Mittwoch, 7. November 2012

Fadil Curri: ZEMËRIMI I DELFINIT...

Tregim

ZEMËRIMI I DELFINIT

NË DJALOSHIN

Ndonëse i ka mbushur të gjashtëdhjetat, gjyshi ynë është njeri tejet i mbajtur. Qysh si fëmijë ia kënda peshkimin. Sa herë që vimë për pushime në qytetin bregdetar, na merr me vete të peshkojmë. Kur vëren se jemi mërzitur nga rendjet nëpër breg, lë shkopin e njicën dhe na rrëfen nga jeta e përjetimet e veta. Sot diçka ishte i humbur dhe nuk i kujtohej të na rrëfente. Mënëfund e vërejti mërzinë tonë.
- Oh, më falni vogëlushët e mi, më falni, - erdhi në vete gjyshi. – Pak më parë pata ndër mend të ju rrëfej, por ja, sakaq harrova. Ah, edhe kjo mendja e plakut për asgjë nuk është.
Ne u gëzuam që gjyshi nuk e harroi detyrën e përditshme ndaj nesh.
- Gjysh, mos e fajsoni veten. Secili njeri harron, - u mundua ta arsyetojë Loni, duke u hequr si i pamërzitur. - Pa na thuaj ç’deshe të na rrëfesh.
- Nuk e di sa do të ju pëlqejë, por desha të ju rrëfej për zemërimin e delfinit shpirtmirë në djaloshin shpirtkeq.
Që të tre i zgurdulluam sytë dhe here-herë dyshonim mos gaboi në të folur gjyshi. “Zemërimi i delfinit shpirtmirë në djaloshin shpirtkeq”, e përsëritëm habitshëm në vete. Këtë e vërejti gjyshi, i cili e vazhdoi rrëfimin.
- Këtë që po jua rrëfej e pata dëgjuar nga gjyshi im, edhe ai i dhënë pas peshkimit, - sqaroi pasi i la veglat e peshkimit në një të çarë shkëmbi. – Në kohë të lashtë një djalosh ishte grindur me prindërit dhe, i zemëruar kishte dalur të lahet në plazh. Sakaq qenka trazuar deti dhe djaloshin e rrëmbejnë valët. E shpiejnë në thellësitë më të mëdha. Lufta me valët e detit bëhet gjithnjë e më e padurueshme për djaloshin. Në çastet kur po merrte frymëmarrjet e fundit, djaloshin e pa një delfin, i cili me shpejtësi të rrufeshme erdhi, e futi në bark të vet djaloshin dhe e nxori në breg.
- Pse, nuk e hëngri delfini djaloshin, gjysh!? – nuk e la kërshëria e madhe Lonin pa e pyetur.
- Përkundrazi, - u përgjigj shpejt dhe i mbushur në frymë gjyshi, si të frikohej mos po e harronte rrëfimin. – Pasi e nxori në breg ai i tha: “Djalosh i mirë, shyqyr që shpëtove gjallë! Tashë shko në shtëpi dhe bindu në urdhërat e këshillat e prindërve. Je i lirë”, e udhëzoi delfini djaloshin.
- Bile ai e paska ditur edhe për grindjen e tij me prindërit.
- Me kaq përundoi rrëfimi për djaloshin lozonjar dhe delfinin.
Nga pyetjet e shumta gjyshi kuptoi kërshërinë tonë.
- Jo, ende ka dhe do të bindeni si djaloshi ka bërë gabim ndaj delfinit. Ai në vend që t’ia kthejë me të mirë gjestin shpëtimtar delfinit, nisi të mendojë keq e më keq për të, kur delfini i lodhur gjysmë në deti e gjysmë në breg u shtri të pushojë, bile edhe gjumi e kishte zënë. “Do të kem mish të mjaftueshëm për tërë dimrin”, llogariti djaloshi duke e shikuar atë kah flinte. Me shigjetë e vrau delfinin!!! Me të dëgjuar për vrasjen tradhëtare të delfinit nga ana e djaloshit, i mllefosur u tubua farefisi i viktimës dhe e pleqëruan punën. “Ushqe korbin të t’i nxjerrë sytë”, e cilësoi delfini më i vjetër dhe më i urtë këtë krim. Që nga kjo vrasje delfinët e humbën besimin në disa njerëz, - e përfundoi rrëfimin gjyshi.
Mbetëm të kënaqur me rrëfimin e gjyshit, por si pa gojë nga tradhëtia e djaloshit ndaj delfinit. Pasi ishim njerëz, e ndienim veten të fyer. Delfini na u dhimbs pa masë, si ta kishim shok të klasës a të lagjes. Rrinim galuc e të menduar një kohë të gjatë pas përfundimit të rrëfimit të gjyshit, bile edhe mbrëmjen që kishte pllakosur mbi kaltërinë e detit që e kishim para nesh, nuk e kishim hetuar. Të mos kishte qenë zëri i gjyshit të na thërriste, kush e di kur do të vinim në vete.
Puhia e mbrëmjes sikur na ngushëllonte rrugës.

_____________
Marrë nga "Faqja për fëmijë" në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen