Tregim për fëmijë
Sot erdha në fshatin tim të lindjes, në Komogllavë. Sapo dola në oborrin e shtëpisë sonë të vjetër, sikur takova gjyshen edhe një herë. Eh, mezi i mbajta lotët. Për t’u ikur atyre, u lidha me kujtime. Para syve më erdhi gjyshja, si e gjallë. Gjyshja Ramize, që ishte dhe mbeti njeriu më i mirë që kam njohur. Edhe pse ka shumë vite qëkur nuk është në mesin tonë, dashuria e saj, fjalët e saj dhe qëndrimi saj më shoqërojnë kudo dhe më janë mësim e frymëzim.
Gjyshja e donte shumë stinën e verës. Me ardhjen e ditëve me diell e me gjelbrim, ajo sikur rinohej, fytyra i mbulohej nga një tis hareje e shkëlqimi, fjala i bëhej më e butë dhe një plotni jete mbushte secilën pore të trupit të saj. E rritur në kushte të rënda, ajo sikur kishte mbledhur mirësinë dhe dashurinë e gjithë botës. As edhe një herë të vetme nuk kam dëgjuar fjalë qortuese e hidhërimi nga ajo. Ndaj askujt.
Kur korrej gruri e vinte mielli i parë i atij viti në shtëpi, gjyshja gatitej të gatuante me dorën e saj, flinë e madhe, si e quante ajo gatesën me miell, gjalpë e ujë. Merrte e pastronte edhe një herë saҫin, rregullonte mbajtësen e tepsisë zgjedhte degët e thara dhe ulej e lutej. Mandej përgatiste qullin për flinë, e linte të pushonte e shkonte dhe bisedonte me secilin nga anëtarët e familjes, po më shumë ndalej me ne fëmijët, që grumbulloheshim nga e gjithë lagjja, për ta shikuar gatimin dhe ritualin me të cilin e shoqëronte këtë akt ajo. Kur ajo shkonte të vishte rrobat solemne të këtij ceremoniali, unë organizoja fëmijët dhe mblidhnim lule në livadh e rrethonim vendit rreth me tufa lulesh. Kur vinte dhe e shihte vendin të zbukuruar ashtu, gjyshja Ramize na përqafonte me radhë, na falënderonte dhe na jepte nga një sheqerkë, që i ruante gjithnonë në xhepat e padukshëm të rrobave të saj. Pastaj merrte tri-katër lugë nga qulli, i hedhte në një pjatëz të vogël dhe shkonte te dera e oborrit, ku thoshte një lutje e në pjesën e saj të epërme vizatonte një rreth, të cilit ia ngjiste edhe disa viza rreth e rrotull, në anën e jashtme. Ne e pyesnim se pse e bënte atë e ajo na thoshte se ashtu duhej, se prej se që mbahej mend ashtu ishte vepruar: me qullin e flisë së parë të të korrave të atij viti gjithnjë ishte vizatuar dielli me rreze, për të qenë shtëpia e sigurtë, e begatshme dhe njerëzit e saj të shëndoshë. Ndezte pastaj degët e thara, vënte mbi to saҫin, rregullonte tepsinë mbi mbajtësin trekëndësh dhe niste nga gatimi. Atëherë ne uleshim përreth dhe prisnim me padurim të piqeshin rendet e para të flisë e gjyshja të na i jepte në duar pjesët e ngrohta të flisë, secilit nga një copë dhe ne i hanim këndshëm e ëmbël, me një shije që kurrë tjetër nuk e kam ndjerë.
Kështu, nga vera në verë, ne prisnim me ëndje e me padurim ditën e flisë së madhe, vizatimin e diellit në derën e oborrit dhe shijen e rrallë ta gatesës nga gjyshja. Ne atëherë nuk e dinim se ashtu bëheshim pjesë e një rituali tejet të vjetër, që nga kohët më të lashta, të nderimit dhe adhurimit të diellit, që ishte besim ilir. Ashtu si nuk e denim se përse diej me rreze vizatoheshin në secilën derë të shtëpive të fshatit, kur aty gatuhej flija e parë.
Samstag, 4. Januar 2014
Freitag, 3. Januar 2014
Nga trashëgimia jonë - Gojëdhënat
Gojëdhënat
Gojëdhëna ose legjenda, është tregim i dalë nga mendja e krijuesit të panjohur (anonim), e bartur nga mbamendja dhe e treguar nga goja e popullit, gjatë shekujve. Zakonisht gojëdhënat u kushtohen personave ose dukurive me rëndësi që ndodhin apo që kanë ndodhur në rrjedhat e jetës së një vendi a të një populli. Me kalimin e kohës, këta persona apo dukuri mvishen me tipare të mistershme, u shtohet rëndësia dhe roli në atë mjedis dhe lidhen më shumë me jorealen. Kjo ndodh me persona dhe dukuri që kanë lënë gjurmë të thella në jetën e një shoqërie dhe janë bërë mësim e frymëzim për të tjerët. Të kthyera në gojëdhënë, ndodhitë dhe personazhat fitojnë apo aftësi dhe fuqi mbinatyrore, por duke mos e humbur lidhjen me të vërtetën, nga e cila kanë dalë. Edshe pse secila gojëdhënë ka një themel real, atyre nuk u dihet koha dhe vendi e në të cilin kanë ndodhur e janë zhvilluar. Aspekti i përmasave të ngjarjeve e bëmave të jashtëzakonshme në gojëdhëna lidhet me pamundësinë e njeriut për të njohur sa duhet dukuritë natyrore dhe shkaqet e tyre, kështu që shpjegimi për to gjendet në ndihmën e objeketit të mbinatyrshëm që i ka shkaktuar ose ndihmuar ato.
Besohet se nuk ka popull në botës që nuk i ka gojëdhënat e veta. Te shqiptarët gojëdhënat njohin shtresime të kohëve të ndryshme dhe në to kemi elemente të kohëve më të lashta, të iliriëve e të mesjetës, po edhe të ditëve tona. Nga më të lashtat janë ato gojëdhëna që lidhen me fiset, me të fuqishmit e fiseve që bëjnë vepra të mëdha e të pamundshme për të tjerët, duke kaluar te gojëdhënat për mbretëreshën Teuta; te gojëdhënat për ngrehjen e objekteve të mëdha, si kështjellat e urat; mandej te gojëdhënat për Skenderbeun e të tjera.
Edhe në kohën tonë krijohen gojëdhëna për njerëz e dukuri të caktuara. Sot ato krijohen nga shkrimtarët, kanë autorin e tyre, u dihet koha dhe vendi i fillimit, kështu që janë më të mundshme dhe më të lidhura me ngjarjet e dukuritë e kohës. Më afër gojëdhënave të lashta janë sot gojëdhënat për fluturimet në gjithësi, që bartin në vete etjen shekullore të njeriut për ta njohur, bërë të vetin dhe banuar kozmosin.
Legjenda e emrit shqiptar
Një djalosh kishte dalë për gjah, diku në malet e Shqipërisë. Një shqipe fluturoi sipër tij, dhe u ndal në majën e një shkrepi. Shqipja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në çapojt e saj një gjarpër. Mbas pak shqipja fluturoi nga shkrepi, ku kishte çerdhen. Djaloshi u ngjit atëherë në majë te shkrepit, dhe gjeti në çerdhe zogun e shqipes, i cili po luente me gjarpërin e mbytur. Por gjarpëri nuk ishte vërtetë i mbytur. Befas ai lëvizi, ngrejti kokën dhe nxorri thimthin që ta helmonte zogun. Në atë çast djaloshi nxorri harkun dhe vrau me shigjetë gjarpërin. Mandej ai mori zogun e shqipes dhe u nis drejt shtëpisë së vet. Befas ai dëgjoi mbi kokë zhurmën e krahëvet të shqipes.
"Pse ma grabite foshnjën?" - bërtiti shqipja.
"Foshnja është imja, sepse unë e shpëtova nga gjarpëri që ti nuk kishe mbytur me kohë" - u përgjegj djaloshi.
"Jepmë foshnjën time dhe unë të jap si shpërblim mprehtësinë e syve të mi dhe fuqinë e krahëve të mi. Ti do të jeshë i pamposhtur dhe do të quhesh me emnin tim!"
I riu i dha shqipes zogun e vet. Kur u rrit zogu, ai i sillej mbi krye djaloshit, që tashti ishte bërë burrë. Me harkun e vet ai mbyti shumë bisha të pyllit e me shpatën e vet preu shumë anmiq të vendit. Ndër të gjitha këto vepra shqipja i printe dhe e drejtonte.
I çuditun nga këto punë, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim. Ai e quajti Shqiptar, që do të thotë "Bir i Shqipes", dhe mbretëria e tij mori emnin Shqipni, që do të thotë "Vendi i Shqipeve."
Vat Losha dhe ora e tij
Vati po gjuante cjepër. Në errësirë e sipër ai u rrëzua nga një shpat, u plagos në njërën këmbë dhe humbi ndjenjat. Pasi erdhi në vete dhe jehona i zgjoi të therrurat në këmbë, ndezime një shkrepse një tufë bari dhe si për habinë e tij u gjend përpara një grupi femrash. Disa prej tyre ishin të bukura dhe kishin një ngjyrë të çelët në fytyrë, të tjerat ishin të shumtuara dhe me ngjyrë të zezë. Në largësi ai arrinte të shihte pishtarët e ndezur të shokëve të tij gjahtarë, të cilët ishin në kërkim të tij.
Përmes grupit të frikshëm të grave Vati deshte t’u binte në sy shokëve të tij që po e kërkonin, por sa më shumë që ai përpiqej, aq më shumë i ngushtohej rrethi, i cili e detyroi të binte në qetësi dhe të hiqte dorë nga përpjekjet për t’u vënë re nga gjahtarët e tjerë. Për të parë më mirë se kush ishin kundërshtarët e tij, ai hodhi në prushin e mekur dhe disa tufëza të tjera bari, kqyrri dhe njëherë përreth flakadanit, grupin e femrave dhe i pyeti disa prej tyre që i kishte afër, se kush po i binet në qafë?. “Ne jemi orët e njerzve, të bukurat janë orët e mira, të zezat janë ato të njerzve të këqinj. Nëqoftëse një njeri mëkaton atij i shfaqet papritmas fytyra e orës së tij”.
I plagosuri u nis padashje drejt lartësisë dhe aty vuri re, se shumë prej grave u ngjanin të afërmëve të tij. Lëvizja që kreu i lëndoi këmbën dhe ai gulçoi. Jehona iu përgjigj sërisht, por kësaj rradhe ajo nuk i ngjau e largët, përkundrazi, iu bë se ishte shumë afër. “kush rënkon këtu?” pyeti ai në ankth, po ato që më parë iu përgjigjën. “Ora jote, e cila para teje në të njëjtin vend u rrëzua”. Në atë çast Vat Losha humbi sërisht ndjenjat dhe u zgjua vetëm kur pishtarët e gjahtarëve i ndriçuan sytë.
Në fakt Vat Losha ishte me temperaturë, megjithatë klani i tij beson se ai vërtetë pa orën dhe foli me të.
__________
Përgatiti për Revistën "Bukureza": Rrahim Sadiku, shkrimtar
Donnerstag, 19. Dezember 2013
Përralla popullore shqiptare
Nga trashëgimia jonë
Përgatiti: Rrahim Sadiku, shkrimtarë
Përralla është format më të përhapura e më e njohura e prozës popullore, po edhe të prozës në përgjithësi. Me emërtimin përrallë emërtojnë krijimtarinë imagjinative popullore, tërësisht të trilluar, mbushur me plot fantazi e me elemente të çuditshme, me anë të të cilave gdhenden me fjalë mendimet, dëshirat, idetë e ëndërrimet e njerëzve, shpesh me veshje përditshmërie e ndanjëherë edhe me brendi alegorike të shprehjes. Përrallat gjithmonë janë të mbushura me figura, mitologjike e stilistike. Përrallat kanë të veҫantat e tyre dhe ato pothuaj asnjëherë nuk nisen nga ndonjë fakt i vërtetë apo me subjekt historik, që pastaj vishte me imagjinatë e legjendarizohet. Ato që nga fillimi janë trillim i plotë, edhe pse mbajnë lidhje të vazhdueshme me problem jetësore, me dukuri, me situata dhe me ҫështje filozofike, morale, shoqërore të jetës njerëzore.
Përrallat janë themeli i prozës artistike dhe kanë strukturë e plot elemente plotësuese dhe dalluese nga zhanret tjera të krijimtarisë. Ato janë të përhapura në gjithë botën dhe janë tepër të pëlqyera nga të gjitha shtresat dhe moshat e njerëzve. Ndodh kjo për për vlerat artistike, filozofike e didaktike që posedojnë. Mu për vlerat e tyre të gjithanshme, përrallat kanë tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve të fushave të ndryshme. Me studimin e përrallave merren folkloristët, etnografët, psikologët, letrarët e të tjerë. Etnografia e studion përrallën si dokument kulturor e historic, por edhe për rolin e saj të madh në shoqëri; psikologjia e sheh përrallën si shprehje të proceseve shpirtërore, ndërsa shkenca e letërsisë përpiqet të përcaktojë se ç'është ajo që e bën përrallën të jetë e veçantë brenda prozës gojore e ndikimin që ka ajo në rjedhat e mëvonshme letrare.
Roli i fantastikës edhe në tregime tek ne është shumë i madh, andaj përrallat shqiptare shquhen për larminë e fantazinë e tyre dhe për thurjet interesante të subjekteve. Me anë të tyre rrëfimtari popullor përpunon artistikisht dhe në mënyrë filozofike subjektin, elementet e realitetit duke krijuar një simbolikë të pasur. Pikërisht në këtë gërfshetim qëndron edhe një nga anët më të rëndësishme të përrallës. Veҫori kryesore e rrëfimit të përrallës është mënyra se si rradhiten episodet me qëllimin për ta mbajtur tensionin emocional deri në fund
Në përrallën tone triumfon e mira dhe përpjekjet e sakrificat e njerëzve, duke qenë ata kurdoherë i ndershëm dhe të vendosur të arrijnë në fund lumturinë, fitoren, shkëlqimin e të mires e trimërisë. Ky vizion optimist e realist e ka burimin te karakteri edukativ, tradicional dhe shumëdimensional i përrallës dhe shpreh soliditetin dhe qëndrueshmërinë e popullit përballë problemeve të jetës dhe vështirësive që dalin përpara.
Shumë folkloristë e studiuesë të tjerë i kanë mbledhur përrallat dhe i kanë botuar ato në vëllimet të vecanta. Në gjuhën shqipe kemi dhjetra vëllime me përralla popullore autokton, dhe shumë studime për to, si “Përralla”, “Përralla të zgjedhura”, “Të veҫantat e përrallave shqiptare” etj. Shumë shkrimtarë shqiptarë kanë shkruar tregime, nvela e romane, duke u mbështetur në përrallat popullore shqiptare.
Besa e Kostandinit
(Përrallë popullore)
Gjashtë e gjashtë dymbëdhjetë, Doruntina trembëdhjetë... Dhe fillon përralla. Ajo na tregon se na ishte njëherë e një mot një nënë shumë e mirë dhe i kishte dymbëdhjetë bijë shumë të hijshëm. Të trembëdhjetën kishte një bijë të bukur,më të bukur se të gjitha shoqet të gjitha, që ia thoshin emrin Doruntinë. Doruntina u rrit me përkëdhelitë më të mëdha të mundshme dhe na u bë vajzë që të mahniste me bukurinë e saj.
Me lumturi kaluan motet e shkuan e vasha u rrit e na u bë për t’u martuar. Mirëpo nga bujarët e atij vendi askush nuk e gëzoi. Të gjithë e dëshironin askush s'guxonte ta zërë nuse, sepse nuk e ndjente veten të zotin për ta marrë atë për shoqe të jetës. Atëherë na vjen një trim i largët; i mirë, i hijshëm, i fisëm dhe dërgon për shkesë dallëndyshen, që t'a kërkojë Doruntinën nuse. E ëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit e mëdhenj nuk donin t'ia jepnin, sepse trimi ndonëse i mirë e i fisëm, ishte nga një vend shumë i largët. Vetëm i vogli, Kostandini donte.
“T'ia japim zonja mëmë - thosh ai - se trimi është i mirë. Më ka hyrë në zemër.”
“Kostandin biri im, cfarë po thua ti kështu? - ia kthente e ëma. Aq larg do ma shpiesh Doruntinën time? Se në e daça për gëzim, për gëzim nuk do t'a kem; se në e daça për helm, për helm nuk do t'a kem.”
“Të jap besën zonja mëmë, se kur t'a duash ti Doruntinën, qoftë për gaz qoftë për helm, vete unë e t'a marr dhe do ta sjell në shtëpi!”
Mëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit u bindën: e fejuan dhe e martuan Doruntinën me trimin e largët. Bënë dasmë nëntë ditë. Të dhjetën trimi mori nusen e shkoi tek dheu i tij i largët. Mëma e vasha qanë me lot kur u ndanë ...
Shumë luftra u luftuan atë mot te dheu ynë, se kish ardhur i huaji t'a shkelte e t'a pushtonte. Të dymbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin e tyre dhe u vranë një pas një të gjithë. Kur iu vra djali i parë, mëma psherëtiu e tha:
“Biri im unë nuk kam helm e nuk do të të qaj, sepse ti re për dheun tënd e më mbeten dhe njëmbëdhjetë bij të tjerë për luftë.”
Kur iu vranë gjashtë, që të gjashtë trima e të dashur, ajo derdhi vetëm nga një lot për secilin e bëri vetëm nga një vajtim. Po kur nisën t'i vriten dhe të tjerët, mëmës iu këput zemra dhe lëshoi një psherëtimë të madhe sa uturoi tërë vendi :
“Mjerë unë, ç'helm i madh të mos kem Doruntinën pranë në këtë zi që më mbuloi shtëpinë!”
Kur u vra djali i fundit, Kostandini, mëma shkuli leshrat e bardha e thirri:
“Bobo, ç'vdekje, e nëmosura vdekje! Ti më more dymbëdhjetë bij e tani kush mund ta dijë a s'ma ke marrë edhe bijën time të vetme, bijën time të dëshiruarën!”
Kur agoi e shtuna e të vdekurve, mëma vajti te varret e të bijve. Dymbëdhjetë djem kish pasur, dymbëdhjetë varre kish tani... Mbi çdo varr ndezi nga një qiri e bëri një vajtim, po mbi varr të Kostandinit ndezi dy qirinj dhe bëri dy vajtime, qau me ngashërime dhe thirri tre herë:
“O biri im! O biri im! O biri im!...”
Edhe tri herë të tjera:
“O Kostandin! O Kostandin! O Konstandin!”
Pastaj u shemb përdhe, pushtoi gurin e varrit e u trua:
“Kostandin, o biri im, ku është besa që më dhe, se do ma sillje Doruntinën, tët motër? Besa jote vdiq bashkë me ty e kalbet në varr të zi!”
Kështu tha dhe e lau gurin me lotët e syve.
Në mesnatë Kostandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si nata. Edhe dheu i zi u bë shalë e zezë si nata. Rrotulla që mbante gurin u bë fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit, u përkul përpara, uli kryet dhe i ra me shporet. Kaptoi si frymë male e fusha, hodhi lumenj e përrenj, la prapa katunde, kodra , pyje... Kostandini arriti te shtëpia e motrës kur kish dalë dielli. Ajo ndodhi ditë e kremte. Në shesh, përpara shtëpisë, gjeti të bijtë e të motrës, nipërit e tij, që loznin e vraponin pas dallëndysheve. I pyeti:
“Bij të zemrës, ku është zonja, mëma juaj?”
“Kostandin, o zoti lalë, - i thanë ata - mëma jonë po hedh valle në fshat, atje tek bëhet dasmë.”
Kostandini shkoi shpejt tek vallja e parë, pa një luzmë vashash të bukura tek këndonin e vallonin dhe tha me vete :
"Të bukura jeni, moj vasha, por për mua nuk jeni, sepse unë s'jam nga kjo botë...".
Dhe u afrua të pyesë:
“Gëzuash, o vasha të bardha! A është me ju Doruntina, motra ime?”
“Shko përpara trim, se do ta gjesh tek kërcen hareshëm veshur me petk të ndritshm kadifeje.”
Kostandini vajti tek vallja e dytë dhe u mat të pyesë përsëri, po Doruntina e pa vetë dhe i thirri:
“Kostandin, o im vëlla!”
Dhe iu afrua e përqafoi. Kostandini i tha:
“Doruntinë, motra ime! Eja të shkojmë. Të do zonja mëmë në shtëp!”
“Më thuaj vëlla, si të vij unë atje? Po të më dojë për gaz, do të vete të marr stolitë më të mira, por po të më vajë, mos qoftë e thënë, a për helm, do vete të vishem me të zeza.”
“Eja motër, kështu si je!”
E mori në vithe të kalit. Kali ikën si shakullimë. Ata kapërcejnë si në ëndërr male e fusha, pyeje e kodra, lumenj e përenj. Hëna e yjet kanë shtangur lart e shikojnë me të drojtur. Gjatë udhës, motra e pyet vëllanë:
“Kostandin, vëllai im, përse shpatullat e gjëra të janë mbushur me myk?”
“Doruntinë, motra ime, shpatullat mi ka mbuluar tymi i shkatrrimeve që solli lufta. Se në vendin tonë u bënë luftra të mëdha, erdhën armiq të na shkelin dhe ne të gjithë dolëm të luftojmë.”
“Kostandin, vëllathi im, përse flokët e derdhura i ke gjithë pluhur?”
“Doruntinë motra ime, gjatë udhës kishte shumë pluhur dhe mi pluhurosi flokët.”
“Kostandin vëllathi im, përse vëllezërit e mi të bukur si drita, s'kanë dalë përpara të na presin?”
“Doruntinë, motra ime, ndoshta janë në lodër e s'presin të vemi sonte.”
“Kostandin vëllathi im, përse dritaret e shtëpisë janë mbyllur sot krejt?”
“Doruntinë motra ime, i kemi mbyllur se fryn erë e fortë e dimrit nga deti.”
Kur arrinë pranë kishës, Kostandini i tha motrës:
“Ti shko përpara se unë dua të hyj të përgjunjem!”
Kostandini shkoi e hyri prapë në varr të zi. Kali u bë prapë gur, shala u bë dhè dhe freri i argjendtë u bë rrotullë. Dhe përsëri reth e qark zotëroi heshtja e vdekjes. Ndërkaq Doruntina ngjiti shkallët dhe trokiti gazmend në derë.
“Mëmë, hapma derën!”
“Kush je ti që trokëllin aty tek dera?”
“Hapma zonja mëmë, jam jot bijë, Doruntina.”
“Ikë tutje nga ke ardhur o vdekje e shkretë. Ti mi more të dymbëdhjetë bijtë e tani ke ardhur të më marrësh dhe mua që të mos e shoh më Doruntinën time!”
“Ҫ'po thua ashtu zonja mëmë? Nuk ma njeh zërin? Besa zonja mëmë, jam unë vetë, Doruntina jote.”
“Ngul gishtin tek vrima e kyҫit që të ta shoh e të t'a njoh.”
Doruntina nguli gishtin e vogël tek vrima e kyҫit, atë gisht të hollë e të bardhë. Mëma ia njohu sakaq e i hapi derën.
“Kush të solli këtu, o zemra ime?”
“Më solli Kostandini, im vëlla.”
“Cili Kostandin, moj bijë? Kostandini im ka vdekur bashkë me të njëmbëdhjetë vëllezërit e tjerë. U vranë në luftë...”
Dhe ashtu si ngrin, ashtu si rinin të dyja, njëra tek praku e tjetra në derë, plasën si qelqi me verë...
Miti, mitikja dhe mitologjia
Përgatiti: Rrahim Sadiku, shkrimtarë
*Miti ka lindur me njeriun dhe ka mbetur shoqërues i pandashëm i tij.
*Fjala mit vjen nga greshiqshtja e lashtë: mythos, që do të thotë fjalë, ligjërim, e thënë. Fillimisht ai lidhej me besimet e popujve të vjetër, me legjendat që kishin krijuar ata për krijimin e botës, për dukuritë natyrore, për zotërat etj.
*Me kohë miti lidhet me shndërrimin e legjendave, heronjëve, ngjarjeve historike e të tjera, me ndikim në kulturën dhe zhvillimin e një p...opulli, nga e zakonshmja në të pazakonshmën e në imagjinaren. Kohëzgjatja e mitit kushtëzohet nga marrja e gjatë me të dhe kjo krijon mitikën e një populli.
*Të shumtën e rasteve, ngjarjet dhe ndodhitë e shndërruara në mit janë ato që lidhen me esencën e mbijetesës dhe zhvillimit të një populli a vendi.
*Ndikim të madh në kulturën botërore kanë patur mitet egjiptiane, babilonase, greke, romake, ilire etj.
*Te shqiptarët janë të njohur miti për mbretin Pirro, miti për kreshnikët, miti për Skënderbeun etj.
*Mitikja del nga miti dhe merr forma të besimit, të shpirtërores, të asaj që arrihet me mendje, me imagjinatë, po që gjithnjë shkon larg nga realja.
*Mitikja ushqen shpirtin e një populli, mbamendjen dhe kulturën e tij, duke u bërë kështu pjesë e pandarë e shpirtërores dhe kujtesës që jeton brenda atij populli.
*Mitologjia është shkencë e cila merret me studimin e miteve, duke ndjekur aspektin historik dhe kronologjik të dukurive që lidhen me mitin. Kjo shkencë, edhe pse këtë emër e merr shumë më vonë, njihet që nga koha e Rilindjes Evropiane, kur mitet greke dhe kultura antike greke shndërrohen në mit real për Evropën dhe ndikojnë në historinë, krijimtarinë dhe mendimin evropian përgjithësisht.
*Mitologjia shqiptare është veprimtari e re e shkencës kombëtare e botërore dhe deri diku ka shënuar rezultate të dukshme në studimin e mitit shqiptar dhe krahasimit të tij me mitet të popujve të tjerë.
*Miti ka lindur me njeriun dhe ka mbetur shoqërues i pandashëm i tij.
*Fjala mit vjen nga greshiqshtja e lashtë: mythos, që do të thotë fjalë, ligjërim, e thënë. Fillimisht ai lidhej me besimet e popujve të vjetër, me legjendat që kishin krijuar ata për krijimin e botës, për dukuritë natyrore, për zotërat etj.
*Me kohë miti lidhet me shndërrimin e legjendave, heronjëve, ngjarjeve historike e të tjera, me ndikim në kulturën dhe zhvillimin e një p...opulli, nga e zakonshmja në të pazakonshmën e në imagjinaren. Kohëzgjatja e mitit kushtëzohet nga marrja e gjatë me të dhe kjo krijon mitikën e një populli.
*Të shumtën e rasteve, ngjarjet dhe ndodhitë e shndërruara në mit janë ato që lidhen me esencën e mbijetesës dhe zhvillimit të një populli a vendi.
*Ndikim të madh në kulturën botërore kanë patur mitet egjiptiane, babilonase, greke, romake, ilire etj.
*Te shqiptarët janë të njohur miti për mbretin Pirro, miti për kreshnikët, miti për Skënderbeun etj.
*Mitikja del nga miti dhe merr forma të besimit, të shpirtërores, të asaj që arrihet me mendje, me imagjinatë, po që gjithnjë shkon larg nga realja.
*Mitikja ushqen shpirtin e një populli, mbamendjen dhe kulturën e tij, duke u bërë kështu pjesë e pandarë e shpirtërores dhe kujtesës që jeton brenda atij populli.
*Mitologjia është shkencë e cila merret me studimin e miteve, duke ndjekur aspektin historik dhe kronologjik të dukurive që lidhen me mitin. Kjo shkencë, edhe pse këtë emër e merr shumë më vonë, njihet që nga koha e Rilindjes Evropiane, kur mitet greke dhe kultura antike greke shndërrohen në mit real për Evropën dhe ndikojnë në historinë, krijimtarinë dhe mendimin evropian përgjithësisht.
*Mitologjia shqiptare është veprimtari e re e shkencës kombëtare e botërore dhe deri diku ka shënuar rezultate të dukshme në studimin e mitit shqiptar dhe krahasimit të tij me mitet të popujve të tjerë.
Samstag, 14. Dezember 2013
Hyjnitë ilire
Nga lashtësia jonë
Përgatiti: Rrahim Sadiku
Rrënjët e besimit ilir janë parahistorike, të lidhura ndoshta me një periudhë parailire, pellazgjike e më tej, po ajo që ka arritur deri te ne vjen nga epoka e neolitit (që shtrihet në vitet 6000- 2001para erës sonë) e ndoshta edhe më e hershme. Kurse periudha e që lidhet drejtpërdrejt me këtë popull të lashtë, tregon se qytetërimi ilir paraqet formacion organizativ, juridik dhe ushtarak, që luajti rol të veҫantë në zhvillimet kulturore e historike në Gadishullin e sotëm Ballkanik. Shkencëtarët kanë vërtetuar se mitologjia ilire dhe qytetërimi ilir u kanë dhënë shumë edhe qytetërimit dhe mitologjisë greke e romake.
