Sonntag, 16. August 2020

Tregime për fëmijë nga Bajram Sefaj (3)

Bajram Sefaj
 
USHTARAKU

   - Sot do të flasim ushtarakisht!
   - Siurdhëroni!
   - Gatitu!
   Nipçja mbante qëndrim gatitur.

*

   Një: Gjenerali - është gradë e lartë oficeri në Forcat e Armatosura Tokësore dhe Ajrore.    
   Dy: Kjo gradë nuk fitohet lehtë.
   Tre: Është e lidhur edhe me numrin e gjithmbarshëm të ushtarëve të Forcave të Armatosura të një vendi.
   Katër: Hollësitë do t'i mësosh kur ta keshë veshur uniformën e Ushtrisë së Kosovës.     
   Pesë: Po e more këtë vendim, do të BETOHESH nën flladin e valëve të Flamurit dhe tingujt e Himnit të Shtetit të Kosovës, më të riut në botë!
   Gjashtë: Gradat ushtarake nuk fitohen lehtë!

*

   - Kuptove? - ishte pyetja e Gjeneralit.
   - Siurdhëroni! - ishte përgjegja e Nipçes.
   - Qetësohu! - tha Gjenerali.
   - Siurdhëroni! - u përgjegj Nipçja.
   Të dytë morën frymë lirisht. Pastaj u ulën në kolltuk.
   Në derë u shfaq Gjyshja.
   - Dreka është gati! - tha ushtarakisht edhe ajo.
   - Siurdhëroni! - brofën në këmbë Nipi e Gjyshi.
   Gjeneralit iu kujtua një parullë e moçme: “Ushtri e Popullit Ushtar”.
   Sakaq, e modifikoi shprehjen. “Familje ushtarakësh!”, - tha ai me vete.

*

   U shtruan dhe hëngrën një drekë të këndshme.
   Mbasi pushuan pak, Nipçja u ngrit në këmbë. E ëma i tha ta linte rehat pak Gjyshin, por ai s’ua vuri veshin fjalëve të saj.
   Gjyshja i njihte çapkënllëqet e Nipit.
   - Tani e kam radhën unë! - tha ai, duke u shkëputur me të shpejtë nga “njësia e vogël ushtarake”. Vrapoi drejt dhomës së gjumit të Gjyshit, mori kapelën e tij me nishana dhe u kthye vrap në sallonin e pritjes.
   - Do të vazhdojmë aty ku e lamë!
   Kapela ushtarake e Gjeneralit Plak gati ia mbulonte sytë “Gjeneralit të ri”.
   “Tash, UNË jam GJENERAL!”, - tha me zë të ulët ai.
   Gjyshi nuk pipëtinte.
   - Gatitu! - urdhëroi “Gjenerali Çamarrok”
   Gjenerali Plak po e mbante frymën me zor.
   - Zotohu se do të zbatosh urdhërat e mia për dobi të Atdheut!
   - Zotohem!
   - Qetësohu! - ishte urdhëri i fundit i “Gjeneralit të Ri”.
   - Si urdhëroni! - tha Gjenerali Plak.
   Gjyshja po shkrihej nga kënaqësia kur Gjenerali i karrierës zbatonte urdhërat e “Gjenaralit të Ri”.
   “Si-ur-dhë-ro-ni! Si-ur-dhë-ro-ni”! - përsëriste me cinizëm përgjegjen e tij.
   - Po bluan but sot, Gjeneral! - tha ajo, duke qeshur me zë.
   Nipçja u kënaq me batutën. Gjeneralit i vajti buza në gaz, por u përmbajt.
   Të gjithë qeshën. Si zakonisht, Gjyshja - më së shumti.
   - Të pastë, Gjyshi! - tha Gjenerali.
   - Urimet i paske sot majë gjuhe, Plako, - tha sërish me humor Gjyshja.

*

   Gjyshi i Gonit, i cili sot i “duroi” batutat e Gjyshes, po edhe urdhërat e eprorit të ri, kishte mbaruar studimet në Akademisë Ushtarake në Padova të Italisë. Deri në vitin 1992, kur po shthurej Federata e Jugosllavisë, kishte shërbyer në Armatën sllovene. Gjatë luftës në Kosovë kishte qenë këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës. Së fundmi ishte këshilltar i lartë i Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. Tani është në pension, me gradën Gjeneral.

   Nipi i tij, Goni, konfirmoi sot se dëshironte të bëhej oficer i Ushtrisë së Republikës së Kosovës.