Sonntag, 17. November 2019

Bajram Sefaj: NË PREHRIN E GJYSHIT

Bajram Sefaj
me disa fjalë, një thurje e lehtë
në prehër të gjyshit, Gjini i vocërr
shkrirë në një gjumin e sheqertë
pa asnjë brengë, sa një gogël
pa merak e asnjë dert
nis rrëfimin për Gjyshin e dashur,
pa e ditë shumë
nga shpie ajo rrugë
ai mirë e di se
thurte vargje
për shoqërim me Gjyshin 
mjekërbardhë e fisnik   
ç’ishte ëndërr, ç’ishte zhgjëndërr 
punë e madhe, s’ka rëndësi
do të sjell një qartësi
për të reja e, diçka më tepër, 
zotohem se do të shkruaj
një herë tjetër !

(dikur, diku në mërgim)

Donnerstag, 14. November 2019

Ragip Ramaj: AMANET ABETAREN

Ragip Ramaj
Tregim për fëmijë

          Ishte një natë me acar dhe thuhet se gjithçka kishte ngrirë. Lumenjtë ishin zhdukur dhe ishin krijuar rrugë akulli, të mbuluar nga bora e ngrirë... Brigjet ishin bashkuar dhe Urat sikur nuk kishin më as vlerë, as funksion. Ato nuk përdoreshin më fare... Nga stacionet meteorologjike vazhdimisht vinin thirrje, madje dhe urdhëresa, që të mos merren udhëtime, madje as të nevojshme e të domosdoshme, por të rrihet brenda dhe të priten ditë më të mira.
          Këto thirrje e urdhëresa nuk vlenin për Naum Veqilharxhin, Konstandin Kristoforidhin, Sami Frashërin, Jani Vreton, Koto Hoxhin, Pashko Vasën, Luigj Gurakuqin, Parashqevi Qiriazin e Nikolla Lakon.
          Në veshët e tyre që prej kohësh vinin do zëra të humbur në mugëtirë, do zëra fëmijësh që po mbyteshin në pellgun e harresës, e shthurjes, e shuarjes...
          Ata po udhëtonin ditë e net të tëra, me do letra nën sqetull, me duart e futura në xhepa, pranë bockave me ngjyrë e penave që u ishte tharë ngjyra.
     - Auuu!... - thirri Veqilharxhi, duke e rrotulluar bockën e ngjyrës.
     - Ç´është? - pyeti Kristoforidhi.
     - Paska pëlcitur bocka ime! - Tha ai duke i shikuar të çarat gjarpërore që ishin krijuar në xhamin e ngrirë.
          Secili nxori bockën e vet dhe i shikuan se a i kishin qëndruar këtij acari, që po pëlciste edhe gurin.
     - Edhe imja - tha Jani Vreto.
     - Edhe imja - shtoi Pashko Vaso.
     - Imja ende nuk ka pëlcitur, por boja qenka ngrirë - tha me një dozë gëzimi Luigj Gurakuqi.
     - Mbahuni, burra!... - I trimëroi Sami Frashëri. - Misionin do ta mbushim.
     - Por, boja e ngrirë mund ta humbë cilësinë dhe fortësinë - shprehu dyshimin Nikolla Lako.
     - Latinët thonë: më e qëndrueshme është boja më e dobët se sa kujtesa më e fortë - u dha zemër Parashqevi Qiriazi.
     - Mirë e ke, motër - miratoi Koto Hoxhi dhe shtoi: - boja edhe e dobët qoftë, do t´u shërbejë fëmijëve tanë për të mësuar shkrim-këndimin shqip, për të mësuar këtë Gjuhë Perëndie, siç më tha një ditë Naim Frashëri, teksa kishte mbaruar një vjershë për gjuhën shqipe.
          Fjalët e Koto Hoxhit u dhanë zemër. Shpejtuan hapin, sepse edhe pak rrugë u kishte mbetur deri në Kështjellën e Dritës, aty ku do të hedhnin shkronjat e para mbi ato fletët e bardha, që po shtrëngonin nën sqetull të mos ua marrë era e tërbuar.
