Freitag, 11. November 2011

Agim Metbala: Shtatori i veçantë

Agim Metbala

SHTATORI I VEÇANTË
Gjatë luftës në vendlindjen time, armiku tregoi gjithë vrazhdësinë dhe urrejtjen patologjike. Vrau mbi një mijë qytetarë të pafajshëm - gra, pleq dhe fëmijë. Dogji në mënyrë barbare me mijëra shtëpi, burgosi dhe rrëmbeu pengje lufte me qindra qytetarë të pafajshëm, për fatin e të cilëve as sot e kësaj dite nuk dihet gjë...
Ishin vërtet ato ditë e tmerrit.
Gjatë atyre ditëve, nga bombardimet e armikut, në këmbë u plagos rëndë edhe shoqja jonë e klasës, Liridona. Gjatë kohës sa ishte lufta, ajo u mjekua në spitalin e Prizrenit. Pas çlirimit, u transferua për mjekim në Tiranë, dhe nga atje, me ndihmën e një organizate humanitare, është dërguar për shërim të mëtejmë në Zvicër...
Plot dy vjet, banga e Liridonës mbeti e zbrazët. Ne shokët dhe shoqet e klasës, shpesh e kujtonim dhe bisedonim për të, sepse ajo jo vetëm se ishte nxënëse e shkëlqyeshme, por ishte edhe shumë e afërt me të gjithë dhe e përgatitur në çdo moment për sakrificë. I dëshironim shërim të shpejtë, por nuk kishim kurrfarë informate për shëndetin e saj...
Pushimet verore kaluan si në ëndërr. Fëmijët u çlodhën, u freskuan dhe secili mezi e priste shtatorin për t’u takuar sërish me shokë dhe shoqe të klasës, si dhe me mësuesën e arsimtarët e dashur.
Një shtatori. Dita kishte gëdhirë e bardhë, me rrezet e veta të ngrohta. Fushat kishin marrë një pamje papërshkruar vjeshte. Vreshtat me pamjen e tyre të bukur, joshnin secilin shkrimtarë dhe secilin piktorë.
Kuptohet, sikurse secili fëmijë, ashtu edhe unë, u zgjova shumë më herët se rëndom. I përgatitur veçmas për ditën e parë të vitit të ri shkollor. Pasi u përshëndeta me mëmën, u nisa për në shkollë. Oborri i shkollës gumëzhinte nga hareja. Në fytyrën e secilit fëmijë, haptas vërehej gëzimi i papërshkruar.
Pa humbur kohë, ra zilja e parë, dhe të gjithë në rreshta hymë nëpër klasa. Pasi zumë vendet, vërejtëm se vendi i Liridonës, sërish kishte mbetur i zbrazët. Kujdestari i klasës me plot dashuri filloi të na mbajë një fjalim të shkurtër:
- Nxënës të dashur!...
Për një moment, u dëgjua një trokitje e lehtë:
- Tak, tak, tak!
- Hyr! – urdhëroi kujdestari i klasës.
Dera u hapë ngadalë. Çfarë mrekullie! Në derë u duk Liridona. Të gjithë u stepëm nga befasia dhe gëzimi. Liridona buzëqeshte me një butësi përrallore. Buzëqeshja e saj pushtoi tërë klasën.
- Eja, eja, Liridonë e dashur! – e theu heshtjen dhe befasinë e krijuar kujdestari i klasës.
Liridona me kujdes dhe ngadalë me patericat, u drejtua drejt bankës së ve. Në atë moment, Djellëza filloi me duartrokitjet. Pas saj e tërë klasa u ngritëm në këmbë dhe duartrokitjet nuk pushuan për një kohë të gjatë.Të gjithëve na dolën lotët e gëzimit.
Pastaj kujdestari i klasës, me fjalë të zgjedhura, i dëshiroi mirëseardhjen.
Në faqet e Liridonës, rrëshqitën lot nostalgjie, ajo pastaj na rrëfeu për peripecitë, për vuajtjet, dhe për amputimin e këmbës së djathtë, gjatë shërimit të saj në Tiranë dhe në Zvicër...
Për mua dhe shokët klasës, ky shtator dhe ky vit shkollor ishte i veçantë, sepse në klasë u kthye sërish shoqja jonë e dhashur, Liridona, e cila prapë u ul në bankën e saj.
Këtë shtator do ta mbajmë në mend tërë jetën.

2000

Keine Kommentare:

Kommentar posten