Seiten

Samstag, 17. August 2013

Gjuha Shqipe

Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indoiranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjerën prej gjuhëve të sotme indoevropiane. Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjehësore indoevropiane, u arrit të përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të studimeve të gjuhësisë historike krahasuese.
Ishte sidomos merita e njerit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane. F Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë me titull “Ueber das Albanesische in scinen verwandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në vitin 1854.
Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në dy grupe: në gjuhë lindore ose satem dhe në gjujë perëndimore ose kontum, shqipja shkon me gjuhët lindore (satem), bashkë me gjuhët indoiranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten.

 
Origjina

Problemi i origjnës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njerës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës traka. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe ghuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve.
Përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez Hans Erich Thunmann në veprën e tij “Undersuchunger liber di Geschichte der Östlichen europäischen Völker” Leipzig 1774. Ai, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhduesit autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve.
Tezea e origjinës ilire te shqipertarëve është mbështetur nga albanolugu i mirënjohur austriak Johannas Georges von Hahn në veprën e tij Albanesische Stidien,publikuar më 1854
Që nga ajo kohë deri në ditët tona, një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin tezën e origjinës dhe të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Disa nga keto argumente themelore, jane:
1. Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar fise ilire; nga ana tjetër në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u vendosur në trojet e sotme.

2. Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra sendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.

3. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato jane zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, dmth kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse.

4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishtjen e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe ështe zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjithë këto argumente, të paraqitur në mënyrë të përmbledhur, rezulton se teza e origjinës ilire e gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore.


Fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe

Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është ajo që quhet “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462. Eshtë një fjali e shkurtër në gjuhën shqipe “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re shrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijtë e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915”.
Më pas, një botim filologjik të këtij dokumenti, bashkë me riprodhimin fotografik të tij, e bëri filologu francez Mario Rognes në “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris 1932.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496. Udhëtari gjerman Arnold von harf, nga fshati i Këlnit, në vjeshtë të vitit 1496, ndërmori një udhëtim pelegrinazhi për në “vendet e shenjta”. Gjatë udhëtimit kaloi edhe nëpër vendin tonë, gjatë bregdetit, duke u ndalur në Ulqin, Durrës e Sazan dhe për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri më 10 dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht. Ky Fjalorth u botua për herë të parë më 1860 në Këln, nga E.von Grote.
I fundit të shekullit XV ose i fillimit të shekullit XV është edhe një tekst tjetër i shkruar në gjuhën shqipe dhe i gjendur brenda një dorëshkrimi grek të shekullit XIV në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos. Teksti përmban pjesë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut, etj. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabet grek. Ky tekst i shqipes i shkruar , njihet në literaturën shqiptare me emrin “Ungjilli i Pashkëve”.
Këto dokumente nuk kanë ndonjë vlerë letrare, por paraqesin interes për historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.
Libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, që njohim deri më sot, është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555, i cili shënon edhe fillimin e letërsisë së vjetër shqiptare. Nga ky libër, na ka arritur vetëm një kopje, që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Libri përmban 220 faqe, të shkruara në dy shtylla. “Meshari” i Gjon Buzukut është përkthimi në shqip i pjesëve kryesore të liturgjisë katolike, ai përmban meshet e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të lutjeve, copa nga Ungjilli dhe pjesë të ritualit dhe të katekizmit. Pra, ai përmban pjesët që i duheshin meshtarit në praktikën e përditëshme të shërbimeve fetare. Duket qartë, se kemi të bëjmë me një nismë të autorit, me një përpjekje të tij, për të futur gjuhën shqipe në shërbimet fetare katolike. Pra, edhe për gjuhën shqipe, ashtu si për shumë gjuhë të tjera, periudha letrare e saj nis me përkthime tekstesh fetare.
Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, u zbulua për herë të parë në Romë nga njeri prej shkrimtarëve të veriut, Gjon Nikollë Kazazi. Por libri humbi përsëri dhe u rizbulua më 1909 nga peshkopi Pal Skeroi, gjurmues dhe studiues i teksteve të vjetra. Në vitin 1930, studiuesi nga Shkodra Jystin rrota vajti në Romë, bëri tri fotokopje të librit dhe i solli në Shqipëri. Në vitin 1968 libri u botua i transliteruar dhe i transkriptuar, i pajisur me shënime kritike dhe me një studim të gjerë hyrës nga gjuhëtari i shquar, prof.E.Çabej. Në mënyrë të pavarur, tekstin e Buzukut, e pati transkriptuar edhe studiuesi N.Resuli.
“Meshari” i Gjon Buzukut është shkruar në gegërishten veriore (veriperëndimore), me alfabet latin, të plotësuar me disa shkronja të veçanta. Libri ka një fjalor relativisht të pasur dhe ortografi e forma gramatikore përgjithësisht të stabilizuara, çka dëshmon për ekzistencën e një tradite të mëparshme të të shkruarit të shqipes.
Prof.Eqerem Çabej, që ishte marrë gjerësisht me veprën e Gjon Buzukut, ka arritur në përfundimin, se gjuha e saj “nuk është një arë fare e papunuar”. “Duke e shkruar me një vështrim më objektiv këtë tekst – pohon ai – nga gjuha e rrjedhëshme që e përshkon fund e majë atë dhe nga mënyra, me gjithë lëkundjet e shpeshta, mjaft konseguente e shkrimit, arrin të bindet njeriu, se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë, së paku që në mesjetën e vonë, një traditë letrare me shkrime liturgjike”. Kjo tezë, sipas autorit, gjen mbështetje edhe nga gjendja kulturore e Shqipërisë mesjetare; “shkalla e kulturës së popullit shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo e vendeve perreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut”.
Për nje traditë të shkrimit të shqipes para shekullit XV, flasin edhe disa dëshmi të tjera të tërthorta.
Kleriku francez Gurllaume Adae (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341), si Kryepeshkopi i Tivarit dhe pati mundësi t’i njihte mirë shqiptarët, në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terrom sanctam”, dërguar mbretit të Francës Filipit VI, Valua, studiuan ndër të tjera: “Sado që shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapësëprapë, ata kanë në perdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”. Pra, ky autor flet për libra në gjuhën e shqiptarëve, duke dhënë kështu një dëshmi se shqipja ka qenë shkruar para shekullit XV.
Edhe humanisti i shquar Marin Barleti, në veprën e tij “De obsi dione scodrensi” (Mbi rrethimin shkodran), botuar në Venedik, më 1504, duke folur për qytetin e Shkodrës, bën fjalë për fragmente të shkruara in vernacula lingua, dmth në gjuhën e vendit, të cilat flasin për rindërtimin e qytetit të Shkodrës.
Këto dëshmi të G.Adae dhe të M.Barletit, dy njohës të mirë të shqiptarëve dhe të vendit të tyre, janë në pajtim edhe me të dhënat historike për këtë periudhë, të cilat flasin për një nivel ekonomik e kulturor të zhvilluar të viseve shqiptare në shekullin XIV dhe në fillim të shekullit XV. Në atë periudhë, në veri dhe në jug të Shqipërisë, lulëzuan ekonomikisht Durrësi, Kruja, Berati, Vlora, të cilat u bënë qendra të rëndësishme tregtare, zejtare dhe kulturore.
Këto janë dëshmi që e bëjnë të besueshme ekzistencën e një tradite më të herëshme shkrimi të shqipes, megjithatë, deri sa kërkimet të mos kenë nxjerre në dritë ndonjë libër tjetër, “Meshari” i Gjon Buzukut do të vijojë të mbetet libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe dhe vepra e parë e letërsisë shqiptare.
Në shekullin XVI i ka fillimet edhe letërsia në gjuhën shqipe te arbëreshët e Italisë. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe në gjuhën shqipe dhe vepra e dytë për nga vjetërsia, pas asaj të Buzukut, është ajo e priftit arbëresh Lekë Matrenga “E mbesuame e krishterë….”, e botuar në vitin 1592. Eshtë një libër i vogël me 28 faqe, përkthim i një katekizmi. Libri është shkruar në dialektin e jugut, me alfabet latin, plotësuar me disa shkronja të veçanta për të paraqitur ato tinguj të shqipes, që nuk i ka latinishtja.
Një zhvillim më të madh njohu lëvrimi i gjuhës shqipe në shekullin XVII, nën penën e një vargu autorësh, si Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, të cilët nuk bënë vetëm përkthime, por shkruan edhe vepra origjinale,
Frang Bardhi, në vitin 1635, hartoi të parin fjalor, “Fjalorin latinisht-shqip”, me të cilin mund të thuhet, se zë fill shkenca gjuhësore shqiptare. Gjatë Rilindjes Kombëtare, në shekullin XIX, në kushte të reja historike, lëvrimi dhe përparimi i gjuhës shqipe hyri në një etapë të re. Në këtë periudhë u bënë përpjekje të vetëdishme për të ndërtuar nje gjuhë letrare kombëtare, standartizimi i së cilës u arrit në shekullin XX.

