Në një natë dimri, në krahinën e Provansës, plot me diell e ku bie rrallë dëborë, një stuhi e fortë bëri dëme të mëdha. Një fshatari me të shoqen iu mbulua e tërë shtëpiza me dëborë. Ky ishte një çift i moshuar, pa fëmijë, që kalonte një jetë mjaft të trishtuar.
- Po bëj një vogëlushe prej dëbore, - tha gruaja. Por për habinë e saj të madhe, papritmas vajza e vogël prej dëbore, iu vu nga pas dhe i foli:
- Nënë, mos bëni zjarr të madh këtu brenda, sepse nuk e duroj dot të nxehtit. Fshatarët erdhën nga ana e anës për të parë vogëlushen prej dëbore. Dukej e sjellshme; kalamajtë e donin dhe luanin me të. Dimrit ajo ishte shend e verë, por në pranverë bëhej mjaft e trishtuar. Vajza e vogël nuk e donte diellin dhe e kishte zakon të ikte dhe të fshihej në hijen e pyllit kur ai ngjitej lart dhe ngrohte tokën me rreze të forta. Për më tepër, nëna e saj mërzitej se ajo vazhdimisht qante.
Një mbrëmje vere kalamajtë e fshatit bënë një zjarr për t’u zbavitur e zunë të kërcenin rrotull tij. Meqenëse vogëlushja nuk dukej gjëkundi, shkuan ta kërkonin. Në fillim vajza e vogël prej dëbore sillej rreth e rrotull zjarrit me po aq gëzim sa edhe kalamajtë e tjerë. Por kur deshi të kërcente përmbi zjarr, ajo u zhduk menjëherë. Dhe në duart e dy djemve të vegjël, të cilët e kishin mbajtur për dore, nuk mbeti veçse një pikë uji.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen