Montag, 20. Juli 2020

Dy poezi për fëmijë nga Berzat Sadiki


ANIJA E FËMIJËRISË

Më shkrepi një shkëndijë,
larg më çoi - në fëmijëri;
një krande e thatë ç'mu kujtua -
anija e parë ishte për mua.

E hidhja mbi ujë, në jaz,
pastaj i vihesha pas.

Bënim rrugëtim të gjatë,
me anijen - krande të thatë;
rrëzohesha, gërvishtja fytyrë -
vetëm ajo të lëvizte e lirë!

Anijen - krande kur e kujtoj,
me çmim të lartë e vlerësoj;
me asnjë jaht se kisha ndërruar -
si në fëmijëri, ta kisha në duar!



FLOKË XHUFKA-XHUFKA

Fëmijët janë pilivesa
me flatra pa ngjyra;
i rrit dielli, i rrit vesa -
kanë shumë dëshira.

Kanë shpirt fluturash,
flokë xhufka-xhufka;
janë reçel frutash,
me çamçakëza - pufka.

Për NATO gjë nuk dinë,
as për Hagë dhe gjykata;
lozin nëpër parqe,
me akullore e çokollata.

Një tufë me poezi nga Aqif Isaku


HËNA

Sonte qiellin e ndrita më bukur,
Në natën e freskët verore,
Dhe ëmbëlsisht luta një flutur,
Që me Andrën të lozin n`bregore.
E unë ëndërr do t`i bëhem,
Shoqëruar nga miliona yje,
T`i këndojmë këngë ninulle,
Gjumin në syçka t`ia bie.
Atëherë dhe unë si fëmijë,
Do të rritem, do ta bëj zemrën mal,
Kur shohë se Andra n`dritare ri,
Dhe buzëqeshje të ëmbël më falë!



VALËS SË DETIT

Valë kaltëroshe,
Me ngjyrë qielli blu.
Të dëgjoj me ëndje,
Kur bën shu-shu-shu!

Kur shoh si valëvitësh,
Mbi të butat dallgë,
Dhe si t`shoqëron,
Në ujë një pulëbardhë.

Më trimëron dhe mua,
Që të hyj në det,
Të lodrojmë së bashku,
Të lumtur e qetë.

Ndaj ndiqe puhizën,
Ashtu ledhatuar,
Që t`jesh për fëmijët,
Shoqe e adhuruar.



SA M`GËZON, VALË

Era valët lëviz ngadalë,
Dhe hedh flladin në breg.
Freski shpërndan pa ndalë,
Dielli, të mos t`na djegë.

Sa m`gëzon, ti o valë,
Kur të shoh, të ëmbël, manare...
Ndaj valëzo, qetë, ngadalë...
Valëzo, e kurrë mos ndalesh!

Edhe dielli rrezeartë,
Më butë, zhegun do ta hidhte.
Dhe deti krahëhapur,
Fëmijët n`plazh do t`priste!



VERËS

Heshtas pranvera iku,
Lazdruar erdhi vera,
Ç`më joshi me rreze t`arta,
Sikur viteve tjera.

Edhe dielli i kuqëluar,
Zemrën ma mbush n`gaz,
Kur në det shoqëroj valët,
Dhe rrezitem n`plazh.

E kur zhegu verës djeg,
Ngjitem majës malit,
Ku puhiza të miklon,
Dhe freski t`hedh ballit.

Edhe nata plot me yje,
Përrallë ëndërrore...
Më thërret me shushurimë,
Në vals në bregore!

E unë pëllumb që mami m`ka,
Fluturoj në ëndrra qiellit,
Dhe lodroj me hënë e yje,
Mbi krahë të ylberit!

Ndaj, o verë bukuroshe,
Më miklo, më rrit,
Të të pres si sot e dje,
Dhe në tjetrin vit!



DUA

Dua fëmijët, fytyrë buzëqeshur,
Dhe natyrën, me lule të veshur!
Dua dallëndyshen, në dritare kur këndon,
Dhe me këngë, në mëngjes më zgjon!

Dua bletën, mal e fusha kur bredh,
Dhe nektarin, nga lulet mbledh!
Dua dhe qengjin, në kodrinë kur blegëron,
Dhe fyellin e bariut, që ëmbël më kumbon!

Dua pulëbardhën, kur noton liqenit,
Magjishëm hedhur, në vargjet e Asdrenit!
Dua dhe pëllumbat, qiellit fluturuar,
Lumturi e paqe, botës për t`i dhuruar!




N`ËNDRRAT TUA GJEJ LUMTURINË

Më kujtohet një ditë vere,
Kur dhe unë isha fëmijë,
Si t`shikoja në dritare,
Hënëz, kur ndrisje ti!

Ato çaste që m`kanë ikur,
Kur në gjumë më përkëdhelje,
Sërish dua t`i kem gjetur,
Se ngulitur m`janë në mendje.

Hënëz, po t`më dëgjoje,
Do t`ma sillje mua verën,
Mu ashtu siç m`ledhatoje,
Kur të hapur ta lija derën.

Edhe gjumi do t`më vinte,
Bashkë me ëndrrat lozonjare,
Që t`më bartnin ndër vite,
Në idilen e qetë fshatare!



TI M`I KTHEN ËNDRRAT N`GËZIME

Dua yjet t`i kem pranë,
Kur janë qiellit flakëruar.
Dua hënën ta kem n`ëndërr,
Tok me të për t`fluturuar!

Dua t`jem dhe dallëndyshe,
Edhe bletë të bëhem dua!
Dua t`jem edhe ylber,
Me shtatë ngjyra pikturuar!

Dua t`ngjitem qiellit lart,
Mu si ngjitet xixëllonja.
Dua t`hedh vargje në fletë,
Shkruar, me të artat shkronja!

Dua ëndrra t`më shoqërojë,
Tok me të dhe muza ime.
E, ty muzë si mos të dua,
Kur m`i kthen ëndrrat n`gëzime!?




TË JESH FËMIJË

Je yll që qiellin ndrin,
Që e ndrin si yll i artë.
Se në shpirt ke ëmbëlsinë,
Si e ka e ëmbla mjaltë.

Kur buzëqesh ti rrezon bota,
Nga rrezet që Dielli derdh.
Ç`lumturi ndjen dhe ylberi,
Kur mbi krahë të tij të merr!

Edhe Hëna ty t`gëzohet,
Eh, ç`ta ka ajo lakminë!
Kur t`i dëgjon fjalët e ëmbla,
Kur ta sheh ty bukurinë.

E, poeti të bën princ,
Më të bukurin princ në botë.
Kur t`thur vargje plot magji,
Kur gëzoje, jetën, të thotë!




BËJE DHE TI ZEMRËN BUJARE

Mos më fol me zë të vrazhdë
Se në shpirt mua më prek.
Folmë, sikur zogjtë që flasin,
Se vrazhdësia zemrën ma vret.

Ti e di si është fëmija,
Është i njomë si fije bari.
Ledhatuar është nga ëndrrat,
Është gjerdan prej qelibari.

Mos tento që t`flasësh kot,
Kot të thuash gjëra pa hije,
S`i meriton një zemër e njomë,
Siç është një zemër fëmije.

Më flit pra, fjalë të mira,
Më flit fjalë lozonjare!
Bëje si unë zemrën e butë,
Bëje edhe ti zemrën bujare!

Se ne jemi si lule prilli,
Dhe qortimin se durojmë dot.
Veç një fjalë plot ëmbëlsi,
Për ne vlen sa tërë një botë.



FËMIJA ËSHTË FËMIJË

Nuk ka vend askund në botë
Që fëmija të jetë ndryshe,
Kudo ai është veç fëmijë,
Po tjetër, kë mund të ishte!?

Gjithkund njësoj buzëqeshin,
Edhe vajin njëjtë e kanë,
Edhe zemrat njëjtë u rrahin,
Dhe mirësi njëjtë në shpirt mbajnë.

