me disa fjalë, një thurje e lehtë në prehër të gjyshit, Gjini i vocërr shkrirë në një gjumin e sheqertë pa asnjë brengë, sa një gogël pa merak e asnjë dert nis rrëfimin për Gjyshin e dashur, pa e ditë shumë nga shpie ajo rrugë ai mirë e di se thurte vargje për shoqërim me Gjyshin mjekërbardhë e fisnik ç’ishte ëndërr, ç’ishte zhgjëndërr punë e madhe, s’ka rëndësi do të sjell një qartësi për të reja e, diçka më tepër, zotohem se do të shkruaj një herë tjetër ! (dikur, diku në mërgim)
Tregim për fëmijë Ishte një natë me acar dhe thuhet se gjithçka kishte ngrirë. Lumenjtë ishin zhdukur dhe ishin krijuar rrugë akulli, të mbuluar nga bora e ngrirë... Brigjet ishin bashkuar dhe Urat sikur nuk kishin më as vlerë, as funksion. Ato nuk përdoreshin më fare... Nga stacionet meteorologjike vazhdimisht vinin thirrje, madje dhe urdhëresa, që të mos merren udhëtime, madje as të nevojshme e të domosdoshme, por të rrihet brenda dhe të priten ditë më të mira. Këto thirrje e urdhëresa nuk vlenin për Naum Veqilharxhin, Konstandin Kristoforidhin, Sami Frashërin, Jani Vreton, Koto Hoxhin, Pashko Vasën, Luigj Gurakuqin, Parashqevi Qiriazin e Nikolla Lakon. Në veshët e tyre që prej kohësh vinin do zëra të humbur në mugëtirë, do zëra fëmijësh që po mbyteshin në pellgun e harresës, e shthurjes, e shuarjes... Ata po udhëtonin ditë e net të tëra, me do letra nën sqetull, me duart e futura në xhepa, pranë bockave me ngjyrë e penave që u ishte tharë ngjyra. - Auuu!... - thirri Veqilharxhi, duke e rrotulluar bockën e ngjyrës. - Ç´është? - pyeti Kristoforidhi. - Paska pëlcitur bocka ime! - Tha ai duke i shikuar të çarat gjarpërore që ishin krijuar në xhamin e ngrirë. Secili nxori bockën e vet dhe i shikuan se a i kishin qëndruar këtij acari, që po pëlciste edhe gurin. - Edhe imja - tha Jani Vreto. - Edhe imja - shtoi Pashko Vaso. - Imja ende nuk ka pëlcitur, por boja qenka ngrirë - tha me një dozë gëzimi Luigj Gurakuqi. - Mbahuni, burra!... - I trimëroi Sami Frashëri. - Misionin do ta mbushim. - Por, boja e ngrirë mund ta humbë cilësinë dhe fortësinë - shprehu dyshimin Nikolla Lako. - Latinët thonë: më e qëndrueshme është boja më e dobët se sa kujtesa më e fortë - u dha zemër Parashqevi Qiriazi. - Mirë e ke, motër - miratoi Koto Hoxhi dhe shtoi: - boja edhe e dobët qoftë, do t´u shërbejë fëmijëve tanë për të mësuar shkrim-këndimin shqip, për të mësuar këtë Gjuhë Perëndie, siç më tha një ditë Naim Frashëri, teksa kishte mbaruar një vjershë për gjuhën shqipe. Fjalët e Koto Hoxhit u dhanë zemër. Shpejtuan hapin, sepse edhe pak rrugë u kishte mbetur deri në Kështjellën e Dritës, aty ku do të hedhnin shkronjat e para mbi ato fletët e bardha, që po shtrëngonin nën sqetull të mos ua marrë era e tërbuar. Zëri i një shpendkeqeje, që erdhi nga thellësia e errësirës, për një moment ua ngadalësoi hapin, por sakaq zemër u dha Sami Frashëri: - Të shpejtojmë!... Në rrugën tonë përherë na kanë përcjellë shpendkeqet, por misionin tonë nuk e kanë ndalur dot kurrë... Zëri i shpendkeqes dhe fishkëllima e erës shponin dendësinë e errësirës. Naum Veqilharxhi lëshoi perdet dhe zuri vend pranë tavolinës, që po e shndriste një dritë e dobët kandili. Të gjithë kishin hapur letrat e bardha mbi tavolinë, në të cilat po hidheshin shkronjat e para të një libri të shenjtë; po hidheshin fjalët e para në abetaren shqipe. - A - filloi Naum Veqilharxhi. - Atdheu - shtoi Pashko Vasa. - Abetarja - plotësoi Jani Vreto. - B - vazhdoi Nikolla Lako. - Besa - plotësoi Parashqevi Qiriazi. Era e tërbuar me gjithë ashpërsinë e saj vazhdonte të rrahë Kështjellën e Dritës. - F - tha Koto Hoxhi. - Flamuri - plotësoi Sami Frashëri. - P - vazhdoi Parashqevi Qiriazi. - Pavarësia - plotësoi Luigj Gurakuqi. Një krizmë tepër e madhe shqeu errësirën e acartë dhe Natën shekull. - Sh - u ngut të thotë Koto Hoxhi dhe shtoi: - të shpejtojmë! - Shqipëria - plotësoi Pashko Vasa. - Zh - përfundoi Konstandin Kristoforidhi. - Zhdryj - plotësoi Naum Veqilharxhi dhe shtoi plot gëzim e krenari: .- më sot, në këtë Natë të gjatë, në këtë natë të acartë, po zhdryjmë gjuhën shqipe, shkollën shqipe, shkrim-këndimin shqip, librin shqip dhe ky Ëvetar le të shërbejë si një çelës që do të zhdryjë dryrin që gjuhës shqipe e shkrim-këndimit shqip i vunë armiqtë tanë... - Ky Ëvetar për fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë, le të shërbejë si një burim i kthjellët diturie!... E bekuar qoftë gjuha shqipe, i bekuar qoftë shkrim-këndimi shqip, i bekuar qoftë Ëvetari shqip!... - Uroi Konstandin Kristoforidhi. - Qoftë dritë që do të shndrisë rrugët e kombit shqiptar! - Uroi Luigj Gurakuqi. - Nëse gjuha shqipe nuk do të shkruhet, atëherë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë Shqipëri në faqe të dheut dhe as do të lexohet më emri shqiptar në hartën e botës - tha Konstandin Kristoforidhi. Një shpërthim i fuqishëm trandi Kështjellën e Dritës dhe Natën e errët. - Ta shpëtojmë Ëvetarin, sepse armiqtë tanë nuk flenë as në këtë natë të acartë - tha Koto Hoxhi. - T´ua shpërndajmë fëmijëve tanë - propozoi Naum Veqilharxhi dhe me abetaren në gji u sul drejt derës. Sapo doli në rrugë, një flakë e thekshme vetëtime, që u pasua nga një gjëmim i fortë, e rrëzoi përdhe si një lis shtatlartë. Të gjithë u mblodhën rreth tij. Konstandin Kristoforidhi ia vuri kokën në prehër dhe i dha forcë: - Qëndro, vëlla! Naum Veqilharxhi futi dorën në gji. Nxori abetaren që po pikonte gjak. - Amanet!... - tha ai dhe koka i ra menjanë. Fishkëllima e erës, e përzier me acarin e egër, ngriu Natën skëterrë. Konstandin Kristoforidhi ia mbylli sytë, që i kishin ngelur duke e shikuar abetaren.
DIKUSH TROKET Te dera e vargut dikush troket. Dikush. Ngritem sh p e j t, si zog larush të shoh befasinë. Sytë e gonxhes buzëqeshin: Erdha ta ylberoj poezinë. NGA ËNDRRA E ZOGUT Kur dielli fle pas malit me pëllumba e kumri, te lumi shkon shelgu, lanë flokët prej gjethesh, si unë, si ti. Yjet s`presin, përdore me hënën zbresin, i kanë punët e lehta, fët e fët balluket ia bëjnë me gërsheta! Zogu i mollës me kitarë nga ëndrra e ka parë , në qepallë të ditës i thotë pa mahi: Ku ke qenë mbrëmë e di, mirë e di për fije! S`marr nëpër gojë, jam zog ilirie. Diçka than dhe qukapikët, shelgut i qeshën qerpikët! E DI NJË VETËSHËRBIM E di një vetëshërbim me fustane fluturash, këpucë mollëkuqesh, këmisha të kanjushave, me xhinse manushaqesh… Kur dielli vë kapelën hapet derë e tij. Vajzukët mund të blejnë vetëm me përqafime. Adresa: Vizatimi i Aries. SHTËPIA ME PUTHJE Kur marr notë të shkëlqyer në fletore Fustanet e haresë veshin lulet Dielli me