Freitag, 6. Dezember 2013

Personazhe të mitologjisë shqiptare


Nga trashëgimia jonë

Përgatiti: Rrahim Sadiku

Miti shqiptar ka zanafillë të hershme, që nga fillimi i mbamendjes njerëzore dhe ajo pjesë që ka mbetur e ruajtur deri në ditët tona, na del e realizuar përmes personazheve me mundësi, porosi dhe veti tejet të ndryshme, pothuaj gjithnjë të mbinatyrshme dhe të vëna në funksion të ngjarjes e të kohës, në të cilën ndodh ngjarja. Kjo vazhdimësi mijëvjeҫare ka mundësuar të mbeten të ruajtura shumë besime të vjetra,shumë preokupime të njerëzve të asaj kohe dhe të shihet edhe komunikimi ndërkulturor i njerëzve dhe popujve të asaj kohe. Kjo del nga të përbashkëtat dhe dallimiet e mitikës së tyre. Shumë personazhe mitike barten nga miti në mit, nga populli në popull, nga rrëfimi në rrëfim dhe dallojnë njëri nga tjetri vetëm me emër, të cilin e marrin sipas fjalëve të gjuhës në të cilën krijohet, po kanë veti dhe kryejnë veprime të njëjta.
Miti shqiptar,me të veҫantat dhe të përbashkëtat që ka me mitet e popujve tjerë, ka zgjuar interes për studiuesit, fillimitsh të atyre të huaj, si Peterseni, Hahni, Majeri e të tjerë. Edhe pse kemi institucione të shumta për studimin e trashëgimisë, kulturës e artit, mitika shqiptare nuk është studiuar e krahasuar në nivelin që e meriton. Mitologjia shqiptare, si shkencë, është shumë e re dhe ata që merren si profesionistë me të, kanë punuar shumë pak për studimin e miteve, për nxjerrjen në dritë të të gjitha figurave mitike; nuk është marrë sa duhet me autenticitetin e personazheve mitike dhe edhe më pak është bërë për krahasimin e mitikës sonë me mitikën e popujve të tjerë.
Megjithatë, lënda është, mundësitë janë, janë edhe ekspertët. Besojmë se mitika shqiptare do ta arrijë shpejt edhe nivelin e duhur shkencor.



 Disa nga personazhet e mitit shqiptar:

1. ORA është figurë mitike, me bukuri të rrallë, mendjendritur dhe e gatshme gjithmonë për veprim, për të sjellë mira dhe ndëshkime në mjedisin e saj dhe ndaj atyre qenieve me të cilat ka të bëj. Po, në në krijimtarinë popullore ajo të shumtën simbolizon fatin e mirë dhe ardhjen e një kohe me mbarësi. Nga kjo duhet të ketë ardhur edhe emërtimi shqip për matjen e kohës: orë – e ardhme, fat.

2. ZANA E MALIT ka pak a shumë veti të ngjashme me Orën, por ajo paraqitet më e lëvizshme, më e bukur, me veprime më të ngushta, po më të Zana e malit është krijesë mitologjike shqiptare me veti tepër origjinale autoktone dhe e krahasueshme më tepër me figura të këtilla ballkanike dhe malore të popullsive në gadishullin ballkanik dhe është mjaft larg e krahasueshme me Artemidën e grekëve,Dianën e romakëve. Vështire se mund të shkohet në një krahasim deri te Thana e ilirëve. Sipas traditës, ato kanë dy karaktere: i zbutur, i cili ndihmon kreshnikët në betejat e tyre, dhe karakteri idhnak i cili shiton (nguros) kur iu prishet qetësia. Brirët e dhive të egra janë mbrojtja dhe dobësia e zanave. Zanat ruajnë territoret e veta me xhelozi edhe shitojnë ata që u prishin qetësinë apo i befasojnë kur janë duke lozur nëpër livadhet e maleve. Prandaj edhe kur shkohet në mal është traditë të bëhet zhurmë për t'i njoftuar ato për afrimin e njeriut. Zana është edhe simbol i pjellorisë.

3. NANA E VOTRËS është kuptim artistik për votrën (vatrën) pasi ajo te shqiptarët është simbol i ezistencës, e ruajtur si e këtillë që nga rendi fisnor, ku pas fisit, vatra që i përkiste familjes dhe individit brenda saj, ishte ajo që e bënte njeriun të ndjehej dikushi, të kishte mëvetësinë dhe kjo na del edhe në krijimtarinë popullore, prandaj që të ruhej e të kultivohej jeta në vatrën familjare kujdesej Nana e Votrës.