Mos tentoni të bëni dallime,
Si në ngjyrë, komb e fe,
Nderojini pa paragjykime,
Të tregojmë sa i duam ne.

Për të vlejnë vetëm miklimet,
Të falura me shpirt e zemër,
Që, dhe për ta, kur të rriten,
Fëmija, të ketë, të njëjtin emër.



Ç`JANË FËMIJËT

Fëmijët janë lulëkuqe,
Bletë, flutura,
Diell e hënë.

Janë dhe yje,
Margaritarë,
Ylbere,
Që me ëndrrat fluturojnë.



PËR FËMIJËT

Hënë e yje për një orë,
Do t`i mblidhja t`i thur kurorë.
Dhuratë yllkave t`ua fal,
Zemrat që t`ua bëj mal!

Dhe si zog gjithësinë,
Do ta pushtoja me një frymë.
Të gjej ëndrra lumturie,
Për syçkat e çdo fëmije!

Do të bëhesha edhe ylber,
Që dhe dimrin t`ua bëj verë.
Të rrezatojnë ngjyra lirie,
Të jenë dritëza ardhmërie!

Tregime për fëmijë nga Bajram Sefaj (1)

Shkrimtari Bajram SEFAJ


“VETERINERI”


(Kryepersonazhi i kësaj rrëfenje kishte mbaruar studimet e Veterinarisë. Mirëpo, ai nuk e kishte ushtruar asnjë ditë profesionin e VETERINERIT. Qysh gjatë studimeve, Esad M. e kishte ftuar një “zë” për një MISION: t’i vinte themelet e letërsinë shqipe në Kosovë)

*

    Gjyshi i Bardhës ishte zgjuar më heret se zakonisht. Mbeska po i afrohej, duke fërkuar sytë bojëqielli.
   - Kush ka fjetur më shumë, ti, apo unë? Apo, Gjyshja? - filloi bisedën me rromuze, Gjyshi.
   - Duket ... të tretë, ndërhyri Gjyshja, duke vënë në tavolinë dy filxhana me kafe.    
   Mbesa po e pinte qumështin me çokollatë, që e kishte marrë vetë në kuzhinë.
   - Ku e kishim lënë mbrëmë, Gjysh?
   - Te Gjimnazi! Te “Gjimnazi Real”, - grabiti Gjyshja.
   - Hë, moj! Sot e paske ... me “reale” e me “rafale’ - tha, Gjyshi.
   Gjyshja po qeshte me zë. Ajo e pranoi se batuta e Gjyshit ishte “gjetje” e bukur.
   Një ditë më parë, Gjyshi i kishte rrëfyer Mbeskës për rrugën e tij të shkollimit. Tetë vitet e para i kishte kapërcyer me ndonja tetë fjali.
   - Dje i re shkurt, Gjysh! - e “qortoi” mbesa Bardhë.
   - Të gjata i ka ato të kohës më të vonë, kur është takuar me mua! - ndërhyri Gjyshja.
   Qeshën të tretë. Tani, më së shumti - Gjyshi.

   *
   Gjyshja kishte mbaruar studimet për Mjekësinë, në Beograd. Ishte Gjinekologia e parë kosovare. Specialiste e njohur dhe, më vonë, Ligjëruese nē Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Drejtoi Spitalin e Lindjes, derisa doli në pension. Pushteti i diktatorit serb M., në vitin 1990, e pati dëbuar nga puna, ashtu si edhe të gjithë profesorët e Universitetit dhe qinda specialistë shqiptarë të Klinikave ...
   Gjyshja e Bardhës, Prof. Sahadete M. ishte një zonjë e nderuar.
   Gjyshi Esad M., kishte kryer Shkollën fillore në Plavë-Guci, në zemër të Alpeve Shqiptare, në truallin e bëmave të malësorëve, të cilët i përjetësoi At Gjergj Fishta në “Lahutën e Malcisë”. Gjyshi kishte zbritur nga Alpet shqiptare, duke ndjekur gjurmët e hapave të Ali Pashë Gucisë, drejt Pejës së Lumbardhit. Mbasi kishte mbaruar shkollën e mesme katërvjeçare, ai kishte vijuar studimet për veterinari në një qytet të largët, larg nga vendlidja e tij.

