Montag, 25. März 2013

Dy tregime nga Ramadan Mehmeti

DALLËNDYSHET E GJYSHIT

 “Sa herë shkoj verës në vendlindjen e gjyshit, atje kaloj bukur. Nuk ka shumë vetura. Nuk ka as zhurmë njerëzish. Nuk ka sirena automobilash. Por, ka shumë dallëndyshe… Fluturimi i tyre akrobatik tepër më pëlqen!” - i tregonte Eroni shokut të tij të lagjes, Fatosit, duke e përjetuar atë kënaqësi edhe gjatë rrëfimit.
Po afrohej fillimi i vitit shkollor. Eroni duhej të hynte në klasë të parë. Ai mezi priste atë moment madhështor dhe një kohë nuk mundi të shkonte në vendlindjen e gjyshit.
Një pasdite vjeshte, Eroni kishte dalë në parkun e qytetit dhe aty e kishte takuar shokun e tij, Fatosin.
“Eron, si je? Si ia kalon me fillimin e vitit të parë shkollor?”.
“Mirë”, - ia kishte kthyer Eroni.
“Këtë verë, a ke qenë në vendlindjen e gjyshit? A i ke parë dallëndyshet? A i ke dëgjuar cicërimat e tyre?” - e kishte pyetur Fatosi.
“Jo!” - ia kishte kthyer Eroni, me një përmallim. Si duket e kishin preokupuar shkronjat e para të mësimit dhe vizatimet e shkollës… “Do të shkoj për fundjavë dhe do të çmallem me dallëndyshet e gjyshit”, - ia kishte kthyer dikur Fatosit.
Pas pak, Eroni ishte kthyer, dhe paksa i mërzitur ishte ulur në trotuarin e kopshtit të oborrit.
Nuk vonoi shumë dhe babai u kthye nga puna. Porsa hyri në oborr, Eroni vrapoi drejt tij duke e përqafuar.
“Do të shkojmë te gjyshi në fshat për t’i parë dallëndyshet, se me siguri edhe ato janë përmalluar për ne”, - i tha Eroni babait.
“Po, si të mos shkojmë! Nesër, pasi të kthehesh nga shkolla, do të bëhemi gati dhe do të vizitojmë edhe gjyshin, edhe dallëndyshet”.
Eroni e puthi në faqe babanë. Mezi priste të shkonte në shkollë dhe sa më parë të mbaronte ora e fundit e mësimit. Për këtë udhëtim i kishte bërë gati të gjitha sendet që kishte… Edhe ushqim për dallëndyshet.
Duke u kthyer nga shkolla, u takua me Fatosin. I tha: “Fatos, sot me babanë, nënën dhe motrën do të shkojmë në vendlindjen e gjyshit! Do të vizitojmë atë dhe dallëndyshet. Mezi po pres të shkoj në shtëpi e sa më parë të nisemi!”
“I lumi ti!” - ia ktheu Fatosi. “Edhe babai im, sikur të kishte gjysh, do shkonte në fshat! Por nuk ka!”
“Ditën e mirë, se jam duke u ngutur. Kur të kthehem, do të takohemi! Do të tregoj për dallëndyshet”.
Babai kishte arritur në shtëpi para Eronit dhe ishte bërë gati për t’u nisur në vendlindjen e tij.
Tërë rrugës Eroni bëri shumë pyetje rreth dallëndysheve. Si do ta kalojnë dimrin? Çka do të hanë? Si do të ngrohen?
Kur arritën në shtëpinë e gjyshit, shkoi për t’i parë dallëndyshet. Për çudi, nuk pa asgjë. U dëshpërua nga ajo qetësi. Gjyshi ishte në anën e kundërt të shtëpisë, duke vjelë kumbullat e pjekura për të bërë pekmez. Eroni vrapoi te gjyshi për ta pyetur për fatin e dallëndysheve.
“Gjysh, të lutem, ku janë dallëndyshet?! Mos i ke trembur? Mos kanë ngordhur nga ndonjë sëmundje? Ç’u bë me fatin e tyre?”
“Ato kanë ikur, o nipi im. Në pranverë do të kthehen përsëri!”
“Pse kanë ikur?” - e pyeti gjyshin.
“Ato janë shpezë shtegtare. Kur të vijë pranvera, përsëri do t’i kesh këtu të gjitha. Këtu i kanë çerdhet…
Eh, nipi im, kështu e ka natyra, shkojnë e vijnë e vijnë e shkojnë, siç vijmë e shkojmë edhe ne.”






