Freitag, 6. Dezember 2013

Këngët e kreshnikëve


Eposi shqiptar

Përgatiti: Rrahim Sadiku

Cikli i këngëve kreshnike është realisht epos legjendar shqiptar, pasi ai ka tri veçoritë kryesore për t’u cilësuar dhe trajtuar si i këtillë: epizmin, frymën heroike dhe legjendarizmin.
Ky epos është i përbërë nga këngë të ndryshme epike, të cilat kur këndohen shoqërohen kryesisht me lahutë. Në qendër të këtij eposi, qëndrojnë dy vëllezërit, Mujsi (Muji) e Siylli (Halili) dhe historitë e tyre e rrethit të tyre. Në popull ato krijime poetike, nijen si këngë kreshnikesh, këngë të Mujsit e të Siyllit, këngë të moçme trimash, këngë lahute etj. Ky epos, që përbën një pjesë të rëndësishme të epikës legjendare shqiptare në përgjithësi dhe që mbetet relikt i nderuar dhe i çmuar etnokulturor, bëhet edhe më i rëndësishëm me mesazhin e madh që sjell: rezistencën në emër të lirisë, të së drejtës e të dinjitetit.
Besohet këngët kreshnike filluan të krijohen diku pas Kryengritjes së Madhe Ilirie (që ndodhi në vitet 6 – 9 të erës sonë) dhe që vazhduan të krijohen më me intesitet në kohën e dyndjeve sllave. Por, edhe pse në themel janë krijime shumë të lashta, këngët e eposit shqiptar kanë filluar të mblidhen e të studiohen mjaft vonë. Për të shkroi një fragment të shkurtër albanologu i njohur Gustav Majer më 1896 në librin e tij "Albanesiche Studien" VI. Mbledhja edhe botimi i këtij eposi në vitet e 20-ta të shekullit të kaluar. Ndër botimet kryesore të gjertanishme do të mund të përmendeshin : "Epika legjendare", vëllimi I dhe II (1996, 1983), "Chansonnier épique albanais" (antologji frëngjisht, 1983) "Këngë kreshnike" (Prishtine, 1974). Atë kohë, krahas mbledhjes dhe botimit të këngëve, që ruheshin e kultivoheshin nga rapsodë të njohur, fillojnë edhe studimet për eposin e kreshnikëve. Në fillim ato qenë kryesisht shënime të thjeshta e mbresa, që erdhën duke u thelluar e u zgjeruar disi gjatë viteve '30, për të arritur sot një nivel mjaft të kënaqshëm. Kurorëzimi i gjithë kësaj punë studimore u bë me simpoziumin "Epika heroike shqiptare", (Tirane, 20-22 tetor, 1983), ku morën pjese edhe mjaft studiues të huaj dhe materialet e te cilit u botuan të plota në përmbledhësin "Çështje të folklorit shqiptar", vëll. II dhe III (1986).
Eposi i kreshnikeve përshkohet fund e krye nga ndjenja liridashëse dhe luftime kundër zaptuesëve të tokave të të parëve dhe nga epizmi i rrëfimit. Epizmi na pasqyrohet në madhështinë e heronjve dhe të botës që i rrethon, në përmasat e larta dhe tradhtitë tronditëse, në ndjenjat dhe mendimet e thella, në gjatësinë e këngëve që janë me nga 100, 200, 500 e 1000 vargje. Këngët (pjesët përbërëse të eposit) kanë kruesisht vargjeve të gjata, pjesa më e madhe janë me dhjetërrokësh të bardhë, pasi ai jep mundësi të gjera shprehëse. Në të njëjtën kohë, në epos janë të pranishme edhe detajet, situatat, trajtimet, intrigimet, dramat, tragjeditë, që bëhen edhe më të realizuara përmes rrëfimit epik. Të gjitha këto e plotësojnë dhe madhërojnë frymën heroike të tij. Heroizmi këtu del spontan, i brendshëm, duke buruar nga domosdoshmëria e rezistencës dhe e përballimi i rreziqeve e vështirësive.
Eposi shqiptar përshkohet edhe nga mendimi poetik legjendar, që gjithnjë i paraprin mendimit poetik historik. Ky tip mendimi specifik brenda eposit të kreshnikëve karakterizohet nga prania një lënde të gjerë poetike dhe lidhet drejtpërdrejt me poetiken mitologjike. Kjo arrihet përmes një varg figurash mitike, tipike shqiptare, që në epos kanë cilësinë e personazheve artistike: zanat, të lumet e natës, orët, shtojzovallet, gjarpërinjtë që u japin force kreshnikeve ose u shterojnë plagët ; zogjtë që paralajmërojnë ngjarjet ose marrin e shpien amanete; vende të kulteve pagane: Mrizet e Mëdha, Lugjet e Verdha, krojet, pyjet, shpellat; trupat qiellore që komunikojnë me njerëzit ose "marrin ndore’, Dielli, hëna, yjeyt; "shpjegimet" e origjinës mitologjike të kreshnikeve (Muji u bë i tille, p.sh., nga që piu "tamel gjini nga zanat) ; lindjet dhe rritjet e mrekullueshme (p.sh. maturimi si kreshnik që në moshën shtatëvjeçarë); ngrafisjet (ngurosjet) dhe çngurosjet e heronjve; vdekjet dhe ringjalljet; metamorfozat e lloj - llojshme fantastike (p.sh. kthimi i njeriut në qyqe) ; mjetet ndihmese të mrekullueshme ose, siç janë quajtur ndryshe, mjetet magjike (unaza magjike, qumështi i gjirit të nënës, lëngu i luleve, uji që shëron sytë, molla e arte) ; kundërshtaret përbindësha (Arapi i zi, Bajlozi) ; etj.