     *
   - Ku e lamë, mbrëmë, Gjysh? - pyeti Bardha.
   - Na tregon Gjyshja, se unë paskam harruar! - tha Gjyshi. - Ah, po! - u kujtua ai.
Qyteti ku ka studiuar yt Gjysh ishte Kryeqytet i një Shteti, i cili tashmë është zhdukur nga harta e re e Evropës. Ai shtet shumëkëmbësh që i mbante bashkë popujt që kishin një lidhje etnike midis tyre, - e mbante peng edhe një popull që s’kishte asnjë lidhje me asnjërin nga këta popuj. Emri i këtij qyteti, i cili paradoksalisht sugjeronte “ngjyrën e bardhë”, u sillte të zeza shqiptarëve të Kosovës dhe sivëllëzërve të tyre në Maqedoni e Mal të Zi! - tha Gjyshi.
   Bardha nuk e kishte dëgjuar asnjëherë një rrebesh kaq të ashpër fjalësh që dilnin nga goja e Gjyshit.
   - E ngatërrove Bardhën me Qytete e Kryeqytete, të “bardha” me të “zeza”, që “duken” e “zhduken” nga Hartat!, - tha Gjyshja.
   - E po, këto punë Bardha ime i kupton tani, si unë e ti! - tha Gjyshi, duke shtuar se, unë, tashmë isha rritur.
   Për t’u “solidarizuar” paksa me Gjyshen, Bardha tha se “nuk e kuptonte aq mirë si mund të zhdukeshin shtetet nga Hartat e Gjeografisë”.
   - Zhduken, zhduken, madje emri i tyre zhduket edhe nga Globi i Madh i Botës! - tha Gjyshi.
   - U harroftë! - tha Gjyshja, duke pandehur se e mbylli bisedën.
   - Po, ç’u bë me VETERINERIN? - pyeti Bardha.
   - Kam drojë se je ende e vogël, Bardha ime, të kuptosh ç’është “magjepsja”. Ç’është ai zëri që të “thërret” e të “joshë” të ndërrosh “udhë” në jetë?!
   - Jo, Gjysh, unë besoj se tashmë kuptoj shumëçka!
   - E di, e di, por sot po e lëmë me kaq! - e mbylli bisedën ai.
   - Dakord! - tha Bardha.

     *
     Veterineri i ardhshëm, Esad M., pritej që sapo ta merrte diplomën e Fakultetit, të vishte mantelin e bardhë në cilëndo Kooperativë bujqësore a fermë të madhe kafshësh, kudo në Serbi, apo në Krahinën “bujqësore” të Vojvodinës. Ai mund të zinte punë në Institutin Farmaceutik të Beogradit dhe të bënte karrierë e pasuri. Por, jo, jo. Ai nuk do ta bënte këtë gjë. Ai po e ndiqte zërin që e kishte grishur që në shkollë të mesme, jehona e të cilit ia kishte prishur shpesh gjumin edhe gjatë studimeve. 
   Ishte ky Esat M., Gjyshi i Bardhës, (S. Nokshiqi) që shkruante e botonte vjersha, skica e tregime, për bashkëvendësit e tij, pēr këta hamallë “me samarë” në shpinë, që bënin punë kuajsh në tregje perimesh, për këta druvarë që sharronin dru në podrumet e pallateve të qytetit, për këta pastrues rrugësh e sheshesh, me fshisa bishtgjata nën sjetull, të cilët flinin nëpër parqe të qytetit, apo nën urat e Danubit që takohet me Savën, te këmbët e kështjellës Kalamegdan.
   - Ata kishin mallë për familjet e tyre që s’i shihnin muaj të tërë, duke punuar err e terr, për t’u siguruar një kafshatë bukë familjeve në vendlindje, në dimrat e acartë të Kosovës, Maqedonisë a Malit të Zi, - tha Gjyshi.
   Gjyshi, sakaq e pa se kishte sjellë shumë “re të zeza” në ballkonin e shtëpisē në Prishtinë, ngaqë Bardhës zu t’i vezullonte një pikë loti në cep të syrit.
    - Dëshiron të të tregoj një barcoletë, Bardhë?
    Ajo fshiu lotin dhe pohoi.
    - Dy punëtorë krahu nga Kosova po hanin shalqin, ulur në barin e kositur, në një cep parku. Dy milicë po kalonin pranë tyre.
   “Mblidhini, pastaj, lëvoret e shalqinit! Mos i lini këtu, se do t’ju gjobisim!”, - kishin ata.
   “Mos u bëni merak, - u kishte thēnë njëri nga ata që po hanin shalqin, - edhe po i lamë ne, i mbledhin sonte bashkëvendësit tanë nga Kosova, të cilët pastrojnë parqet e kryeqytetit”.
   Milicët ishin gajasur, duke qeshur me zë të lartë, pa menduar se edhe varfanjakët e shkretë dijnë të bëjnë humor.
   Bardha qeshi, sa për t’ia bërë qejfin Gjyshit.

