Faruk TASHOLLI |
Ju më thoni: Tash të nisemi
Bashkë të vemi në Gadime,
Ku nën kodër zë vend Shpella
Ndërsa jashtë vendlindja ime.
Nëse dukem i lazdruar
Mos më shihni me habi,
Unë aty nuk jam i rritur
Unë aty mbetem fëmijë.
Mbetem fëmijë e dua të jem
Si kam qenë moti, dikur,
Ku me këmbë a me duar
Kam prek gati në çdo gur.
Ja sa afër është Gadimja
Pak minuta nga Prishtina,
Nëpër Rrafshin e Kosovës
Si mbi det shket makina.
Po nuk morëm kthesën majtas
Ku tabela jep drejtimin,
Për një orë e prekim Shkupin
Tutje Strugën bashkë me Drinin.
2.
Ja këtu pranë këtij lumthi
Kishte krejt tjera shtëpi,
Ca dykatëshe ca përdhese
Ca me kashtë mbi çati.
Kishte qen e kishte mace
Si mund të ketë edhe tash,
Po unë kisha një qen t’bukur
Që e kish emrin Larash.
Kur them “qen” ju hapni sytë
Thellë më shihni me habi:
Ai më vinte gjithmonë pas
Herë në lojë, herë në shëti.
Kur Larashin kisha afër
Unë dyfish bëhesha trim,
Merrja krah ta shëtis botën
Tutje larg katundit tim.
Sa herë thirrja unë Larashin
Ngriste vesh e dridhte bisht,
Veç t’i thosha – e sulmonte
Po t’më prekte kush me gisht.
Por një ditë në fund të dimrit
Unë keq mbeta pa Larashin,
Iku, humbi, pa një gjurmë
Kushedi kah mori marshin?!
Dikush tha se e ka parë
Te therrtorja në Ferizaj,
Nuk besoja që nuk kthehet
Po ta prekte botën në skaj.
Si ta lente pa dëgjuar:
- Kut-kut-kut!, thirrjen time,
Kur të dy bashkë u rritëm
Me bukë gruri në Gadime.´
Oh, Larashi kurrë s’u kthye
As në fushë as te vatra,
Mua n’zemër ma la dhembjen
Me atë ikje me të katra.
3.
Ja këtu pranë këtij lumi
Kishte krejt tjera shtëpi,
Ca dykatëshe ca përdhese
Ndonjë me kashtë mbi çati.
Kishte krejt njerëz të tjerë
Që atëherë u thoshim pleq,
Por të gjithë ikën pas kodrës
Nuk janë më, sa më vjen keq.
Bëhej dasmë e vinin miq
Por jo si tash me makina,
Ca me tren ca me kuaj
Që nga Shkupi e Prishtina.
Në shtëpinë ku dasma bëhej
Dridhte xhamat një tupan,
Tek i binte: Bum-bum-bum!
Tupanxhiu me emrin Tan.
Tani kishte trup të vogël
E tupani dukej i madh,
Si me buton çonte valltarët
Të kërcenin në livadh.