Sonntag, 18. August 2013

Ndre Mjeda: Poezi dhe biografia


Gjuha Shqype
Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m'shungullon;
përmbi er' që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m'rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.


Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan' të bukra me themel
por prap' kjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave iu del.
................................


Ku n'breg t'Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.


Geg' e tosk', malsi, jallia
jan' nji komb, m'u da, s'duron;
fund e maj' nji a Shqipnia
e nji gjuh' t'gjith' na bashkon.


Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak' e shkrime
çka natyra vet' përpoq.


Por me gjuhë kaq t'moçme e mjera
si nj'bij' kjo që pa prind mbet:
për t'huej t'mbajshin dhenat tjera,
s't'kishte kush për motër t'vet.


E njat tok' që je tue gzue,
e ke zan' tash sa mij' vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet.


Vaji i Bylbylit
Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?

Pushoi murlani
Me duhi t'vet;
Bylbyl i vorfën,
Çou mos rri shkret.


Gjith; fushët e malet
Blerim e mbëloj;
Livadhi e pema
Gjithkah lulzoj.


Ndër pyje e orgaja,
N'ma t'mirin vend,
Me rreze dielli
Po e gëzon gjith'kend.


E tuj gjimue
Shikon rreth e rreth
Nji prrue qi veret
Rrjedh nëpër gjeth.


A çil kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e orgaja,
Bylbyl, shpejto.


Kerkush ma hovin
Atje s'ta pret,
Me zeher haejen
Kerkush s'ta qet.


Kafaz ke qiellin,
Epshin pengim,
E gjith ku t'rreshket
Shkon fluturim.


Nëpër lamije
Ke me gjet mel,
Për gjith'prendverën
Njajo buk t'del.


E kur t'zitë e di
ndër prroje pi,
Te njato prroje
Qi ti vetë di.


Tash pa frigë çerdhen
E ban ndoj lis;
Nuk je si'i nieri
Qi nuk ka fis


E kur t'vin zhegu,
Kur dielli shkon,
Ti ke me këndue
Si ke zakon.


Rreth e rreth gjindja
Me t'ndie rri;
Prej asi vendit
Dahen me zi.


A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.


Ndër tranfofille,
Ndër zamakë nga;
Ku qeshet kopshti,
Idhnim mos mba.


Po shkrihet bora,
Dimni po shkon;
Biylbyl i vorfën ,
Pse po gjimon?


Liria
- I -
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n'ato maja;
mbi bjesh' t'thepisuna e n'ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt' e maleve, kallzoni!


"Lirim, lirim!" -- bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t'mjerin e mblon anemban' robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
.................................


- VI -
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.


Andrra e Jetës

Trina
I
Molla t'kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n'nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt' e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.

Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t'but' e qiparisa
mbëlojnë e veshin at' ledinë.

S'ushton mali prej baktie,
s'fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.

Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.

Ngreh, bylbyl, n'at' hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n'shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,

këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t'ardhmen Trina mbramje n'shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t'deles nanë keni me ndi.

Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s'nd'rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.


II
U ndie nji za te shtegu;
Cice! del se erdh murgjina,
e mbrapa po vjen Trina
me 'j qingj të sykës ngryk.

E duel me mjelcë te burgu
Lokja, nxuer viçin jashtë,
e Shega, e lehtë si kashtë
tue kcyemun u bërlyk.

Iu suell oborrit rrotull
tu' u hjedhë me bisht përpjetë;
derisa plaka vetë
rrshanë tu murgjina e çoj.

Moli tue këndue, lopën,
tue pritur viçin prorë;
e tambli, bardh si borë
përmbrenda mjelcës gufoj.

Mandej muer kijin pezull
e u vu me sykën n'sanë,
sa çote tamblin anë
Zoga me nxe do pak.

Muer edhe krande e cokla,
e Trinkën muer për bri:
ish lodhë: i dhimbte nd'ijë,
e kishte mollzat gjak.

Vuni do krande n'votër
e fryni n'zjerm qi ish ndalë;
thej pshesh me tambël valë,
e mbushi kupat plot.

Pshesha me kollomoqe,
t'mirë edhe për zotni,
kur don për rob e shpi,
me i fal' i madhi zot.

E hangri Zoga shishëm,
por Tringa s'hangri gja,
as Lokja, qi ishte vra
mbas çikës, nuk hangri dot.

Por tirte ndejë te votra,
tue kqyrë me zemër t'plasun,
tue nduk' at' shllugë të rrasun
iu mbushnin sytë me lot.

Kur nji mbas nji pranë zjermit
u mblodhën gjumit fëmija,
u çue, e t'dy, si kija,
mbi t'shtruemen i vendoj.

E tirte prap te votra;
penj tirte për xhubleta,
e i dukej se tu këneta,
se n'shpella me dragoj,

tirshin dhe shtojzovallet
tue luejtë pa mejun gishtat;
siellshin me pleq ferishtat
ndoshta edhe fëmin' e vet?

E shloj me pa tue pritun
dritën e pishës me dorë;
ngrykas, si dy qiellorë,
me krahë pa pupla i gjet.


III
Cice, shka ka sot Trinka
qi po priton m'u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
me lëshue bag'tin' e vet.

- Bij', mos e prek, se njomja
tash a tue folë me Zojën;
len zan' e mos çil gojën
se e lumja Zojë t'bërtet.

Qe prifti, nanë, qe dajat
mbas tij, me qiri n'dorë;
katundca me malcorë
sa shpia nuk i xe.

- Rri, bij' se sonte Trinka
po shkon me bujtë te Zoja;
merri këto lule e çoja
së lumës dhunti për të.

         E kqyre: Ndër male po përhapet shkëndija
         e lirimit t'Atdheut; fshehtas shëtiti
         kasoll' për kasoll' rreth buneve e soditi
         frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija


e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin' ushtore
e idhnim n'armikun nëpër gji iu qitin.


E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.


Lokja
I
E n'balkue mbaruen lulet:
shurdh' a vendi e shpia tytë;
jo, me Loken nji e dytë
nëpër shpi ma nuk u gjet.

Vetun zbardh' e vetun erret
me krye n'hi e shuemja plakë;
nji dorë krande me i ba flakë
përmbi votër kush s'ia qet.

E disprohet me vetveti
që nuk bani kurrnji djalë:
sot e reja i kish dalë
bashkë me dritë për dru në shpat.

Kish mbajtë zjermin ndezë mbi votër,
ia kish njomë njat buk' e mjera;
edhe Lokja me gjith' tjera
kishte dalë me petka n'shtat.

Kish shkue motin si pranvera
me ndo'j fëmijë tu' e kalamendun;
ishte knaqë tue u përmendun
tash e tash ferishta n'djep.

E disprohet ku i ve mendja
or' e ças te Trina, e shkreta!
ia lypë mortës n'ankime t'veta,
por mizorja nuk ia nep.

II
U shty vjeshta e krisantemi
vetun vorreve lul'zon;
landët e pyje, gjith' ku kemi,
tue fry veri po i cungon.

Nd'rron prej dimnit landa veshën,
e lëshon gjeth't qe para pat;
e, për mëshirë, duhitë qi ndeshen,
ia çojnë t'vorfnit me i ba shtrat.

Binte bor' e frynte veri
tue çue akull për gjith' vis;
nalt orteku ushton për mneri
tue fundue çetin' e lis.

Me dy cokla n'votër plaka
rri gjith' natën e vajton;
rri me duer kah ndezet flaka
porsi njeri kur uron.

E shikjon nji dritë t'venitun,
vron pasqyrën e jetës s'vet:
e larg morten tue kositun
e kujton e pran' e thrret.

E ndie 'j frymë përmbrenda shpie
porsi erë qe vjen pa shkas;
e, n'at muzg, nji vegim hije
Lokes n'votër leht' iu qas;

përmbi plakën krahët i uli
e ngryk t'shuemen e shtrëngoi;
buzët t'shpulpueme n'ball' ia nguli;
u ndal drita e ajo mbaroi.