GJELI NË PALLAT

Një ditë tregu, gjyshi i Jonit mori rrugën për në tregun e kryeqytetit. Me vete mori një gjel të bukur, që nuk ia ndante këngës asnjëherë. Donte ta shiste për të blerë gjësende për shtëpinë në fshat. Pasi arriti në qytet, së pari ktheu te nipi Jon, në soliterin nr. 4, që ta shihte. Atij i kishte sjellë dardha, mollë e pak groshë nga fshati.
Gjyshi, gjelin e kishte futur në hejbe. Kokën ia kishte lënë jashtë grykës, që të mos mbetej pa frymë gjeli i bukur.
Derisa po ngjitej shkallëve, gjelit i kishte ardhur koha e këndimit të këngës së tij. Me zërin e tij të bukur lajmëronte fshatarët se po zbardhte një ditë e re. Edhe pse atë ditë nuk mundi t’i rrihte krahët, pasi kishte këmbët të lidhura dhe ishte i futur në hejbe, nuk e pengoi t’ia thoshte këngës së bukur me një: Ki-ki-ri-ku të gjatë.
Gjyshit i erdhi keq për këtë Ki-ki-ri-ku në pallat. Mundohej t’ia ndalte këngën gjelit.
Joni në atë çast ishte duke u përgatitur për në kopsht dhe e dëgjoi gjelin duke kënduar, ndaj iu drejtua babait:
“Babi, më bli një gjel si ky që këndon!”
“Mund ta blejmë, por gjeli nuk këndon në banesën tonë. Nuk kemi ku ta mbajmë. Ai do hapësirë që të këndojë e te ne nuk ka ambient të mirë”, - ia ktheu babai.
“Po si atëherë te fqinji ynë këndoi? A e dëgjove ti? Më thuaj, pra?”
Përderisa mes tyre zhvillohej ky dialog, u dëgjua zilja. Kur u hap dera e hyrjes, hyri gjyshi i Jonit me hejbe në kraharor dhe me gjelin në shpinë.
Porsa e pa gjelin në shpinën e gjyshit, Joni iu vërsul në qafë dhe e përqafoi. I tha:
“Të lutem, gjysh, nxirre gjelin, se dua të luaj me të. Më pëlqenë për lojë, se ka zë të mirë!”
Gjyshi nxori nga hejbet gjelin me këmbë të lidhura.
“Gjysh, të lutem, më trego: Pse gjeli i ka këmbët të lidhura?”
“Jon, gjeli i ka këmbët të lidhura për të mos ikur”.
“Gjysh, të lutem, nëse ia zgjidhim këmbët, do këndojë përsëri?”
“Jo, Jon, gjeli atëherë mund të bëjë sherre në banesën e vogël, mund t’jua thyejë shumë gjësende”.
“Gjysh, po le t’i thyejë, vetëm le të këndojë edhe një herë, se mua më pëlqen. Nëse nuk bën t’ia zgjidhësh këmbët në dhomë, atëherë mund ta lëmë në ballkon dhe le të këndojë tërë ditën”.
Gjyshi, për t’ia bërë qejfin nipit Jon, e hapi derën e ballkonit, mori gjelin dhe ia zgjidhi këmbët. Joni kureshtar hapi derën për ta parë. Po gjeli, i mërzitur, hop e u hodh nga ballkoni dhe duke fluturuar ra në oborrin e banesës tjetër, në “Ulpianë”.
Joni iu drejtua gjyshit: “Gjysh, mos ki merak, gjelin do ta zëmë me shokë dhe shoqe të mia.
Gjyshi filloi të qeshte.
“Me kënaqësi do të rrimë së bashku... Babai dhe nëna jote le të shkojnë në punë”.
Joni u gëzua pa masë dhe zbriti në oborrin e pallatit për ta kërkuar gjelin. Porsa zbriti poshtë, shumë fëmijë të pallatit, u nisën pas tij. Ata që kishin dëgjuar duke kënduar gjelin, kishin zbritur për ta parë atë gjel të bukur dhe e kishin rrethuar. Gjeli, i frikësuar, nuk dorëzohej. Herë në njërën anë të oborrit, e herë në anën tjetër... Dhe fëmijët pas tij... Ai, nga frika, hyri në shkallë të pallatit. Por, pas pak gjyshi e zuri dhe ia lidhi këmbët. Ia preu edhe krahët për të mos fluturuar. Jonit i plotësoi një dëshirë që kishte për gjelin. Ia fali. Joni një kohë të gjatë e mbajti në ballkonin e pallatit. Gjelit më vonë i ishin rritur krahët dhe në një mëngjes i kishte hapur ata. Kishte fluturuar përsëri dhe kurrë më nuk u pa nga fëmijët e pallatit.


Marrë nga "Faqja për fëmijë" në FB

Keine Kommentare:

Kommentar posten