4. FATTHËNAT janë, hyjni të lashta në mitologjinë shqiptare, me origjinë nga epoka e matriarkatit, plaka të thinjura, në shumë raste duke tjerrë li ose lesh, ose duke krehur flokët. Shpesh identifikohen me tri motrat që përcaktojnë fatin e fëmijës.

5. NDORJA e SHPISË në disa variante të krijimeve popullore barazohet me Nanën e Votrës.

6. DRITËZA E DETEVE është një lloj sirenës, por me tipare autentike në mitologjisë popullore shqiptare.

7. FLOҪKA ose Nusja e ujërave në krijimtarinë popullore shqiptare ishte një vajzë shumë e bukur, me flokë të gjatë. Ajo ruante ujërat e lumenjve dhe të liqeneve dhe ishte frymëzuese për lundërtarët e kurijuesit. Jetonte kryesisht nëpër rrjedha të lumenjëne e nëpër liqej.

8. GËRSHËTEZËN e takojmë në krijimtarinë popullore (shpesh edhe në atë artistike) gjithmonë si një vajzë shumë të bukur, me flokë të lidhura gërshet ,me buzëqeshje të skalitur në fytyrë dhe shpesh na paraqitet me tipare që gjasojnë me ato që Floҫkës.

9. DHEVËSHTRUESI mbetet figurë tipike e mitologjisë popullore shqiptare, që paraqitet në trajtë antropomorfe. Netëve të pranverës ai i vë veshin dheut, për të përgjuar në mos vjen njeri për së largu, apo për të dëgjuar zhaurimën e ujrave të nëndheshëm. Del gjithnjë kaluar në vithe të Dhamsutës, pelës së pagojë që kalon male e dete dhe shpie larg.

10. PËRBINDËSHI është personazh i përrallave dhe i besimeve popullore shqiptare, me trup jashtëzakonisht të madh e me fuqi mbinjërzore. Përfytyrohet si llupës i madh, që ha mish njeriu, rrëmben vajza dhe i fut nën dhe, ku ka banesën e tij. Në Elbasan thonin se Divat kishin për detyrë të vlonin ujët e Llixhës nëpër kazanë të mëdhenj.

11. FATET gjithmonë paraqiten si tri gra që formojnë një figurë të vetme. Ato paraqiten si krijime të besimeve popullore e në përralla dhe zakonisht duken natën e tretë pas lindjes së fëmijës. Ato shkojnë te djepi i të posalindurit/ posalindurës dhe i caktojnë fatin e jetës, pasi ishte traditë që me atë rast të bëhej kremtë e familjare, që quhet “nata e bukës së ardhun”. Për këtë rast, pasi piqej buka e gatuar me miell të zgjedhur, ajo thyhej mbi djepin e fëmijës dhe pas kësaj ceremonie i vihej emri foshnjës.
Çdo e mirë që arrin njeriu në jetë, po sidomos pësimet i vishen vendimit të tyre dhe njerëzit ngushëllohen duke thënë: kështu e shkruan Fatet.

12. BUSHI na del një qenie gjithnjë e etur, e përfytyruar si kafshë e cila jetonte nëpër këneta e ligatina dhe ndillte shi duke ulëritur.

13. VITORJA është figurë e pranishme më shumë në përralla dhe ka pamjen e një gjarpëri me brirë të artë. Besohej se ajo pillte ari e sillte lumturi aty ky shkelte. Në disa përralla na del edhe si gjarpër i shkurtër e i trashë, i bukur e pa helm që rrinte në vrima të mureve të shtëpisë e sillte mbarësi e shëndet.

14. GANECI është figurë e përrallave popullore. Duket si një burrë shumë i dobët e i lig, i cili u tregonte udhën shtrigave dhe i ndihmonte ato për të bërë keq.

15. KUҪEDRA gjithashtu është figurë e përrallave popullore shqiptare, me dukjen e një reptili shumë të madh, që ka dy deri trembëdhjetë kokë, që nxjerrin zjrar sa herë i duhet asaj dhe që i ha njerëzit dhe u sjell atyre dëme të mëdha.

16. FIERKUQJA është një rrëshqanor i gjatë, deri në një metër e gjysmë e më shumë, me kokë të vogël e me lëkurë të kuqrremtë, që gjason me fierin në vjeshtë dhe jeton në vende të shkreta. Ka brenda helm dhe është mjaft e fuqishme, sa e lidh dhe thanë edhe një lis, po mund edhe të fluturojë në ajër, të hidhet mbi njerëz e bagëti e t’i lidhë ata e t’ua shpojë kokën.

