruam atje më mori edhe në shtëpinë e tij.
    Pra, ky libër i imi, sot ma solli në kujtesë të ndjerin Odhise Grillon, bisedat e shumta për letërsinë për fëmijë, për shkrimtarë e për krijues e për libra, por është e pa harruar në kujtesën time edhe mikëpritja e tij, bujaria e një njeriu me zemër të madhe, dashamirësia dhe respekti që tregoi ndaj meje dhe ndaj kolegëve të mi nga Suedia. Ky libër ma solli në kujtesë edhe takimin tonë të parë me të në Tiranë Ai ishte takimi ynë iparë , por t'i them se me Odhisen njihesha që nga bankat e shkollës kur kisha lexuar poemat e tij për fëmijë, ato libra bqë me paratë e kursyera i bleja me dashuri tek Xha Limani para Teatrit, ato libra për të cilat kisha bërë edhe ndojnë recension tek "Rilindja për fëmijë" të cilën e drejtonte poashtu një mik i cmuar e shkrimtar i madh Ymer Shkreli. Nga migrimi im në Suedi unë kisha mbajtur edhe kontakte të rregullta bashkëpunimi e letërkëmbimi me Odhisenë… Eh... Ky libër më rikujtoi edhe të ndjerin Gani Xhafolli që ishte recensent i librit. Por më kujtoj edhe mikpritjen e bujarinë e madhe të Familjes së respektuar e të dashur Toci (Fatmirit dhe Irenës) të cilët ishin bërë shtëpia jonë e dytë me përkrahjen dhe me mikpritjen e treguar ndaj nesh nga Suedia... janë të paharruara edhe takimet me miq e dashamirë të letrave në Tiranë të cilët i njihnim por vetëm përmes veprave të tyre. Gjatë kësaj Kohe vizituam edhe lidhjen e shkrimtarëve Takuma Xh.Spahiun, D. Agollin e shumë të tjerë... Pastaj Institutin e Historisë dhe atje e takuam Marenglen Verlin. Në Tiranë takuam dhe u njohëm e u bëm miqë të pandarë edhe me shumë krijues e shkrimtar si Dr.Gjevat Lloshin, të ndjerin Riza Lahin, e shumë e shumë të tjerë... Më kujtohet edhe pjesëmarrja jonë në një demostratë për Kosovën në sheshin Skenderbeu... takimi në redaksinë e Rilindjes në Tiranë me miqët tonë Ramadan Musliun e Skënder Zogajn... E shumë e shumë takime e aktivitete tjera kulturore e letrare... Të dashur miq e shuihni edhe nga ky shkrim se sikur paskam pasur nevojë shpirtrore të ulem dhe t'i shkruaj e t'i ndaj me ju këto kujtime...
    Po. Sikur është e thënë dhe e shkruar që librat , qoftë edhe ata për fëmijë si ky libri im, edhe me lindjen e tyre e ringjallin për ta ruajtur kujtesën… Kujtesën që vitet përherë kërcnohen ta mbulojnë me pluhurin e harresës…
    Krejt rastësisht e pashë edhe vitin e botimit 1998 të këtij libri. Edhe unë u shtanga nga habia: 20 vjet më parë!!! S'e besova dhe nuk desha as ta besoj se që nga atëherë ka ikur kaq shumë kohë, por... Ne po p ......,
    s'ma zuri goja këtë fjalë prandej po them që ne po ripërtihemi e vitet po kalojnë... Miku im Ramadan Reshitaj me komentimin tij më rikujtoi edhe një moment shumë të rëndësishëm interesant nga qëndrimi ynë në Tiranë në vitin 1998 dhe pikërisht ditën kur doli nga shtypi ky libër i imi. 
    Falemnderit Miku im Ramadan Reshitaj për komentimin dhe fjalët tuaja në facebook!...
    Po miku Ramadan, është e vërtetë që atje ishim bashkë edhe me Dr M.Shatrin dhe me Dr. H.Abazin. Dhe për më tepër, më kujtohet, ishim bashkë edhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku folëm për Librin "Kosova në Luftën e dytë botërore" të mikut tonë të respektuar e të dashur Dr. M Shatrit. Pikërisht në promovimin që Dr. Shatrit dhe librit të tij iu bë atje... Për librin në evendimentin organizuar në Akademi folëm edhe unë që kisha shkruar pasthënjen e librit të Dr. Shatrit, foli edhe miku ynë H.Abazi, folën edhe shumë emra nga më eminentët nga Akademia e Shqipërisë. Akademia e Shkencave të Shqipërisë ishte edhe organizatore e këtij promovimi madhështor që iu bë mikut tonë M. Shatri dhe librit të tij. Nder që iu bë jo vetëm atij por edhe neve edhe gjithë Kosovës...
    Po,po. Bashkë ishim edhe në takimin tonë me të ndjerin Odhise Grillon e bashkë me ne ishin edhe shumë miqë të tjerë e personalitete të shquara të kulturës e të letërsisë kur Odhise nxori nga canta e tij edhe një kopertinë të këtij libri që e kishte marrë në shtypshkronjë të ma bëj si dhuratë të befasisë sepse unë ende nuk dija asgjë për botimin e librit. U gëzova e u befasova shumë.
    U gëzova unë e u gëzuam të gjithë bashkë.
    Ishte befasi e këndëshme për mua për Juve po edhe për gjithë miqtë tanë. 
    Kam përshtypje se ishte kohë tjetër ajo kohë...
    Nëse për asgjë tjetër ne ju gëzoheshim shumë më shumë sukseseve dhe të arriturave të miqëve... dhe sa për ta ilustruar këtë shkaku që ishim në Tiranë ishte i tillë. I gëzoheshim shumë promovimnit të librit të një mikut tonë nga Suedia…
    Ishim të gëzuar shumë për sukseset e njëri-tjetrit, e poashtu ishim edhe shumë krenar me të arriturat dhe me sukseset e njëri-tjetrit. Gjë që duhet ta ruajmë ta forcojmë e ta përcjellim tek pasardhësit tanë edhe më shumë...