          Zëri i një shpendkeqeje, që erdhi nga thellësia e errësirës, për një moment ua ngadalësoi hapin, por sakaq zemër u dha Sami Frashëri:
     - Të shpejtojmë!... Në rrugën tonë përherë na kanë përcjellë shpendkeqet, por misionin tonë nuk e kanë ndalur dot kurrë...
          Zëri i shpendkeqes dhe fishkëllima e erës shponin dendësinë e errësirës. Naum Veqilharxhi lëshoi perdet dhe zuri vend pranë tavolinës, që po e shndriste një dritë e dobët kandili. Të gjithë kishin hapur letrat e bardha mbi tavolinë, në të cilat po hidheshin shkronjat e para të një libri të shenjtë; po hidheshin fjalët e para në abetaren shqipe.
     - A - filloi Naum Veqilharxhi.
     - Atdheu - shtoi Pashko Vasa.
     - Abetarja - plotësoi Jani Vreto.
     - B - vazhdoi Nikolla Lako.
     - Besa - plotësoi Parashqevi Qiriazi.
Era e tërbuar me gjithë ashpërsinë e saj vazhdonte të rrahë Kështjellën e Dritës.
     - F - tha Koto Hoxhi.
     - Flamuri - plotësoi Sami Frashëri.
     - P - vazhdoi Parashqevi Qiriazi.
     - Pavarësia - plotësoi Luigj Gurakuqi.
Një krizmë tepër e madhe shqeu errësirën e acartë dhe Natën shekull.
     - Sh - u ngut të thotë Koto Hoxhi dhe shtoi: - të shpejtojmë!
     - Shqipëria - plotësoi Pashko Vasa.
     - Zh - përfundoi Konstandin Kristoforidhi.
     - Zhdryj - plotësoi Naum Veqilharxhi dhe shtoi plot gëzim e krenari: .- më sot, në këtë Natë të gjatë, në këtë natë të acartë, po zhdryjmë gjuhën shqipe, shkollën shqipe, shkrim-këndimin shqip, librin shqip dhe ky Ëvetar le të shërbejë si një çelës që do të zhdryjë dryrin që gjuhës shqipe e shkrim-këndimit shqip i vunë armiqtë tanë...
     - Ky Ëvetar për fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë, le të shërbejë si një burim i kthjellët diturie!... E bekuar qoftë gjuha shqipe, i bekuar qoftë shkrim-këndimi shqip, i bekuar qoftë Ëvetari shqip!... - Uroi Konstandin Kristoforidhi.
     - Qoftë dritë që do të shndrisë rrugët e kombit shqiptar! - Uroi Luigj Gurakuqi.
     - Nëse gjuha shqipe nuk do të shkruhet, atëherë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë Shqipëri në faqe të dheut dhe as do të lexohet më emri shqiptar në hartën e botës - tha Konstandin Kristoforidhi.
          Një shpërthim i fuqishëm trandi Kështjellën e Dritës dhe Natën e errët.
     - Ta shpëtojmë Ëvetarin, sepse armiqtë tanë nuk flenë as në këtë natë të acartë - tha Koto Hoxhi.
     - T´ua shpërndajmë fëmijëve tanë - propozoi Naum Veqilharxhi dhe me abetaren në gji u sul drejt derës. Sapo doli në rrugë, një flakë e thekshme vetëtime, që u pasua nga një gjëmim i fortë, e rrëzoi përdhe si një lis shtatlartë. Të gjithë u mblodhën rreth tij. Konstandin Kristoforidhi ia vuri kokën në prehër dhe i dha forcë:
     - Qëndro, vëlla!
Naum Veqilharxhi futi dorën në gji. Nxori abetaren që po pikonte gjak.
     - Amanet!... - tha ai dhe koka i ra menjanë.
Fishkëllima e erës, e përzier me acarin e egër, ngriu Natën skëterrë.
Konstandin Kristoforidhi ia mbylli sytë, që i kishin ngelur duke e shikuar abetaren.

