Seiten

Montag, 20. Juli 2020

Një tufë me poezi nga Aqif Isaku


HËNA

Sonte qiellin e ndrita më bukur,
Në natën e freskët verore,
Dhe ëmbëlsisht luta një flutur,
Që me Andrën të lozin n`bregore.
E unë ëndërr do t`i bëhem,
Shoqëruar nga miliona yje,
T`i këndojmë këngë ninulle,
Gjumin në syçka t`ia bie.
Atëherë dhe unë si fëmijë,
Do të rritem, do ta bëj zemrën mal,
Kur shohë se Andra n`dritare ri,
Dhe buzëqeshje të ëmbël më falë!



VALËS SË DETIT

Valë kaltëroshe,
Me ngjyrë qielli blu.
Të dëgjoj me ëndje,
Kur bën shu-shu-shu!

Kur shoh si valëvitësh,
Mbi të butat dallgë,
Dhe si t`shoqëron,
Në ujë një pulëbardhë.

Më trimëron dhe mua,
Që të hyj në det,
Të lodrojmë së bashku,
Të lumtur e qetë.

Ndaj ndiqe puhizën,
Ashtu ledhatuar,
Që t`jesh për fëmijët,
Shoqe e adhuruar.



SA M`GËZON, VALË

Era valët lëviz ngadalë,
Dhe hedh flladin në breg.
Freski shpërndan pa ndalë,
Dielli, të mos t`na djegë.

Sa m`gëzon, ti o valë,
Kur të shoh, të ëmbël, manare...
Ndaj valëzo, qetë, ngadalë...
Valëzo, e kurrë mos ndalesh!

Edhe dielli rrezeartë,
Më butë, zhegun do ta hidhte.
Dhe deti krahëhapur,
Fëmijët n`plazh do t`priste!



VERËS

Heshtas pranvera iku,
Lazdruar erdhi vera,
Ç`më joshi me rreze t`arta,
Sikur viteve tjera.

Edhe dielli i kuqëluar,
Zemrën ma mbush n`gaz,
Kur në det shoqëroj valët,
Dhe rrezitem n`plazh.

E kur zhegu verës djeg,
Ngjitem majës malit,
Ku puhiza të miklon,
Dhe freski t`hedh ballit.

Edhe nata plot me yje,
Përrallë ëndërrore...
Më thërret me shushurimë,
Në vals në bregore!

E unë pëllumb që mami m`ka,
Fluturoj në ëndrra qiellit,
Dhe lodroj me hënë e yje,
Mbi krahë të ylberit!

Ndaj, o verë bukuroshe,
Më miklo, më rrit,
Të të pres si sot e dje,
Dhe në tjetrin vit!



DUA

Dua fëmijët, fytyrë buzëqeshur,
Dhe natyrën, me lule të veshur!
Dua dallëndyshen, në dritare kur këndon,
Dhe me këngë, në mëngjes më zgjon!

Dua bletën, mal e fusha kur bredh,
Dhe nektarin, nga lulet mbledh!
Dua dhe qengjin, në kodrinë kur blegëron,
Dhe fyellin e bariut, që ëmbël më kumbon!

Dua pulëbardhën, kur noton liqenit,
Magjishëm hedhur, në vargjet e Asdrenit!
Dua dhe pëllumbat, qiellit fluturuar,
Lumturi e paqe, botës për t`i dhuruar!




N`ËNDRRAT TUA GJEJ LUMTURINË

Më kujtohet një ditë vere,
Kur dhe unë isha fëmijë,
Si t`shikoja në dritare,
Hënëz, kur ndrisje ti!

Ato çaste që m`kanë ikur,
Kur në gjumë më përkëdhelje,
Sërish dua t`i kem gjetur,
Se ngulitur m`janë në mendje.

Hënëz, po t`më dëgjoje,
Do t`ma sillje mua verën,
Mu ashtu siç m`ledhatoje,
Kur të hapur ta lija derën.