Zoga
I
N'për ograjë po këndojnë bylbylat
si tu u prrallë me shoqi-shojnë,
drandafilleve zymbylat
t'kandshmen erë dhunti ia çojnë.

E nalt n'qiell ma e bukur hana
rreze t'paqta shkon tue shkri;
maje bjeshkve fillon zana
n'valle shoqeve m'u pri.

Lodhë prej vegësh, prej rrangësh shpijet,
si u ba natë, ndej Zoga n'votër;
ndej m'u xe me dru dullijet
që kish ba n'për mal, pa motër!

E kuvendte me nanë-locen
si përgjumshëm, ndonji fjalë,
derisa bri votrës gocën
e muer gjumi dalkadalë.

Fjet bri votrës: e kur shkëndija
shndritte at fëtyr' të patravajë,
ejëll prej qiellit ulet te shpia
dukej faret fëtyra e sajë.

Herë n'at' gjumë tue qeshun dukej,
si m'u falë herë dorën çote;
herë përmallshem n'veti strukej
e n'fëtyrë gjaku t'tan' i vëlote.

(Ngrimun n'ar, mbi 'i pullali
nën balkue nji beg kish dalë;
holl' e i gjatë porsi selvi
n'rrugë nën gardh ish dukë nji djalë.)

E nan-bardha tue shikjue:
"Flej me engjuj, thotë, o bi;
pusho shtatin me i ndihmue
Lokes sate nëpër shpi".


II
Prej nën nji tjegllet kish dalë si 'j tra,
ku nji mij' tesha vëloshin pa da;
përmbi shpi ndihej tue rrahun troka
e ushtonte toka

prej kambësh t'bag'tive. Ka dalë Harapi
herët, e shpatit delet ja hapi;
ka dalun Mica me lopë të mëdhaja
nëpër ograja.

Kur u zgjue Zoga vojt te balkoni
e pau se bleta vëlonte te zgjoni;
pau se n'at' nade poshtë nji lavruer
kish ba nji shpuer.

Tue sjellun krahnin këndote me veti,
e i rridhte krahve si nji valë deti,
ku shndriçëm dielli lëshonte si zhgjeta
rrezet e veta.

Rreze flak' arit. Por rrotull fëtyra
e fushës kish nd'rrue; kish nd'rruemun zyra
e bimës e e pem've; përmbi balkue
deri kish nd'rrue

erë filcigeni; po vite 'j tjetër
erë: porsi makthit; e rruga e vjetër
nën shpi, mbas gardhit, porsi nji dritë
shkonte tue qitë.

Nuk e kish vrumun kurr nder dit' t'veta
at rrugë n'balkue. Ktheheshin me çeta
asaj katundsit, tue dalë pa pra
e ajo s'kish pa.

U nis te puna mërziçëm. Nisi
ndër penj sovajkën, e shpata krisi,
cirliknë rrotllat posht' e përpjetë
nën kambë të shpejtë.

E vojt n'dritare prap. Ndoshta begu
ka mbërri te rruga e pret te shtegu
veshun me t'arta, mbi 'j pullali
për bukuri.

Nuk ishte begu: nën diell t'valtë
veç dy dallëndysha bajshin do baltë,
balt' e kashtare për çerdhe t'vet,
se Shën Ejëlli a nget.

Ndoshta po avitet nji djal' i ri
i holl' e i gjatë porsi 'j selvi,
me rrip rreth brezit, me nji gjashtore
e 'j kacatore.

Nuk erdhi djali: veç dy bylbyla,
nji n'drandofille, nji ndër zymbyla,
përmallshëm thrrasin, e shoqi-shojnë
me kangë gazmojnë.


III
Vijnë dallëndyshat porsi era
përte' det te çerdhja e vet;
vijnë bylbylat ku pranvera
n'pyje t'veshuna po i thrret.

Se qe pemët kan' endun lulet,
e u vesh fusha me blerim;
lehtas prroni malit ulet
da prej borës që i nep ushqim.

E, i dish'ruem, bje për fushore
me rritë bimën për gjith' vend,
ku 'j erë akullit mizore
kishte hupë lul'zim e shend.

Edhe ti prej asaj që t'rriti
daju, vash', e mos vajto;
me nji veshë, që kurr s'ta shndriti
paras, shtatin hijesho.

Bashkë me lule len dashtnija,
me kangë t'shpendit që galdon;
e pranverës bukuria
bashkë prej gjumit t'tan' i zgjon.

Del, o bij', prej shpisë sate,
del prei t'vorfënit katund;
njajo flakë që n'zemër pate
do t'përvjellin tjetërkund.

T'pret nji zemër flak' e shkëndija,
pret me tanden m'u ba nji;
sa jetë t'apin Perëndia
mos m'u damun kurr prej 'si.

T'lypë nji bes' e ta nep t'ndershme
dora e unazaqë t'ven n'gisht;
e ndërmjet pr'at besë t'gjithhershme
a dorzan' i lumi Krisht.

Sogjetarë, porsi furia
e nji rrfes' që qetat shpon,
janë të qiellit nalt ushtria
e n'dorë shpata iu veton.

E din idhun regj Davidi,
e dinë lott që pa pra qet,
kur sheh morten se kositi
an' e mb'an krajlninë e vet.


IV
E kandshme asht hana
kur del me zana,
e n'tokë me dritë përndaret,
Hyjzit që shndrisin
e që shetisin
n'për qiell, jan' t'bukur faret.

Kur del agimi
e rruzullimi
me 'j dritë kuqloshe mbëlohet
e përmbi kashta
shndritë pika-lashta,
zemra për mall gazmohet.

Asht i madh shendi,
kur ndihet shpendi
ndër pyje tue pingrue;
e knaqshme a 'j lule
kur iu përkule,
o fllad i leht', me e l'mue.

Por s'i giet qielli,
nuk i giet prilli
as fllad që shetitë lulet
e me erna veshet,
foshnjës që i qeshet
nanës, kur mbi 'të përkulet.


Biografia

Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.
Konflikti ndërmjet tij dhe urdhërit ku bënte pjesë, arriti në pikën më të lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të jepte mësim në një shkollë të lartë fetare në Itali, detyrohet të largohet. Duke e ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore "Agimi". Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin "I tretuni").
Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.
Si shumë rilindës të tjerë, Mjeda shpresonte se çlirimi kombëtar do të sillte përmirësimin e gjendjes së masave. Një mendim i tillë përshkon poemën e fuqishme "Liria" e shkruar në vitet 1910-1911, pra në prag të shpalljes së pavarësisë. Ngjarjet pas 1912-ës për Mjedën qenë një zhgënjim i hidhur.
Në të vërtetë, që këtej e tutje, ai do t'i kushtohet kryesisht veprimtarisë gjuhësore. Më 1917 Mjeda mblodhi dhe botoi në vëllimin "Juvenilja" krijimet poetike, të shkruara gjatë Rilindjes që për shumë shkaqe s'kishin mundur të shihnin dritë më parë. Ai hyri kështu në letërsinë tonë si poet i shquar. Në vitet 1920-1924 Mjeda u zgjodh deputet i opozitës, i krahut demokratik. Pas ardhjes së Zogut në fuqi, Mjeda u largua nga jeta politike. Ai vazhdoi të ishte famulltar i thjeshtë në fshatin e vogël Kukël, gjersa në vitet e fundit të jetës së tij kleri e mori si mësues të shqipes në gjimnazin e vet të Shkodrës. Mjeda iu vu atëherë me tërë energjitë e veta edukimit të rinisë me dashuri të veçantë për gjuhën dhe për kulturën shqiptare.
Pak muaj para vdekjes, (1 gusht 1937), botoi, si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin "Liria".

Keine Kommentare:

Kommentar posten