 
Dialektet e gjuhës shqipe

Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore, dialektin e veriut ose gegërishten dhe dialektin e jugut ose toskërishten. Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithëshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e mesme. Në anën e djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior (gegërishtja), në anën e majtë të tij, dialekti jugor (toskërishtja).
Dallimet midis dialekteve të shqipes nuk janë të mëdha, folësit e tyre kuptohen pa vështirësi njeri me tjetrin. Megjithatë, ekzistojnë disa dallime në sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore e në leksik, nga të cilët më kryesorët jane: dialekti i veriut ka zanore gojore dhe hundore, kurse dialekti i i jugut, vetëm zanore gojore; togut ua të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me togun ue (grua ~ grue); togut nistor va të toskërishtes, gegërishtja i përgjigjet me vo (vatër ~ votër); â-së hundore të theksuar të gegërishtes, toskërishtja i përgjigjet me ë të theksuar (nânë ~ nënë).
Dialekti i jugut ka dukurinë e retacizmit (kthimin e n-së ndërzanore në r (ranë ~ rërë), që në gegërisht mungon; në toskërisht, grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, etj. Ruhen të plota, kurse në gegërisht, janë asimiluar ne m, n, (mbush ~ mush, vend ~ ven). Në sistemin morfologjik, dialekti i veriut ka formën e paskajores së tipit me punue, kurse toskërishtja në vend të saj, përdor lidhoren të punoj. Forma e pjesores në toskërisht, del me mbaresë, kurse në gegërisht, pa mbaresë (kapur ~ kapë), etj. Dialekti I jugut ka format e së ardhmes: do të punoj dhe kam për të punuar , ndërsa dialekti I veriut përveç formave të mësipërme ka formën kam me punue.

 
Shqipja standarte

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarte), si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proòes i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare.
Ne vitin 1824 Naum Veqilharxhi filloi punen per te krijuar alfabetin shqip dhe ne vitin 1844 dhe 1845 u botua “Evetar”-i. Vaqilharxhi ishte i pari qe shprehu qellimet e Rilindjes Kombetare Shqipëtare nëpërmjet traktatit të tij, parathënies së “Evetr”-it të pare dhe shume shkrimeve të tjera.
Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojëshme, zinin një vend qëndror. Gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.
Në vitin 1879, u krijua “Shoqata e të shtypurit shkronja shqip”, që i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i Kostandin Kristoforidhit, i botuar pas vdekjes së autorit, më 1904.
Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u arrit të përvijoheshin dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjedhur, ishte njësimi i alfabetit. Deri atëhere, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabeti latin, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 Nentor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Ne këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotesuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në perdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lire edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ja leshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.
Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.
Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan te zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.
Pas Luftës së dytë Botërore, puna për njesimin e gjuhës letrare kombëtare (gjuhës standarte) dhe të drejtshkrimit të saj, nisi te organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu, u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.
Me 1967, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapsiren shqiptare, në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. Ndërkohë, perpjekje për njesimin e gjuhes letrare dhe të drejtshkrimit të saj, bëheshin edhe në Kosove.
Në vitin 1968, u mblodh Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila, e udhëhequr nga parimi “një komb-një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i ortografisë i vitit 1968, posa të miratohej e të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë, do të zbatohej edhe në Kosovë. Vendimet e kësaj Konsulte kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për njesimin e gjuhes letrare kombëtare shqipe.
Projekti “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes “ i vitit 1967, pas një diskutimi publik, ai u paraqit për diskutim në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes, qe u mblodh në Tiranë, në vitin 1972, i cili ka hyrë në historinë e gjuhes shqipe dhe të kulturës shqiptare, si Kongresi i njësimit të gjuhës letrare kombëtare.
Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes, në të cilin morën pjesë delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi dhe nga arbëreshet e Italisë, pasi analizoi të gjithë punën e berë deri atëhere për njesimin e gjuhës letrare, miratoi një rezolutë, në të cilën përveç të tjerash, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”.
Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarte), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut.
Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që kodifikojnë normat e gjuhës standarte, sic janë “Drejtshkrimi i gjuhes shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori Drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së sotme shqipe I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997).