17. GOGOLI shpesh haset edhe në variantin gogomel. Qenie që fshihet dhe natën del nga territ, nga ëndrrat dhe kënaqet kur shkakton frikë te njerëzit, sidomos tek fëmijët.

18. DORDOLECI mbahet si simbol frikësimi për keqbërësit dhe loje për fëmijët, gjithmonë si shembëlltyrë komike e njeriut , me trup, krahë, këmbë e kokë, veshur me rroba plot rrecka. Dordoleci ka zanafillë nga besimi në Hyjninë e Bujqësisë.

19. HYI I BUJQËSISË ishte simbol i prodhimeve bujqësore, mësues i njerëzve për punë në fushë, mbjellës mirëqenieje e hareje, frymëzues festash e gëzimesh, që si i këtillë u ruajt deri në ditët tona. Ai ndihmonte për të patur prodhime të mbara dhe ishte i rrezikshëm për dëmtuesit bimëve, sidomos i ndëshkonte ata që dëmtonin të lashtat.

20. BARIU I i SHENJTË është mbrojtës i ujqërve dhe i të bagëtisë. Në krijimtarinë popullore shqiptare ai përmendet gjithnjë me nderim dhe për të ndizeshin qirinj gjatë kremteve me karakter fisnor. Ai realisht mbahet si hyjni i maleve e pyjeve, deri diku dyzim mashkullor i Zanës. Është zotërues i ujqërve, i ushqen e drejton ata, por edhe i dënon. Kur kanë uri, ai ua cakton cilën bagëti, të cilit malësor ta hanë.

21. GISHTOJA është njeri i vogël, sa një gisht. Në përrallat shqiptare ai është personazh i shkathët e i zgjuar. Për të mashtruar kusarët, ai futet në veshin e kaut, në barkun e ujkut dhe, si shpëton grigjën e bagëtisë së disa barinjve, kthehet shëndoshë e mirë pranë prindërve të tij.

22. I LUMI (Lugati) Sipas besimeve popullore shqiptare lugati krijohet kur shpirti i të vdekurit, burrë a grua qoftë, që ka qenë njeri i keq, me veti e zemër të ligë, nuk pranohet as në varr nga toka dhe detyrohet të ngrihet Lugat. Lugati pra është kufomë që lëviz. Në Kosovë besonin se lugat ngrihej i vdekuri që nuk i është vënë pranë ndonjë hekur, pasi hekuri i mban larg të gjithë shpirtërat, të mirë a të këqinj qofshin ata.

23. SHENJTI është një plak që vjen nga askundi dhe që shkon në askund, po që lë porosi me peshë në vende të caktuara, më së shpeshti atë e hasim te legjendat e murimit të gruas. Ai mbetet gjithmonë i panjohur nga ata që i këshillon dhe ata, për të mos e zemëruar, në kujtimet për të e quajnë I shenjti.

24. PUPËZA npër legjenda është një vajzë, e kthyer në pupëz, pasi dy të rinj dashurohen dhe duan të martohen me të. Për të vendosur se cili do ta merrte nuse, të rinjtë bëjnë duel dhe vrasin njëri tjetrin. Ata ndeshen në udhëkryq, në krye të dy karvaneve me krushq. Nusja e tmerruar dhe e çuditur, nis e bërtet:”Mos!Jo!Prisni!Jo!Pu-pu-pu!” Por përleshja vazhdon dhe nusja mbetet duke bërë “Pu-pu!Pu-pu!” dhe nga dhmbja që kthehet në atë zogun e bukur që sot quhet pupëz.

25. SHURDHI paraqitet si demon zanafillor i bestytnive të veriut, Ishte Hyjnia e shtrëngatës dhe e breshërit. Në Alpet shqiptare Shurdhi njihet edhe me emrin Rremoria.

26. ZJARRI dhe adhurimi i tij ishte baza e ceremonive fisnore shqiptare. Njerëzit besonin se zjarri në vatër kishte një fuqi të madhe shëruese e pastruese. Prandaj gjat festave e mbanin zjarrin të ndezur tërë natën, verë a dimër qoftë. Zjarri mbahej ndezur në dhomën e lehonës për 40 ditë rresht. Fikja e zjarrit në të tilla raste ishte një ogur i keq. Besohej se kur fërshëllente zjarri, po bisedonin armiqtë e shtëpisë, po të kërciste, do të ngordhte bagëtia.