Dienstag, 9. April 2019

Lule nga kopshti i poetit Avdush Canaj

Avdush Canaj

DIKUSH TROKET

Te dera e vargut
dikush troket.
Dikush.
Ngritem
sh
p
e
j
t,
si zog larush
të shoh befasinë.
Sytë e gonxhes
buzëqeshin:
Erdha
ta ylberoj poezinë.



NGA ËNDRRA E ZOGUT

Kur dielli fle
pas malit 
me pëllumba e kumri,
te lumi shkon shelgu,
lanë flokët prej gjethesh,
si unë,
si ti.
Yjet s`presin,
përdore me hënën zbresin,
i kanë punët e lehta,
fët e fët balluket
ia bëjnë me gërsheta!
Zogu i mollës me kitarë 
nga ëndrra e ka parë ,
në qepallë të ditës
i thotë pa mahi:
Ku ke qenë mbrëmë e di,
mirë e di për fije!
S`marr nëpër gojë,
jam zog ilirie.
Diçka than dhe qukapikët,
shelgut
i qeshën qerpikët!



E DI NJË VETËSHËRBIM

E di një vetëshërbim
me fustane fluturash,
këpucë mollëkuqesh,
këmisha të kanjushave,
me xhinse manushaqesh…
Kur dielli vë kapelën
hapet derë e tij.
Vajzukët mund të blejnë
vetëm me përqafime.
Adresa: 
Vizatimi i Aries.



SHTËPIA ME PUTHJE

Kur marr notë të shkëlqyer në fletore
Fustanet e haresë veshin lulet
Dielli me kapelën mbi sy
Dirigjent në korin e pemëve
Nëna-hënë e qeshur
Faqet m`i kuqëlon me puthje
Një zog i vogël i cicërinë babit në vetull:
Ky fëmijë do t`bëhet dikushi
Nota e shkëlqyer kur vjen në fletore
Shtëpia mbushet me përqafime
FATI
Është fat të jesh flutur
me cantë në krah 
e mësuese ta kesh pranverën.
Edhe ta takosh poetin është fat,
fiton një libër
me vargje të karamelta!
Fat është t`ia dhurosh
buzëqeshjen tënde prej lulesh.
Deri në shtëpi fluturon
me krahët e lumturisë.
Kur hap faqet në ballkon,
në sofrën e vargjeve
ulen kumritë,
mjaltin nëpër hoje rimash
e shijojnë
bashkë me ty.
Fat i madh është ky.



NGA BUZËQESHJA E NËNËS

Pranvera s`vjen nga larg
me tren.
Nga buzëqeshja e nënës
pranvera vjen!
Qiellit të kaltër pa asnjë re
Zogj e flutura na ka ne.
Zogj e flutura.



FLUTURA E ËNDRRËS

Gërshetat
m`i lidhën kallinjtë e grurit,
ylberi 
ma fali këmishën e luleve,
fustanin e puhisë
ma qepi dielli,
sandalet
dhuratë nga zambaku!
U bëra flutur e ëndrrës
në çdo varg të verës.



NË NJË BANKË ME TY

Edhe me farmerka të grisura reje,
edhe me gjysmë këmishë hëne, 
edhe me një atlete lepuri 
e një sandale future,
je e bukur.
Jam lumturia
me një bankë me ty.
Shkruani një mesazh ...

Montag, 18. März 2019

Poezi për fëmijë nga Shefqet Dibrani


FLAMURIT

Ty që valove
rrebesheve me stuhi,
ty që flakërove
luftërave.

Ty që valove
n’dasma, gëzime,
ty që vallëzove
në përurime...

Ty që valëvitësh
mbi shkolla e shtëpi,
n’ty shohim madhëri
edhe shenjtëri.

Ty që valove
mbi kokat e t’parëve,
ty që trishtove
hordhi t’barbarëve...

Ty që shpalove
ëndërrën për liri,
ty o Flamur
dhuratë – këtë pozi.



SHPATA E SKËNDERBEUT

Shpatë e kryeparit
qe armë kryesore
në kohëra t’përgjakura
deri në fitore.

Me të Skënderbeu
osmanët dërmoi shumë,
atë e kishte nënkresë
kur bënte një sy gjumë.

Kaloi kohëra e pushtetarë,
shpata mori udhë të gjatë,
në muzeum, në vjenë e gjen
sikur rri me Skënderbenë.

Qëndron shpata me përkrenare
shkëndijë për lashtësinë,
për luftërat mbi tiranë
nga fisi që gjallëron. 



SHQIPËRI VENDI IM

Nënë Shqipëri - vendi im,
më bën djalë që s'plaket kurrë,
më jep zemër, më bën trim
forcë më jep, më bën burrë.

N'gadishullin e trazuar
je lis me degë të gjata,
rri pa thyer, pa përcëlluar
nga rrufeja e shtërngata.

Kokën lart, imja Shqipëri,
ballëndritur, paç bekime :
paç shëndet e lumturi
mos mek shpresën, këngën time.



SHTIGJE

Kuvendon mali me mal
me kokat lart në re,
të lumtur e të ndritur
për çdo ngjarje të re.

Fusha i buzëqesh fushës,
ara i buzëqesh erës,
me gazin e vogëlushes
shtigjeve të abetares.



NATË NË VENDLINDJE

Nata bie dhe mbulon gjurmët e ditës
hëna tretet dalëngadalë,
e xixëllonjat fërfërijnë
me të hollat fustanella.

Dikur vonë
dritë e hënës zë e meket
ndonjë hut e lakuriq
territ heshtjen seç ia thyejnë.

Nëpër dritare feksojnë dritat
nëpër dhomëza fëmijët përkëdhelën,
dashuri e prindërve hap portat
e ëndrrave që do të vijnë.

Dritat fikën një nga një
si ç’rëndon gjumi n’qepalla,
e fenerët xixëllonjave
tej mali hënën përcjellin.

Pesë minuta gjumë n’vendlindje
sa një vit i tërë n’kurbet,
atje ndjen joshje jete
ndaj nata është si askund tjetër.



TËBANA IME

Në një faqe mali
gjendet tëbana ime,
në bjeshkën e shtrenjtë
si rubin n’kujtime. 

Tëbanë e vogël fare
që s’ka shumë bukuri,
po n’derë, oxhak, n’dritare
ka shumë dashuri.

Me fier ka çatinë
e muret me purteka,
tym i saj kaltërinë
e puth përmbi kleka. 



LUMI 

Është udhëtar i nisur
nga e bjeshkës gushë,
me valët stolisur
deri poshtë në fushë.

Nga qyteti në fshat
nga fshati në qytet,
udhëtar i palodhur
pa përtesë rrëshqet.



LIQENI

Në Batllavën e vjetër
Pendë ngritën një herë,
Lumenjve t’Gollakut
U vunë frerë.

Çdo lumi i thanë :
- mjaft ke bredhë,
tani e tutje
do kesh tjetër rrjedhë!



UDHË E MBARË

Një shirit i zi
Shtrihet mes luginës,
Mes kodrash vazhdon
Dhe përmes lëndinës.

Dy binarë të pafund
njësoj të larguar,
kufi s’kanë askund
për t’u bashkuar.

Mbi ta  lokomotiva
rëndë trokëllin,
dhe fyelli i saj
me mall fishkëllon.

Me muaj, ditë e orë
hiq pa bërë bisht,
udhëtarë, nxënës, punëtorë
bart rregullisht.

Para stacionit
këta dy binarë 
botën e lidhin
me: Udhë e mbarë! 