Në vazhdim po sjellim këngën “Fuqia e Mujit” që merret e para nga të gjitha këgët tjera të këtij eposi:

 

Fuqia e Mujit

Lum e lum për t’lumin Zot,
Nu’jem kanë e Zoti na ka dhanë!
Kur ish’kanë Muja djalë i ri,
M’a kish ҫue baba n’rrogë t’u nji zotni;
Ҫoban lopësh zotnija e ka ba,
Për gjith ditë bjeshkët Muja tu’i kërkue;
Për gjith ditë ndër gurra t’u u freskue,
Për gjith ditë ndër mriza tuj pushue,
Rrugë as shtek pa njoftë nuk ka lanë,
M’i ҫon lopët gjithherë ku s’i’n kanë,
‘i natë lopët ҫobanit i paskan hupë,
E tu shpija nu’ka mujtë me dredhë,
Buzë nji shkambit m’u ndalë asht ngushtue,
Asht ulun djali aty për me fjetë.
Paj dy djepa aty ki’n qillue;
E kanë marrë brimën e tuj kjajtë,
M’asht afrue Muja me i shikue,
Po i pajton tuj i pëkundë,
E t’dy djepat ika vu në gjumë.
Zbardhi drita e dy Zana kanë ardhë.
“Ty, qysh t’thonë – Mujon e kanë pvet -
Zo’! ҫ‘te ka pru n’këtë ven, shka t’ka tretë?!”
Muja atëherë shka u ka thanë:
“Rrogtar lopësh unë kam qillue,
Për gjith ditë kto bjeshkë i kam kërkue,
Mue rreziku sot ka ardh me m’ndeshë
M’kan hupe lopët, askun s’kam mujt me i gjetë.
Ktu m’xu nata e u ungja për me fjetë,
S’mylla sy prej vajit, qi kam ndie,
Ishin kanë tuj kjajtë këta dy thmi,
Kurrkund ҫajre thmija nu’m’kanë lanë,
M’u kanë dhimtë e jam hudh me i pajtue,
I pajtova e sa grima n’gjumë i kam vndue…
Po Zo’! shka jeni me gjith kët dritë?!”
“Zana jemi, Mujo, tuj shetitë,
Tuj u sjellë na njerzvet me u nimue,
Ti ҫ’farë ndere, Mujo, po na lyp?
Qi dy djepat na ike vu në gjumë?
A do forcë, Mujo, me qindrue?
A do luftë, Mujo, me liftue?
A do gja, Mujo, a do mall?
A do dije, Mujo a do guhë?
Lyp shka te duesh” - Mujes te i kanë thanë.
Kqyre Muja atëherë ka qitë e ka thanë:
“Shpesh po m’ngucin ҫobanija,
Shum inati ҫobajt si ma kanë,
Paj me forcë me ja’u kalue unë due”
Njana shoqes zanat atehere te’i kanë thanë:
“Tamel t’gjinit Mujes duhet m’i dhanë!”
Tamel gjinit i kanë dhanë me pi,
Me tri pika djalin m’a kan ngri.
E i ka falë Zoti kaq fuqi,
Sa me e lue shkamin ma t’madhin!
“Kape gurin!” - Zanat i kan thanë.
Nimi okesh o njaj guri ish’kanë.
E ka kap gurin nimi oksh
Badihava peshue me duer e ka,
Der n’nye t’kamës e s’ka mujt ma.
Njana shoqes Zanat atëherë i kanë thanë:
“Edhe do tamel Mujes me ja dhanë!”
E ka marrë tamlin Muja e e ka pi,
E ka kapen gurin me e peshue,
Deri në gu ai gurin e ka ҫue,
E ka ungj n’tokë e ka pushue.
Zana e madhe sa mirë paska thanë:
“Edhe pak gji na Mujes me i dhanë.
I kanë dhanë edhe pak gji për me pi,
Sa don Zoti te’i ka dhanë fuqi.
E e ka marrë gurin me e peshue,
Deri ne shok (brez) gurin e ka ҫue.
E kanë pa zanat e janë kqyrë,
Njana tjetrës prapë te i kanë thanë:
“Po na duhet gji Mujit prapë me i dhanë!”
E ka marrë Muji o gji për me pi,
O, se ҫ’po i ep Zoti shumë fuqi!
Kenka ba si m’u kanë drangue,
Ka marrë gurin aj me e peshue,
N’cep të krahit Muji e ka vndue,
Njimi okësh gurit i ka qindrue.
Njana shoqes zanat te’i kanë thanë:
“Tjetër gji Mujit ma mos me i dhanë:
Pse tjetër gji Mujit na o me i dhanë,
E rrafshon dynjajen anë m’anë!”
Atëherë zanat Mujin p’e kshillojnë,
Se me t’vogël ato qi po flasin:
Përmbi krye hana tuj i shikjue,
Përmas shkamit hija tuj’u zgjatue,
Sa miqsisht me ta kanë kuvenue.
Kqyre zanat, Mujit shka i kanë thanë:
“Si vlamth na, Mujo, duem me t’ nxanë,
Fol ti, Mujo tash shka po thue?”
“Ku t’jem ngusht, ju zana me m’nimue!”
E ka falë o Zoti shpejt sabahin,
Frik e frik aj Muji kanka ҫue,
I ka gjet lopët e në shpi ka shkue.
N’fushë t’Jutbinës Muji kur a ra
krejt shokt t’mbledhun i ka pa.
Se me Mujin aty i’n kenë msue,
Me ja mujte Mujit tuj ladrue.
Kqyre seri Muji shka ka ba:
I a ka nisë me ҫobaj me ladrue,
Send ma t’fortin me dorë kapë e ka,
Pesë konopë perpjetë i ka dhanë,
As kurrkush me folë nuk po flet!
As me thane gja kuj n’men s’oi i bjen.
Ken pe rrok shtri n’tokë po e qet!
Prej zotnisë Muji asht largue,
Punt e veta do vet me i drejtue.
Prej zotnisë burri sa asht da,
Ka dredh n’shpi, nanën për me pa.
Ja ka nisë o Muji tuj punue
Ja ka nisë o Muji tuj luftue!
Ja ka nis o ren o me fitue.
E n’sa lufta Muji qi paska ra.
Ai me nderë gjith’ kenka da.




Lufta e Budimës

(Këngë kreshnike, sipas stilit të krijimtarisë popullore)

Lum për ty, për Zotin t’ lumin!
Pa nis hana me prerue,
Pa nis fusha me u prarue,
Pat lshue zanin Gjeto Basho Mujsi:
Ka ardh koha tha venit me i nimue,
vllaznit panon’ neve na kan’ ftue,
N’pik’ t’munit ata kan’ ra,
S’pi le anmiku me pa gja.
N’tok’ t’tyne metun si t’huj,
Pa ju dhimt m’doket kurrkuj!
Moti luftes s’ju kemi afrue,
Jemi zbut k’shtu nej liftue,
Jemi zbut e ba si thmi,
N’bisht t’ lahutes tue lue e tuj pi!
Dil e prina ti Sokole Siylli,
Foli Mujsi sa ushtoj pylli.
Po shkoj tha zanat me i ngjatjetue,
Djal e shoq ato m’i kanë nimue,
Krah na bahen ato pa pritue!...
Menjiherna tek jemi ftillue,
Kena shkue kah Gjyteti i Bardhë,
Po prej s’lodhmi n’gjumë jemi harrue!
Janë dal cuba krahet me na i marrë,
Zana e malit aty na u ka diftue,
Qohi djema mos prishi me u que,
Mos po doni gjallë me ju zanun,
Mos po leni armt’ me j’au marrun!?
Gjam të madhe Mujsi qi ka ba,
Dridh janë burra e gra,
Janë dridh thmija e ushtria,
Jemi nis drejt tyne me furi,
I kemi pre si pritet bari,
Thonë kuq u banen fusha e mali.
Manej zanat na kanë qetsue,
Kemi hangër e kemi pushue,
E te Tuna shpejt kemi mrri.
Matan’ u shihshin t’mdha ushtri,
Krejt t’kërlesht e lubi
Ka nis friga neve me na hi.
Mujsi neve mirë na ka kuptue,
Na ka kqyr e foli pa na ka miklue:
Mos i kshyrni ata si po duken,
Se të madhe ata e kanë tutën!
M’kat bahet ata me na mujt,
Ma m’kat bahet ne vetin me rujt.
Kur pa prit ni zanë na u afrue,
Po ju lutna dhe mirë me më ndigue:
Kthenu mrapa e shkoni n’ shpi,
Runi gra, runi vllazni,
Runi venin qi ju ka met,
Panonia për ju ka dek!
Unë jam zanë e zotat m’dojnë
Edhe t’ardhshme m‘ kallxojnë.
Ktu ka ardhu nji mret prej larg,
I ka shtru qytetet varg,
Male t’nalta e lugina t’fella,
I ka ba me t’ hi n’shpirt mnera!
M’ka than’ s’asht ma koha juj,
Shkoni pushoni n’dhevin tuj!
Aj ka dek po i ka met emni,
Panonin tash tonën e kemi...
Foli zana e Mujsi bërtiti,
Mbi kokë shpatën e vërviti!
Na tha: na si lypsa mas nuk shkojna,
Adheun na prej ktu e mprojna!
Për pa dekun na t’ tanë
Venin tonë nuk mujmë me dhanë,
Toka jon’ me nis me u shqye,
Jesim jetima, si t’pa krye!
Si t’na e marrin Panoninë e gjanë.
Na e marrin edhe tokën e vorreve,
Na metin thmija jasht oborreve.
Rrogtar paj do t’mesim na,
Na me punue e me g’xue ata!
Zana keshi e shkoi shpejt,
Ne mbi Tunë u nisëm drejt,
Uj’ i madh Tunës ish tubue,
S’kishmi mjete me kalue.
Fort u idhnue Gjeto Basho Mujsi!
Me za t’fort’ Gjogut i ka bërtit’,
O vllazen, i kan’ dalen kriht!
Ka nis Gogu me fluturue,
Nja ka nja anej na ka que,
Ushtrit’ shum’ jan befasue,
Jemi lodhun me jav’ tue liftue,
Shumë armiq mbi neve kan’ ra,
Gjith’ me brima, po keq janë da.
I kermi ba me i kjajt nane e vet!
Ajo fush’ o krejt rrafshina
Ato livadhe me bari e lulina
I kemi mush me trupa t’dekun!
Jemi nisun me shku ka Artina,
Msum manej se po thoshin Budima.
Aty vllazen nami qi u ba,
Kemi pre o vllazen kemi gri,
Deri n’gu n’gjak kemi sharrue,
Deri n’qill piskamat qi kan shkue,
Dilli a fsheh, s’ka mujt me shique.
Pa kan’ ardh do hije t’kqija
E kan’ nisun me na msu
Ushta e shpata aty na jan’ thy
Njimbdhet plag’ Mujsit ja kanë ba!
Ba si lyps aj Sokole Siylli,
Kemi pshtue se na doli dilli.
Kemi pshtue po pak ishmi met.
Ora e Malit erdh e na tha drejt:
Me marr udhën ju n’shpi mu ftillue,
Për ju lufta ktu ma ka marue,
Zot i Madh ashtu ka venos!
Jemi kthye me zemrën plague,
Miq e shok atje kemi vorrue,
Shka me ju than’ na nuseve t’reja,
Shka me ju than’ na grave t’veja,
Shka me ju than’na naneve shkrumue?
Kemi kja e prej lotve jemi la...
Po gjith’udhes e keqja nuk na u da.
Kishin dal do hordhi t’egra,
Vjedhshin delme e vjedhshin keca,
Kishin ardh prej do veneve ku rri bora,
Ftyrpalana e krejt t’bam horra.
Vendit ton’ ata ja kishin msy!
Po a durohen tha Mujsi k’ta përbri,
A jetohet me ta në fqinsi,
A punohet me ta a gzohet?
O me ta duhet veҫ t’liftohet!
Kemi luftue e i kemi farue,
Po si bari ata shpejt jan’ shtue,
Për grabima shkojshin pa pushue.
Dame bajshin kopshtive e shpive,
Digjshin mullar’ e stane t’ bagëtive
derë për jetë kun s’dojshin me lan’!
Dy muj lufte me ta kan’ kalue
Ka ardh dimi e ata kan’ ftillue,
Me pushue e për me u forcue,
Ma pranveren ata ktu i kena!
Kshtu tha Mujsi e ashtu ka m’u ba,
Mlidhni hae edhe mlidhni gja,
Luft’ e gat po na pret me sllavin!..
Ah,shum’ vjet o vllazen kanë kalue,
Sllavi erdh e me luft’ s’u farue,
Zanat lodh shum’ tue na nimue,
Po si duket fati e kish shkrue,
Toka jon’ me ardh tue u pakue,
Fara jon’gati me marue...
Po na thojke Gjeto Basho Mujsi:
Ka ma shkue besa koh’ e gat,
Ka me ardhun dita si t’ish nat’,
Ka me shkue gjaku zhag pa nal,
Ka me vujtun toka, ka m’u kall,
Mu si peni kemi me u hollue,
Po nuk shuhmi, kena me vazhdue...
N’Log t’Zanave sod jemi tubue,
Me pushue, nodhit m’i kujtue.
Paj, shumë vjet n’lufta kem kalue,
Pak jami met e fort shumë kanë shkue
Met pa buk’ e varrtë pa i mjekue!
Po t’venosun venin për me pshtue.
Shumë anmiku knena na ka dal’...

Keine Kommentare:

Kommentar posten