Politeizmi është thelbi i besimit dhe e sistemit mitologjik ilir, gjë e kjo e përbashkët edhe me popujt tjerë të asaj kohe. Shumica e figurave tëbesimit ilir ishin njerëz me aftësi fizike e mendore shumëdimensionale, po shumë prej tyre kishin ishin të gërshetuar me qenie të tjera të fuqishme, por disa edhe kishin formë gjallesash të ndryshme, që flisnin, udhëzonin dhe shpërblenin ose ndëshkonin ata që kishin dashurinë ose mërinë e tyre. Edhe mbretërit ilirë, në mitologjinë popullore kishin tipare të hyjnive dhe kishin një vendqëndrim madhështorë, zyrtarosht të caktuar dhe të vënë në shërbim të shtetit ilir e të dinastisë që ishte në pushtet. Kishte edhe hyjni që ishin në trajtë drurësh (shkencërisht: dendromorfizmi) që është gjithashtu një tjetër formë e hershme e mitologjisë ilire. Pylli i shenjtë, që i kushtohet një hyjnie parakupton, së pari një kultëzim më të hershëm të vetë atij, pra, kemi jehona të dendromorfizmit.
Fakti që sot pjesa më e madhe e ish territoreve ilire banohet nga popuj që nuk kanë lidhje kulturore e shpirtërore me ilirët, dëmton shumë shkencat që merren me ilirologjinë, sidomos mitologjinë ilire. Ndodh kjo sepse ato vende tashti nuk kanë ndonjë interes të theksuar për të hulumtuar e studiuar trashëgiminë ilire dhe kjo ka ngushtuar mundësinë e hulumtimeve, studimeve e krahasimeve gjithandej ku kërkohte dhe është ngushtuar më tepër në territoret ku sot jetojnë shqiptarët, pasardhësit e ilirëve. Prandaj studimet e e lashtësisë ilire lidhen më shumë me trojet e sotme shqiptare, po deri diku edhe ato kroate, ku në disa segmente ende gjallëron vetëdija e prejardhjes ilire.
Hyjni të besimit Ilir Përgatiti: Rrahim Sadiku
Rrënjët e besimit ilir janë parahistorike, të lidhura ndoshta me një periudhë parailire, pellazgjike e më tej, po ajo që ka arritur deri te ne vjen nga epoka e neolitit (që shtrihet në vitet 6000- 2001para erës sonë) e ndoshta edhe më e hershme. Kurse periudha e që lidhet drejtpërdrejt me këtë popull të lashtë, tregon se qytetërimi ilir paraqet formacion organizativ, juridik dhe ushtarak, që luajti rol të veҫantë në zhvillimet kulturore e historike në Gadishullin e sotëm Ballkanik. Shkencëtarët kanë vërtetuar se mitologjia ilire dhe qytetërimi ilir u kanë dhënë shumë edhe qytetërimit dhe mitologjisë greke e romake.
Politeizmi është thelbi i besimit dhe e sistemit mitologjik ilir, gjë e kjo e përbashkët edhe me popujt tjerë të asaj kohe. Shumica e figurave tëbesimit ilir ishin njerëz me aftësi fizike e mendore shumëdimensionale, po shumë prej tyre kishin ishin të gërshetuar me qenie të tjera të fuqishme, por disa edhe kishin formë gjallesash të ndryshme, që flisnin, udhëzonin dhe shpërblenin ose ndëshkonin ata që kishin dashurinë ose mërinë e tyre. Edhe mbretërit ilirë, në mitologjinë popullore kishin tipare të hyjnive dhe kishin një vendqëndrim madhështorë, zyrtarosht të caktuar dhe të vënë në shërbim të shtetit ilir e të dinastisë që ishte në pushtet. Kishte edhe hyjni që ishin në trajtë drurësh (shkencërisht: dendromorfizmi) që është gjithashtu një tjetër formë e hershme e mitologjisë ilire. Pylli i shenjtë, që i kushtohet një hyjnie parakupton, së pari një kultëzim më të hershëm të vetë atij, pra, kemi jehona të dendromorfizmit.
Fakti që sot pjesa më e madhe e ish territoreve ilire banohet nga popuj që nuk kanë lidhje kulturore e shpirtërore me ilirët, dëmton shumë shkencat që merren me ilirologjinë, sidomos mitologjinë ilire. Ndodh kjo sepse ato vende tashti nuk kanë ndonjë interes të theksuar për të hulumtuar e studiuar trashëgiminë ilire dhe kjo ka ngushtuar mundësinë e hulumtimeve, studimeve e krahasimeve gjithandej ku kërkohte dhe është ngushtuar më tepër në territoret ku sot jetojnë shqiptarët, pasardhësit e ilirëve. Prandaj studimet e e lashtësisë ilire lidhen më shumë me trojet e sotme shqiptare, po deri diku edhe ato kroate, ku në disa segmente ende gjallëron vetëdija e prejardhjes ilire.
Iliri shtrihej edhe me kuptimin e hyjnishëm në mbarë Gadishullin Ilirik dhe është eponim i tërë popullit të lashtë e të madh ilir. Legjenda për të thot: "Iliri ishte biri i Polifemit dhe i Nimfës Galatea... Bijtë e Ilirit qenë Enkeleu, Autari, Dardani, Medi, Taulanti, Perrebi, kurse vajzat qenë Partha, Daortha, Dasara etj., nga kanë rrjedhur taulantët, perrebejtë, enkelejtë, dardanët, parthinët, dasaretët, daorsët, darsejtë e të tjerë... Thonë, se Autari pati për bir Panonin ose Paionin.
Redoni është hyjni madhore dhe qendrore, më kryesori përsa i përket shtrirjes në trevat ilire, ndihmëtar në ngritjen e qyteteve, frymëzues i kulturës dhe i lulëzimit të shtetit ilir. Atë e hasim në punime ikonografike, në të cilat ka formën e një djaloshi me një kapelë ilire, të dhënë në profil dhe shoqërohet me delfinin, si atribut i hyjnisë.
Medauri ishte hyni ilire e luftës. Në besimet ilire ishte shumë i rëndësishëm. Qendër e njohur e kultit të Medaurit ishte Rizoni, por ndoshta dhe varret monumentale në Selcën e Poshtme, ku janë të skalitura atributet e hyut, siç janë mburoja ilire me rrathët e saj koncentrikë karakteristikë dhe përkrenarja. Edhe për këtë hy kemi një paraqitje ikonografike. .
Medauri dhe Redoni kanë emra etnikisht ilirë.
Epidamni është hyjni i taulantëve, hero-kult, që mbahej si themelues të qytetit të tyre, Durrësit të sotëm, i cili ndërron shumë pas ardhjes së kolonistëve daorë, gjatë vitit 627 para erës sonë. Ai u kultëzua si krijues jo vetëm i qytetit, por edhe i gjenealogjisë legjendare të dinastisë mbretërore ilire me qendër qytetin dhe me arealin e tij të gjërë. Në shumë raste atë e kemi një hero vendas, jo një hyjni në kuptimin e vërtetë të fjalës. Krijimi i kultit të tij është në natyrën e krijimit të miteve të heronjve, të hyjnizimit të kultit të të parëve.
Dyrrahu sipas besimit ilir ishte nipi i Epidamnit. Atë e lindi Melisa, bija e Epidamnit, me hyun e detit. Në krahasim me gjyshin, Dyrrahu edhe lindjen e ka gjysëm të hyjnizuar. Një kohë Durrësi kishte emrin e të dyve, më tej emri Dyrrah u bë përfundimtar. Origjina e kultit të Dyrrahut vjen nga bota e mitologjisë detare, siç ka ndodhur me shumë legjenda të tjera ilire.
Melisa ishte Nimfë e shndërruar në bletë, e ëma e Dyrrahut. Kulti i saj ka qenë shumë i fortë te banorët ilirë të qytetit e të rrethinave. Aq e vërtetë është kjo, saqë në bregdet vendi ku sipas legjendës u bë bashkimi i saj me hyun e detit u quajt Melison. Figura e bletës është motiv ikonografik i dyrrahasve të vjetër, me të lidhet edhe vera e tyre e famshme e fermentuar prej mjalti,. Melisa është kult i lidhur me detin e njëkohësisht edhe një kult i pastokës bujqësore. Ky fakt i fundit e thekson karakterin autokton të kultit.
Kadmi është nga perënditë më të para ilire, i gjetur i vizatuar në një shkëmb te varret monumentale te Selca e Poshtme. Vizatimi fillimisht paraqet një kalorës ilir, hipur mbi kalë, me
armatim të dallueshëm ilirik dhe prapa krahëve ka figurën alegorike të një dragoi, që
përfaqëson mitin e Kadmit, që njihet edhe si mbret te fisi i Enkelejve. Kjo kryevepër në miniaturë e artit ilir, i takon shekullit III p.e.s.
Joni ishte i biri i Dyrrahut sipas të cilit quhej Durrësi i sotëm, por legjenda e Jonit i përket territorit të Ilirisë së Jugut dhe të Epirit ilir. Topografia e legjendës përfshin një hapësirë shumë të madhe.
Nesti ishte hyjni dhe emër i një lumi ilir. Ishte symbol i kultit të ujit te mesapët, në Italinë e Jugut.
Diana Kandave është hyjni shumë e nderuar e Kandavëve (fisi i njohur ilir). Në afërsi të parthinëve kandavët kishin një tempull të rëndësishëm , atë të Dianës, mbi rrugën Egnatia përbri shtegut në lindje të Skampës (Elbasanit). Në të vërtetë, topografia e përhapjes së këtij kulti është gjetur edhe te deokleasit (në Mal të Zi), ku në altar është bërë një kushtim kushtuar Dianës. Kurse kulti i Dianës (ky emër, siç e ka shtjelluar në një studim të tij Çabej, ka dhënë emrin Zana) te ilirët ka parasysh një hyjneshë vendase me emrin romak ose dhe me emrin grek Artemis. Disa relieve me përfytyrimin e kësaj hyjneshe vendase studiuesit i kanë lidhur me kultin e vegjetacionit, të pjellshmërisë, të stinëve.
Dioni Duali ishte hyjni e ilirëve paionë. Dijetarët i ka tërhequr vëmendjen cilësimi i tij, që është shpjeguar nga Jokli e Çabej me fjalën shqipe "dej, me u de". Në të parakuptohen edhe ceremonitë e karakterit dioniziak, ku njerëzit pinin, gëzonin dhe deheshin.
Derroni është hyjni e ilirëve peionë. Ky emër hyu është dhe në monedhat e mbretit Lykeu të këtij fisi, (rreth viteve 335-295 para erës sonë). Monedhat tregojnë një pendë qe. Çabej bën zbërthimin etimologjik të Derranit, duke e lidhur me një nënfis ilir, derranët, "një polem bujqish dhe e lidh edhe me shqipen "djerrë".
Dardania ishte hyjnia kryesore e Dardanisë. Atë e hasim në një mbishkrim të Dardanisë antike, në document latin,si "Dardaniae sacrum"). Kulti i Dardanisë është kult pajtor i tërë krahinës së madhe ilire.
Andini ishte hyjni e trevave dardane. Emri i tij është gjetur në një monument mermeri pranë Kaçanikut, në kufi të Dardanisë dhe të Maqedonisë. Emri futet në repertorin onomastik ilir.
Anzotika. Hyjneshë e liburnëve me atribute të hyjneshës së bukurisë dhe të dashurisë (Afërditës).
Emri i saj është skalitur në një monument në Flamonën e vjetër (Plomini i sotëm).
Ika. Nimfa e një lumi në Liburni (po dhe në Flamona), edhe kjo me atribute të Afërditës.
Lutossika. Përsëri emër nimfe i trevës liburne.
Latra. Nimfë e përafërt me nimfat e tjera të miteve liburne.
Sentona. Një nimfë tjetër lokale (e së njëjtës trevë).
Bindi njihet si hyjni kryesore e fisit ilir të japodëve.
Thana dhe Vidasi kudo na dalin si një çift hyjnor ilir, që dvshmohen në disa monumente të bëra nga ilirët.
Tadeni është hyjni e rëndësishme ilire. Për të është gjetur dëshmi në një altar sakrificash jo larg Sarajevës.
Mezana ka qenë hyjni supreme e daunëve dhe mesapëve dhe lidhet me fjalën shqipe, mëz, kalë i ri. Kjo është për arsyen, se ilirët i flijonin në kushtime e në ceremoni të veçanta kuaj.
Parthini ishte hyjnia kryesore i ilirëve parthinë, fis i rëndësishëm në afërsi të Durrësit, të mpleksur me sa duket edhe me taulantët dhe kjo ka ndikuar që shkencëtarët të besojnë se Parthini ka qenë hyjni e banorëve bregdetarë.
Drakoni dhe Drakena ishin çift hyjnish. Është shënuar fakti i ekzistencës së tyre në një mbishkrim i gjetur afër Shkupit.
Boa njihet si hyjni ilire në formë gjarpri.
Nutrika ishte yjneshë e ilirëve veriorë, mbrojtëse e fëmijëve.
Tato ishte hyjni e nderuar në trevat dardane.
Në shtyllëzat mbivarrore të Durrësit del shpesh në shekujt III – I p.e.s. emri Tato si ilir.
Dauni ishte hyjni e fisit të daunëve, që jetonin në trevat e sotme të Italisë dhe në besimet ilire është eponim i Daunisë, ndër hyjnitë më të vjetra ilire.
Logetët është emërtim që përdornin mesapët për motrat e fatit. Emërton hyjni me rrezatim e ndikim të gjithmbarshëm për trevat e gjëra ilire.
Në Dodonë lisi i shenjtë formonte, në fakt, një tempull në natyrë, ose, më saktë, një paratempull. Këtu nuk ishte kult vetëm lisi, druri i shenjtë, i cili më vonë u lidh me një hyjni të antropomorfizuar, supreme, siç qe Zeusi dodonas.
Një figurë njeriu të ulur, me pamje antropomorfe, quhet dëshmia e parë e ikonografisë së hyjnive ilire dhe mbetet e pranushme edhe deri në shekujt IV - I para erës sonë.
Hyjnia e lumit Vjosa gjithashtu ka pamje antropomorfe dhe ka dukjen e një plaku, me flokë e me
mjekër dhe i shtrirë.
Hyjni e gjetur në radhën e mbetjeve nga besimet ilire është edhe Sfinksi, nga shekulli III p.e.s. i cili paraqet një figure nga bronxi, me fytyrë të bukur femre, me krahë shqiponje e me kthetra luani. Është gjetur në mbetjet e qytetit ilir Antigonea.
Nga besimet ilire na vjen edhe një kokë hyjnie, e gdhendur në një gurë gëlqeror, që i takon shekullt V para erës sonë, e gjetur në Durrës.
Hyjni tjetër ilire Lembe, e cila paraqitet me formën e anijes tipike të lembëve ilirë, sipas së cilëve edhe e ka marrë emrin.
Figurë tjetër kafshe të shenjtë te ilirët ka qenë dhe kali. Shndërrimi i motiveve zoomorfe në floreale është vënë re në Iliri, por edhe në Thraki.
Figurë nga më kryesoret e regjionit të vjetër ilir është padyshim gjarpëri. Për rolin e kësaj kafshe të shenjtë, të kultizuar në një lak kohor bukur të gjatë, ka mbledhur një material të hollësishëm
Këngët popullore të djepit (ninulat)
Nga trashëgimia jonë
Përgatiti: Rrahim Sadiku
Këngët e djepit njihen edhe si Këngë të ninulave ose Këngë të nina-nanave. Ky lloj i këngëve përfshinë ato krijime popullore që u këndohen fëmijëve për t’i vënë në gjumë, po shpesh edhe për t’i qetësuar e afruar.
Këngët e djepit shprehin dashurinë e madhe prindore, gëzimin e harenë për praninë e fëmijës dhe kënaqvsive që i vinë prindit nga ai.
Përgjithësisht ato janë këngë të shkurtëra dhe u kushtohen fëmijëve të moshës më të njomë, pra të atyre që nëna me kujdesin më të madh u krijon kushte për të fjetur mirë, qetë e pa trazime. Këto këngë janë shumë të përhapura në të gjitha trojet shqiptare, po ato i gjejmë edhe në kulturën e të gjithë popujve të botës. Duhet cekur se shumica e këngëve të djepit janë improvizime, që nëna i krijon në prani të foshnjës dhe ato lidhen shpesh me gjendjen që ka fëmija në atë moment.
Këngët shqiptare të djepit fillojnë zakonishta me fjalët “Nina-nina bijën/birin o” (në veri të trojeve shqiptare dhe me: “nani-nani djalin/vajzën” (në jug). Në shumë raste këngët e djepit kanë në vete fjalë bukurtingëlluese, shpesh pa kuptim konkret, po që ndikojnë që fëmija të flerë sa më shpejt. Janë këto fjale te pashpjegueshme, po mund të jenë edhe emra njerezish e gjësendesh, që qetësojnë mendjen e fëmijës, pra gjumëndjellëse.
Duke i lexuar dëgjuar, kuptojmë se Këngët e djepit janë monologje intime poetike, me të cilat prindërit shprehin dëshirat që kanë për fëmijët e tyre, që zakonisht lidhen me shëndetin, urtësinë, dashurinë, trimërinë, jetën e gjatë e dëshira të tjera.
Mjetet artistike që përdorin krijuesit e këngëve të djepit janë nga më të ndryshmet, nga ato më të zgjedhurat, deri te ato krejt të rastit. Kemi në to figurat letrare që përdoren në të gjitha krijimet artistike, po më të shpeshtë janë krahasimi e personifikimi.
Ninullat janë tejet lirike dhe të përjetuara shpirtërisht. Nëna e krahason fëmijën e vet me gonxhen, me ylberin, me lulen e shegës, me mollën, me pëllumbin, me yllin e me shumë bukuri që e paraqesin fëmijën sa më të mirë. Janë të këndshme sidomos këngët kur gjumi paraqitet si një zog i bukur, pëllumb e bilbil, që vjen ta kënaqë fëmijën e ta ndihmojë të rritet.
Të pastë nana
Nina nana, nina, nina!
E shkofsh jetën me të mira,
dalsh në bjeshkë e në rudina,
të pastë nana ty zi yll,
si pëllum e trandafil,
me ja rue nanës dhent e dhitë
shpija jeme me u ba dritë
me u ba dritë plot begati,
lumja un’ qi t’kam ty.
Gjumi i amël
Nina nina birin tem
do t’baj bari me dhenë!
Nina nina, po t’perkuni
Birin tem me zan’ gjumi
Ma ze gjumi, gjumi i amël
do t’thejmë pershesh me tamël!
I madh si lisi
Nina nana
po t'perkuni
ty e bir’
me t’zan gjumi.
N’ gjum’ mu rrit,
Me na u dok dritë,
Me shkue te fisi,
I madh si lisi
Me u ungj ngat plakit,
N’krye të oxhakit.
Djali jem
Nina nana
Zemra m’knon,
i miri jem
me shok’ po shkon!
Nga djepi me dushk
përzihet me krushq
nga djepi me sanë
I ngon babë e nanë,
Me tesha t’kuqe,
Po i marrim nuse!
Tue thanë
Nina nana
tue thanë,
ti u rritsh
me babë e nanë.
Nina nana
n’djep me therra
Nisju nanes
se erdh vera,
Dil n’stan
me treqind shtjerra
Vjen nana me i mjel
Buk’ e ujë
nana të sjell,
nana po t’rrit ty
o bir per Shypni!
Nina- nina vajzës
Nina nina, vajzë e nanës
Mori cucë për bukuri,
U bafsh si lule për hjeshi,
Flej si qingj ҫohu si rrunxë,
Qingjja e nanës, nina ni.
Ti m’u rritsh e u fejofsh!
U martosh e u lulzosh!
Dalsh e para me bukuri,
U përmendsh-o për urti,
Bafsh dritë shpat ‘ëm shpat,
e t’shoqnoft i madhi fat.
Nina-nina ore plum’
Nina-nina ore pllum’
Flej se nana të do shum’.
T’i m’u rritsh mue fatlum
Fatlum o djal i ri
Dilli ty gjithmonë me t’pri.
Kur te rritesh o zamak
e gzon nanën në konak
Kur te rritesh djal im
zemer do m’dalsh trim
T’përkund nana
Nina nina gati mrrina.
Nina zana, t’perkund nana.
Nina nina t’qes ke mani
jo s’na merr murrani.
Lule t’qes ke molla
tutem se t’ze vdora
Lule t’qes ke pjeshka
lumja të ze vjeshta
Nina nina o more djalë
Ti m’u bafsh
për Shqipnin marë.
Nano nano djalënë
Nano nano djalënë
Se na zgjoi mëhallënë!
Kush e ka e kush e do
Kush e përkedhel kur do?
Djal’i vogël këto do
Lodrat edhe vallet-o!
O nanan, o nanan
Nenua t’u bëftë kurban
Që të ka e që të mban!
Ririri, ririri,
Kush të ka more flori
Ty të ka nenua në gji!
Nano nano djalënë
Që na zgjoi mëhallënë
Të ligat i mori lumi
Dhe i shpuri te Osumi!
Djalën na e zuri gjumi
Nano nano çupënë
Nano nano çupënë
Tatëpjetë fushenë
Merre gjumë, mbaje shumë,
Pastaj vinj e zgjonj unë,
Të flerë e te rritetë
të zgjonet e të ndritetë.
Ali Huruglica - Biografia dhe një cikël me poezi
Ali Huruglica
(1930 – 1996)
Njëri ndër poetët më të frytshëm dhe më risimtar të letërsisë shqipe, në lëminë e krijimtarisë poetike për fëmijë, Ali Huruglica, u lind në vitin 1930 në fshatin Gjyryshec të Dardanës. Fëmijërinë, deri në moshën 12 vjeçare, e kaloi në vendlindje, si bari. Babai i tij, Salihu, e mësoi të shkruante dhe të lexonte në gjuhën shqipe. Gjatë vitit 1942 u regjistrua në klasë të dytë të shkollës fillore “Bogdani” në Gjilan, ku përjetoi masakrën e njohur të Gjilanit. Në dhjetor të vitit 1944, ai dhe motra e tij 5-vjeçare, Taibeja, u detyruan të largohen nga Gjilani. Shkollën fillore arriti ta kryen tek në vitin 1948.
Pas përfundimit të shkollës fillore ai mori përsipër detyrën e mësuesit, të cilën e kreu me sukses për 24 vjet me radhë. Shkollën Normale dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Letërsisë Shqipe, i përfundoi në Prishtinë, pa shkëputje nga puna . Më vonë shkoi në Shkup, ku punoi si redaktor i revistave për fëmijë “Fatosi” e “Gëzimi”. Më 1973 u kthye përsëri në Gjilan dhe u punësua në bibliotekën e qytetit, ku punoi një kohë të gjatë.
Në Gjilan ka udhëhequr Klubin letrar “Dardania” të qytetit si dhe organizoi një shkollë letrare për fëmijë, me të cilët edhe nxori dy numra të revistës “Ylberi” dhe një libër më shkrime të vijuesve të kësaj shkolle “Libri që po shkruhet…”
Huruglica shumicën e veprave të tij letrare ua kushtoi fëmijëve, vdiq me 15 dhjeto 1996.
Krijimet e tij janë përfshirë në disa nga antologjitë e poezisë shqipe për fëmijë, po edhe në gjuhë të tjera.
Disa nga veprat e Ali Huruglicës:
“Zani i zamarës”, 1964
“Kaçuba”, 1966
“Ylli m’ka tregue”, 1967
“Kangët e plakut me lahutë”, 1968
“Pulëbardha’, 1968
‘Shkurtabiqi zemërartë”, 1968
“Zogu i bardhë”, 1969
“Xhita me yll”, 1969
“Kthimi në fëmijëni”, Shkup, 1971
“Bilbili i gëzimit”, 1971
“Qershia me çadër”, 1973
“Këngët e shkronjave” (bashkë me Fejzi Bojkun), 1973
“Vjersha të zgjedhura”, 1976
“Princi i trandofilave”, 1977
“Dreri në mal” 1989
“Jastëku i ëndërrave”, 1996
PËRSHËNDETJA E NJË FËMIJE
Sot duke ecur nëpër trotuar
M’u afrua një fëmijë
Duke buzëqeshur si lule
Më përshëndeti me zë bilbili
Në zemër më këndoi një shpend i bardhë
Dhe në ballë më çeli trëndafili.
KOPSHTI
Do t’i mbledh
Të gjitha buzëqeshjet e fëmijëve,
Do t’i mbledh
Të gjitha buzëqeshjet e nënave,
Do t’i mbledh
Të gjitha buzëqeshjet e luleve
Dhe me to do t’i stolis
Faqet e mia.
BARKA VELËBARDHË
Kur ti vrapon
Pas fluturave të gjumit...
Atëherë nëpër syrin tënd
Nëna joto lundron, o bir,
Me barkën velëbardhë,
Me barkën velëbardhë...
LULJA NË KARRO
Lulen e shëtitë nëna
Me karro nëpër hije;
Zogjtë këndojnë n’degë:
- Çfarë bukurije!
Hëna ia paska falë f’tyrën,
Lulet – kësulën,
Fustanin – ylberi,
Lum nëna për lulen!
Plakat e shikojnë
Dhe ja bëjnë me dorë...
Lulja shkrihet në buzëqeshje
Dhe ua falë t’gaztën kurorë.
RRËFIMI I MËSUESIT PËR PESËSHEN
Kur ndonjë fëmije
I vë pesëshe në ditar,
Për mua këndon shpendi më i bukur
Dhe dielli më lanë me rreze vizëllimi.
Kur ndonjë fëmije
I vë pesëshen e kuqe në fletore,
Atëherë shndërrohem në pëllumb të bardhë
Dhe fluturoj mbi fushat e mia të blerta.
ZONJA E SHTËPISË
QË FSHIN ME FSHISË
Nëna e sëmurë,
Kata zonjë e shtëpisë,
Gatuan, pastron
Dhe fshin me fshisë:
Vëllathin e lanë:
Kllum, kllum!
E hap kutinë
Dhe çkllap një llokum!
E zien gjellën
I qet biber,
Dhe vëzh, vëzh
Me grushta ha sheqer!
Macës i jep
Qumësht me pjatë,
E kllap çkllap!
Han një çokollatë.
Në krua mbush
Ujë me bokall,
Kur kthehet
Fësht! një portokall.
Nëna prej shtratit
Thërret: - Katë, Katë!
Ajo nuk e ndien
Se pi limonatë.
Sa e shpejtë Kata!
Punët kryen filhall...
Derisa t’shërohet nëna
Shtëpia tangall...
Ç’BËN TANI DRERI NË MAL
Koftori po këndon ngadal, ngadal...
Athua ç’bën tani dreri i vogël në mal?
Bora bie e era fryn e fryn...
Ndoshta ai atje tani mërdhin?!
Errësirë e madhe. Natë pa hënë!
Ndoshta sonte asgjë s’ka ngrënë?
Dreri ndoshta s’ka gjetur strehim?
Po më dhimbset si biri im.
Koftori po këndon ngadal, ngadal...
Athua ç’bën tani dreri i vogël në mal?
ZOGU I VOGËL
Degën e blertë
Po e përkund puhia,
Në të zogu i vogël
Po flen si fëmija.
Nën degë – burimi
Ëmbël po gurgullon,
Zogut të vogël
Ninulë po i këndon.
LEPURI
Asnjë ditë s’kam guxuar
Të shtrihem nëpër blerime
Asnjë natë s’kam bërë gjumë të qetë
Në strolullën time.
Çdo herë më është dashtë
Ta fsheh fërkemin,
Që të mos më bien në erë.
Asnjëherë s’jam gëzuar
Për të bukurën pranverë.
Por tani jetoj pa frikë
Se njëmijë fëmijë trima
I kam rojtarë
Qe afër shkollës
Prej tyre s’guxon të afrohet
Asnjë zagar.
FLUTURA
Unë jam
Kordela e blertë
Në flokët e mëndafshta
Të çupëzave
Buzëgaze.
Unë jam
Kravata e shkruar
Në qafat shtalbe
Të çunave
Zemërbardhë.
KETRI
Jam larg fshatit,
S’jam më në lëndina e shpatia.
E kur të kuqëlohet lajthia
Më trego, lum fëmija!
________
Prezantimin e përgatiti shkrimtari Rrahim Sadiku
Për fotografinë e shkrimtarit A.Huruglica, e falënderojmë poetin Sinan Sadiku
Abonnieren
Posts (Atom)