 
Veçori tipologjike të shqipes së sotme standarte.

Nga ana strukturore, paraqitet sot si një gjuhë sintetiko-analitike, me një mbizotërim të tipareve sintetike dhe me një prirje drejt analitizmit. Një pjesë e mirë e tipareve të saj fonetike dhe gramatikore, janë të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoevropiane, një pjesë tjeter janë zhvillime te mëvonshme.
Shqipja ka sot një sistem fonologjik të vetin, që përbëhet nga shtatë fonema zanore dhe 29 fonema bashkëtingëllore. Shkruhet me alfabet latin të caktuar në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit.
Alfabeti i shqipes ka 36 shkronja, nga të cilat 25 janë të thjeshta (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z), 9 janë bigrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe 2 me shkronja diakritike (ë, ç).
Shqipja ka theks intensiteti dhe përgjithësisht të palëvizshëm gjate fleksionit. Në shumicen e rasteve, sidomos në sistemin emëror, theksi bie në rrokjen e parafundit.
Shqipja ka një sistem të zhvilluar (të pasur) formash gramatikore, ka një sistem lakimi binar: lakimin e shquar dhe të pashquar, ruan ende mirë format rasore (ka pesë rasa), sistemin prej tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse), kjo e fundit po shkon drejt zhdukjes, mbahet vetëm në një kategori të veçantë emrash foljorë, të tipit: të shkruarit, të menduarit, etj.
Sistemi emëror ka trajtë të shquar dhe të pashquar dhe për pasojë, edhe lakim të shquar e të pashquar; nyja shquese është e prapavendosur si në rumanisht dhe në bullgarisht; ka nyje të përparme te emrat në rasen gjinore (i, e malit) dhe te mbiemrat e nyjshëm (i mirë, i vogël, etj)., te emrat asnjanës të tipit të folurit, etj. Përvec fleksionit me mbaresa të veçanta, shqipja njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash ~ desh, marr ~ merr); ka dy tipe strukturorë mbiemrash të ngjashëm (i madh, i ndershëm) dhe të panyjshem (trim, besnik). Te numërorët përdor kryesisht sistemin decimal (dhjetë, tridhjetë, pesëdhjetë), por ruan edhe sistemin vigezimal (njëzet, dyzet); numërorët e përberë nga 11-19, formohen duke vënë numrin e njësheve përpara, parafjalën mbë dhe pastaj dhjetshet (njëmbëdhjetë, dymbëdhjetë, etj) si në rumanisht dhe në gjuhët sllave.
Sistemi foljor paraqitet mjaft i larmishem. Shqipja ka një sistem të pasur formash menyrore dhe kohore, një pjesë të e cilave janë të trashëguara nga një periudhë e hershme, një pjesë janë kryer gjatë evolucionit të saj historik. Folja ka gjashtë menyra; (dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore) dhe tri forma të pashtjelluara (pjesore, paskajore dhe përcjellore). Koha e ardhëshme ndërtohet në menyre analitike, me dy forma: me do (forma e foljes dua) + lidhore (do të punoj) dhe me foljen ndihmëse kam + paskajore (kam për të punuar).
Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë, por më i zakonshem është rendi subjekt+verb+objekt.
Leksiku i gjuhës shqipe përbëhet prej disa shtresash. Një shtresë të veçantë përbëjnë fjalët me burim vendas, të trashëguar nga një periudhë e lashtë indoevropiane (ditë, natë, dimër, motër, jani, etj.), ose të formuara më vonë, me mjete të shqipes (ditor, dimëror, i përnatshëm).
Një shtresë tjetër, përbëjnë fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera, si pasojë e kontakteve të popullit shqiptar me popuj të tjerë gjatë shekujve. Fjalët e huazuara kanë hyrë nga greqishtja, greqishtja e vjetër dh e re, nga latinishtja dhe gjuhët romane, nga sllavishtja dhe nga turqishtja.
Shqipja, me gjithë huazimet e shumta, ka ruajtur origjinalitetin e saj, si gjuhë e veçantë indoevropiane.

 
Përhapja e gjuhës shqipe

Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë vetë në Republikën e Shqipërisë, në Kosovë, në viset shqiptare të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Serbisë jugore, si dhe në viset e Çamerisë në Greqi. Shqipja flitet gjithashtu, në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Bullgari, në Ukrainë, si dhe në shqiptarë të mërguar në viset e ndryshme të botës para Luftës se Dytë Botërore dhe në këtë dhjetëvjeçarin e fundit.
Gjuha shqipe mësohet dhe sudjohet në disa universitete dhe qëndra albanologjike në bote, si në Paris, Romë, Napoli, Kozencë, Plermo, Leningrad, Pekin, München, Bukuresht, Selanik, Sofie etj.

 
Studimet për gjuhën shqipe

Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i tyre, kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studjuesve të huaj dhe shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë, gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës gjermane. Me të u mor edhe një filozof i madh, sic ishte Gotfrid Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta kuptuar dhe për ta shpjeguar atë. Në disa letra, qe ai i shkruante një bibliotekari të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë.
Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese nga mesi i shekullit XIX. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari gjerman Franz Bopp, arriti të provonte që në vitin 1854, se shqipja bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas tij, studjues të tjerë, si G.Meyer, H.Pedersen, N.Jokli, studjuan aspekte të ndryshme të leksikut dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G.Meyer do të hartonte që në vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës shqipe (Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891), i pari fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh gjuhëtarësh të huaj, si F.Miclosich, G.Weigand, C.Tagliavini, St.Man, E.Hamp, A.Desnickaja, H.Ölberg, H.Mihaescu, W.Fredler, O.Bucholtz, M.Huld, G.B.Pellegrini, etj. kanë dhënë kontribute të shënuara për studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe gramatikën historike, si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.
Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën shqipe të albanologëve të huaj, lindi dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj që në shekullin XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635). Gjatë Rilindjes Kombëtare u botuan disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu, në vitin 1864, Dhimitër Kamarda, një nga arbëreshët e Italisë, botoi veprën “Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno 1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla lingua albanese”, Prato 1866. Më 1882, Kostandin Kristoforidhi botoi “Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1806, Sami Frashëri botoi “Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës shqipe”, i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë Botërore. Në vitin 1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.
Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës kombëtare. Në fushën e gramatikës u shqua sidomos Proff. Dr.Aleksandër Xhuvani.

 
Aleksandër Xhuvani (1880-1961)

Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e shkollës sonë me tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951, 1954, 1956.
Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqerem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e fjalformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe.
Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961).
Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.
Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999).
Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga shtypi.
Eshtë bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave gramatikore të gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysëmshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë: "Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh.Demiraj), etj.

 
Eqerem Cabej (1908-1980).
Studjuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare.

Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një gjysëm shekulli, duke lënë një trashëgimni të pasur shkencore.
Eqerem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqerem Cabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës, në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.
Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes” (1944).
Ai është bashkëautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.
Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetra referate e kumtesa në kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.
Veprat e prof. Eqerem Cabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin “Studime gjuhësore”.
Me veprimtarinë e shumanëshme shkencore e me nivel të lartë, Eqerem Cabej ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë.

Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë veçanërisht prof.Androkli Kostallari.
Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjuhësisë studimore e studjuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsidrueshëm veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në këtë fushë
Kontribut të veçantë për gjuhen shqipe kanë dhenë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të njohur si “Arbëresh”
Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë), Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, etj.

 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen