Sonntag, 26. April 2015
Beqir Buzuku - Poezi për fëmijë e të rinj
Çelësat e dritës
Është një rrugë e adhuruar,
Rrugë e mrekullive,
Nëntë muaj ngarendje
Deri te muaji i qershive.
Tridhjetë e gjashtë çelësa
I vjelim në Abetare,
Me ta në mendjesy hapim
Tridhjetë e gjashtë dritare…
Hapat e parë
Me hapat e parë u hodhëm
Në shtigjet e jetës,
U hodhëm rrugës zigzage,
Rrugës së mbarë
Dhe filluam lojën
Me t’dashurat lodra,
E me vrapimin pas fluturave,
Nëpër lulishte e kodra.
Mandej pasoi ëndrra tjetër,
Misri u poq në arë,
Atëherë filluam betejën
Me shkronja e me numra,
Në klasën e parë…
Vjelje drite
Çuna e çupëza të gjithë tok,
Të gjithë tok – dorë për dore
Hedhen në rrugën nëntëmujore.
Ajo rrugën nis në shtator,
Stacion ka muajin qershor.
Tempulli i dritës i pret derëhapur,
Fryta diturie aty për të vjelë,
Në vendnumërim për t’mos ngelë.
Udha 9-mujore
Plot nëntë muaj
Në ngarendje,
Mbëltojmë shumë risi
Në dritëmendje.
Dhe sërish nisemi
Nga muaji shtator,
Gjithnjë ecim
Drejt të njejtit cak,
Vjelim fruta në qershor.
Buzëqesh fytyra
E fillim verës,
Cicëron laraska në pemishte,
Në pemishte të shendverës.
I pari
Në mes të lagjes sime
Është një dru molle,
Aty dhuron dritë diturie
Pallati i një shkolle.
Aty është një çun,
E quajnë çun shkollari,
Ai kudo shkëlqen,
Përherë është i pari…
Në ditar nuk ka
Asnjë mungesë,
Në nxënie kurrë nuk ka
As një pengesë.
Shpesh shkolla mban
Ndonjë manifestim,
Pa Endritin kremtimi
S’do të kishte kuptim.
Ai çun ka prirje
Për recitim,
Shquhet si mjeshtër
Edhe për aktrim.
Pa të skena
E zbehtë do të ishte,
Pa të kremtimi
Shije s’do të kishte.
Shendohen prindërit
Dhe mësuesja e tij,
Shokët dhe shoqet
Atij ia kanë lakmi.
Buzëqeshje shprese
Buzëqesh çuni Premtim,
Shendohet çupa Shegë,
Zogu i shpresës
Cicëron përmbi degë.
Buzëqesh muaji
I fillimverës,
Sheqerosen qershitë
Në pemishten e shendverës.
Seç buzëqeshin prindërit,
Buzëqesh mësuesja Mbresë,
Paguhet mundi i shkollarëve,
Në librezë pikë nota pesë.
Orari
Ditë e natë - e natë ditë,
Ik koha në pakthim,
Bashkë me kohën ecim ne,
Ecim ne me shoqe e shokë;
Herë ngadalë, herë me nxitim.
Kohën lypset akorduar me orar,
Nëpër udhën e jetës
Të gjithë tok ecim krenarë.
Jeta pa orar s’ka kuptim,
Orari nuk na e bën me hile,
Na dhuron kohë për mësim,
Na fal kohë për lojë;
Por nuk na fal asnjë minut,
Asnjë minut për vendnumërim.
Shpejt ik dita,
Në mbrëmje shumkush
Mund të ndjejë lodhje,
Vjen nata, sjell gjumin,
Ilaç, për çlodhje.
Drita
Pas bregut
Dielli zbret,
Terri shtrin
Perden e vet.
Strak! Shtyp një buton
Xha Tali,
Buron rryma
Nga termocentrali.
I bën detyrat
Çupëza Melë,
Korrigjon hartimet
Arsimtari Xhelë.
Në piknik
Në hartim – temën e parë:
“Një ditë në piknik”
Si e shtjelloi çuni Fisnik?
“… në piknik” temë simbolike,
Për të shkruhet me frymëzim,
Fisniku pa aspak hamendje
Derdhi në letër këtë përjetim:
- Shokë e shoqe të klasës
Të gjithë qem tok.
Mirë na priu arsimtari Xhelë,
Një ditë maji u nisem në piknik
Me autobus të xhaxhit Nelë.
- Diku kah mesdita
Zbarkuam në Prekaz,
Te shtëpia e Jasharajve,
Aty fëmijë e të moshuar
Na pritën buzagaz.
Vizita në Prekaz
Fisnikut i la mbresë…
Përshtypjet e asaj dite
Ai edhe sot i ruan,
I ruan të incizuara në kujtesë.
- Nxënës të dashur,
Ju faleminderit për vizitën!...
Tha një mesoburrë dhe shtoi:
- Këto gjurmë që po i shihni në mur
Nuk janë vrima që i ka hapur qukapiku
Aty plumba ka hedhur armiku.
- Ai me dorë mesjete
E përgjaku vatrën tonë,
Me veprim çnjerëzor tentoi
Për të shembur udhën e jetës sonë.
- Prekazin… e mbuloi me plojë,
Po as Drenica as Kosova s’u gjunjëzuan,
UÇK-ja iu bë mburojë…
Një plus dhe një minus
Çuni Premtim
Dhe çuni Gjetë
Janë shokë banke,
Shokë banke
Në klasë të tetë.
Që të dy
I pret i njejti cak.
Po, vallë, a i kanë hapat
Në të njejtin nivel?
Mirë e jo mirë,
Përfundimi laraman na del…
Premtimi librin e do shumë,
Gjetës i mungon koha
Edhe për gjumë,
Ditë e natë, si magneti
Atë seç e tërheq interneti.
- Gjetë, shoku im
E ke shumë gabim,
Je hedhur në harlisje;
Një llasticë anonime, pa adresë
Po t’vardiset përmes internetit,
Përditë po të shtyn
Vetvetes për t’i hedhur pengesë,
Pengesë në udhën e jetës –
I tha një ditë Premtimi Gjetës.
Kaluan ditët, javët e muajt,
Kaluan shpejt,
Ikën sikur dikush
T’i kishte shtyrë me dorë,
Frytet e nëntmujorit
U volën në qershor.
Gjeta disi i zbehur në fytyrë
Vonë e pa veten në pasqyrë,
Në pasqyrë të kohës së bjerrur kot,
Ai vonë e kuptoi se koha kalon,
Kalon si uji nën urë
E prapa nuk kthehet dot.
Fshin lotët me faculetë.
Po pësimin sit a shlyejë?
Sytë i duken të mjegulluar,
Si i përgjumur në vete flet:
- I mjeri unë, ç’më gjeti,
Më hodhi në lojë lazdrajka…
Grusht më dha interneti.
Këshillat e Premtimit
(me rend e me vend)
Tash i vërtiten në mend:
- Gjetë, unë të kam thënë
Që në fillim shqitju librit,
Përndryshe vendnumëron,
Pas qershorit, në pushim…
Për internet nuk është vonë,
Në qershor Premtimi më i miri,
Më i miri në mesin e shkollarëve,
Gjeta i pari nga të prapmit,
Nga të prapmit në fund të shkallëve.
Kur mungon guximi…
Çuni Bardh
Është në hall të madh…
Deri dje ishte i qetë.
Tash është në klasë të tetë,
Dhe iu ka rritur mendja,
Në zemër i është ndezur një zjarr
Për shoqen e bankës,
Për çupën Arjetë.
Natën ai humbur në ëndërr
Është bashkë me Arjetën,
Kur zgjohet nga gjumi
Sa keq e ndien vetën
Pa Arjetën.
Mendohet e mendohet
Dhe disi trimërohet:
- Sot në shkollë, patjetër
Asaj do t’i drejtohem
Me një letër…
Sot, nesër – sot, nesër
Koha kalonte si uji nën urë
E Bardhi s’e bënte zemrën gur…
Dita-ditës i shtohej vuajtja,
I shumëfishohej zhgënjimi,
I zvogëlohej guximi
I përtëritej hezitimi.
