Freitag, 14. Dezember 2012

Dy tregime nga Fadil Curri


Dy tregime:

2. FQINJA NOBELISTE

Lutjeve tona të na rrëfejë ndonjë ngjarje, gjyshi iu bind, duke na premtuar se këtë do ta bënte pasi të kthehemi nga shëtia. Edhe më mirë, u gëzova më vete, mbase do të më lindë ndonjë ide tjetër që do të më shërbejë gjatë thurrjes së hartimit me shkrim, të cilin na e paralajmëroi mësuesja para disa ditësh.
Gjyshi na tha se do të shkojmë te xhaxhai. Ai me familjen e tij jetonte në shtëpinë tonë të dikurshme të përbashkët qysh para tërmetit. U nisëm. Para se të arrinim atje, gjyshi u ndal para një godine dhe po e sodiste nga themeli e deri në kulm.
- E shihni këtë? – na pyeti gjyshi duke bërë me dorë kah shtëpia.
- Po, - iu përgjegjëm shkurt, kureshtar ç’do të na rrëfejë.
- Kur të kthehemi nga xhaxhai do të ju rrëfej diçka interesante për këtë shtëpi, - na premtoi gjyshi.
Xhaxhai ende nuk ishte ardhur nga puna, kurse xhaxhesha me fëmijët kishin dalur në çarshi, mbase për të blerë gjëra. Aty ishte vetëm Dritoni. Gjyshi pasi i “inspektoi” pajisjet hidroelektrike të shtëpisë, i tha Dritonit ta shkruajë një letër dhe ta varr në derë, në të cilën do të njoftonte se ishim në parkun e afërt të banesës.
Kur u ulëm në park, gjyshit iu kujtua të na rrëfejë.
- Vërtet ju premtova, - foli gjyshi sikur tashë u kujtua. – Në atë shtëpi jetonte një vajzë, mocanike imja, me të cilën tërë ditën luanim në rërë e asflat. Ndonëse ishte pak më e madhe se unë, kurrë nuk e tepronte duke më dhënë detyra që nuk mund t’i kryeja.
Gjyshi i mendueshëm me shkop gërryente tokën e butë pranverore. Kureshtar isha pse nisi të rrëfejë për mocaniken e tij. Zymtësi dhembjeje e pllakosi fytyrën e tij, sa nuk m’u durua pa e pyetur:
- Mos vdiq ajo? – pytëm kurreshtarë.
- Jo, fëmijët e gjyshit. Nuk ka vdekur ajo, bile tërë bota e njeh sot për bëmirësitë që ka bërë, sidomos për fëmijët e rruzullit tokësor. U jep ushqime e para të varfërve, i shëron të sëmurët. Për veprat e mira që ka bërë, është e nderuar me çmimin më të lartë të bëmirësisë në botë.
Sikur u stepa nga befasia. Flet njëmend ose bën mahi gjyshi? – sikur pyetnin shikimet tona habitore drejt tij. Edhe ai e kuptoi habinë tonë.
- Këtë që po jua them është e vërtetë, - fliste edhe më serioz, sikur donte të na bindte për këtë që thoshte. – Pikërisht në atë shtëpi jetonte shoqja ime e fëmijërisë, të cilën e njihnim si të qetë dhe kurrë hakmarrëse. Në lagje e quamim Ganxhe, ishte e familjes së njohur Bojaxhiu. Kurse ju dhe të gjithë fëmijët e botës e njihni me emrin NËNA TEREZE.
Emrin e dytë të shoqes së fëmijërisë të gjyshit e kishim dëgjuar disa herë, bile edhe vjersha për të kisha lexuar. Hare e madhe në shpirtin tim pas rrëfimit të gjyshit, meqë nesër në hartimin me shkrim në shkollë do të shkruaj për këtë rrëfim të gjyshit, se nobelistja Nëna Tereze kishte qenë shoqja e fqinja e fëmijërisë e gjyshit tim, Ganxhe Bojaxhiu.
 



 

 2. KURSIMI

Babai sot erdhi nga puna disi i zymtë. Ankohej se jeta ishte bërë e shtrenjtë, rrogat e vogla, përmendte marifetllëqet që bënin shitësit e ligësi të tjera.
- E shihni, është bërë vështirë të jetohet, - na u drejtua, si të ishim ne fajtorë për atë që ishte zemëruar. Duhet të bëjmë diçka që të na lehtësohet jeta. Qemë lazrdruar të jetojmë mirë, por nuk mundemi kësisoj.
- Ç’të bëjmë? – pyeti nëna. - Të dalim e të protestojmë për këto marifetllëqe që bëhen?
- Nuk po them të protestojmë. Të kemi kujdes, më tepër të punojmë e fitojmë se të shpenzojmë.
- Do të thotë se ti kërkuake të gjithë të kursejmë? – ndërhyri Bardhi.
- Pikërisht aty e kam mendjen, - u sqarua babai.
- E, si të kursejmë? - ishte kureshtar Luani.
Babai psherëtiu thellë. Edhe fëmijët e kishin me gjithë mend.
- Secili sa mundet e si mundet. Unë do të detyrohem që në vend të dy pakove me cigare, do të pi vetëm një në ditë, - i shpaloi qëllimet babai. - Nëna juaj duhet të mos shpenzojë rrymë dhe artikuj gjatë përgaditjes së ushqimit, Luani të mos shpenzojë shumë për videokaseta dhe kinema, Bardhi të mos i thyejë lapsat e grisë fletoret, Bardha të mos flasë nevojë e pa nevojë me telefon. Kësisoji do ta kemi më mirë.
Kjo bisedë në famljen tonë qe zhvilluar para gjysmë viti, kur qemë marrë vesh që të gjithë në familje të kursejmë. Kursimi na u bë shprehi.
Një ditë gushti babai erdhi nga puna disi i rraskapitur. Ngjante si në ditën kur ankohej se jeta ishte bërë e shtrenjtë. Kush e di ç’do të pjellë sot mendja e tij. Pasi u freskua, u ul të pushojë.
- Mund t’ia qëlloni ç’më ka rënë ndërmend? – foli pasi i shfletoi titujt e gazetës. – Sot e kam marrë pushimin vjetor.
Ne fëmijëve nuk na bënë mbresa këto fjalë. E dinim se përvjet babai e merr pushimin vjetor, por një dallim ishte sivjet se këtë e kishte bërë më herët, në verë, jo në vjeshtë, si viteve të mëparshëm.
- E, çfarë nëse e ke marrë pushimin? – e pyeti nëna me gjysmëmahi.
- Sivjet e kam marrë pushiminn gjatë verës dhe dua të pushoj në det bashkë me ju, sepse e meritojmë, - foli babai me zë të njëmendtë. – Ju kujtohet para gjashtë muajsh kur u morëm vesh që të gjithë në familje të kursejmë se do të na bie më mirë. Edhe e bëmë dhe, me paratë e kursyera gjatë gjashtë muajve të shkuar kemi mundësi të pushojmë të gjithë.
- Sa vendim i mirë, - e përkrahu nëna.
- Uuuuaaaa, baba, të lumtë! – u gëzuam ne fëmijët dhe të gjithë shkuam dhe e përqafuam babain, pastaj edhe nënën.
- Sa bën kohë e mirë, të bëhemi gati. Nuk e
dinim kush është gëzuar më së shumti, ashtu si nuk e dinim kush ka kursyer më tepër. Të gjithë kursyem dhe u gëzuam.



Marrë nga "Faqja për fëmijë" në FB