27. QEROSI në jetën e përditshme është njeri pa flokë, kurse në mitologji na del ndryshe, pasai ai në përrallat shqiptare del i durueshëm, i shtypur dhe i nënҫmuar nga të tjerët, zakonisht nga vëllezërit më të mëdhenj dhe gjithmonë është fitimtar dhe mbahet në mend si njeri i zgjuar, i guximshëm dhe efektiv, me ҫka bëhet personazhi më i rëndësishëm i përrallave ku paraqitet.

28. SYQENËZA është figurë e besimeve popullore të Toskërisë. Përfytyrohet si një shtigë me katër sy, dy përpara e dy prapa. Sytë e prapme nuk i duken, sepse i mbulon me shaminë e kokës. Ajo ndjell gratë e reja në shtëpi të saj, i pjek në furrë e i ha. Në përrallë ajo ka dhe të bijën që i përngjan, Maron. Në disa krijime ekziston edhe Syqeni, mashkulli i saj.

29. TATËGJUSHI (katallani) përfytyrohet si një farkëtar shtatmadh, i egër e me një sy në ballë, pa gjunjë e me këmbë të drejta si direku, që ha njerëz. Njihet edhe si “syqen që ha njerëz”.

30. AMËLSIMA është ajo që shëron ata që kanë marrë një shuplakë nga hijet, duke e vesh të sëmurin me petka të pastra e të bardha, pasi i dërgon në ndonjë vend të qetë, apo në ndonjë shtëpi të boshatisur. Aty u jep ujë trëndafili, pa folur asnjë fjalë, duke përgjuar disa shenja të fshehta. Më në fund u thot hijeve: “Bëfshi natën e mirë”, e ngre të sëmurin dhe e përcjell për në shtëpi, duke përshkuar një rreth dhe ai tashmë është i shëruar.

31. SHUPLAKJA është njëra nga hijet, e cila i shkakton sëmundje secilit që e prek, duke ia marrë fuqitë, oreksin dhe duke ia dëmtuar edhe rininë.

32. E MIRA na paraqitet si qenie që nuk njeh të keqen, e mbushur me mirësi dhe ndihmon kudo mundet e pa u lodhur. E mira ushqen me mirësi edhe shpirtin e njerëzve.

33. E MARTA është qenie që ka të veten mbrëmjen e ditës së martë dhe i dënon të gjithë ata që i gjen duke punuar në atë kohë.

34. SHTRIGA kudo na del si një plakë e keqe, tejet e shëmtuar që ha mish njeriu e pi gjakun e tij. Viktimat e saj ajo i gjen natën. Ka aftësi të futet e të dalë nga shtëpitë pa e hapur fare derën, përmes vrimave dhe plasave të ndryshme. Shtrigat mblidhen në logun e tyre dhe aty vendosin per gjahun që do të gjuajnë. Siipas gojedhënave, ato hanë edhe femijët e tyre.

35. BAJLOZI duhet të jetë figurë e hershme e rapsodive popullore shqiptare, por ky emër për të duhet të jetë i vonë, pas pushtimit turk. Emri më i hershëm nuk i dihet. Përfytyrohej si një vigan i zi, i që vinte nga detet e largëta dhe bënte vepra kriminale e shumë të dhunshme. Ai mundet në dyluftim nga Gjergj Elez Alia, kur ky ngritet nga shtrati pas shtatë vjetë lëngimi.

36. XHINDET janë qenie mitologjike shumë të fuqishme, po edhe të dëgjueshme e të rrezikshme, sipas rastit. Kanë fuqi krijimi të gjithë asaj që zotëruesi i tyre kërkon nga ata, por u mungon iniciativa dhe mashtrohen lehtë. Mund të jenë të ardhur në krijimet tona nga ndikimet e artit arab.

37. STIHIA është figurë e përallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si demon femër. Në besimin popullor, ajo përfytyrohet si një kulçedër me krahë, që nxjerr flakë nga goja dhe që ruante thesaret e fshehura nën dhe.

38. E BUKURA E DHEUT na del si femër me bukuri që tejakalon edhe imagjinatën e krijuesit dhe me këtë ajo bëhet ëndërr e shumë njerëzve, shpesh edhe fatkeqësia e tyre, por pa dashjen e saj.

39. E BUKURA E DETIT është qenie e shumëfishtë që jeton në vende afër detit dhe shndërrohet në breshkë, gjarpër, peshk, mjellmë, dru etj. Por, kur nuk do ta fsheh identitetin e saj, ajo është një femër shumë e bukur dhe e besës.

40. LLAMJA figurë e mitologjisë shqiptare, që përfytyrohej me trup gruaje e me bisht gjarpri. Jetonte nëpër male e ujëra të papastërta, rrëmbente fëmijë, u thithte atyre gjakun dhe pastaj u hante mishin. Shpeshherë ajo merrte forma të ndryshme për të joshur viktimat e saj.

41. LAURA figurë e mitologjisë popullore shqiptare, që përfytyrohej si një grua e keqe, e cila jetonte në lumenj e pellgje. Ajo zotëronte aftësinë për t'u shndërruar në një kafshë të shëmtuar. Si e tillë ajo dilte natën në breg të lumit, ose pranë një pellgu, duke bërtitur me zë të çjerrë dhe futej në ujë. Nganjëherë Laura dilte dhe në rrugë, duke bërtitur, ndërsa qentë e ndiqnin pas.

42. QIPULLI figurë e besimeve popullore shqiptare, e ngjajshme me xhindin. Në kuptimin e figurshëm, i kanë kërcyer qipujt do të thotë i kanë hipur xhindet, është inatosur.

43. PARTINI, hyjni supreme e fisit ilir të Partinëve, po që njohej edhe te viset tjera ilire.

45. SHTOJZOVALLET (Shtoj zot valet) janë figura të bestytnive popullore shqiptare, për të cilat besohej se jetonin në male, në pyje, në fusha, në kroje ose pranë njerëzve dhe u ndihmonte dhe u sillnin fat të mirëve e ndëshkonin të këqinjtë. Shtojzovallet ishin edhed hakmarrëse e të rrezikshme kur prkeshin,prandaj na dalin edhe me emra përkëdhelës si "qofshin të bardhat", "ato të lumturat", "ato të mirat", por pa ju përmendur emri. Vendbanimi i tyre i preferuar ishin bjeshkë dhe pyjet e dendura ku ato kalonin kohën, duke kënduar e duke vallëzuar.

46. TADENI vjen si hyini ilire, që identifikohej me bukurinë mashkullore.

47. HIJET janë figura me kuptim të një demoni. Por me fjalën "hije" mund të quhen edhe fantazmat ose shpirtrat e të vdekurve.

48. KARKALDUSET janë qenie të egra, me trup njeriu e me bisht. Bishti u ka dalë ngase e kishin zakon që ҫdo mëngjes të pinin nga një pije ngadalë e duke ushtruar fyerje e fjalë të rënda,me të cilat pastaj sulmonin të tjerët dhe nuk ndaleshin, derisa ai të cilit i drejtoheshin nuk ia fillonte të qajë.

49. REDONI në krijime është hyu ilir i mbrojtjes së udhëtareve dhe i detareve. Në paraqitjen figurative ka pasur interpretime se ai simbolizon mbretin Gent, por në fakt ai duhet t’i përkasë një besimi edhe më të lashtë.

50. BLETA, sipas besimeve popullore, dikur ka qenë njeri, prandaj për të thuhet vdiq e jo ngordhi. Ajo nuk nëmet, sepse është mëkat i madh të nëmësh Bletën. Prandaj, në kohë të lashta, para se t’i merrnin mjaltin, njerëzit laheshin, pasi besonin se në të kundërtën Bleta nuk do të jepte më mjaltë, madje dhe se mund të “vdiste”. Quhet edhe mblet/ë, mjacëzë , mjaltëz, frymë e shenjtë etj.

51. VIDASIANI, në besimin e ilirëve ishte perëndi që mbronte pyjet, burimet dhe fushat, shpesh i shoqëruar nga gruaja e tij, Thana. Pranë një burimi të ujit mineral në Topusk të Kroacisë janë gjetur katër altarë kushtuar këtij çifti. Vidasiani e Thana adhuroheshin nga pjesa më e madhe e popullsisë ilire, sidomos nga ata që merreshin me blegtori, si Dalmatët. Diku na del se Vidasusi ka qenë hyjni supreme e ilirëve dhe njihej edhe në pjesët më të largëta të vendit.

52. GJARPËRI I SHTËPISË i shtëpisë është qenie e pranishme në secilën shtëpi,sipas besimit ilir dhe ai ruan njerëzit e shtëpisë ku rri nga të ligat, nga qeniet e rrezikshme dhe nga fatkeqësitë, andaj ai ishte i nderuar dhe i adhuruar gjithnjë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen