Sonntag, 18. August 2013

Andon Zako Çajupi: Poezi dhe biografia


Mëmëdheu
Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku më ka dashur mëm' e atë,
ku më njeh dhe gur' i thatë,
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qenë
dhe varret që kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime,
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur ku kam qarë,
ku rroj me gaz e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdesë.


Ku Kemi Lerë
Në ç'vend kemi lerë?
Ku na bëjnë nderë?
--Në Shqipëri.
Po njeriu vetë,
cilë do në jetë?
--Do vend' e tij.

Ku i duket balta
m'ë e ëmbël se mjalta?
--Në vend të tij.

Ku munt të gëzojë
dhe me nder të rrojë?
--Në Shqipëri.

Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
--Për vend' e tij.


Naim Frashëri
Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!
Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naimnë kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!
..................................

Vdiq Naimi, gjithë thonë,
qani turq, qani kaurë!
Bilbil' i gjuhësë tonë
s'do të dëgjohet më kurrë!

Vdiq Naimi, që këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç'të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s'ka të tjerë.

Vdiq Naimi! Vdekj' e shkretë,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë!

Trim i Shqipërisë
Kush ka qenë trim një herë?
Aleksandr' i Math i vjerë,
Pirrua me shokë të tjerë
në Shqipëri kanë lerë,
Po nga të gjithë m'i zoti, -
Skënderbeu Kastrioti.
0 mbret i dashur, ku je?
Ku je, more Skënderbe?
Si duron ti nënë dhè?
Nukë të vjen keq për ne?
Që ditdnë, që 'na le,
vendi yn' u bë rajë')...
Të lutemi dit' e natë,
n'atë jetë ku ke vatë,
dërgona shpresë e uratë
të mos rrojëmë si gratë...
Të ngrihemi të lëftojmë,
Turqit ti dëbojmë,
Shqipërinë ta shpëtojmë
Dhe lir' e me nder të rrojmë.


Besa - Besë
Gjithë vendetë gëzojnë,
ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti, shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duanë lirinë
dhe pa të njeriu s'rron;
ti, shqipëtar, Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?

Zgjohuni, o shqipëtarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!

Të krishter' e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqipëtarë jemi.

Mblidhuni te bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.

Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.

Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?
Ju që shihni drit' e diell,
pse s'ndrini dhe Shqipërinë?

Ku janë vaftet e parë,
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o shqipëtarë,
pse s'dëgjohet një dyfek?

Apo humbi trimëria,
apo s'doni mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?

Pse rrini lidhur me lak?
Pse s'shpëtoni vënd' tuaj?
apo s'u mbeti më gjak,
se e derdhtë për të huaj?

Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë:

Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbesë!

Fshati im
Maletë me gurë,
fushat me bar shumë,
aratë me grurë,
më tutje një lumë.
Fshati për karshi
me kish' e me varre,
rrotull ca shtëpi
të vogëla fare.

Ujëtë të ftohtë,
era pun' e madhe,
bilbili ia thotë,
gratë si sorrkadhe.

Burrat nën hie,
lozin, kuvendojnë,
pika që s'u bie,
se nga gratë rrojnë!

Gratë venë nd'arë,
dhe në vreshta gratë,
gruaja korr barë,
punon dit' e natë.

Gratë në të shirë,
në të vjela gratë,
ikinë pa gdhirë,
kthenenë me natë.

Gruaja për burrë
digjetë në diell,
punon e s'rri kurrë
as ditën e diel.

0 moj shqipëtarkë,
që vet' e nget qetë,
edhe drek' e darkë
kthehesh e bën vetë;

Moj e mjera grua,
ç'e do burrë zinë
që ftohet në krua
dhe ti mban shtëpinë!.


Baba Tomori
Baba-Tomor, kish' e Shqipërisë,
mal i lartë, fron i perëndisë,
tek ti vinin njerëzit që moti
për të msuar se ç'urdhëron zoti...
Tek të lutem dhe u duk' e qarë
të msoj q'thot dhe për shqipëtarë.
Kanë qenë trima të lëvduar
dhe në luftë s'janë turpëruar,
qenë trima dhé mëmëdhetarë,
besa, feja s'i kishnë dhe ndarë,
Shkonin jetën me pushkë në dorë,
Donin shqipen, s'qenë tradhëtorë,
lulëzonte gjithë Shqipëria,
s'e s'kish shkelur si sot robëria,
gra e burra donin Shqipërinë,
djem e çupa këndonin Lirinë.
Sot qysh gjendet komb' i Shqipërisë!
I përmbysur nga zgjedh' e Turqisë,
shqipëtarët, si dhe bagëtia,
zbathur, zhveshur vdesën nga uria!
Shqipëtarët? Sot s'ka shqipëtarë,
turku, greku na kanë përndarë!
Prifti, hoxha, kisha dhe xhamia,
Na gënjejnë... U prish Shqipëria...
Mal i lartë, me krye në diell,
fron i zotit q'është mbret në qiell,
Baba Tomorr, o mal' i uruar,
ç'kanë ngjarë, gjithë ç'kanë shkuar,
i di vetë, s'duhet të t'i themi;
C'do të ngjajnë, të lutem rrëfemi,
Sot e tutje, ç'thotë perëndia?
Do të heqë shumë Shqipëria?
çfaj ka bërë, ç'gjynahe paguan?
Nga Turqia të tërë shpëtuan:
Greku, serbi, vllahu, bullgari,
nënë zgjedhë mbeti shqipëtari
çthotë zoti për kombinë tonë,
do ta lerë penë sulltan qenë?
Na shkretoi, na preu, na griu,
na ç'nderoi dhe gjaknë na piu,
na mundoi, shpirtin na nxori!!
Fshiu lotët dhe më tha Tomori:
0 shqipëtarët e gjorë,
Ndëgjoni Baba-Tomorë:
Kombi tuaj s'vete mbarë
se besët u kanë ndarë.

Besa e bashkon njérinë:
Ju pse e ndani perëndinë?

Si ungjilli dhe kurani:
nukë na dihetë fundi;
me qiejtë mos u mbani
se nukë mbahen gjikundi.
Të krishter' e myslimanë
gjithë një perëndi kanë;
ini një gjak, mor të ngerë,
se ndë një vend kini lerë.
Ini gjithë shqipëtarë,
s'ini grekër a tartarë,
hiqni dorë nga rreziku,
shihi se ç'punon armiku
i pabesi dhe i ligu.

Mblidhuni të bëni benë,
të kujtoni Skënderbenë,
të duani Memëdhenë,
të mos e lini të shkretë...
Ngrihi ta shpëtoni vetë,
se u ndin zot' i vërtetë,
mos e peshoni Turqinë,
mos e besoni Morenë
të duani perëndinë;
të duani Memëdhenë
Erdhi dita të lëftojmë
për lirin' e Shqipërisë;
ja të vdesim, ja të rrojmë
si burrat' e trimërisë.


Kurbeti
Mitrua, kur u martua
ndënji një muaj me grua!
Erdhi dita për të ndarë
dhe u ndanë duke qarë!
Gruaja qënkej me barrë
dhe kur polli, bëri djalë.
Po Mitrua ku ish vallë?
Motëmot që qe larguar,
një kartë s'i kish dërguar!
Ku t'i shkruaj mëm' e mjerë
për djalënë që kish lerë?
Tri vjet, katër, dhjetë shkuan!
Mitrua harroi gruan!
E varfëra se ç'pësoi,
të ritë vetëm e shkoi.
Ç'e deshi të tillë burrë,
që s'e pati pranë kurrë!
Gjith' bota ven' e vinë,
Mitrua harroi shtëpinë,
nuk e di që ka dhe djalë!
Rron a ka vdekur vallë?
Këto thosh grua e mjerë,
po burrit i mbajti nderë.
E zeza grua se ç'hoqi!
Humbi shpresën tek i shoqi:
kur pa ngrën' e kur pa pirë,
punoi e rriti të birë.
Kurbeti, shokë, kurbeti,
kush vate e nukë mbeti?
Mitrua zuri Misirë,
po puna s'i vinte mirë.
Qysh të vejë puna mbarë
për të zeztë shqipëtarë?
Shkretojënë mëmëdhenë,
tek perndon dielli venë!
Ku vini, more të mjerë,
se sot s'ësht' si njëherë, -
qysh vini në vend të huaj,
kur s'dini as gjuhnë tuaj?
Lum kush rron në vend të tij
me qe, me dhën e me dhi.
Mos u ndani nga shtëpia,
të mos mpshojë perëndia,
se perëndia, kur mpshon,
gjynaqarët i mundon.
Puna nukë ka të sharë,
po punoi vetë n'arë,
zini çapën e hostenë
dhe parmëndën që çan dhenë.
Nga fëmia mos u ndani,
po punoni që të hani;

Grurëtë që bëni vetë,
u harrin për këtë jetë.
Me zakonetë që kini,
kurbenë duhet ta lini,
të nderçim jini, të zotë,
po nderi sot s'ka të shkuar,
e drejta në këtë botë
është fare shtrëmbëruar...

Në kurbet venë të tjerë,
ata që s'duanë nderë,
se zakonet u ndërruan;
burri që fiton, shet gruan,
burratë rrojnë nga gra!...
Po për Mitro shqipëtarë
këto zakone të ra
nuk i dukeshin mbarë.
Ndaj hoqi e voi shumë,
kur pa buk' e kur pa gjumë,
rrahu Misirë të tërë,
nukë la punë pa bërë,
gjithë jetën nën' urdhër,
qeseja si kokë hudhër,
E shoqja e kish qarë,
njëzet vjet që s'e kish parë!
Dhe në mos e paftë kurrë,
djali u rrit, u bë burrë,
mëmën do ta mbajë mirë
me të ngrën' e me të pirë.
Pas njëzet vjet, nga kursimi,
Mitros iu shtua fitimi,
solli ndër mënd Shqipërinë
gruan e tij dhe shtëpinë;
psherëtiti zëmër' e tij
dhe qau si çilimi;
Dhe te nesërmet, ndaj të gdhirë,
Mitrua e la Misirë.
Ta kish ditur, kur ish ndarë
që la gruan me barrë,
mbase kish ikur më parë.
Shtatë dit' e shtatë net
bëri Mitrua në det;
mbaroi udhën e gjatë
dhe vate në fshat me natë.
Ne shtëpi u afërua,
Ndënji pak e u mendua,
dhe me vete të tij thosh:
"Në gjeça shtëpinë bosh?
Në mos e gjeça të gjallë
Gruanë!" Me këto fjalë
Shikon shtëpinë me dritë
edhe vate në fëngjitë
të shojë kush është brënda,
t'i përgjojë ja ka ënda.
Djali kuvëndon me mëmë;

"Pse qan, i thosh, kur ke mua?
Ç'kanë shkuarë t'i lëmë
dhe duajmë si të dua.
- Të dua, thosh mëm' e mjerë,
me shpresë tënde kam rruar,
nga ti harrova qederë,
dhe gjith'ato që kam vuar,
dhe sot rroj me shpresë tënde"

Kur gjegji këto kuvënde,
Mitrua ngriu në fëngjitë.
Fatziu, ç'vuri nër mënde!
Vuri syn' e pa në dritë,
pa një trim të ri me gruan!
Mëndja ju turbullua!
Mitrua kujton Misirë,
sheh vetëhenë me brirë!?...
0 Mitro, mendoju mirë,
mëma përkëdhel të birë,
nukë të ka turpëruar,
se me nder të madh ka rruar!
Ç'mendohesh, more fatzi!
Hyrë brënda në shtëpi
dhe merr djalënë në gji.
"0bobo! sytë ç'më panë!
Tha Mitrua si i marrë.
Pashë gruan me jaranë,
po tani do t'ju bëj varrë!
Do t'u bie me kobure,
t'i lëshoj në shesh shondure.
Mua të më vënë brirë!"
Tha, dhe goditi te birë!
Mëmë e zezë ulëriti,
pushtoi djalën dhe briti,
po Mitrua nuk priti,
pushka krisi dhe një herë,
ra përmbys dhe mëm' e mjerë!


