Donnerstag, 15. November 2012
Fadil Curri: ÇELËSI NË KACAT E NIKËS
ÇELËSI NË KACAT E NIKËS
As gjyshi
As gjyshi i gjyshit
As gjyshi i gjyshit të gjyshit…tim
nuk e dinte kur kishte ndodhur dhe si, ndonëse në kujtesën e tyre e kishin dryrosur e trashëguar se këtu ishte bërë luftë e madhe ndërmjet fisit ardhacak dhe banorëve të këtushëm, pjesëtarë
të gjakut të gjyshit
të gjakut të gjyshit të gjyshit
të gjakut të gjyshit të gjyshit…tim.
Barbarët kishin qenë gjakpirës për racën e njerëzve të këtushëm. Këta lajkatarë, pasi u morën vesh se vendësit nuk do të bindeshin në urdhërat e tyre që t’ua dorëzojnë pasuritë shpirtërore e lëndore, nisën të bëjnë kërdi, duke i prerë e vrarë me armët më të përsosura të kohës.
Për ruajtjen e nderit e të pasurisë së kësaj ane ishte dëshmuar Nika, në duart e të cilit ishin pasuritë më të mëdha dhe me të cilat i mbante gjallë gati gjysmën e njerëzve të kësaj ane. Rreziku ishte i madh dhe duhej thirrë kuvendi i kryeparisë së bajraqeve. Pasi ishte i kësaj ane, Nikës i takoi të udhëhiqte me kuvendin.
- Barbarët nga ne kërkojnë që t’ua dorëzojmë pasuritë shpirtërore dhe lëndore, ndryshe thonë se asnjë për së gjalli nuk do të na lejojnë të jetojmë këtu, - u rrëfeu të ftuarve Nika.
- Pasuritë lëndore mund t’ua falim, ndërsa ato shpirtërore kurrsesi, - shprehu mendimin në emrin e bajrakut jugor njëri plak. – Nëse e bëjmë këtë detyrohemi të heqim dorë nga besimet tona, gjuha jonë, kanuni e rregulla të tjera të trashëguara nga katragjyshërit tanë.
- Pasuritë shpirtërore mund t’ua falim barbarëve, ndërsa ato materiale kurrsesi, - foli fytyrëmërrolur një plak i bajrakut verior. – Nëse e bëjmë këtë do të vdesim nga uria dhe këtë tokë nuk do të ketë njeri ta gëzojë.
- As pasuritë shpirtëror, as materiale nuk mund t’ua falim me dëshirë brabarëve, - foli një plak nga bajraku qendror, të cilin kjo anë e njihte si më të diturin e më të sprovuarin në luftërat me barbarët. – Edhe më parë kemi luftuar me barbarë të tjerë, por me armiq të këtillë kujtesa jonë nuk është ballafaquar kurrë. Të urdhërohet kryesekretari i vendit që të bëjë qysh sot listën e thesareve shpirtërore e lëndore, të bëhen planet e projektet për të ardhmen tonë dhe marrëdhëniet me të tjerët, të autorizohet Nika i kësaj ane që t’i fusë këto në një kuti dhe t’i fshehë si mundet e si di më së miri. Pleqtë ta autorizojnë Nikën që çelësin e vetëm të mos ia japë askujt që nuk e di gjuhën e shpirtin e banorëve të kësaj ane.
Të gjithë u pajtuan, pos njërit. Ishte ky një nip i fisit të këtushëm, i ardhur nga një fis verior kohët e fundit. Këtë kur kishte ardhur këtu, shumica gati nuk e dëshironin të ngulte rrënjë në këto anë.
Gjyshi pastaj më rrëfeu se ishte zhvilluar luftë e madhe dhe se gati të gjithë njerëzit e kësaj ane kishin vdekur nga lufta dhe nga mortaja e mëvonshme. I fundit kishte mbetur Nika, i cili kutinë me thesaret shpirtërore e lëndore i kishte fshehur shtatë pashë nën tokë në çufrrajat e kaçave. Gjyshi kishte bindje se për këtë edhe vendi nisi të quhej Kaçat e Nikës, por se ku ishte strehuar çelësi me kutinë e thesareve, saktë nuk dihej nga asnjëri.
Një plak thoshte se Kaçat e Nikës kishin qenë përreth Gurit të Shpuem.
- Te Uji i Thartë, - tha tjetri.
- Te Puset e Nikës, - tha i treti.
- Te Syri i Nikës, - tha i katërti.
- Te Krroi i Nikës, - tha i pesti.
- Te Guri i Nikës, - tha i gjashti.
- Te Burri Nikë, - tha i shtati.
- Te Koci i Nikës, - tha i teti.
- Te Vorri i Nikës, - tha i nënti.
Në ndonjë vend tjetër përreth që lidhej me emrin e këtij trimi lavdiplotë, tha njëri nga të pranishmit.
Një plak thoshte se ishte përreth Hanit të Djegur.
Në fortesë, tha një tjetër plak
Kohët e fundit me të madhe bëhet pyetje se ku mund ta ketë strehuar Nika kutinë e thesareve me çelësin magjik të dëshirave.
Disa të rinjë shkollarë thonë se nga mentorët e tyre e kishin mësuar alfabetin me të cilin mund të gjendej deshifrimi i arkivit dhe thesareve të fshehura nga Nika. Por, e domosdoshme ishte që shumica e popullit të mësonin këtë alfabet, ndaj edhe kanë hapur shkolla e kurse t’i mësojnë të shtyerit në moshë, të matufuarit dhe të paaftët mendorisht.
Një i ri paska thënë se ditët e fundit në një teatër vendor nga një regjisor i sprovuar në akademitë më të mëdha të botës qenka shfaqur drama, në të cilin një njeri e paska shpikur në kompjuter alfabetin që po e hapka kutinë e thesareve lëndore e shpirtërore të Nikës, vendin ku fillimisht qenka strehuar. Drama paska këtë porosi: Sa më shpejt që të mësohet alfabeti nga njerëzit e kësaj ane, aq më shpejt do të zbulohet kutia me thesare të fshehura dhe çelësi i dëshirave.
I riu paska thënë se një aktor, me rekomandimin e regjisorit, figurativisht e paska nxjerrë çelësin dhe e paska hedhur në publik.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen