Samstag, 20. April 2013

Fran Ukcama: ME KRAHET E ERES

 
QUMSHTË VURA PËR ALIENET

Ata vijnë fshehtas natën,
natën me zyze të errtë,
unë me qumsht e mbush govaten,
dua t`ushqej alientët..

Mbush një natë dhe një tjetër,
u bënë goxha, pesë a gjashtë,
tamlin ma kishin pi të tërin,
përseri nata e shtatë..

Nga dritarja bëra roje,
në dorë cfurk dhe nallane,
qumshtin pinin krejt pa droje,
qentë e mbledhur të një lagje..

Kah mesnata kur mbaruan,
mbasi e zbuten grykën,
ham e hum pa pra filluan,
me inat u kacafyten..

Prita sot, do pres dhe neser,
hypa lart edhe mbi kullë,
qentë me tamel thumb, u denden,
por alienet s`erdhën kurrë!
 
 
 
 
 
SI RRUNXË PO BREDH PAS NANES

Nana, nana fort e ambla,
me pret mua plot gezim,
shkoj në fshat kur bie mbramja,
ngrihem shpejt në agim..

Te qymezi ko-ko-ko,
na pret pula pikaloshe,
- Eja Drita mos vono,
po të fal një kokërr voe!

Pastaj degjohet soprane,
Lara muuu, e zgjat rrokjen,
- Eja Drita , mos baj naze,
plot me qumsht po ta mbush brroken!

Tej oborrit mes lulnajes
zgjohen bletë zu-zu-zu,
- Shpejto Drita, çika e nanes,
mjaltin ta japim ketu!

Pasi hamë petulla të buta,
gjalpë, vezë, tamel e mjaltë,
rend oborrit, skutë më skuta,
e ndjek macen me një shapkë..

Gabimisht më shkau dora,
fluturoi shapka pendlehta,
gjyshit i ciku te koka,
dhe ma keq iu gris gazeta..

Unë e mjera rashë në faj,
dhe u ndjeva shumë keq,
gjyshit i kërkova falje,
isha skuqur bërë si spec..

Gjushja bën shpoti atje,
kur po fshinte përmbi portë,
- Hajt moj hajt, gjyshi ka nge,
ka goxha kokë të fortë!

Në mesditë shkuam në kopsht,
volem tranguj , spec, sallatë,
shtruam sofren, bukur fort,
bio, bio, çka të hashë..

E pastaj gatimi ndryshe,
do ta dini si dhe qysh,
pyesni të miren nanëgjyshe,
si ban pulen me qervish!

Ja pra pse unë çdo të shtunë,
la qytetin , la dhe filmin,
vi me vrap ketej në katund,
ku kam shpirt, gjyshen dhe gjyshin!

Gjyshi thotë eja moj mbesë,
je bukur , je e urtë,
gjyshja thotë, po more përbesë,
na u ka ba tamam si rrunxë..

-Çka asht rrunxa, i them nanes,
I perdridhem me zë ledhes..
Ajo tregon me bisht te krrabes,
ja pra kjo, çika e deles!
 
 
 
 
FACULETAT E PRANVERES

Marr gersherë bisht dallendyshje,
pres pelhurat krahut të eres,
në ballkon po i lutem gjyshes,
qepi rroba prej pranveres..

Pa ma qendis një flutur,
dhe do lule ngjyra-ngjura,
dy -tre faculeta të bukura..
keto na i fal natyra..

I var fjongot mbi bistekë,
si balona më vijnë pas,
rend lendines cep më cep,
fluturat po I ndjek me gaz..

Gjyshja qep tesha të lulueme,
basmat ia merr pranveres,
unë jam femija më i lumtur,
vi në fshat me krahet e eres!



Mittwoch, 17. April 2013

Poezi për fëmijë nga Bexhet Asani



FËMIJA DHE BLETA

Psa vjen pranvera,
Zgjohesh pa përtesë.
Nga shkon ti, moj, bletë,
Herët në mëngjes ?

- Shkoj lule më lule,
Bar edhe më bar,
Që të mbledh nga to,
Të ëmblin nektar.

- O i dashur fëmijë,
A s’ më thua ti,
Si e kalon kohën,
Unë dua ta di?

Edhe unë, moj, bletë,
Kohën kot s’ e çoj
Shkoj në bibliotekë,
Atje të mësoj.

Të lexoj shumë libra,
Një orë e më parë,
Që kur të rritem,
Të bëhem dijetar.

1980

 

 

DASARETI NË MUZE

Kishte dëgjuar Dasareti,
Për bishat në mal,
Po, ujkun dhe ariun,
Ai s’ i kishte parë!

Kapur dorë për dore,
Me gjyshin e vet.
Në muze shkuan,
Aty në qytet.

Posa hyn te dera,
Ariu në ballë.
- Shiko, shiko gjysh,
Ariu i gjallë!

- Jo i tha gjyshi:
- Jeta e tij është sosur.
Ky ari që sheh,
Është i shpirtosur.

- Shikoje këndej,
Ujkun grabitqar.
Një qengj të vogël,
Ai e ka marrë!

- Ku jetojnë o gjysh,
Sot këto bisha?
- Atje lart në mal,
Ku është plot me pisha.

Cili është ky shpend,
Emrin si ia thonë?
Që unë s’ e kam parë,
Këtë në fushën tonë?

Pse e thatë kënetën,
S’ patët pak mëkat?
Që i keni zhdukur ,
Këta zogj të ngratë!

Zuri t’ i sqarojë,
Gjyshi me ngadalë.
Pse e kishin tharë,
Gjithë atë moçal!

Nga kjo kënetë,
Kemi vuajtur shumë.
S’ kemi vënë në sy,
Asnjë pikë gjumë!

Sot nga kjo kënetë,
Dëgjo Dasaret
Mbushim hambarët,
Plot me bereqet

Nëntor, 1988

 

 

QERSHIA DHE MANI

Krenohet qershia,
Maji kur del.
Kokrra me mijëra,
Njeriu më vjel.

Nga të gjitha pemët,
Më e para bëhem,
Thoni ju, o fëmijë,
Pse të mos krenohem?

Unë kam bërë,
Shumë kalavesh,
T’i mbani ju,
Si vathë në vesh.

Kur dëgjoi mani,
Të gjitha këto,
I tha qershisë:
- Mos u kreno!

E para bëhesh,
Nga të gjithë ne.
Po, më e mirë,
Se neve s’ je!

Kokrrat e mia,
Si mjaltë janë.
Fëmijët ato,
Me lezet i hanë.

1980

 

 


FOLEJA E DALLËNDYSHES

Te shtëpia ime,
Aty në një qosh.
Dallëndyshja trime,
Ka lënë shtrofkën bosh.

Kur do të vijë pranvera,
Do të kthehet pastaj.
Si vitet tjera,
Në folenë e saj.

1979

 

 

KOSËTARI

(Kushtuar babait)

Pikë e vapës në qershor,
Është ditë për ditë.
Djersët i shkojnë palë-palë,
Livadhin kur kosit!

Kosën në dorë,
tërë ditën do ta mbaj.
I hedh shtullungat e barit,
dielli që t’i thaj!

Kur kosa nuk pret më,
ulet mbi bar, e kalit
s’kërkon hie po në diell,
ky – thotë – më rrezit.

Kështu kalitet kosa
More çunak.
Fillon t’i bie me çekiç
Tik-tak, tik-tak!

Në mbrëmje i lodhur
kur dielli do perëndojë,
Merr veglat dhe kosën
shkon në shtëpi të pushojë!

 


E DUA...

E dua nënën,
Që më pastron.
E dua babain,
Që më mëson.

E dua motrën,
Se me të shkruaj.
E dua vëllanë,
Se me të luaj.

E dua gjyshen,
Që më ledhaton,
E dua gjyshin,
Që ngjarje më tregon.

Më rrëfen për luftërat,
Dhe për Skënderbenë.
Më mëson të dua,
Lirinë dhe atdhenë.

1978

 

 
E RRITA NJË LULE

E rrita një lule,
Në saksi prej druri,
Mu te dhoma ime ,
E kam var te muri.

Kujdesem për të,
Dhe e nxjerr në dritë.
Sa herë që do ujë,
Unë e vadit.

E rrita një lule,
Moj shoqe Urime,
Që t’ ia uroj 8 marsin
Mësueses sime.

1981

 

 

VOGËLUSHJA IME

Vogëlushja ime,
Nga shkoj më vjen pas.
Ajo është e vogël,
Dhe pak di të flas’.

Kur i hahet dhe i pihet,
Thërret mama,ma...
Kush s’ di gjuhën e fëmijëve,
Nuk e di se ç’ tha.

Do të shëtitë,
Të merr për dore – shko.
Se fillon të qajë,
E pastaj, s’ të do!

Vogëlushja ime,
Mua më do shumë.
Kur sheh ndonjë ëndërr,
Qan e qesh në gjumë.

1985

 

 

TEZJA IME PJEK GËSHTENJA

Te tezja shkova,
Një ditë nëntori,
kur piqte gështenja,
Ajo më mori.

Aty te oxhaku,
Kishte ura druri.
E një perosti,
Mbi to ajo vuri.

Përmbi të dhe shoshën,
Me skaje të nxira.
- Këtu piqen – tha –
Gështenja të mira.

Kjo tezja ime,
Është një plakë,
Po, gështenjat,
I pjek për merak.

1978

 

 


PRANË BABAIT NË BRONZ

(Kushtuar Kolës djalit të Zef Lush Markut)

 Sa i lumtur ndihet,
Xha Kola tani burrë.
Pranë babait në bronz,
Që s’e njohu kurrë.

Afrohet pranë bustit,
Babanë e lëmon.
Leonora e gëzuar,
Një vjershë reciton.

Luftove armikun,
S’ durove gjithë ato krime.
Qëndro baba krenar,
Në Gjakovën trime.

1982

 

 

NUK JE VETË!

Kameleon që ndërron ngjyrë,
Ke njeriun shok të mirë.

Kameleon në këtë jetë,
Lara-lara nuk je vetë.

