Mittwoch, 18. September 2013

Agim Metbala: Poezi për fëmijë


Nga përmbledhja "Grindja e shkronjave"...

DUART E MAMIT TË PRESIN

Zgjati duart vogëlush,
Të presin duart e mamit;
Bëre hapin e parë syrrush –
Të pret malli i babit!

Merre guximin vogëlush,
Sytë kah ti janë drejtuar;
Vendos vetë, s’të dikton kush –
Vendosmëria çdoherë ka fituar!

Mos të të tremb kurrë rrëzimi,
Me dashuri të pret motra;
N’sakrificë, më vlerë ka fitimi –
Kështu ka thënë gjyshi te votra!

Vogëlushi lëkundet si lisi në erë,
Merr qëndrim n’drejtpeshim;
Me guxim hapin e parë hedh –
I buzëqesh fytyra në ngadhënjim!

Me plot dashuri mbushet dhoma,
Ylberi derdh tërë bukurinë;
Dielli shkund buzëqeshjet e njoma –
E reja e bardhë, butësinë shtrin!

2001

 

MAMI VAJZË KA LINDUR
 

Do të shtrihet qeshja,
Do të shtohet gëzimi,
Do të ndihet qarja –
Do të fluturojë dëfrimi!

Do të rriten puthjet,
Do të pakësohen gotat,
Do të shumohen kordelet,
Do të këndojnë motrat!

Do të lindin përrallat,
Do të derdhet bokalli,
Do të blehen dardhat,
Do të shtohet malli!

Do të...
Do të...
Do të...
Edhe njëqind,
Mami vajzë ka lind!

1987

 

SIKUR FËMIJËT T’ISHIN PREMIERË

Sikur fëmijët t’ishin premierë,
Burrështetesh apo kryetarë;
Këtë botë me kaq vlerë –
Do ta kthenin për të mbarë!

Nuk do t’kishte shumë parti,
Nuk do t’kishte luftë askund;
Nuk do t’kishte as kufi –
S’do t’përjetonim gjithë këtë mund!

S’do të kishte askund uri,
Nuk do të kishte fare terror;
Nuk do të mbeteshin nëna pa fëmijë –
Dhe as të vrarë aq dëshmorë!

Sikur fëmijët t’ishin premierë,
Burrështetesh apo kryetarë;
Loja dhe kënga do t’jehonte për nder –
Botën do ta kishin sjellë mbarë!

1972

 

ÇKA BËHET GJYSHI

Gjyshi shpesh bëhet kalë,
Herë me samar, herë me shalë;
Së pari nipi me të kaluron -
Kur zbret nipi, mbesa vrapon!

Gjyshi shpesh bëhet hamall,
Me nipin doemos ai shkon n’pazar;
Kjo punë s’diskutohet aspak -
Me mbesën duhet dalë në park.

Gjyshi bëhet i shurdhër shpesh,
Kur nipi thyen diç, ai mbyll një vesh;
Kur mbesa ndonjë vazo thyen ore -
Bëhet aktor dhe kinse fle!

Gjyshi shpesh nuk sheh, or burrë,
Kur nipi me ngjyrë, pikturon n’mur;
Bëhet fare se sytë e kanë lënë -
Kur mbesa prish basmën me gërshërë!

Të gjitha këto gjyshi i bën me dëshirë,
Se nipin dhe mbesën i ka xhevahirë;
Janë të vegjël, janë fëmijë -
Duhet të derdhin më shumë energji!

Gjyshi ata i kupton fare mirë,
Për çdo gabim u jep këshillë;
Ashtu në lojë, fare pa ngarkesë –
Gjyshi edukon nipin dhe të voglën mbesë!

 


SI DUKET BABAI

Babai e ka hundën e madhe –
Sa dy dardha,
Bile edhe më të madhe;
Dhe në vend të ngjyrës së kuqe –
Si mbarë bota,
Ai e ka të bardhë –
Ashtu në formë si gota!

Babai e ka dorën e madhe -
Si t’ariut e ka,
Bile edhe më të madhe,
Dhe në vend me pesë -
Si bota mbarë,
Ai e ka me katër gishta -
Dhe atë dy bashkë dhe dy ndarë!

Babai e ka një sy të madh,
Të madh si çiklopi,
Bile edhe më të madh;
Dhe në vend të elipsës -
Si mbarë bota;
Ai e ka të rrumbullakët -
Ashtu, gati si rrota!

I çuditshëm është ky baba, o fëmijë,
Në vizatimin e birit të tij!

1984

 

ARSIMTARIT TË HISTORISË

Ece, ece, ece dhe ece nëpër kohë...
Na shëtite në Greqinë antike,
Na hudhe deri te Muri Kinez,
Teutën së bashku e zumë mike,
Na hedhe në valle me Skënderbenë,
Na lidhe ura miqësie me palestinezë,
Na dhe ujë të freskët në Oaze,
Na fute në gjirin e revolicionit kubanez...

Ece, ece, ece dhe ece -
Dhe u bëre mjek i kohërave.

1985    


ËNDRRA

Ëndrra prej derës në derë,
I merr fëmijët për dore
Dhe i shëtit prore:
- Buzë Drinit të Bardhë,
Thellë në male,
I çon në livadhe,
Në çdo arë,
Në Niagarë,
Deri te Muri kinez,
Deri te deti japonez,
I lanë në Adriatik,
I çon në Arktik…
Ua lyen bukën me marmelatë,
U jep nga një çokollatë,
Ua blen nga dy çikleta,
Ua fal nga tri trotineta,
Ua mbushë grushtat me monedha,
Yllkave u lidh kordela,
Shumë pesa në fletore,
Në duar nga katër akullore…

Dhe n’mëngjes lehtë-lehtë,
Me karrocë të blertë,
Përshëndetet plot shëndet -
E kthehet në sarajin e vet!

1985

     

LAPSI I KËRMILLIT

Kërmilli ka laps me kilometra vija,
Çdo fëmijë atij ia ka zili.
Pse s’ka kësi lapsi ndër libraria?
Me të n’karton një vjershë shkroi,
Fletës së mollës i dha një autogram,
Në mur, një peizazh të bukur vizatoi,
Derës s’ime i dhuroi një anagram...

Një ditë buburreci e pyeti lehtë:
- Hej kërmill, ma bëj mua një portret?

1985

 

IMAGJINATA JONË
SHPALOSET FLETË-FLETË


Ne fëmijët, imagjinatë kemi shumë,
Sidomos natën kur është qetë;
Kur ju prindër bini në gjumë -
Imagjianta jonë shpaloset fletë-fletë!

Së pari ngrisim të gjitha godinat,
Të djegura shkrumb nga dora barbare;
Me kujdes i riparojmë të gjitha uzinat -
Nga armiku të shfrytëzuara me të madhe!

Me lehtësi shpalosim fletën tjetër,
Shkolla të reja ngrisim në çdo mes;
Bëjmë kalkulime, n’kompjutor e letër -
Mirënjohjet, dipomat... marrim me djersë!

Ne kemi kohë, normalisht edhe për lojë,
Rrëmbejmë rroushllet, top dhe biçikletë...
Kënaqemi së bashku zemra sa t’na dojë -
Ashtu kalisim trupin, e bëjmë plot shëndet!

Ne fëmijët jemi shumë humanitarë -
Shpërndajmë lodra kush ka nevojë;
U ikim rasteve t’bëhemi dëshmitarë -
Kur ju të rriturit, bëni të këqia, lojë!

Imagjinata jonë shpaloset prore,
Ne jemi në shpirt shumë pacifistë;
I shkatërrojmë armët bërthamore -
Punën e bëjmë si n’film ndonjë artist!

S’ndalemi me kaq, ne shkojmë larg,
Pajtojmë liderët e të gjitha partive;
Dëshmorëve u ngrisim lapidarë varg,
Pas neve ecën turma masive!

Ne fëmijët kemi imagjinatë shumë,
Sidomos natën kur është qetë;
Kur ju prindër bini në gjumë –
Imagjinata jonë shpaloset fletë-fletë!

2000