Freitag, 6. Dezember 2013

Baladat popullore shqiptare


Nga trashëgimia jonë

Përgatiti: Rrahim Sadiku

Balada është formë e veçantë e letërsisë gojore e të shkruar, brenda së cilës janë të përziera elementet epike e lirike, po edhe ato dramatike. Emri i saj vjen nga fjala latine ballare - vallëzoj, po që është e afërt edhe me fjalën ballein të greqishtes së vjetër –të lëvizish, të ecësh. Në thelb të secilës baladë është e pazakonshmja, ajo që nuk përkon me përditshmërinë, që sjell koncepte të reja për raportet midis njerëzve, për jetën e vdekjen, dashurinë e urrejtjen. Pra, përmes baladave të hershme shoqëria vë bazën e kërkesave për moral të ri, këndvështrime të reja. Në qendër të baladës nuk janë temat kolektive e as ato heroike, pasi në të ndodh tragjikja individuale, pësimi dhe ngashnjimi shpirtëror, shoqëruar shoesh nga kalimi midis jetës e vdekjes, nga ecja e bashkëbisedimi i të gjallit me të vdekurin, si ndodh sidomos te baladat e vjetra shqiptare, si janë “ Besa e Kostantinit”, “Motra me nëntë vëllezër”, “Halil Garria” e shumë të tjera.
Strukturën përmbajtjesore të baladës nuk e karakterizojnë shumë përshkallëzimi epik e paraqitja kronologjike, pasi ajo karakterizohet me kapërcime të mëdha, në aspektin kohë e hapësirë, me përqendrim në situata tragjike e me zhvillime të rënda psikologjike.
Dallimet e baladës si formë, nëpër letërsi nacionale, lidhen me tepër me atë së cili është elementi që mbizotëron në strukture : elementi dramatik, lirik apo epik.
Baladat janë pjesë e madhërishme e trashëgimisë sonë kulturore, e krijimtarisë së gjërë popullore dhe e thesarit artistik shqiptar në përgjithësi. Duke bartur në vete elemente të theksuara lashtësie, më së shpeshti ato arrijnë të freskëta dhe tejet intriguese artistikisht, deri në ditët tona.
Baladat popullore kanë qenë e mbesin frymëzim për shkrimtarët, pasi pothuaj te secili hasim elemente të tyre. Mirëpo, janë disa që një pjesë të madhe të krijimtarisë e kanë të lidhur me baladën, si janë Mitrush Kuteli, Ismail Kadare e disa të tjerë...

 

Shembull:
 

HALIL GARRIA

Ҫa po thot' Halil Garria,
be mi zotin trimi bani,
"Pse nan' vllazën na ҫi jemi,
veҫ nji motër, tjeter s'kemi;
nan' dit' rrug' larg do ta napim?"
Asht' ҫue djali fill prej shpie,
paska vot' ke 'i zotni i ranë
e zotnis' na i paska thanë:
“Mramja e mir', more zotni.”
I than’ djalit, mren' me hi,
plaku i shpis' na e pvet Garrinë:
“Amanet, mor djal' i ri,
as na e ke nji cik' në votër?”
“Un' e kam nji teme motër.
Be mi zotin por kam ba,
sa t'jem xhall' mos me e martu.”
“Sa fisnik, ti djal', po m'duke.
Pesdhet' qese qesh' tu i dhanë.
Sa shpejt menja i kenka kthye,
fjalën mikut ja ka dhanë
edhe paret ja ka marrë.
Ka marr' rrugën, n'shpi ka shkue:
sa fort niska me u pendue!
Se vesht motra paska marrë.
“Pash’ nji zot si t’ka dhanë,
pse, bre djal', me m'ngarku ranë,
nan' dit' rrug' larg ti me m'dhanë?”
“Shko, moj motër - na i ka thanë,
pse nji bes' du me ta dhanë.
Se kur t'mushish plot nan' ditë,
po t'vjen vllau e t'shef me sy,
e kur t'mushish plot nan' javë,
vjen Halili e t'merr ne t'panë.”
Nandhet' krushq na paskan ardh’,
me da motren prej vllaznie;
nandhet' krush, tan' kalori,
paskan pas' të bardhen li,
si krejt vllaznit lija i mbyti.
Askurrgja motra s'ka nie.
Kundron motra rrugën s'largu,
askurrgja nuk sheh me sy.
Ulet, rrin n'hije t'nji ahu,
ban kuven me nji zog malit:
“Amanet, o zogu i malit,
t'm'i thush vllaut tem, Halilit:
ku e lae besën si m'ke dhan?”
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Shtat' vjet motra nejt tuj kja,
shtat' vjet zogu tu fluturu,
shtat' vjet vorrin tu kërku,
pr' udh' ke djali paska shku.
Zogu djalit na i ka thanë:
“Ku e lae besen si ke dhanë?
T'pret nji moter, t'pret nji nanë.”
Dhim' ke zoti na i ka ra.
Njat’her' djali del prej vorrit,
na i ka ra gjogut n’shpinë,
nan' dit' rrug' larg tu shkektu,
fill ke motra paska shku.
Motra e vet kenka gazmu.
“Ҫou ti, motër, n'shpi me shku.”
“Po, lum motra!” - na i ka thanë
edhe gati qenka bamë.
Kur kan' vot' ni nji shej venit,
po i thot' motra vllaut, Halilit:
“Era dhe, bre vlla, po t'vjen.”
“Hik, moj motër, - na i ka thanë,
pse nan' vllazën jemi kanë,
nan' saraje na i kem ba,
tu bajt' gur, tu ba kerqele,
prani era dhe me vjen.”
Kur kan' vot' pak ma përtej,
motra vllaut na i ka thanë:
“Pa na i bjer ti fyllit tan’.”
“Hik, moj motër - i paska thanë,
pse nan' vllazën si kem qenë,
e nan' fejesa i kemi pasë,
t'nanave bashk' na u kemi ra,
copa gjuhët na jan' ba.”
Kur kan' vojt' pak ma pertej,
njen kuvenin t’dy zogjve t’malit,
me 'i ҫudi, si sod, po flasin:
“Shkon i dekmi rrug’s me t'gjallin!”
“Nij, bre vlla, sh'thon' zogjt' e malit?!”
“Hec, moj moter, zoti t'vraft’,
se n'ngofsh ti zogjt' e malit,
për shtat vjet s’mrrin ke shpia.”
Kur kan' dal' me nji lak kodre,
na i ka pa sarajt e veta,
te xhith' zi edhe vrugue;
fort konaqet kenkan rrzue.
Po i thot' motra vllaut, Halilit:
“Djal' i motrës, - na i ka thanë,
kto sarajet kshtu si janë?”
Djali motres i ka thanë:
“E nan' vllazen si kem kanë
e nan' nuse qi i kem marrë,
nanqin krushq na i kemi pasë,
t'xhith' tuj kcy e tuj lodrue,
der konaqet na i kan' rrzue,
timi i pushkve i ka vrugue.”
Ma pertej kur kan' shkue,
me nji kodër kan' kalue,
na i kan' pa nan' vorre t'bardha:
sa trishtim motra ka marrë.
”Po kto vorre, vlla, shka janë?
Tash shtat' vjet ktu s'kam qenë,
po ktu, jo, s'i kam pa' lanë.”
“Hec, bre moter” - na i ka thanë,
pse nan' vllazen si kim qenë,
nan' saraje na i kim ba,
nan' dibran'na i kemi pasë,
t'nan' kan' dek' e i kem vorrue.”
Kan' marr' rrugën prap tuj shkue.
Afër shpis' kur jan' afrue,
nisin fjal’t tuj bisedue,
djali motrës m’i asht drejtue:
“Majma kalin - te i ka thanë,
me nji njeri unë nji fjalë kam.”
Ka dredh' rrugën, shkon në shpi,
ka xhet' nanën tuj qa në hi.
“Sh'ke, ti, nan', - thot', - si po kjanë?
Kush ma mir' se ti s'asht kanë.
Ti nan' nuse m'i ke marrë,
nan' saraje m'i ke ba.”
“Shuj, moj bi, zoti ty t’vraftë,
se ҫysh ditën si ke shku ti,
vllaznit tu jan' mlu me dhe!”
Kap kuven nana me t'bijen:
“Me ka erdhe?” - na i ka thanë.
“Me Halilin, - thot', - kam ardh’.”
“Le, moj bi, zoti të vraftë,
se Halili gjinet dekë!”
Kesh ta shof nji her' me sy
e t'i nrrojm' me ta dy fjalë!
Dor' për dor' na kenkan marr’
e n'fun t'shkallve paskan ra:
kurkun djalin s'e kan' pa.
Por kan' vojt' te vorri i djalit
e i bajn' za: "Halil Garri!"
Ma xhall djali s'kenka ni,
veҫse krahin jasht' ka shti,
besën e zotit mos me thy.
Nan' e bi jan' ҫu n’kamë,
sa i kap' nji e madhe xhamë,
n'vorr t'Halilit dekun ranë.


Keine Kommentare:

Kommentar posten