Freitag, 22. November 2013

Rrahim Sadiku - Poemë për fëmijë


Këto shkronja
(poemë për fëmijë)

(Me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip, 105 Vjetori i Kongresit të Manastirit)

Më thonë nxënësit plot ngrohtësi:
“Tashti lexojmë pa vështirësi,
Shkronjat qenkan mrekulli…”
Ndrit gëzimi sytë e mi!
Jam i lumtur si rrallëherë,
Kisha arritur synim me vlerë,
Nxënësit e mi si shumë të tjerë
S’do të kishin jetë të mjerë,
Do të shtonin dituritë,
Do thellonin njohuritë!
I shikoj plot dashuri
Nis e mbaj një ligjëratë:
“Këto germa që ju mësuat
Kanë bërë rrugë të gjatë,
Pa u ndalur, ditë e natë,
Të bëheshin një me ҫdo njeri,
Ndihmëtare pa kufi!
Ato fjalët i kthejnë në shkrim,
Mbamendjen e ushqejnë,
Nuk e përfilin harresën,
Shoqërohen me mirësinë
E madhërojnë lirinë,
Zemrave ngulitin atdhedashurinë…”

2.
Më dëgjonin, të thelluar,
Nuk munda pa vazhduar:
“Ato shkrihen me gjuhën tonë,
E kthejnë në cicërimë,
Na mësojnë këngët e bukura,
Na gëzojnë gjithnjë shtëpinë!
Ju pth gjyshi mu në ballë,
Tek dëgjon vjershën plot mallë!
Gëzoni ju, shkronjat qeshin,
Butësisht ju përshëndesin,
Vrap shkojnë kah biblioteka,
Jashtë librave të mos mbesin!
Sa herë merrni librin në dorë,
Shkronjat aty janë kurorë,
Më të bukurat lule sjellin,
Pranverë jete kudo mbjellin.
“Eja, mësoni – na thërrasin,
Me mirësi prore qërasin,
Pranë zemrës mbesin prore,
Janë ditar në fletore,
Janë shkencë në studime,
Janë treguese në marshime,
Mu te shkornjat rri liria,
E mbara, përparimi, njerëzia…”

3.
“Gjatë shekujve shkronjat i ndoqën,
T’i harronim u përpoqën!
Me armiq të shumtë luftuan,
U dogjën, u lënduan,
Po shpejt e mirën veten,
Për një popull sillnin dritën,
Diturinë, të ardhmen, rritën.
Për ne krijuan mëvetësinë,
I dhanë shqipes hijeshinë,
Ia shtuan bukurinë…
Të gjitha fjalët ia praruan,
Historitë ia kujtuan,
Të nderuarit i madhëruan,
Në ҫdo kënd bukur jehuan…”

4.
“Vijnë ato që nga Buzuku,
Ke këmë thellë në histori,
Ballë i bënë ҫdo armiku,
Nuk duruan errësi…
Keni parë të parin libër,
Grisur, humbur, dergjur,
Eh, sa pasuri ruan ai!
E njeh bota mbarë:
Margaritar shqiptar!

Me këto shkronja Frang Bardhi,
Para botës faqen na e zbardhi,
Kur gënjeshtrës grusht i ra,
Denjësisht u ngrit e tha:
Skenderbeu është hero shqiptar,
I paepur atdhetar,
Ai për njëzet e pesë vjet me radhë,
Armikut të egër i bëri ballë,
Mundësoi Evropa të kishte liri,
Të mos flinte Evropë e të zgjohej Azi..

Pas tij Pjetër Budi
Ndriti këtë tokë të vjetër
Me fjalë shqipe kahmos shprushi,
Me fjalë shqipe libra mbushi,
E njohu malësia, Epiri, Manastiri,
E njohu bota mbarë:
Ja, sa e bukur na vjen shqipja
E popullit shqiptar!”

“Me shkronja famën na e ngriti
Pjetër Bogdani, mendjendrituri,
Histori krijoi në këto troje,
I pati fjalët si mjaltë në zgjoje,
Si ditë me diell nditi atdheun,
Me vepra ndoqi Skenderbeun….”

5.
“Dhe vazhduan shkronjat
Me valle lirie,
Me hove diturie,
Me arritje madhështie,
Nga armiku të ndaluara,
Nga populli të nderuara,
Nga mendjet të pranuara…”

6.
“Jeronim De Rada në Itali,
Jetoi e punoi për Shqipëri,
Ishte frymëzim i Motit të Madh
I Shqipërisë së Skenderbeut,
Dritë e famë përhapi dheut!
Ditë e natë ai nuk pushoi,
Hapi shkolla, libra shkroi,
Gjuhën shqipe e zgjëroi,
I solli germat derë më derë,
Ku secili u bëri nder,
Sikur lumë shkronjat vërshuan,
Rrugë që s’ prishet ato ndërtuan.”

7.
“E të hynë shkronjat nëpër abetare,
Robërisë së atdheut happen dritare,
Askush më nuk ndjehej aty i mjerë,
Madhështorë porosiste Naimi:
Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë…”

8.
“Ja ku ndritë shkollat shqipe,
Vatra nderi, vatra rrite,
Ngulitur fort në mendje, zemra,
Të largoheshin kohët shemra.
Gjuha shqipe e nderuar,
Doli librave e bekuar!
Nga armiq e mallkuar,
Zuri vend të merituar.
Bijt e shqipes nëpër botë,
Madhëronin diturinë,
Krijonin për lirinë,
Shtet e shihnin Shqipërinë!”

9.
“Nisën luftat për liri,
Nuk durohej më robëria,
Zonjë e lirë duhej Shqipëria!
Me pushkë e pendë,
Me plumb e letër,
Luftohej për krijimin
E një bote tjetër,
Ku shqiptari të ishte zot
Në Shqipërinë zaptuar kahmot!”

10.
“Luftëtare dhe shkronjat ishin,
Zell diturie pa fund kishin,
Ushqenin guximin, etjen e shpresën,
Betoheshin se kohët kishin marrë kthesën,
Se puna e sotme s’duhej lënë për nesër.
Ato nuk trembeshin nga kërcënimet,
Nuk trazoheshin fare nga mallkimet,
As u bëhej vonë për djegiet, dëmtimet,
Këndonin kudo këngë për fitore të reja:
Shqipërinë e pret drita, do ta mbulojë hareja!
Njerëzit fuqishëm në shkronja besonin,
Me praninë e tyre veten e forconin,
Me to më e lehtë u dukej rruga kah liria,
Me to më fuqishëm dukej trimëria,
Me to në horizont dukej ardhmëria…”

11.
“Tashti shkronjat kishin krah,
Njerëz të ditur kishte gjithkah,
Plot shkencëtarë e profesorë,
Nëpunës të lartë e instruktorë,
Njerëz që dinin vlerat që ka jeta,
Që mësonin si ruhet e vërteta,
Kishin lidhur veten me atdheun,
Kishin madhëruar gjuhën e artë,
Kohëve të turbullta
Etjes së zjarrtë,
Të atij zjarri mbushur liri,
Me këngë madhështore
Për Nënën Shqipëri!”

12.
“Atë nëntor Kongresi u thirr
Në qytetin e shenjtë,
Në Manastir:
Shkronjat u bashkuan,
Secila e mëvetësuar,
Të gjitha së bashku
Alfabetin kanë formuar!
Kjo mundësoi secila të forcohej,
Njëra me tjetrën të mos ngatërrohej,
Pamja e secilës të përjetësojej:
Në shkollë, libra e në gazetë,
Të ishin të barabarta përjetë
Përgjithmonë të ishin bashkë
Tridhjetë e gjashtë!”

13.
“Dhe pastaj shkronjat u rritën,
U forcuan, u kalitën,
Gati ishin natën e dtën,
Kurrë asgjëje si kishin frikën,
Gjithnjë ishin në atdhe,
Po dhe gjetiu bënë fole,
Botës i folën shqip madhërisht,
Njerëzimin e nderuan shqiptarisht,
Secilin e ngjatjetuan ngrohtësisht!”

14.
“Nga mbarë bota sollën vlera,
Të mos na ikte më pranvera,
Të rritej arritjeve vendi ynë,
Kudo pas dijes hynë,
Na e mësuan historinë,
Na e bekuan gjeografinë,
Na e vulosën trashëgiminë,
Na e trasuan ardhmërinë…”

15.
“Dhe kështu, nxënës të dashur,
Me shkronjat jemi shumë të pasur,
Kemi liri, kemi Atdhe,
Aynojmë gjithnjë të mbarën,
Për arritje s’e ndalim garën…
Prandaj nderoni prore e prore
Shkronjat tona shembullore…”