Montag, 18. März 2019

Poezi për fëmijë nga Shefqet Dibrani


FLAMURIT

Ty që valove
rrebesheve me stuhi,
ty që flakërove
luftërave.

Ty që valove
n’dasma, gëzime,
ty që vallëzove
në përurime...

Ty që valëvitësh
mbi shkolla e shtëpi,
n’ty shohim madhëri
edhe shenjtëri.

Ty që valove
mbi kokat e t’parëve,
ty që trishtove
hordhi t’barbarëve...

Ty që shpalove
ëndërrën për liri,
ty o Flamur
dhuratë – këtë pozi.



SHPATA E SKËNDERBEUT

Shpatë e kryeparit
qe armë kryesore
në kohëra t’përgjakura
deri në fitore.

Me të Skënderbeu
osmanët dërmoi shumë,
atë e kishte nënkresë
kur bënte një sy gjumë.

Kaloi kohëra e pushtetarë,
shpata mori udhë të gjatë,
në muzeum, në vjenë e gjen
sikur rri me Skënderbenë.

Qëndron shpata me përkrenare
shkëndijë për lashtësinë,
për luftërat mbi tiranë
nga fisi që gjallëron. 



SHQIPËRI VENDI IM

Nënë Shqipëri - vendi im,
më bën djalë që s'plaket kurrë,
më jep zemër, më bën trim
forcë më jep, më bën burrë.

N'gadishullin e trazuar
je lis me degë të gjata,
rri pa thyer, pa përcëlluar
nga rrufeja e shtërngata.

Kokën lart, imja Shqipëri,
ballëndritur, paç bekime :
paç shëndet e lumturi
mos mek shpresën, këngën time.



SHTIGJE

Kuvendon mali me mal
me kokat lart në re,
të lumtur e të ndritur
për çdo ngjarje të re.

Fusha i buzëqesh fushës,
ara i buzëqesh erës,
me gazin e vogëlushes
shtigjeve të abetares.



NATË NË VENDLINDJE

Nata bie dhe mbulon gjurmët e ditës
hëna tretet dalëngadalë,
e xixëllonjat fërfërijnë
me të hollat fustanella.

Dikur vonë
dritë e hënës zë e meket
ndonjë hut e lakuriq
territ heshtjen seç ia thyejnë.

Nëpër dritare feksojnë dritat
nëpër dhomëza fëmijët përkëdhelën,
dashuri e prindërve hap portat
e ëndrrave që do të vijnë.

Dritat fikën një nga një
si ç’rëndon gjumi n’qepalla,
e fenerët xixëllonjave
tej mali hënën përcjellin.

Pesë minuta gjumë n’vendlindje
sa një vit i tërë n’kurbet,
atje ndjen joshje jete
ndaj nata është si askund tjetër.



TËBANA IME

Në një faqe mali
gjendet tëbana ime,
në bjeshkën e shtrenjtë
si rubin n’kujtime. 

Tëbanë e vogël fare
që s’ka shumë bukuri,
po n’derë, oxhak, n’dritare
ka shumë dashuri.

Me fier ka çatinë
e muret me purteka,
tym i saj kaltërinë
e puth përmbi kleka. 



LUMI 

Është udhëtar i nisur
nga e bjeshkës gushë,
me valët stolisur
deri poshtë në fushë.

Nga qyteti në fshat
nga fshati në qytet,
udhëtar i palodhur
pa përtesë rrëshqet.



LIQENI

Në Batllavën e vjetër
Pendë ngritën një herë,
Lumenjve t’Gollakut
U vunë frerë.

Çdo lumi i thanë :
- mjaft ke bredhë,
tani e tutje
do kesh tjetër rrjedhë!



UDHË E MBARË

Një shirit i zi
Shtrihet mes luginës,
Mes kodrash vazhdon
Dhe përmes lëndinës.

Dy binarë të pafund
njësoj të larguar,
kufi s’kanë askund
për t’u bashkuar.

Mbi ta  lokomotiva
rëndë trokëllin,
dhe fyelli i saj
me mall fishkëllon.

Me muaj, ditë e orë
hiq pa bërë bisht,
udhëtarë, nxënës, punëtorë
bart rregullisht.

Para stacionit
këta dy binarë 
botën e lidhin
me: Udhë e mbarë! 

Me tren udhëtojnë 
dhe hipin e zbresin,  
me zhurmë gjallërojnë
mbrëmjen dhe mëngjesin.

Ky tren i dëshirave
n’mot t’mirë, po dhe me erë
asnjëri pa pyetur
e merr, e sjell çdo herë.



HËNA

Kur bie muzgu i parë
fytyrë e hënës si pogaçe ndrin:
herë fytyrëplote, herë si drapër
hëna stolis gjithësinë.

Pa hënë s’do kish bukuri
Në verë, vjeshtë, dimër e behar,
Ajo terrin e zhdavarit
Dritë bën sa mijëra fanarë.



XIXËLLONJA

Xixëllonjë ti moj fenere,
jep sinjale në fillim vere;
dhe heq valle me kunadhe
skaj arave, nëpër livadhe

Xixëllonja xixëllinë, 
me fëmijët heq valle,
duart e njoma e arrijnë
pastaj u ndrit nëpër balle.



TRUMCAKU

Vera kaloi dhe vapa
iku vjeshta plot me shi,
sakaq dimri ia çatisi
me dëborë dhe me stuhi

Nga fërfëllizë e dëborës
të gjithë mbyllen si nën dry,
thuajse nuk do kush dimrin
ta shohë fare me sy...

Nga fërshëllimat e acarit
mbi pullaz pranë oxhakut,
dhembshëm dëgjohet në të rrallë
zë i ndrojtur i trumcakut. 

Është uritur i gjori
tëmotjet bora ka mbuluar,
dhe rrugët e fluturimit 
dimri ia ka ngatërruar.

Ciu, ciu, ciu
trumcaku cicëron
miqtë e tij dhe thërrimet
kështu pareshtur kërkon.

Sa hapet derë e shtëpisë
apo n’ahur dikush shkon,
trumcaku më flatër mpirë
atë ngathtë e shoqëron.

Një ditë me acar
me borën gjithkah shtruar,
e ftova trumcakun
bashkë për të drekuar.

Shpejt ai ma kuptoi dëshirën
afër sofrës erdh e u ndal,
sa çukiste thërrime buke
mua më bëhej zemra mal.

Sa mbushi gushën me bukë
lëvizte kokën si xhan,
sikur më tha faleminderit
e u katrith në tavan. 

Nga një kënd i dhomës n’tjetrin
herë n’dritare, mbi tavolinë,
me hare ai bredhërinte
gjithë gaz mbushi shtëpinë 

Mirëpo, me t’u hapur dera
cicëriu nja dy-tri herë,
sikur na tha lamtumirë
iku, fluturoi në erë...
___
Nga libri: "Qershia e pikëlluar".

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen