Sonntag, 30. Dezember 2012

Fadil Curri: Dy tregime



Dy tregime me temë nga Fund(viti) i Ri


GJYSHIDIMRI NUK I DO SHQIPTARËT

***
Tregimin e pata shkruar në vitin 1997, kur në Tetovë e Gostivar qenë bërë trazira popullore kundër ndalimit të flamurit kombëtar shqiptar nga pushtetarët maqedonas. Qenë burgosur edhe dy kryetarët e konunave Tetovë e Gostivar. Padrejtësia ndaj shqiptarëve edhe në meritën e përdorimit të flamurit shqiptar lirshëm u vërejt edhe nga fëmijët. Këtë tregim e pati kërkuar kryeredaktori i revistës për fëmijë “Ylberi” nga Tetova. Ia lejova botimin. Sipas tij, ky tregim e kishte rritur numrin e lexuesve te fëmijët shkollorë. Tregimi "Pakoja e gëzimeve" ka frymëzim një decenie më herët, kur punoja kryeredaktor i gazetës “Sharri” në Han të Elezit. Atëbotë sindikata punëtore e kësaj ndërmarrjeje jepte ndihma për familjet e punëtorëve të ndjerë dhe fëmijët bonjakë.


***


Fitorja ditën e fundit të këtij viti në shkollë ishte paradite. Në shtëpi babai e priste që të shkonin te dajët e t’u ndihmonin që t’i kryenin punët në shitore, ku punonin, pastaj me ta ta kremtonin Vitin e Ri të shlodhur. Fitores ia kënda që me tezet ta rregullonin bredhin. Nëna me Fatonin, vëllain e saj të vogël, Fatbardhën, motrën e vogël, do të vinin më vonë. Festimi, vëllai i saj i madh, kishte disa ditë që ishte atje.
Te gjyshja do të rrinin disa ditë, ndaj me vete e mori edhe çantën. Rrugës për te autobusi kaluan kah shkolla e saj. Edhe një herë ia tregoi babait klasën ku mësonte. Ai i tha së bijës se ajo është e mirë, mësuesin e kishin të vyeshëm, por më e mirë do dukej sikur të gjithë nxënësit të mësonin si Fitorja, e cila gjysmëvjetorin e kishte kaluar me të gjitha notat PESË.
Fitorja shikimin e zgjati kah veranda mbi portën kryesore të shkollës. Ecën edhe disa minuta. Babai e vërejti të bijën se po bluante diçka me rëndësi në mendjen e saj miturake.
- Baba, bën të të pyes diçka? – e theu heshtjen Fitorja.
- Urdhëro, bijë e babait, vetëm të mos jetë pyetje e vështirë që të kërkoj ndihmë edhe nga lokja ose nëna.
- Edhe mësuesin e kemi pyetur, por ai u shtirr se nuk na dëgjoi, - tregoi ç’kishte ndodhur në klasë.
- Cilën pyetje ia shtruat mësuesit, bija ime? – pyeti babai kureshtar.
Fjalët e Fitores se mësuesi i paska bishtëruar përgjigjes, e trazoi nga kënaqësia e udhëtimit me të bijën. Vallë, ç’pyetje na paska qenë, pyeti veten.
- Pse gjyshidimër nuk i do shqiptarët? – me guxim Fitorja e pyeti babain.
- Nuk është e vërtetë se gjyshidimër nuk i do shqiptarët, - iu përgjigj shkurt e disi i lehtësuar se me kaq do të përfundojë kërshëria e Fitores. – Mirë, bijë e babait, si je e bindur se gjyshidimër nuk i do shqiptarët? - donte të mësonte bindjet e saja për këtë.
Fitorja edhe një herë ktheu kokën mbrapa dhe shikoi kah shkolla.
- Në shkollën tonë mësojmë bashkë shqiptarë e maqedonas. Më shumë jemi nxënës shqiptarë. E pe si nxënësve maqedonas gjyshidimër ua kishte sjellë flamurin e tyre me rrezet e diellit, kurse nxënësve shqiptarë nuk na e ka sjellë flamurin tonë me shqiponjën dykrerëshe.
- Arsyetimi i voglushes e zuri ngusht babain, nga i cili kërkohej përgjigje bindëse.
- Edhe mësuesi e ka ditur pse gjyshidimër nuk i dashka shqiptarët, por nuk ka pasur kohë të ju tregojë, - e arsyetoi babai. – Gjyshidimër nuk i sjell flamujt për fëmijët në shkollë. Ai vetëm porosit që të gjithë fëmijët në shkollë duhet të jenë njësoj të gëzuar. Gjyshidimër e ka porositur shtëpiakun që ta vë edhe flamurin me shqiponjën dykrerëshe, por ai ditën kur i kishte vënë flamujt, ishte sëmurë papandehur dhe ishte shtrirë në spital. Sigurisht, kur të shërohet do ta vë edhe flamurin tonë, ndofta Vitin e Ri të ardhshëm.
- Ndofta, baba, - pëshpëriti Fitorja sa për të thënë diçka dhe nxitoi të hypte në autobus që të shkonte sa më shpejt te dajtë. Pasi t’u ndihmojnë në shitore, në mbrëmje ta presin Vitin e Ri, duke kënduar e vallëzuar.
- Përreth bredhit të stolisur do të jetë edhe flamuri me shqiponjën dykrerëshe, - e gëzoi edhe më tepër babai Fitoren kur zbritën nga autobusi.




PAKOJA E GËZIMEVE

Dimër.
Një ditë para Vitit të Ri.
Jashtë acarr, por edhe brenda bën të ftohtë.
Në një dhomë fshati rri familja pesanëtarëshe e Luz apo Shaqë Delisë: plaku Luz, plaka e tij, e veja-e reja, si e quante gruan e Shaqës Luzi dhe dy djemtë e saj binjakë.
E Shaqa? Ah, i gjori, pikërisht para një viti vdiq. Punëtor i fabrikës, duke e instaluar rrymën në një tymtar, rrëzohet nga lartësia prej dyzet metrash.
Skaj oxhakut rri këmbëkryq mendueshëm babëloku Luz, pi duhan dhe herë pas here lëmon mjekrrën. Lokja sillet e mbështillet rreth magjesë, sikur kërkon gjë për t’i gëzuar fëmijët para Vitit të Ri. Nëna thyen ca krrunde dhe ia vë zjarrit. Mjerimi shtëpisë i ka hipur në kulm dhe e këndon elegjinë e padurimit, mendonte babëloku. Keq na la Shaqa, sidomos nusen e re me dy petritat, si i quante fëmijët. Këta rriten shpejt dhe e harrojnë, por kjo e shkreta tërë jetën e vejë e robe e fëmijëve dhe e gojëve të botës.
Plakut Luz nuk ia kënda ta shihte gruan e Shaqës me kërrabëza në duar kah thurrte çorapë e xhemperë të leshtë. Kjo ia kujtonte kohën kur ia thurrte Shaqës. Fëmijët atëbotë mezi pritnin t’u kthehej babai nga puna, nga e cila sikur sillte harenë familjare. Shaqa u rrëfente ngjarje nga qyteti, e babëloku, lokja, nëna e fëmijët e dëgjonin me kërshëri, deri sa shuhej zjarri i fundit në vatër.
Edhe sot përsiatjet e plakut do të zgjasnin ag e terr, po të mos ishte dëgjuar një thirrje nga oborri. Zëra të panjohur.
- O, mirë se ju ka sjellë Zoti! – i uroi plaku sa doli në derë. – Urdhëroni e hyni brenda!
Ishin tre veta, dy burra me një grua.
- Hajt, bija ime na e pjek nga një kafe, - i foli plaku me një zë lutës nuses së Shaqës.
Mysafirët ngulnin këmbë të mos pinin kafe, por lutjet e plakut ngadhnjyen. Ata nuk ia prishën dëshirën.
- Nuk doni t’i përqafoni dajët e tezen? – i ngacmoi fëmijët ai që i printe grupit të mysafirëve.
Fëmijët i përqafuan me radhë dhe u ulën pranë mysafirëve.
- Miq të dashur, dëshiroj të ju njoh, he paçi fat tërë jetën me të dashurit tuaj, - u foli plaku me buzëqeshje bujare. – Dua të ju njoh që të trashet biseda.
- Do të njihemi e do të bisedojmë, xha Luz, - foli ai që i printe grupit të të sapoardhurve. – Ne jemi shokë të punës e të Shaqës…
Plakun sikur ta kishte shpuar dikush në kurriz, vrrikthi u ngrit.
- Shokë të punës të Shaqës tim, - me lotë në sy brofi plaku dhe i përqafoi të gjithë me radhë.
- Erdhëm të ju shohim si jeni dhe të ju tregojmë se sa ishte në punë Shaqa, nuk kishte shok tjetër për të mirë si ai, - tha ai që u printe. - Para disa ditësh në mbledhjen e punëtorëve të fabrikës sonë bëmë fjalë edhe për Shaqën tuaj dhe tonin. E nderuam dhe e falenderuam atë si shok e punëtor i vyeshëm dhe vendosëm ta kujtojmë duke u përpjekur fëmijët e tij e familjen t’ia ndihmojmë.
- Nder më të madh nuk dua. Mjafton që keni thënë fjalë të mira për birin tim, - foli plaku i mbërthyer përvajshëm në zemër.
Gruaja që erdhi me ta po rroposte në çantën e saj. Nxori diçka dhe ia dha atij që i printe grupit të mysafirëve në shtëpinë e Luz apo Shaqë Delisë. Mysafirët me një shikim të ndërsjellë u morën vesh se kush do të flasë.
- Tubimi i punëtorëve të fabrikës sonë ka vendosur që shpenzimet e shkollimit për dy fëmijët e Shaqës t’i heqë kolektivi. Për ta ka siguruar edhe bursat e kreditë. Posa ta kryejnë shkollën, do të mund të zënë punë te ne. Edhe sindikata jonë, ndonëse në mënyrë modeste, nuk i ka harruar fëmijët dhe ato i përshëndet me një pako të madhe sheqerkash e lodrash.
Ai që i printe grupit ia dha plakut vendimin e vulosur dhe të nënshkruar. Të gjithë të familjes si të ishin zanuar, mbetën pa gojë nga gëzimi. Vetëm nëna nuk qante, ndonëse sytë i ishin skuqur.
Miqtë u ngritën të shkonin. Në fund të oborrit i përcollën të gjithë të shtëpisë.
- Ju na ndihmuat e nderuat, - u falenderua plaku duke i marrë ngryk. – U bëni të fala shokëve të Shaqës në fabrikë.
- Ju priftë e mira, o bijtë e mi! – uroi lokja.
- Do t’i rris e edukoj si Shaqa, - i tha nëna mikes nga fabrika e Shaqës, kur kjo po i përqafonte fëmijët.
Të gjithë në familje ndiheshin të gëzuar, më së tepërmi fëmijët.
Ata, me të hyrë në dhomë, nisën ta hapin pakon e sheqerkave dhe lodrave.
Ishte pakoja e gëzimeve e natës së Vitit të Ri.


Marrë nga "Faqja për fëmijë" në FB

Keine Kommentare:

Kommentar posten