Me tren udhëtojnë 
dhe hipin e zbresin,  
me zhurmë gjallërojnë
mbrëmjen dhe mëngjesin.

Ky tren i dëshirave
n’mot t’mirë, po dhe me erë
asnjëri pa pyetur
e merr, e sjell çdo herë.



HËNA

Kur bie muzgu i parë
fytyrë e hënës si pogaçe ndrin:
herë fytyrëplote, herë si drapër
hëna stolis gjithësinë.

Pa hënë s’do kish bukuri
Në verë, vjeshtë, dimër e behar,
Ajo terrin e zhdavarit
Dritë bën sa mijëra fanarë.



XIXËLLONJA

Xixëllonjë ti moj fenere,
jep sinjale në fillim vere;
dhe heq valle me kunadhe
skaj arave, nëpër livadhe

Xixëllonja xixëllinë, 
me fëmijët heq valle,
duart e njoma e arrijnë
pastaj u ndrit nëpër balle.



TRUMCAKU

Vera kaloi dhe vapa
iku vjeshta plot me shi,
sakaq dimri ia çatisi
me dëborë dhe me stuhi

Nga fërfëllizë e dëborës
të gjithë mbyllen si nën dry,
thuajse nuk do kush dimrin
ta shohë fare me sy...

Nga fërshëllimat e acarit
mbi pullaz pranë oxhakut,
dhembshëm dëgjohet në të rrallë
zë i ndrojtur i trumcakut. 

Është uritur i gjori
tëmotjet bora ka mbuluar,
dhe rrugët e fluturimit 
dimri ia ka ngatërruar.

Ciu, ciu, ciu
trumcaku cicëron
miqtë e tij dhe thërrimet
kështu pareshtur kërkon.

Sa hapet derë e shtëpisë
apo n’ahur dikush shkon,
trumcaku më flatër mpirë
atë ngathtë e shoqëron.

Një ditë me acar
me borën gjithkah shtruar,
e ftova trumcakun
bashkë për të drekuar.

Shpejt ai ma kuptoi dëshirën
afër sofrës erdh e u ndal,
sa çukiste thërrime buke
mua më bëhej zemra mal.

Sa mbushi gushën me bukë
lëvizte kokën si xhan,
sikur më tha faleminderit
e u katrith në tavan. 

Nga një kënd i dhomës n’tjetrin
herë n’dritare, mbi tavolinë,
me hare ai bredhërinte
gjithë gaz mbushi shtëpinë 

Mirëpo, me t’u hapur dera
cicëriu nja dy-tri herë,
sikur na tha lamtumirë
iku, fluturoi në erë...
___
Nga libri: "Qershia e pikëlluar".

Donnerstag, 14. März 2019

Rrahim Sadiku: PRANVERË MBI ATDHE

Rrahim Sadiku

VJEN PRANVERA NË DITË VERE

Ej, pranvera shpejt u bind
Tё lulёzojё gjithё Malin Pind,
Pёr t’u hapur tёrё madhёshti,
Tek vёrshon mbi Çamёri,
E bleruar, nё pikё tё ditёs,
Pёrshёndet nga Majё e Çikёs
Thonё e panё dhe nё Korab,
Tёrё Pollogut u pёrhap,
Vetёtimё hapin e mbajti
Mbi Tiranё, te Mali Dajti,
E uruan gjithё Mallakastra, 
Lugina e Vjosёs e Gjirokastra,
Shumё pranverё erdhi nё Shkodёr,
Mu nё Vuthaj hapi votёr,
Mandej doli shkurt e trup
Nё Prishtinё e pёrmbi Shkup,
Mori dukje shumё tё mirё
Duke bleruar nё Manastir,
Pёrmbi Ohёr e nё Strugё
Gjithё tё mirave u hapi rrugё,
Kёmbёkryq u shtrua nё Drilon…
Kudo Shqipёrisё, Atdheut tonё!

14 mars 2019