kapelën mbi sy Dirigjent në korin e pemëve Nëna-hënë e qeshur Faqet m`i kuqëlon me puthje Një zog i vogël i cicërinë babit në vetull: Ky fëmijë do t`bëhet dikushi Nota e shkëlqyer kur vjen në fletore Shtëpia mbushet me përqafime FATI Është fat të jesh flutur me cantë në krah e mësuese ta kesh pranverën. Edhe ta takosh poetin është fat, fiton një libër me vargje të karamelta! Fat është t`ia dhurosh buzëqeshjen tënde prej lulesh. Deri në shtëpi fluturon me krahët e lumturisë. Kur hap faqet në ballkon, në sofrën e vargjeve ulen kumritë, mjaltin nëpër hoje rimash e shijojnë bashkë me ty. Fat i madh është ky. NGA BUZËQESHJA E NËNËS Pranvera s`vjen nga larg me tren. Nga buzëqeshja e nënës pranvera vjen! Qiellit të kaltër pa asnjë re Zogj e flutura na ka ne. Zogj e flutura. FLUTURA E ËNDRRËS Gërshetat m`i lidhën kallinjtë e grurit, ylberi ma fali këmishën e luleve, fustanin e puhisë ma qepi dielli, sandalet dhuratë nga zambaku! U bëra flutur e ëndrrës në çdo varg të verës. NË NJË BANKË ME TY Edhe me farmerka të grisura reje, edhe me gjysmë këmishë hëne, edhe me një atlete lepuri e një sandale future, je e bukur. Jam lumturia me një bankë me ty. Shkruani një mesazh ...
FLAMURIT Ty që valove rrebesheve me stuhi, ty që flakërove luftërave. Ty që valove n’dasma, gëzime, ty që vallëzove në përurime... Ty që valëvitësh mbi shkolla e shtëpi, n’ty shohim madhëri edhe shenjtëri. Ty që valove mbi kokat e t’parëve, ty që trishtove hordhi t’barbarëve... Ty që shpalove ëndërrën për liri, ty o Flamur dhuratë – këtë pozi.
SHPATA E SKËNDERBEUT Shpatë e kryeparit qe armë kryesore në kohëra t’përgjakura deri në fitore. Me të Skënderbeu osmanët dërmoi shumë, atë e kishte nënkresë kur bënte një sy gjumë. Kaloi kohëra e pushtetarë, shpata mori udhë të gjatë, në muzeum, në vjenë e gjen sikur rri me Skënderbenë. Qëndron shpata me përkrenare shkëndijë për lashtësinë, për luftërat mbi tiranë nga fisi që gjallëron.
SHQIPËRI VENDI IM Nënë Shqipëri - vendi im, më bën djalë që s'plaket kurrë, më jep zemër, më bën trim forcë më jep, më bën burrë. N'gadishullin e trazuar je lis me degë të gjata, rri pa thyer, pa përcëlluar nga rrufeja e shtërngata. Kokën lart, imja Shqipëri, ballëndritur, paç bekime : paç shëndet e lumturi mos mek shpresën, këngën time.
SHTIGJE Kuvendon mali me mal me kokat lart në re, të lumtur e të ndritur për çdo ngjarje të re. Fusha i buzëqesh fushës, ara i buzëqesh erës, me gazin e vogëlushes shtigjeve të abetares.
NATË NË VENDLINDJE Nata bie dhe mbulon gjurmët e ditës hëna tretet dalëngadalë, e xixëllonjat fërfërijnë me të hollat fustanella. Dikur vonë dritë e hënës zë e meket ndonjë hut e lakuriq territ heshtjen seç ia thyejnë. Nëpër dritare feksojnë dritat nëpër dhomëza fëmijët përkëdhelën, dashuri e prindërve hap portat e ëndrrave që do të vijnë. Dritat fikën një nga një si ç’rëndon gjumi n’qepalla, e fenerët xixëllonjave tej mali hënën përcjellin. Pesë minuta gjumë n’vendlindje sa një vit i tërë n’kurbet, atje ndjen joshje jete ndaj nata është si askund tjetër.
TËBANA IME Në një faqe mali gjendet tëbana ime, në bjeshkën e shtrenjtë si rubin n’kujtime.
Tëbanë e vogël fare që s’ka shumë bukuri, po n’derë, oxhak, n’dritare ka shumë dashuri. Me fier ka çatinë e muret me purteka, tym i saj kaltërinë e puth përmbi kleka.
LUMI Është udhëtar i nisur nga e bjeshkës gushë, me valët stolisur deri poshtë në fushë. Nga qyteti në fshat nga fshati në qytet, udhëtar i palodhur pa përtesë rrëshqet. LIQENI Në Batllavën e vjetër Pendë ngritën një herë, Lumenjve t’Gollakut U vunë frerë. Çdo lumi i thanë : - mjaft ke bredhë, tani e tutje do kesh tjetër rrjedhë!
UDHË E MBARË Një shirit i zi Shtrihet mes luginës, Mes kodrash vazhdon Dhe përmes lëndinës. Dy binarë të pafund njësoj të larguar, kufi s’kanë askund për t’u bashkuar. Mbi ta lokomotiva rëndë trokëllin, dhe fyelli i saj me mall fishkëllon. Me muaj, ditë e orë hiq pa bërë bisht, udhëtarë, nxënës, punëtorë bart rregullisht. Para stacionit këta dy binarë botën e lidhin me: Udhë e mbarë! Me tren udhëtojnë dhe hipin e zbresin, me zhurmë gjallërojnë mbrëmjen dhe mëngjesin. Ky tren i dëshirave n’mot t’mirë, po dhe me erë asnjëri pa pyetur e merr, e sjell çdo herë. HËNA Kur bie muzgu i parë fytyrë e hënës si pogaçe ndrin: herë fytyrëplote, herë si drapër hëna stolis gjithësinë. Pa hënë s’do kish bukuri Në verë, vjeshtë, dimër e behar, Ajo terrin e zhdavarit Dritë bën sa mijëra fanarë.
XIXËLLONJA Xixëllonjë ti moj fenere, jep sinjale në fillim vere; dhe heq valle me kunadhe skaj arave, nëpër livadhe Xixëllonja xixëllinë, me fëmijët heq valle, duart e njoma e arrijnë pastaj u ndrit nëpër balle.
TRUMCAKU Vera kaloi dhe vapa iku vjeshta plot me shi, sakaq dimri ia çatisi me dëborë dhe me stuhi Nga fërfëllizë e dëborës të gjithë mbyllen si nën dry, thuajse nuk do kush dimrin ta shohë fare me sy... Nga fërshëllimat e acarit mbi pullaz pranë oxhakut, dhembshëm dëgjohet në të rrallë zë i ndrojtur i trumcakut. Është uritur i gjori tëmotjet bora ka mbuluar, dhe rrugët e fluturimit dimri ia ka ngatërruar. Ciu, ciu, ciu trumcaku cicëron miqtë e tij dhe thërrimet kështu pareshtur kërkon. Sa hapet derë e shtëpisë apo n’ahur dikush shkon, trumcaku më flatër mpirë atë ngathtë e shoqëron. Një ditë me acar me borën gjithkah shtruar, e ftova trumcakun bashkë për të drekuar. Shpejt ai ma kuptoi dëshirën afër sofrës erdh e u ndal, sa çukiste thërrime buke mua më bëhej zemra mal. Sa mbushi gushën me bukë lëvizte kokën si xhan, sikur më tha faleminderit e u katrith në tavan. Nga një kënd i dhomës n’tjetrin herë n’dritare, mbi tavolinë, me hare ai bredhërinte gjithë gaz mbushi shtëpinë Mirëpo, me t’u hapur dera cicëriu nja dy-tri herë, sikur na tha lamtumirë iku, fluturoi në erë... ___ Nga libri: "Qershia e pikëlluar".
VJEN PRANVERA NË DITË VERE Ej, pranvera shpejt u bind Tё lulёzojё gjithё Malin Pind, Pёr t’u hapur tёrё madhёshti, Tek vёrshon mbi Çamёri, E bleruar, nё pikё tё ditёs, Pёrshёndet nga Majё e Çikёs Thonё e panё dhe nё Korab, Tёrё Pollogut u pёrhap, Vetёtimё hapin e mbajti Mbi Tiranё, te Mali Dajti, E uruan gjithё Mallakastra, Lugina e Vjosёs e Gjirokastra, Shumё pranverё erdhi nё Shkodёr, Mu nё Vuthaj hapi votёr, Mandej doli shkurt e trup Nё Prishtinё e pёrmbi Shkup, Mori dukje shumё tё mirё Duke bleruar nё Manastir, Pёrmbi Ohёr e nё Strugё Gjithё tё mirave u hapi rrugё, Kёmbёkryq u shtrua nё Drilon… Kudo Shqipёrisё, Atdheut tonё! 14 mars 2019