    Uddevalla, 6.2.2018

    Rizah Sheqiri



Donnerstag, 22. Februar 2018

Ymrije Beqiri vjersha për fëmijë

Ymrije Beqiri
Për ty baba 

Kur isha e vogël ti në prehër më mbaje,
T’u hidhja në përqafim e sytë nga unë si ndaje. 
Në vend të vajzës ti më quaje djalë,
Babë, të ëmbla ishin ku mi thoje ato fjalë!

E unë si e vogël të përqafoja pa mbarim,
E s’heshtja aspak përmallohesha me atë gëzim. 
Sa e lumtur jam baba kur ta dëgjoj atë zë
Një ditë që s’të shohë vendi askund s’më nxë. 

Unë ty babai im çdo herë të mbaj në zemër,
Sa e lumtur ndihem kur më thërret në emër.
Askund në botë emër më të bukur nuk ka,
Sesa kur të thërras ty në emër – BABA.


Qyteti im

Në atë lagje, në atë qytet,
Këtu jetoj unë me gëzim,
Edhe jeta këtu është më ndryshe,
Në Vushtrri, në qytetin tim!


Kopshti i fëmijëve

Aromë lulesh të bukura,
Vije n ‘kopsht për mrekulli,
Si xixëllonja vere lozin,
Si engjëj ata fëmijë.

Sa mbledhin lule,
E ca lozin me lodra,
Zemra t ‘gëzohet kur t’i sheh,
Të gjithë si vëllezër dhe motra.

Të buzëqeshur e të gëzuar,
Ecin pa përtesë,
Me prindër për dore të lumtur
Në kopsht vijnë në çdo mëngjes.


Xixëllonja

Xixëllonjat fiken
Porsa të lind djelli
Edhe gjatë dite janë t'bukura
Në tokë kur bijnë nga qielli

Fshihen nën pemë
Në tokë, gjethe e barë
Gëzohen prapë kur vije nata
Bëjnë shkëlqim prapë ato dritëbardhë

Enzo 

Nuk e di nga te ja filloj 
Të shkruaj per ty nipi im 
Ku qdo fjal qe do ta dedikoj 
Rrjedh prej shpirtit tim.

Te dua me ter qenjen time 
Te dua me ter ndjenjat e mia 
E ter zemra ime 
Thot Enzo ty te falet ter dashuria.

Dashuria e trupit tim 
Qdo qast ne qdo koh 
Ti je engjulli im
Nip i dashur mos harro.

Sonntag, 18. Februar 2018

Teuta Kadriu - vjersha për fëmijë

Teuta KADRIU
FLAMURI

Kemi një flamur,
Me shqipen në mes,
I kuq gjaku i dëshmorëve,
Që u derdh çdoherë!

Lum si ti shqiponjë,
Që rri në flamur,
Që prinë nëpër festa,
Prinë edhe ne luftë.

Me këtë flamur luftuan,
Gjithë trimat me radhë,
Me këtë do të bëjmë,
Bashkimin kombëtar!


LOJËS IA FAL BUZËQESHJET

Lojës i fal ngapak dashuri,
Prindërit t'i duam përgjithmonë!

Lojës i fal rreze dielli,
Rrugën e gëzimeve t'na e ndricojnë!

Lojës ia fal buzëqeshjet, 

Fëmijëri e lumtur të na shkoj!


JANARI FITON GARËN

Dimri i bardhë këtë vit
Po bënte mrekulli,
Sjell Vendim të prerë 
T’i vlerësoj muajt e tij.

Nuk kaloj shumë kohë
Dhe shkruan në fletore:
- Do t’i testoj muajt
Si në orë mësimore!

Kishte ngritur pastaj
Një juri me përvojë,
Ta vlerësoj me vëmendje 
Çmimi kujt do t’i takoj.

Krekoset dhjetori
Mustaqet me borë:
- Unë do sjell të ftohtin, 
Deri natën vonë!

Ngritet në këmbë shkurti
Pak më dredharak,
Shpejt ndërhynë janari:
- Rritu edhe pak!

Jam unë i pari,
Muaj i ftohtë dhe trim,
Gjithmonë me mua
Fillon i mbarë një vit!

Dhe shkurt tekanjozi
Plot mllef e mëri,
Që ta dëshmoj forcën,
Ngrinë mal e vërri.

Ç’të bënte dimri,
Vallë, si t’i notonte,
Nga tre muajt e tij
Kush dhjetën meritonte?

Me shumë mund juria,
Nga bora dhe akulli
Fitues të kësaj stine
Njëzëri shpall janarin!


BREDHI I VITIT TË RI

Qajnë bredhat në male
Derdhin lotët si shi,
Janë trishtuar shumë:
- Erdhi Viti i Ri!

Kanë hall t'madh sa bjeshka,
- Kujt t'i ankohemi vallë? 
Kaq vite u rritëm,
T’na presin për një natë?

Babadimri mjekërbardhë
Zbret në fusha e bregore,
Të gjithë bredhat e bjeshkës
I qeras me akullore!

- Mos keni frikë këtej në male,
Festoni të lirë që nga kjo ditë! 
Punëtorët e vyer të qytetit

Bëjnë bredha në fabrikë


POEZI NGATRRESTARE

Nisemi për në shkollë
Bashkë me shokët e klasës,
Duke biseduar gjatë
Për mësimet e radhës.

Fillon orën e parë mësuesja,
Kishim gjuhë amtare,
Mua më vajti mendja
Të dal për dritare!

Nuk kisha bërë detyrat
Që kishim për këtë orë,
Gjatë pushimit të javës
Libër s’preka me dorë!

Edhe në orën e radhës,
Kishim matematikë,
Mësuesja na përcillte,
Kush nga ora do t’ikë!

Kurreshtare për lëshimet
E klasës sonë përtace,
Mësuesja na këshilloi,
Kësaj pune si t’i gjendet ilaçi!

Me të mbaruar ora,
Njëzëri u zotuam tok:
- Mësimeve do t’ua japim hakun!
Detyrat s’i harrojmë dot!

Ndonëse kjo poezi na doli 
Paksa ngatrrestare,
Na ndihmoi gjithë klasën

Ta shpëtojmë këtë dritare!

Mittwoch, 17. Januar 2018

Rizah Sheqiri - Kryeredaktor i Revistës "Bukureza"


Të dashur fëmijë

mirë se erdhët në në Revistën "Bukureza"

dhe në "Radio Liria" - Emisionin "Fëmijët e Lirisë"!


Rizah Sheqiri,  kryeredaktor