Edhe gjumi do t`më vinte,
Bashkë me ëndrrat lozonjare,
Që t`më bartnin ndër vite,
Në idilen e qetë fshatare!



TI M`I KTHEN ËNDRRAT N`GËZIME

Dua yjet t`i kem pranë,
Kur janë qiellit flakëruar.
Dua hënën ta kem n`ëndërr,
Tok me të për t`fluturuar!

Dua t`jem dhe dallëndyshe,
Edhe bletë të bëhem dua!
Dua t`jem edhe ylber,
Me shtatë ngjyra pikturuar!

Dua t`ngjitem qiellit lart,
Mu si ngjitet xixëllonja.
Dua t`hedh vargje në fletë,
Shkruar, me të artat shkronja!

Dua ëndrra t`më shoqërojë,
Tok me të dhe muza ime.
E, ty muzë si mos të dua,
Kur m`i kthen ëndrrat n`gëzime!?




TË JESH FËMIJË

Je yll që qiellin ndrin,
Që e ndrin si yll i artë.
Se në shpirt ke ëmbëlsinë,
Si e ka e ëmbla mjaltë.

Kur buzëqesh ti rrezon bota,
Nga rrezet që Dielli derdh.
Ç`lumturi ndjen dhe ylberi,
Kur mbi krahë të tij të merr!

Edhe Hëna ty t`gëzohet,
Eh, ç`ta ka ajo lakminë!
Kur t`i dëgjon fjalët e ëmbla,
Kur ta sheh ty bukurinë.

E, poeti të bën princ,
Më të bukurin princ në botë.
Kur t`thur vargje plot magji,
Kur gëzoje, jetën, të thotë!




BËJE DHE TI ZEMRËN BUJARE

Mos më fol me zë të vrazhdë
Se në shpirt mua më prek.
Folmë, sikur zogjtë që flasin,
Se vrazhdësia zemrën ma vret.

Ti e di si është fëmija,
Është i njomë si fije bari.
Ledhatuar është nga ëndrrat,
Është gjerdan prej qelibari.

Mos tento që t`flasësh kot,
Kot të thuash gjëra pa hije,
S`i meriton një zemër e njomë,
Siç është një zemër fëmije.

Më flit pra, fjalë të mira,
Më flit fjalë lozonjare!
Bëje si unë zemrën e butë,
Bëje edhe ti zemrën bujare!

Se ne jemi si lule prilli,
Dhe qortimin se durojmë dot.
Veç një fjalë plot ëmbëlsi,
Për ne vlen sa tërë një botë.



FËMIJA ËSHTË FËMIJË

Nuk ka vend askund në botë
Që fëmija të jetë ndryshe,
Kudo ai është veç fëmijë,
Po tjetër, kë mund të ishte!?

Gjithkund njësoj buzëqeshin,
Edhe vajin njëjtë e kanë,
Edhe zemrat njëjtë u rrahin,
Dhe mirësi njëjtë në shpirt mbajnë.

Mos tentoni të bëni dallime,
Si në ngjyrë, komb e fe,
Nderojini pa paragjykime,
Të tregojmë sa i duam ne.

Për të vlejnë vetëm miklimet,
Të falura me shpirt e zemër,
Që, dhe për ta, kur të rriten,
Fëmija, të ketë, të njëjtin emër.



Ç`JANË FËMIJËT

Fëmijët janë lulëkuqe,
Bletë, flutura,
Diell e hënë.

Janë dhe yje,
Margaritarë,
Ylbere,
Që me ëndrrat fluturojnë.



PËR FËMIJËT

Hënë e yje për një orë,
Do t`i mblidhja t`i thur kurorë.
Dhuratë yllkave t`ua fal,
Zemrat që t`ua bëj mal!

Dhe si zog gjithësinë,
Do ta pushtoja me një frymë.
Të gjej ëndrra lumturie,
Për syçkat e çdo fëmije!

Do të bëhesha edhe ylber,
Që dhe dimrin t`ua bëj verë.
Të rrezatojnë ngjyra lirie,
Të jenë dritëza ardhmërie!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen