Seiten

Sonntag, 18. August 2013

ASDRENI: Poezi dhe biografia

 
Sa të dua o Shqipëri
Sa të dua, o Shqipëri,
sa me mall ndiej e sa dëshirë,
për ty gaz e dashuri
mu në zemër më ka mbirë!
Se për mua, o Atdhè,
je një lule aq e vyer,
sa nuk gjendet përmbi dhè
shpirtin tim për të ushqyer!
 
I dashur Atdhè
Me vite jam larguar,
i dashur Atdhè,
por nuk të kam harruar,
se shumë i ëmbël je.
Kjo zemra më këndon
për ty, o Shqipëri,
por prapë më lëngon,
se je në varfëri.

Të fala të dërgoj,
këndej ku jam Atdhè,
gjithnjë po të kujtoj,
se birin tënd më ke.
 
 
Himni i Flamurit
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.


Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë,
Këtu armiqtë s'kanë vend.


Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.
 
Vlorës
Ti je balli me florinj,
ti je lulja e Shqipërisë
dhe trumbeta e lirisë.
Pleq që ngjalle dhe të rinj,
tërë kombi të sjell nder,
me lavd emrin ta ka shkruar
se ti trime vet' me duar
fij't e flamurit ke tjerr!
Je kurora me shkëlqim
gurështrenjt', margaritarë,
që do mjeshtër magjistarë
t'i radhuan me qëllim.
Zjarr lëshojnë, që verbon,
si yj rrotull të shëndrisin,
rreze njyrash, llamburisin,
për sy bërë që lakmon!...

...Rrotull fqinjët sa fuqi,
sa mënyra nuk përdorin,
me pahir që të na korrin
çdo send, Vlorë, mban në gji!
Mund e bij ke pas' armiq,
me syt' katër gjith' pas arit,
jasht' zakonit të shqiptarit,
që s'shet besën për ca fiq.

Por ti, Vlorë, mos u dro!
Mbaj mburojën me qëndresë,
se kush vetes i zë besë,
e mat grushtin me këdo.
Se dhe Deti mik kur fle,
n'ëndrrat kryen një dëshirë
mbret të jet' e zot i lirë
veç për tokën q'i dha bè.
 
Dua
Mbi bar dua të prehem,
të këndoj, të dëfrehem,
të shoh rreth bagëtinë,
kur hanë dhe pinë;
të shoh fushat e blerta,
bimët kur i fryen era,
njerzit kur punojnë
dhe çupat kur këndojnë!

Ah, dua dhe lulet,
kur i shfaqin pekulet,
dhe fluturat që venë,
mbi to dua të jenë;

bilbili t'ia thotë
nën diellin e ngrohtë.

Dua dhe Shqiperinë,
se atje kam shtëpinë,
kur rrija nepër ferrat
edhe lozja me sheqerrat;

për këtë kam dëshirë
dhe s'dua më mirë,
atje dua të shkoj,
sa të jem e të rroj!
 
 
 
Aleksandër Stavre Drenova, i njohur në letërsinë tonë me pseudënimin Asdreni qe nga ata poetë krijimtaria e të cilëve u përket njëherësh dy periudhave. Poezia e tij u shkri që nga faza e fundit e Rilindjes deri në periudhën e Pavarësisë. Poeti pati një jetë të gjatë krijuese, rreth dyzet vjet.
Asdreni lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 1872. Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme, dhe më vonë fakultetin e shkencave politike, të cilin nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar bukën e gojës dhe për të vazhduar studimet djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë punësh të rënda. Që herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj. Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte. Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, po poeti i ri nuk ka gjetur ende individualitetin e vet, është nën ndikimin e Naimit. Në të njëjtën kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale. Më 1904 botoi vëllimin me poezi "Rreze dielli" që do të pritej mirë nga lexuesi dhe nga shtypi dhe do të përshëndetet nga Çajupi me fjalët entuziaste; "Tani besoj se Naim beu nuk vdiq, se vendin që la ai bosh e zure ti".
Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot pikërisht në atë vit del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit "Ëndërra dhe lotë" ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.
Më 1914 Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë flakë për flakë luftës së Vlorës. Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj regjimit të Zogut. Në fakt në vëllimin e tij të tretë me vjersha "Psallme murgu" të botuar më 1930 gjejmë aludime për këtë qëndrim të tij. Revoltën e tij Asdreni e derdhi edhe nëpër disa vjersha të mbetura në dorëshkrime. Por zhgënjimi i tij nga realiteti shoqëror politik i frymëzoi edhe vjersha pesimiste ose vjersha të ftohta që nuk janë që nuk janë veçse ushtrime formaliste. Gjejmë kështu çaste, rënieje në krijimtarinë e tij. Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Asdreni u kthye në Shqipëri, po gjeti një pritje tepër të ftohtë nga përfaqësuesit e regjimit. Poeti shkoi sërish në Rumani për të mos u kthyer më kurrë në atdhe. Vitet e fundit të jetës përgatiti një vëllim "Këmbanat e Krujës".
Asdreni u bë i njohur si publiçist, por ishte edhe autor tekstesh shkollore e përkthyes. Po ai, para së gjithash, mbetet në letërsinë tonë si një poet i talentuar lirik.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen