Seiten

Samstag, 14. Dezember 2013

Këngët popullore të djepit (ninulat)


Nga trashëgimia jonë

Përgatiti: Rrahim Sadiku

Këngët e djepit njihen edhe si Këngë të ninulave ose Këngë të nina-nanave. Ky lloj i këngëve përfshinë ato krijime popullore që u këndohen fëmijëve për t’i vënë në gjumë, po shpesh edhe për t’i qetësuar e afruar.
Këngët e djepit shprehin dashurinë e madhe prindore, gëzimin e harenë për praninë e fëmijës dhe kënaqvsive që i vinë prindit nga ai.
Përgjithësisht ato janë këngë të shkurtëra dhe u kushtohen fëmijëve të moshës më të njomë, pra të atyre që nëna me kujdesin më të madh u krijon kushte për të fjetur mirë, qetë e pa trazime. Këto këngë janë shumë të përhapura në të gjitha trojet shqiptare, po ato i gjejmë edhe në kulturën e të gjithë popujve të botës. Duhet cekur se shumica e këngëve të djepit janë improvizime, që nëna i krijon në prani të foshnjës dhe ato lidhen shpesh me gjendjen që ka fëmija në atë moment.
Këngët shqiptare të djepit fillojnë zakonishta me fjalët “Nina-nina bijën/birin o” (në veri të trojeve shqiptare dhe me: “nani-nani djalin/vajzën” (në jug). Në shumë raste këngët e djepit kanë në vete fjalë bukurtingëlluese, shpesh pa kuptim konkret, po që ndikojnë që fëmija të flerë sa më shpejt. Janë këto fjale te pashpjegueshme, po mund të jenë edhe emra njerezish e gjësendesh, që qetësojnë mendjen e fëmijës, pra gjumëndjellëse.
Duke i lexuar dëgjuar, kuptojmë se Këngët e djepit janë monologje intime poetike, me të cilat prindërit shprehin dëshirat që kanë për fëmijët e tyre, që zakonisht lidhen me shëndetin, urtësinë, dashurinë, trimërinë, jetën e gjatë e dëshira të tjera.
Mjetet artistike që përdorin krijuesit e këngëve të djepit janë nga më të ndryshmet, nga ato më të zgjedhurat, deri te ato krejt të rastit. Kemi në to figurat letrare që përdoren në të gjitha krijimet artistike, po më të shpeshtë janë krahasimi e personifikimi.
Ninullat janë tejet lirike dhe të përjetuara shpirtërisht. Nëna e krahason fëmijën e vet me gonxhen, me ylberin, me lulen e shegës, me mollën, me pëllumbin, me yllin e me shumë bukuri që e paraqesin fëmijën sa më të mirë. Janë të këndshme sidomos këngët kur gjumi paraqitet si një zog i bukur, pëllumb e bilbil, që vjen ta kënaqë fëmijën e ta ndihmojë të rritet.

 


Të pastë nana

Nina nana, nina, nina!
E shkofsh jetën me të mira,
dalsh në bjeshkë e në rudina,
të pastë nana ty zi yll,
si pëllum e trandafil,
me ja rue nanës dhent e dhitë
shpija jeme me u ba dritë
me u ba dritë plot begati,
lumja un’ qi t’kam ty.

 


Gjumi i amël

Nina nina birin tem
do t’baj bari me dhenë!
Nina nina, po t’perkuni
Birin tem me zan’ gjumi
Ma ze gjumi, gjumi i amël
do t’thejmë pershesh me tamël!

 


I madh si lisi

Nina nana
po t'perkuni
ty e bir’
me t’zan gjumi.
N’ gjum’ mu rrit,
Me na u dok dritë,
Me shkue te fisi,
I madh si lisi
Me u ungj ngat plakit,
N’krye të oxhakit.

 


Djali jem

Nina nana
Zemra m’knon,
i miri jem
me shok’ po shkon!
Nga djepi me dushk
përzihet me krushq
nga djepi me sanë
I ngon babë e nanë,
Me tesha t’kuqe,
Po i marrim nuse!

 


Tue thanë

Nina nana
tue thanë,
ti u rritsh
me babë e nanë.
Nina nana
n’djep me therra
Nisju nanes
se erdh vera,
Dil n’stan
me treqind shtjerra
Vjen nana me i mjel
Buk’ e ujë
nana të sjell,
nana po t’rrit ty
o bir per Shypni!

 


Nina- nina vajzës

Nina nina, vajzë e nanës
Mori cucë për bukuri,
U bafsh si lule për hjeshi,
Flej si qingj ҫohu si rrunxë,
Qingjja e nanës, nina ni.
Ti m’u rritsh e u fejofsh!
U martosh e u lulzosh!
Dalsh e para me bukuri,
U përmendsh-o për urti,
Bafsh dritë shpat ‘ëm shpat,
e t’shoqnoft i madhi fat.

 


Nina-nina ore plum’

Nina-nina ore pllum’
Flej se nana të do shum’.
T’i m’u rritsh mue fatlum
Fatlum o djal i ri
Dilli ty gjithmonë me t’pri.
Kur te rritesh o zamak
e gzon nanën në konak
Kur te rritesh djal im
zemer do m’dalsh trim

 


T’përkund nana

Nina nina gati mrrina.
Nina zana, t’perkund nana.
Nina nina t’qes ke mani
jo s’na merr murrani.
Lule t’qes ke molla
tutem se t’ze vdora
Lule t’qes ke pjeshka
lumja të ze vjeshta
Nina nina o more djalë
Ti m’u bafsh
për Shqipnin marë.

 


Nano nano djalënë

Nano nano djalënë
Se na zgjoi mëhallënë!
Kush e ka e kush e do
Kush e përkedhel kur do?
Djal’i vogël këto do
Lodrat edhe vallet-o!
O nanan, o nanan
Nenua t’u bëftë kurban
Që të ka e që të mban!
Ririri, ririri,
Kush të ka more flori
Ty të ka nenua në gji!
Nano nano djalënë
Që na zgjoi mëhallënë
Të ligat i mori lumi
Dhe i shpuri te Osumi!
Djalën na e zuri gjumi

 


Nano nano çupënë

Nano nano çupënë
Tatëpjetë fushenë
Merre gjumë, mbaje shumë,
Pastaj vinj e zgjonj unë,
Të flerë e te rritetë
të zgjonet e të ndritetë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen