Dienstag, 9. April 2019

Lule nga kopshti i poetit Avdush Canaj

Avdush Canaj

DIKUSH TROKET

Te dera e vargut
dikush troket.
Dikush.
Ngritem
sh
p
e
j
t,
si zog larush
të shoh befasinë.
Sytë e gonxhes
buzëqeshin:
Erdha
ta ylberoj poezinë.



NGA ËNDRRA E ZOGUT

Kur dielli fle
pas malit 
me pëllumba e kumri,
te lumi shkon shelgu,
lanë flokët prej gjethesh,
si unë,
si ti.
Yjet s`presin,
përdore me hënën zbresin,
i kanë punët e lehta,
fët e fët balluket
ia bëjnë me gërsheta!
Zogu i mollës me kitarë 
nga ëndrra e ka parë ,
në qepallë të ditës
i thotë pa mahi:
Ku ke qenë mbrëmë e di,
mirë e di për fije!
S`marr nëpër gojë,
jam zog ilirie.
Diçka than dhe qukapikët,
shelgut
i qeshën qerpikët!



E DI NJË VETËSHËRBIM

E di një vetëshërbim
me fustane fluturash,
këpucë mollëkuqesh,
këmisha të kanjushave,
me xhinse manushaqesh…
Kur dielli vë kapelën
hapet derë e tij.
Vajzukët mund të blejnë
vetëm me përqafime.
Adresa: 
Vizatimi i Aries.



SHTËPIA ME PUTHJE

Kur marr notë të shkëlqyer në fletore
Fustanet e haresë veshin lulet
Dielli me kapelën mbi sy
Dirigjent në korin e pemëve
Nëna-hënë e qeshur
Faqet m`i kuqëlon me puthje
Një zog i vogël i cicërinë babit në vetull:
Ky fëmijë do t`bëhet dikushi
Nota e shkëlqyer kur vjen në fletore
Shtëpia mbushet me përqafime
FATI
Është fat të jesh flutur
me cantë në krah 
e mësuese ta kesh pranverën.
Edhe ta takosh poetin është fat,
fiton një libër
me vargje të karamelta!
Fat është t`ia dhurosh
buzëqeshjen tënde prej lulesh.
Deri në shtëpi fluturon
me krahët e lumturisë.
Kur hap faqet në ballkon,
në sofrën e vargjeve
ulen kumritë,
mjaltin nëpër hoje rimash
e shijojnë
bashkë me ty.
Fat i madh është ky.



NGA BUZËQESHJA E NËNËS

Pranvera s`vjen nga larg
me tren.
Nga buzëqeshja e nënës
pranvera vjen!
Qiellit të kaltër pa asnjë re
Zogj e flutura na ka ne.
Zogj e flutura.



FLUTURA E ËNDRRËS

Gërshetat
m`i lidhën kallinjtë e grurit,
ylberi 
ma fali këmishën e luleve,
fustanin e puhisë
ma qepi dielli,
sandalet
dhuratë nga zambaku!
U bëra flutur e ëndrrës
në çdo varg të verës.



NË NJË BANKË ME TY

Edhe me farmerka të grisura reje,
edhe me gjysmë këmishë hëne, 
edhe me një atlete lepuri 
e një sandale future,
je e bukur.
Jam lumturia
me një bankë me ty.
Shkruani një mesazh ...