Andon Zako Çajupi

Emri i tij i vërtetë është Andon Çako, nuk dihet për ç'arsye ai përdori edhe formën Zako. Emri letrar Çajupi është emri i një mali të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së cilës e nguliti dhe e përjetësoi në pseudonimin e tij. Lindi në Sheper të Zagorisë më 27 mars 1866. Mësimet e para i mori në vendlindje ku kreu dhe një shkollë gjysëm të mesme greke. Po shkolla më e madhe e vendlindjes ishte shkolla e fshatarit, e njohjes së jetës dhe të shpirtit të popullit, të gëzimeve dhe të brengave të bashkëfshatarëve të tij. Rol të madh në formimin e tij ka luajtur sidomos gjyshi nga e ëma, i cili e futi në botën magjepëse të përrallave, të legjendave e të këngëve popullore, prej së cilës poeti i ardhshëm nuk do të ndahej më kurrë. I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekurnjë kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës Zoicës, dhe të gurëve e maleve të Zagorisë. Në kolegj mori një kulturë të mirë dhe u dallua ndër të parët midis shumë nxënësve të kësaj shkolle që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut. Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887-1893 në Gjenevë, ku studjoi për drejtësi. Këtu u njoh me një vajzë vendase Evgjeninë, e cila e bëri të lumtur po dhe fatkeq, sepse i vdiq pas një vit martese, duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje e tronidi thellë poetin dhe i la vragë të thellë.
Ajo u bë shkak që, pas dhjetë vjetësh, të shkruante elegjinë "Vaje", një nga elegjitë më të bukura dhe më prekëse të poezisë sonë.
Më 1883 me dokumentin e drejtësisë në xhep dhe me djalin në krahë u kthye në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Po prej këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak u bë një konflikt me autoritetet e vendit gjatë një proçesi gjyqësor ku avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë që i kishte lënë i ati, dhe iu kushtua tërësisht çështjes atdhetare dhe krijimtarisë letrare.
Çajupi gjeti në Misir një lëvizje patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me "Shoqërinë e Stambollit". Por këtë lëvizje u munduan ta kthenin në anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të cilët intrigoni kundër patriotëve të vërtetë dhe kundër Çajupit. Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi mbrojti interesat e shqipërisë dhe të popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve, të grekomanëve dhe të gjithë armiqve të tjerë të çështjes së kombëtare.
Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë "Duke kërkuar një alfabet", në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar. Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike "Baba Tomorri" (1902) ku përfshiu komedinë "katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr". Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900.
Vjershat patriotike dhe luftarake të "Baba Tomorrit" frymëzuan çetat e lirisë dhe kryengritjet e mëdha që i sollën pavarësinë Shqipërisë më 1912. Këtë ngjarje poeti e priti me gëzim, u duk se iu hap udha për t'u kthyer në mëmëdhè, por, Lufta e Parë Botërore dhe trazirat e mëvonshme e shtynë larg këtë shpresë. Megjithatë ai i ndiqte nga afër ngjarjet në Shqipëri, duke mbetur gjithmonë në krah të forcave përparimtare e demokratike. Më 1919 Çajupi ishte në ballë të përpjekjeve të shqiptarëve të Misirit, për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes që mblidhej në Paris. Ai dënoi qeverinë e Durrësit, që ishte vegël e fuqive imperialiste, ashtu siç dënoi përpjekjet e feudalëve tradhëtarë për ta bërë Shqipërinë çiflik të tyre e për ta nxjerrë në ankand sipas interesit. Me këto qëndrime ai thelloi demokratizimin në lëvizjen mendore dhe në letërsinë shqiptare. Kjo u shpreh në frymën antifeudale të veprës së tijdhe në vendin që ai u dha problemeve shoqërore në krijimtarinë e tij letrare e publiçistike. Në këto vite Çajupi , si shumë atdhetarë të tjerë, përjetoi krizën e idealeve të bukura të Rilindjes. Në krye të punëve në Shqipërinë e pavarur, në vend të atdhetarëve të ndershëm po vinin njerëz që i binin pas interesit të tyre, pa menduar për fatet e kombit. "Në Shqipëri, -shkruan ai më 1922- një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtar, takon të bëhet … regjent, ministër, prefekt, faqe me nder dhe mbret".
Çajupi ishte për demokracinë dhe qytetërimin, prandaj e përshëndeti Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924, frytet e të cilit nuk arriti t'i gëzonte populli shqiptar. Demokracia e pati jetën e shkurtër dhe, në vend të saj, u rikthye pushteti i feudalëve me ardhjen e A.Zogut në fuqi. Kur u mor vesh se ky do ta shpallte veten mbret, Çajupi që ishte në krye të "Shoqërisë së miqve", të themeluar në Kajro, i drejtoi Qeverisë së Tiranës një protestë, midis të tjerave thuhej se koha e mbretërve shkoi, "kurse edhe ata që i kanë, po vështrojnë t'i përzënë", Ky qëndrim i vendosur antimonarkist ia mbylli përfundimisht poetit rrugën për t'u kthyer në Shqipëri, që të tretej në "baltën më të ëmbël se mjalta" të mëmëdheut. Vdiq në Kajro më 11 korrik 1930. Shtypi zyrtar në Shqipëri e kaloi vdekjen e tij pothuajse në heshtje.
La në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, poemën "Baba Musa lakuriq", një parodi e biblës, tragjedinë "Burri i dheut", që u botua pas vdekjes më 1935, komedinë "Pas vdekjes" që u botua më 1937, përmbledhjen poetike "Këngë e vome", fati i së cilës nuk dihet. Me gjallje, përveç "Baba Tomorrit" botoi Përrallat e La Fontenit (1921) përshtatur prej tij nga frengjishtja dhe "Lulet e Hindit" (1922), një tufë vjershash të letërsisë sanskrishte, nga artikujt e paktë që botoi në shtypin e kohës duhet përmendur pamfleti "Klubi i Selanikut" (1909), një nga kulmet e publiçistikës së Rilindjes. Në këtë pamflet Çajupi demaskoi demagogët e xhonturqve dhe të veglave të tyre, që kishin hyrë në lëvizjen kombëtare për interesat e ngushta të kastës së bejlerëve turkoshakë e fanatikë, të zellshëm për t'i zgjatur jetën të "sëmurit të Bosforit", perandorisë së kalbur të sulltanëve osmanë.

Keine Kommentare:

Kommentar posten