Mik të mirë e të dëlirë,
Ke njeriun që ndërron fytyrë.

 

Montag, 15. April 2013

Agim Gashi - Drenica: FLOKARTA DHE TRE ARINJTË


Përrallë

FLOKARTA DHE TRE ARINJTË

 Na ishte njëherë një vajzë, që kishte një emër të bukur, Flokartë. Një ditë, megjithëse nëna ia kishte ndaluar, Flokarta u largua nga shtëpia dhe shkoi në pyll për të mbledhur lule të egra. Ajo nuk e vuri re diskun e kuq të diellit që fundosej pak nga pak përtej maleve. Shpejt ra nata dhe e errësoi pyllin. Për një kohë të gjatë Flokarta u end pyllit, duke qarë me dënesë sepse nuk po gjente rrugën për në shtëpi. Meqë u lodh, ajo u ul rrëzë një lisi. Po në atë kohë u duk së largu një dritë që shkëlqente: atëherë Flokarta mori guximin dhe eci drejt saj. Më në fund mbërriti para një shtëpie të vogël, të cilën s’e kishte parë kurrë ndonjëherë dhe mu aty mendoi të kërkonte strehim.

Por Flokarta nuk e dinte që kjo shtëpi banohej nga një familje prej tre arinjsh: baba ariu, nëna arushë dhe arushi i vogël, bebë. Në kuzhinë ndodhej një tryezë dhe pranë saj ishin tri karriga: e para ishte e madha, e dyta mesatare dhe e treta më e vockël.

Të tre arinjtë kishin shkuar për të bredhur dhe, para se të iknin, nënë arusha kishte bërë gati supën dhe e kishte hedhur në tre çanakë. Çanaku i parë ishte i madh, i dyti me madhësi mesatare dhe i treti fare i vogël dhe i bukur. Flokarta vështroi nga dritarja dhe, meqë kishte shumë uri, ushqimi që ishte hedhur nëpër çanakë iu duk joshës: ajo shtyu derën dhe hyri brenda.

- Sa mirë qenka! - tha ajo.

Dhe u ul në karrigën e madhe, por kjo ishte tepër e madhe për të. Provoi karrigën mesatare, por ajo nuk arrinte gjer në tryezë. Atëherë Flokarta u ul në karrigën e vogël, që i rrinte për bukuri. Mori çanakun dhe e përlau shpejt e shpejt supën e arushës së vogël. Kur e mbaroi, e ndjeu veten të lodhur. Dhe mendoi se do të ishte mirë të shtrihej. Hipi, pra, në shkallë dhe u fut në dhomën që kishte tre shtretër. I pari ishte i madh, i dyti mesatar dhe i treti një shtrat i bukur, fare i vogël. Ajo provoi në fillim të madhin, por ky ishte tepër i madh. U ngrit e provoi të dytin, por edhe ai, gjithashtu ishte tepër i madh. Atëherë u shtri në shtratin e vogël dhe fjeti me grushtet shtrënguar pranë fytyrës.

Arinjtë u kthyen shpejt. Meqë të bredhurit ua kishte shtuar oreksin, ata shkuan menjëherë për të ngrënë në tryezë.

- Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti baba ariu, me zërin e vet kumbues e të trashë.

- Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti nënë arusha, me trupin mesatar dhe zërin jo të fortë.

- Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti arusha e vogël me zë të hollë.

Pastaj ata hodhën sytë në çanakun e tyre.

- Dikush e ka provuar supën time! - bërtiti baba ariu.

- Dikush e ka provuar supën time! - bërtiti nënë arusha.

- Dikush e ka provuar supën time dhe e ka ngrënë atë! - bërtiti me të madhe edhe arushi i vogël me zërin e hollë.

- Cili mund të ketë qenë vallë? - bërtitën njëherësh të tre arinjtë.

Baba ariu vrapoi për te shtrati i vet.

- Dikush është shtrirë në shtratin tim! - briti përsëri ai.

Nënë arusha vrapoi te shtrati mesatar.

- Dikush është shtrirë në shtratin tim! - u dëgjua edhe zëri i saj jo fort i trashë.

Ndërkohë edhe arushi i vogël bërtiti me sa fuqi që kishte:

- Dikush është shtrirë në shtratin tim! Ah, ja tek është!

Po në atë kohë Flokarta u zgjua dhe i pa të tre arinjtë, që po e vështronin me inat. Ajo u llahtaris aq shumë sa kërceu nga shtrati, zbriti shkallët me shpejtësi sa nuk ia kishte marrë kurrë mendja dha shpëtoi, duke u futur në pyll. Të nesërmen Flokarta u takua me një druvar, i cili me sopatën në krah shkonte për të bërë dru dhe i tregoi atij ç’i kishte ndodhur. Meqë ai e njihte pyllin si në pëllëmbë të dorës, e përcolli vajzën gjer në fshat. Prindërit e pretën Flokartën me lotë gëzimi. Pas kësaj, vajza me flokë të artë u bë fëmijë i bindur dhe nuk u largua kurrë më vetëm nga shtëpia.