Ah Arjetë, Arjetë!
Në shpirtin e Bardhit
Vuajtje ke derdhur,
Një pjesë të zemrës
Tashmë ia ke vjedhur…
Një hartim me dy ngjyra
Një ditë, në orën e tretë
Hyri në mësonjëtore arsimtari Xhelë,
Sipas planprogramit të klasës tetë
(nga lënda e gjuhës amtare)
Ai tri tema i shënoi në tablë.
Pastaj për rëndësinë e hartimit
Foli shkurtimisht:
- Zgjidhni temën që ju pëlqen.
Mos shkruani shkel e shko,
Shkruani konkretisht!
Sakaq drejt tabelës
Nxënësit gapërruan sytë,
Altinit e Norës u pëlqeu
Tema e dytë.
Tema e dytë:
“E zeza dhe e bardha”,
Për mendjemprehtët
Temë shumë e qëlluar,
Për mendjezbehtë
Mjaft e ndërlikuar.
Çuni Altin tha me vete:
- Për mua ky s’është hartim,
Po ca fjali si në gramatikë,
Për pesë minuta mund t’u vë pikë.
Nxori lapsin e ushtrimoren,
Nisi hartimin, gjoja seriozisht,
Në fushën e fletës së bardhë
Hodhi ca rreshta me radhë:
- E zezë është lëkura
E atyre që shpesh rreziten në det,
vajzat zeshkane, fytyrëçokolatë
shumë i adhuron çuni Valdet;
- Pamje ngyrë prilli sytë e Blerinës,
Në buzëqeshje shendvere
Shëmbëllen fytyra e Kaltrinës;
- Ah, Nora, Nora
Faqet bardh sikur bora!
Flokët ngjyrë të zezë,
Sytë sikur rrush,
Sa herë që e vjedh me sy
Zemrën seç ma djeg
Sikur me prush…
Vallë, Altini shkroi hartim
Apo një lloj poezie?
Askush në klasë
Nuk i ra dot në fije.
E kupton arsimtari i vet
Me përvojë,
Ka për t’u shkri së qeshuri
Kur ta lexojë.
Shoku i Altinit, çuni Gjetë
Për hartim zgjodhi temën e tretë.
Tema e tretë - titull aktual:
“Rrëfim për një përjetim personal”.
Çuni Gjetë në bankën e tretë
Ishte ulur prapa çupës Arjetë.
Ai mbushur disponim
Shkroi këtë hartim:
- Nuk janë pak pesë orë mësimi,
Në ndërrimin e dytë
Xixa më shkreptijnë sytë…
- Një ditë, kur u ktheva në shtëpi
Ndieja lodhje, ndieja uri.
- Hëngra darkë,
Mandej u shtriva për të pushuar,
Në atë rast mu kujtua:
Arjetës duhej shkruar…
- Papritmas, vrik! U ndal rryma,
M’u duk sikur mu ndal fryma…
- Si një dorë sherri
Perdja e territ,
E mbuloi ekranin e kompjuterit,
E si t’i shkruaja në internet
Ca fjalë… zemrës Arjetë?
Çupa Norë trajtoi një tjetër temë,
Temë me domethënie simbolike,
Tematikën e saj ajo e shtjelloi
Në një mënyrë krejt më ndryshe,
Për t’i dhënë kuptimësi logjike:
- Jeta s’është krejt shkëlqim
Sikur pasqyra,
Po është me dy ngjyra,
Me dy ngjyra – laryshi,
Njëra e zezë, e shëmtuar,
Tjetra e bardhë, e mrekulluar;
- Dikush thur perde terri,
Dikush mbëlton mollë sherri;
- Ëndrra mbetët ëndërr,
Fantazia vetëm dëshirë,
Pema nuk ka shije
Pa u pjekur mirë;
- Shoku-shokut, shoqja-shoqes
I ndihmon në raste vështiërësish,
Atëherë zogu i bardhë
ëmbël cicëron përmbi dardhë…
Po nxënësit e tjerë
Ç’përshtypje derdhen në hartim?...
Për këtë ju rrëfej në vitet në vijim…
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen