Donnerstag, 5. März 2015

Kur duhet të fillojnë të lexojnë fëmijët?

Bota e teknologjisë me kompjutera, tableta e celularë inteligjentë, ka bërë që leximi i librit të kalojë në plan të dytë. Ky problem global është më i përhapur te fëmijët. Por, cilat mund të jenë disa mënyra interesante, me të cilat fëmija mund të motivohet për lexim?

 

Leximi i prindërve bashkë fëmijën:

 Leximi i përbashkët është ndër mënyrat më të mira për ta bërë fëmijën të interesohet për librat. Natyrisht, kjo gjë varet edhe nga koha e fëmijës në ditën e caktuar dhe a do të ketë dëshirë për të lexuar, por provojeni me “unë do ta lexoj një faqe, pastaj do ta vazhdosh ti”. Kjo është dëshmuar se ka sukses, sepse e ndani punën dhe në vazhdimësi ngjall interes te të vegjlit.



Imitimi i personazheve:

 Shumë nëna këshillojnë se leximi rreth karaktereve, të cilët fëmijët mund t’i imitojnë, është një karrem i shkëlqyeshëm. Po ashtu, edhe gjithë seria e librave, në të cilat gjenden të njëjtat karaktere. Në të vërtet fëmijët, kur i pëlqejnë dhe identifikohen me personazhe nga librat, mezi presin që të dalë vazhdimi i veprës dhe zhvillojnë edhe më shumë dashurinë ndaj leximit.

 

Krijoni klubin shtëpiak të adhuruesve të librave:

 Në këtë mënyrë, një nënë ka arritur të tërheqë në lexim tërë familjen. Në fund të ditës, të gjithë bashkë diskutojnë rreth asaj çfarë kanë lexuar dhe çfarë u ka pëlqyer më shumë.

 

Ku mund të lexohet?
 

Fëmijët është mirë të lexojnë në këndet, ku ata studiojnë dhe ku bëjnë detyrat, por edhe mjediset e qeta dhe të freskta të shtëpisë janë motivuese. Për ta bërë zakon dhe edukatë leximin, është e mirë që fëmijët të mësohen të lexojnë edhe gjatë pushimeve, apo udhëtimeve.

 

Kur duhet të fillojë të lexojë fëmija?

 Fëmijët, që në moshën njëvjeçare, shfaqin interes të madh për librat me figura. Me kalimin e viteve duhet shtuar sasia dhe cilësia e librave. Fëmija duhet të lexojë në çdo kohë, sipas regjimit dhe planifikimit ditor. Mirë është që për librin të mos vihet orar, por ai të lexohet sa herë që shihet e nevojshme, sa herë ndihet nga fëmija.

Në çdo lloj forme, libri është ushqim për trurin! 

_____________
/ Top Channel /

Fëmijët dhe leximi

Të lexuarit nuk është vetëm një çelës që na çon drejt një suksesi akademik, por dhe mbi të gjitha një nga burimet më të mëdha të kënaqësisë që mund të përjetojë një qenie njerëzore. E megjithatë, shumë të rinj, veçanërisht djem e kanë shumë të vështirë që ta lidhin aktin e të lexuarit me kënaqësinë.

“Fëmijët nuk mund të mësojnë, nëse nuk lexojnë”, na kanë thënë dhe vazhdojnë të na thonë vazhdimisht mësuesit nëpër shkolla. Sigurisht që është një thënie e drejtë, por leximi është shumë më tepër sesa një rrugë drejt diturisë. Librat sjellin kënaqësi dhe aventura të paimagjinueshme. Të lexuarit na bën njerëz më tolerantë, më të hapur, më të mirëkuptueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve, sepse përmes tyre mësojmë për kultura të ndryshme, për vende, kohë dhe njerëz që nuk mund t’i takojmë dot gjatë ekzistencës sonë shumë të shkurtër dhe të kufizuar gjeografikisht. Ka fëmijë që vazhdojnë të jenë të magjepsur pas librave, veçanërisht ndaj librave të fantazisë, sepse ua zhvillojnë imagjinatën duke i çuar në situata dhe vende të panjohura. Por jo të gjithë fëmijët e të rinjtë, veçanërisht djemtë, janë të këtij mendimi, apo të dhënë pas librave.

Sipas një studimi të bërë në Europën Perëndimore, gjatë 10 viteve të fundit numri i fëmijëve që marrin hua librat nga bibliotekat për t’i lexuar dhe për t’i rikthyer sërish është shumë më i vogël krahasuar me një dhjetëvjeçar më parë. Po sipas këtij sondazhi, 42% e djemve nga mosha 11 deri në 16 nuk kanë lexuar kurrë një libër thjesht për qejf apo me kënaqësi dhe se një e dhjeta e djemve nën 14 vjeç lexojnë librin e parë në moshën 9-vjeçare.

“Shumë djem thjesht nuk arrijnë që ta rrokin dot konceptin se libri është edhe kënaqësi”, thotë një psikolog britanik. Sipas tij, leximi duhet nisur që në vogëli dhe me kalimin e viteve duhet shtuar pak nga pak dhe në këtë mes një rol shumë të rëndësishëm kanë pa dyshim prindërit. Dhe të lexosh nuk mjafton vetëm të dish germat. Sigurisht që në epokën e internetit është shumë e vështirë që t’i motivosh fëmijët që të bëhen lexues të rregullt dhe të ndiejnë kënaqësi prej librit. Kjo sepse pjesën më të madhe të kohës së lirë ata e kalojnë online dhe para ekranit të televizorit.

Sipas një përllogaritjeje një fëmijë perëndimor çdo ditë kalon një mesatare prej 1.0 orësh online dhe 2.7 orësh para televizorit. Ata jetojnë në një botë që dominohet nga celebritetet, pra personat e famshëm shpesh për hiç mosgjë dhe ajo që u përcillet është ideja se fama dhe paraja mund të arrihen lehtësisht e pa e vrarë shumë mendjen. Në këto rrethana të lexosh shpesh kërkon një sforcim shumë të madh edhe pse po të fillosh ta shijosh leximin e kupton se sa e lehtë dhe e këndshme është kjo veprimtari. Një tjetër problem i madh është varësia ndaj fjalorit të varfër, një varësi që lexuesit e mirë nuk e kanë. Shpesh ata që fillojnë të lexojnë për herë të parë hasen në një numër fjalësh që nuk ua kuptojnë domethënien dhe kjo i bën që leximi t’u duket i lodhshëm dhe kësisoj duke qenë se lojërat e internetit janë më të thjeshta ato e lënë librin për t’iu drejtuar lojës. Vetëm praktika mund t’i japë një fëmije besim dhe kënaqësi në të lexuar. Ja përse shkollat më të mira kanë në programin e tyre dhe një orë që quhet ora e leximit gjatë së cilës fëmijët shkojnë në bibliotekën e shkollës dhe kalojnë të qetë e në heshtje një orë me librin për t’u familjarizuar dhe për t’u ushtruar me të lexuarit në mënyrë që më pas kjo veprimtari të shndërrohet në kënaqësi.

Po çfarë duhet të bëjnë prindërit nga ana e tyre? Në shtëpi, strategjia inteligjente janë ato që funksionojnë më mirë. Kështu, nëse do t’u thoshim vazhdimisht se sa i mirë është leximi, fëmijët do të lodheshin dhe do të kishin efekt të kundërt. Të mësuarit me librin duhet të fillojë që në fëmijërinë e hershme. Fëmijëve fillimisht u duhen treguar librat me figura, më pas kur ata nisin që të kuptojnë u duhen lexuar përrallëza dhe tregime të shkurtra dhe kështu kalitet dhe çelikoset një marrëdhënie e gjatë dhe e shëndoshë me botën e librit. Fëmijët që kanë dëgjuar tregime, apo histori që në fëmijërinë e tyre janë më të gatshëm që ta vazhdojnë kënaqësinë e ndier duke lexuar libra kur arrijnë moshën e vështirë të adoleshencës dhe të ndërtojnë kështu me librin një marrëdhënie që do të zgjasë gjatë tërë jetës. Një këshillë është ajo e të lexuarit bebeve që nga momenti që lindin e derisa ato arrijnë të kuptojnë vetë shkronjat, madje kjo praktikë, sipas disa psikologëve, duhet vazhduar deri në moshën 12-vjeçare ose deri në atë moshë që fëmijë kërkon vetë që të ndalosh së lexuari për të.

Ndërkohë, një fëmijë duhet të marrë mesazhin se të lexuarit nuk është vetëm një gjë që e bëjnë fëmijët dhe këtë askush më tepër se një prindër i devotshëm pas leximit, nuk mund t’ua tregojë. Shembulli pozitiv është shumë më i vlefshëm për djemtë e vegjël. Nëse ata shohin dikë që e respektojnë shumë si prindërit, apo ndonjë të afërm tjetër që lexon vazhdimisht, atëherë ai do të dëshirojë që ta imitojë atë. Nëpër shkolla të ndryshme të Britanisë së Madhe organizohen shpesh konkurse për lexuesin më të mirë, konkurse që janë një inkurajim më shumë për fëmijët, kryesisht për djemtë e vegjël. Kjo dhe masa të tjera po ndërmerren me një intensitet shumë të madh nga shumë institucione mësimore në Perëndim, sepse tashmë ata janë bërë të ndërgjegjshëm se nëse do të vazhdojnë që të injorojnë rënien e lexueshmërisë te brezi i ri pasojat do të jenë shumë negative te brezi që do të qeverisë nesër. /Shqip/