   *
   Mbas “Luftës së Madhe”, Gjyshi i Bardhës kishte vendosur t’i përgjigjej “zërit” që e kishte “dëgjuar”, kur kishte vajtur për studime në Beograd. Dhe, ishte kthyer aty, nga kishte ikur katër vjet më parë.
   Në Prishtinën e tij, tani ai kishte mbledhur rreth vetes miq e dashamirë të dijes e të artit. Ishin kohë të rënda. Kishte pak njerëz të arsimuar. Por, ai që nuk ishte thyer në kohë edhe më të rënda, kishte vendosur të mos dorëzohej as tani.
   - Yt Gjysh, Bardha ime, kishte një karakter të pathyeshëm. Ai, bashkë me miq të tij, atdhetarë që nuk dorëzoheshin para sfidave të jetës, po i vinin themelet e arsimit dhe të kulturës në Kosovë. Sapo ishte themeluar Radio-Prishtina, po ngriteshin shkolla fillore e të mesme, me kuadro që ishin shkolluar në Tiranë, në kohën e Mbretërisë Shqiptare. Zunë të botoheshin libra shqip në Ndërmarrjen Gazetare Botuese “Rilindja”, - po i thoshte Gjyshja S. mbesës së vet, Bardhës.
     - Gjyshi Yt, e ka themeluar Revistën letrare - kulturore “Jeta e Re”. Në faqet e saj është mbjellë fara e letërsisë shqipe në Kosovë, bija ime e dashur. Revistat “Përparimi”, “Zani i Rinisë”, “Fjala”, “Pionieri”, “BAT”, “Shëndeti”, “Bota e Re”, “Gjurmime Albanologjike”, të gjitha kēto janë motra a bija të “Jetës së Re”, mbeska ime” - i kishte thënë Bardhës, Gjyshja S.
    Ajo po i thoshte Mbeskës, se Gjyshi ishte një njeri modest.
    - Asnjëherë në jetën time nuk e kam dëgjuar të mburrej, të lavdërohej ... Yt Gjysh ka “zbuluar” talentë të rinj, siç i thonë një fjale, “me qiri e me pishë”, duke i nxitur të shkruanin e të botonin shkrimet e tyre në gazeta e revista shqiptare. Në “kohë të liga” që vinin shpesh nga qarqe të errëta të regjimit, Yt Gjysh ka dijtur t’i mbronte me mençuri shkrimtarët e rinj. Ai ka gëzuar respektin dhe dashurinë e pafundme nga të gjithë krijuesit tanë letrarë. Shpirti i Doajenit të shkrimtarisë dhe kulturës shqiptare, do të ndriçojë Qiellin e Kosovës”, - kishte thënë Gjyshja S.
   - Sa kisha dashur ta dija nga ç’anë i ka “ardhë” Gjyshit ai “Zëri” magjik! - i tha Bardha Gjyshes.
——————————————————————
New Jork – Gaillard, 18-20 korrik 2020