Bajram Sefaj nga Sadri Hadërgjonaj |
M ë s u e s...
“Vramëni, por mblidhmani gjakun tim, se do t’u duhet nipërve tanë për të shkruar gjuhën shqipe” – Papa Kristo Negovani
Profesion të shenjtë. Qysh herët e pagëzuan, me të drejtë!
Mësues, mbesë imja Enkelanë, nuk është profesion. Është më shumë se aq. Është m i s i o n!
Pra asaj të njohurës nofkë profesion i shenjtë, vjetëve të fundit, i është shtuar edhe një cilësim që është po aq i vërtetë: puna e mësuesit është mision!
- Ti, vogëlushja ime Enkelanë, mos me keqkupto. Ky lavd i profesionit mësues, nuk vjen nga unë që, isha mësues tërë jetën!
- Dëshiroj të di Gjysh, çfarë ishte fillimi, iu dredh Enkelana, më pyetje të ngutshme, si ta kishte në maje të gjuhës!
Gjyshi i ndal për një hop. Ngadalë e si me siklet, me shami fshiu djerset e imta që ia mbuluan ballin dhe ia vërshuan fytyrën krejt. Deshi të thotë, oh sa larg, me qove, oj bija ime lozonjare. Frenoi. Nuk tha asgjë. Nga meraku se do të lëndonte zemrën e saj të brishtë që, atë çast, i rrihte si orë e trembur.
- Po, lulja e pleqërisë sime, fillimi, si çdo fillim, ishte i vështirë. Shumë herë më i vështirë se që mund të imagjinohet, që mund të merret me mend sot! Me caktuan mësues në një fshat të vogël, atje midis malesh. Në brezin kufitar, që, edhe sot e kësaj dite, i ndan shqiptarët me shqiptarë. Zemra me dhimb, me pikon lot e gjak, për ketë fakt. Është interesante se ikja e moshatarëve tu, pak gjë me të rritur se ti sot, orë i çast, arratia matanë kufirit, veç për një notë të dobët në lexim apo në bukurshkrimi, derisa për të tjerët konsiderohej një hata, për mua ishte një kënaqësi e madhe...
Sqaroma pak Gjysh, se nuk po kuptoj!
- Ikja e vogëlushëve matanë kufirit, për mua ishte sihariq dhe shenjë i mirë. Gëzohesha që, edhe vogëlushët, sado që në moshë të re që ishin, e kishin kuptuar së Shqipëria ishte nëna e tyre, mëmëdheu i tyre, ku mund te gjejnë strehë në çdo kohë e në çdo rast. Ndenjen e patriotizmit, të atdhedashurisë, me tërë qenien përpiqesha që, brenda mundësive, tua shtoja dhe tua mbjellja në mendjen e tyre të freskët. Punë me rrezik të shumëfishët ishte kjo, për një mësues të ri, për një mësues të ri me shërbim në zonën më skajshme, në brezin më të ngushtë kufitar...
Gjyshit iu lidh në fyt një lëmsh pezmi bashkë me shtresën e trash të nikotinës se duhanit kaçak, të kualitetit të dobët, që e ndanin prej tij, vetëm ato pak orë të gjumit të parehatshëm. Gjyshit përnjëherë çehrja iu ndërrua. Një tis i murrmë ia pushtoi fytyrë në thatime, si të tejdukshme. Mjekra i ishte rralluar krejt. Buzët i shin tharë ngjitur njëra për tjetrën thua se s’do të ç’kyçën kurrë më. Enkelana e shastisur, nxitoi si vetëtimë, ia solli një gotë uji të ftohtë. Provoi t’ia rigoi buzët. Kot. Me dy duart topolake ia zuri kokën dhe i piskati në vesh: Gjysh a me d ë gj o n!
Gj y sh, qysh, Gj y sh, qysh...!!!
Sytë i kishin perënduar. Drita mbi ta ishte në të fikur. Shërbimi i urgjencës ishte më i shpejt se drita në sytë e Gjyshit, që nuk do të kthehet kurrë më.
Për Gjyshin, mësuesinë e tij, Enkelana do të mësojë, ndoshta edhe më shumë se do të dëgjonte nga një rrëfim i tij i vetëm, i rastit. Bashkë me Gjyshi mbase vdiq rrëfimi autentik, origjinal i tij, por jo edhe për profilin e tij. Si mësues i popullit që, la gjurmë të thellë ndër gjenerata të tëra nxënësish, kudo që punoi në viset e ndryshme të vendit, kur akoma nuk e kishte parë lirinë dhe pavarësinë...
Enkelana ishte tejet e kënaqur, ishte krenare, me nderimet, fjalimet dhe evokimet që iu bënë Gjyshit të saj, me rastin e varrimit dhe përcjelljes solemne për në rrugën e fundit. E të vetmes rrugë të pa kthim...
Me gëzim e ngashëri, Enkelana mori lajmin se, në kodrinën që rrinte si piedestal mbi fshatin Andrinë, do të ngritët një shtatore madhështore nga Gjyshi mund ta vështronte tërë Kosovë dhe rritë e saj... Ajo me xhelozi ruante tekstin që do të gdhendej në rrasën e mermerit: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”, siç kishte porositur Kong Fuçi (551-479, p.e.s), mësues, politikan e filozof i njohur kinez, i para disa shekujsh.
Gaillard, mars 2020
(Nga libri në përgatitje, “55 profesione e poste, rrëfejnë gjyshërit modernë”)