Samstag, 17. August 2013

Tregim nga Rifat Kukaj


LEPURUSHI ME KËPUCË

Në oborrin e dajave të vet, Dreni ka parë Lepurushin për herë rë parë. Me siguri që është çuditur. Ka parë një krijesë që pak i ngjet maces e mace s'është. Pakëz i ngjet qenit e qen nuk është. Viç nuk është. Ç'është? - ka bluar mendja e tij.
Fëmijët e dajave i kanë dhënë Lepurushit sallatë nga duart e tyre. Më vonë i ka dhënë edhe Dreni. Prekja e buzëve të lepurit ka qenë e butë, miqësore.
E ku ta di unë ç'kanë lozur tjetër me lepurushin. Po si më treguan, Dreni ia paska avitur këpucët e veta para shputave. Ka dashtë t'i mbathë lepurushi këpucët. Paska kërkuar edhe një palë këpucë të vogla. Mos i ka vajtur mendja që t'ia mbathë katër këpucë në katër këmbë dhe të dalin për të shëtitur qytetit?
Kështu e ka Dreni. Sa herë i them se shkojmë “ba" që në gjuhën e tij domethënë shetitje, ai nxiton te këpucët.
Duke dëgjuar ç'i kishte ndodhur Drenit te dajat, mora me mend diçka të pabesueshme. Po merrni edhe ju me mend se lehtë e keni. Mendja fluturon si zogu. Merrni me mend, nipin tim, Drenin, zbathur duke ecur rrugës së qytetit, e pas tij një lepurush duke ecur jo me shputat e buta, por me katër këpucë!
- Tap, tap, tap, - këmbët e Drenit.
- Krrop, krrop, krrop, - këmbët e lepurushit.
E njerëzit nga të dy anët duke parë me habi ç'po ngjet.
A thua kështu ka menduar Dreni? Ndoshta po, ndoshta jo.
Po atëherë pse ka dëshiruar t'ia mbathë këpucët?
Parmbrëmë sa e pyeta për lepurushin e dajave, lëvizi buzët ashtu si lepurushi dhe ngriti duart sipër veshëve. Uh, e paskan habitur edhe veshët e tij të gjatë. Nuk është larg mendësh se kur ta shohim një gomar do të mendojë se është babai i lepurushit!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen