Sonntag, 10. August 2014

Agim Metbala - Aforizma për fëmijët

- Aty ku paraqitet FËMIJA - në rrënjë katrore, shtohet DASHURIA!
- Fëmija dhe dielli, janë shumë identik, të dytë lëshojnë nxehtësi or mik!
- Buzëqeshja e fëmijës, shëron edhe zemrat e sëmuar!
- Fëmijës vërtet i ka hije LLASTISJA!
- Nipat dhe mbesat, janë qenie që të bëjnë të lumtur në çdo çast!
- Çdo gjyshe dhe gjysh, në nipat dhe mbesat, shofiin ringjallje!...

- Nëse dëshiron të çmallesh me bisedë të sinqertë – shko në çerdhe të fëmijëve!
- Ka njeri në këtë botë që nuk do fëmijën dhe qengjin?
- Fëmijëve më me vlerë është t’u japish edukatë se sa t’u lësh dukatë!
- Çdo fajqë bënë fëmija, bënë nga loja e jo nga mëria!
- Djallëzinë, mos e kërkoni tek fëmijët, atë e gjeni në mesin e të rriturve!
- Syri i fëmijës është si dielli që vazhdimisht rrezon!
-Nëse jeni përmalluar për sinqeritet – shkoni e bisedoni me një vogëlush/e!
- Në çastin kur të lodheni nga idiotizmat e të rriturve, ju preferoj ta vizitoni çerdhen e fëmijëve!
- Çdo fëmi, është llambadar në familje!
- Libri është fanar që vazhdimisht ta ndriçon rrugën përpara!
- Buzëqeshja e fëmijës, i ngjan shumë diellit – tërë dhomën e mbushë me nxehtësi!
- Sherret e fëmijës – janë gëzimet e prindërve!
- Fëmija është burim i pashtershëm i gëzimeve në një familje!
- Fëmija i ngjan frenës që zbraps prindërit në shumë veprime negative!
- Fëmija dhe hëna, janë shumë identik – për çdo kë bëjnë dritë njësoj or mik!
-Toleroje maksimalisht secilin fëmi – me kamatë, do t’i kompensoj të mirat në pleqëri!
- Fëmija është si kamerë e fshehur, vetëm incizon e incizon me mall, në pleqëri ta pregatit filmin dokumentar!
-Lum ai poet që shkruan për fëmijë – do të mbetet i “gjallë” deri në përjetësi!
- Edhe poezitë më të fuqishme për të rritur, mund t’i ha koha – vjersha për fëmijë, nuk vdesin kurrë!
- Fëmija ka brishtisinë e vesës, bukurin e engjëllit – kujdes të vazhdueshëm, lëndohet lehtë!
-Kur qeshë fëmia, bota merrrë pamjen e mrekullueshme!
- Kushdo që i krijon vuajtje një fëmije, është monstrum në këtë botë e djall në botën e amshueshme!
- Shpirti i fëmijës është i pastër si fjollat e borës në qiell!

Freitag, 6. Juni 2014

Mentor Thaqi - Vjersha për fëmijë


VDEKJA NUK ËSHTË HESHTJE
(Mbretit Agron dhe Lyrës Ilire)

Gresë, moj mbesë,
Mbreti Agron, thërret,...

na e merr atë Lyrë,
kënaqësisë i jepë ngjyrë
dhe freski si vesë,
shpirtit plot shëndet,
qeshjen në fytyrë
na e bën shembëlltyrë!

Si urdhëron, Mbreti im,
e kam shumë për nderë,
me Lyrë dhe këngë
të të sjellë kënaqësi,
o Fisnik, Mbret-Trim,
arti ynë merr vlerë
dhe zbutë atë brengë,
Art në Iliri!

O Zonja e Madhe Teutë,
ti, Mbretëresha ime,
eja këtu pranë meje
dhe ia puthi duart,
do të vdes i sigurtë
se k´të Mbretëri Sublime
të udhëhequr prej teje
e kemi Muranë të Gurtë!

Nën tingujt e Lyrës
dhe këngën e Gresës,
Mbreti mbylli sytë,
dha shpirtë me buzëqeshje,
një shkëlqim fytyrës
dhe bindjen e shpresës,
Mbretëreshën te kryet,
jo, vdekja nuk është heshtje!

VS., 06.06.2014

 
FLAMURI
 
Në ngjyren tënde t´kuqe,
gjaku rrodhi gurrë,
s´e shlyen dot shekujt me huçe,
as do e shlyejn kurrë!

Pranë teje, i fortë ndjehem,
mendoj të matem me Qiellin,
në shpirtë as mendje s´thehem,
fytyrëshkëlqimi matet me Diellin!

Të don shumë Arbër Guri,
Flamur, ti që pushtove vendin,
më së shumëti të don Flamuri,
njëri tjetrit i morët emrin!

VS., 06.06.2014

 
JAM UNË, VETVETJA

Nuk mund t´jem një tjetër,
jam plotësisht i bindur,
në gjenin tim të vjetër,
ashtu si jam lindur!

Dhe, kam një traditë,
atë të të parëve,
lojëra, mësim e rritë,
n´rrënjë t´lashta t´shqiptarëve!

Nëna më thotë, djalë,
babai më thotë, je burrë,
ah, sa t´ëmbla k´to fjalë,
nuk do t´i harroj kurrë!

Vashëzat më thonë trim,
çunat më thonë trimosh,
jo, nuk kanë guxim
të më quajn sarhosh!

VS., 06.06.2014

 
EDHE UNË JAM FËMIJË

Edhe unë, jo sall sot jam fëmijë,
fëmijë, sa i rritur, poaq i pa rritur,
e dua shumë lojen e bukur në fëmijëri
dhe mundësinë e mësimit për të ditur!

E flas në dy forma njëgjuhësinë shqipe,
të shtëpisë, si dhe atë të shkollës,
i kam dhe dua ëndërrat e mia magjike,
dhe të kuqtë e faqes si të mollës!

E dua padjallëzinë time të kthjelltë,
njësoj si fëmijët e tjerë të mbarë Botës,
ngrohtësinë rrezuese njerëzore të dielltë,
si në Familje, në zemër të Votrës!

Paj, edhe unë sot jam një fëmijë,
por, jo sall sot me Një Qershor,
gjithë fëmijëve iu dëshiroj fëmijëri,
të bukur, të bekuar nga Hyu-Hyjnor!

VS., 01.06.2014

 
PSE JO BABADIMËR SHQIPTAR?!

N´tirçi
me dy palë gajtana,
shall e shokë, …
Antikës-Iliropellazgjikës
ia rikthen Kodin,
vlerën,
ia ndalë ekzodin,
ia rihapë derën!
Paj,
kënaqësi ka syri,
shije ka ëndja,
dhe, ec e ndali
legjendat tevona
në ushqimshpirti brezash,
zhgëndërr bëhet ëndërra!
Po po,
pse t´mos jetë
ashtu si ishte,
bile edhe para Noas
dhe, t´mos ketë
çfarë kishte,
etapave të kohës,
e ne me dhurata
e urata,
në Etapa
jetëgjata?!
Epo,
le të jetë,
le të ketë
kuptim përjetë,
n´shpirtë e mendje,
t´ruhet me ëndje!
Paj,
edhe fantazitë
sjellin mrekullitë!

VS., 26.12.2011 


NDAL DISKRIMINIMIT NJERËZOR!

(Në respekt njerëzor edhe për ata me Sindromin DOWN, jo të diskriminohen)

Jo jo, mos i quani mongoloid,
thjeshtë, pjesa tjetër e Shoqërisë,
do ishte emër fyes, tepër perfid,
do ishim të padrejtë ndaj Perëndisë!

Po i quajm njerëz me të meta!
Po cili nga ne është pa to?!
Shpesh, e padrejtë është vetë Jeta,
me aftësi të kufizuara, ne jemi kudo!

Ska klasë të parë, të dytë, të tretë,
ky do ishte dhe një Diskriminim,
të barabartë, para Zotit vetë,
Dhuratë Jetën, na e dha me Bekim!

Jemi njerëz, andaj, borxh ua kemi,
pjesës tjetër që ka vështirësi,
n´shtëpi, n´shkollë, n´rrugë, ku të jemi,
si Shtet, Komb, Popull, Shoqëri!

Janë t´përvuajtur, të pa djallëzuar,
i bëjnë përpjekjet me mundësi t´veta,
t´ua pakësojmë dhimbjet, ti bëjmë t´gëzuar,
mos të lejojmë të i dënoj jeta!

Ata kanë të Drejtën e Shkollimit,
do duhej t´ua japim edhe mundësinë,
të rishikohen edhe mundësitë e punësimit,
se janë të denjë të ndihmojnë Shoqërinë!

Nuk kanë nevojë për bashk-keqardhje,
as për kuje, lëmoshë, vaj dhe ndjeshmëri tjetër,
duhet të jenë në mes të të barabartëve,
të dëshmohet, jo me fjalë por me vepër!

Dhe, 21 Marsi, Dita e parë e Pranverës,
po quhet si Dita e të Hendikepuarve,
le të mbetet edhe Dita jonë e Ndërgjegjes,
që të mos ketë Shtresë të diskriminuar!

Të i ruhemi ofshamës së tyre, lotit...
që t´mos vuajn për çështje ekzistenciale,
përkrahja, ndihma, mirëkuptimi para Zotit,
janë Vepra Njerëzore e Hyjnore Kolosale!

Motra dhe vëllëzër, sot është Dita juaj,
Ditë e Familjeve dhe Shoqërisë që i kanë,
ta shënojmë të devotshëm, mundësisht t´gëzuar,
janë pjesa tjetër jonë, thjeshtë njësoj si ne janë!

VS, 20.03.2011

Samstag, 22. Februar 2014

Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha, talente që premtojnë.

Dy talente që premtojnë
AGNESA HASI DHE MELISA BERISHA
·         Ato shkëlqyen me zërin e tyre të magjishëm.
Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha, janë dy vajza anëtare të Shoqatë „17 Shkurti“ që vepron në Baden të Austrisë.  Ato janë aktive dhe shumë të talentuara. Qe të dyja marrin pjesë në vallet e kësaj shoqate, të cilat me mjaft përkushtim i përgatitë koreografja e vyer Diellza Turkaj. Agnesa dhe Melisa janë të rregullta në ushtrime, janë shumë të sjellshme dhe i marrin seriozisht këshillat e koreografës dhe anëtareve me të moshuar të shoqatës. Kjo edhe është arsyeja që të gjithë i duan dhe flasin fjalë të mira për to.
Në manifestimin e mbajtur nga kjo shoqate me rastin e 6 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Baden, më 15 shkurt 2014, Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha u prezantun me sukses edhe si soliste. Ato befasuan të pranishmit me zërin e tyre të fuqishëm. Edhe pse të reja në moshë, ato shkëlqyen në skenë. Paraqitja e tyre me këngët „Moj Kosovë sa fort të dua“ dhe „Xhamadani vija-vija, ishte shumë dinjitoze. Me zërin e tyre të magjishëm, me sharmin, me qëndrimin e lirië dhe lëvizjet e akorduara , me komunikimin vizuel ndërmjet veti dhe me interpretimin duke vallezuar, ato fituan simpatinë e publikut dhe morën shumë duartrokitje.
Prandaj, me plot bindje mund të themi se, këto dy vajza talente premtojnë shumë. Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha, mund të jenë e ardhmja e shoqatës „17 Shkurti“ të Badenit. Ato, bashkë më anëtaret tjera të kësaj shoqate, mund të prezantohen lirshëm edhe në veprimtari tjera kulturore të diasporës dhe në vendlindje. Emrat e tyre duhet mbajtur mend. E ardhmja e tyre është e ndritur. Dhe pjse jo?! Ato mund të jenë dy nga solistet që së shpejti mund ta nderojnë skenën e muzikës shqiptare. Ndaj e meritojnë urimin, përpara dhe suksese!
Haxhi Muhaxheri
Austri, 17 shkurt 2014

Samstag, 4. Januar 2014

Rrahim Sadiku - Riti i flisë

Tregim për fëmijë

Sot erdha në fshatin tim të lindjes, në Komogllavë. Sapo dola në oborrin e shtëpisë sonë të vjetër, sikur takova gjyshen edhe një herë. Eh, mezi i mbajta lotët. Për t’u ikur atyre, u lidha me kujtime. Para syve më erdhi gjyshja, si e gjallë. Gjyshja Ramize, që ishte dhe mbeti njeriu më i mirë që kam njohur. Edhe pse ka shumë vite qëkur nuk është në mesin tonë, dashuria e saj, fjalët e saj dhe qëndrimi saj më shoqërojnë kudo dhe më janë mësim e frymëzim.
Gjyshja e donte shumë stinën e verës. Me ardhjen e ditëve me diell e me gjelbrim, ajo sikur rinohej, fytyra i mbulohej nga një tis hareje e shkëlqimi, fjala i bëhej më e butë dhe një plotni jete mbushte secilën pore të trupit të saj. E rritur në kushte të rënda, ajo sikur kishte mbledhur mirësinë dhe dashurinë e gjithë botës. As edhe një herë të vetme nuk kam dëgjuar fjalë qortuese e hidhërimi nga ajo. Ndaj askujt.
Kur korrej gruri e vinte mielli i parë i atij viti në shtëpi, gjyshja gatitej të gatuante me dorën e saj, flinë e madhe, si e quante ajo gatesën me miell, gjalpë e ujë. Merrte e pastronte edhe një herë saҫin, rregullonte mbajtësen e tepsisë zgjedhte degët e thara dhe ulej e lutej. Mandej përgatiste qullin për flinë, e linte të pushonte e shkonte dhe bisedonte me secilin nga anëtarët e familjes, po më shumë ndalej me ne fëmijët, që grumbulloheshim nga e gjithë lagjja, për ta shikuar gatimin dhe ritualin me të cilin e shoqëronte këtë akt ajo. Kur ajo shkonte të vishte rrobat solemne të këtij ceremoniali, unë organizoja fëmijët dhe mblidhnim lule në livadh e rrethonim vendit rreth me tufa lulesh. Kur vinte dhe e shihte vendin të zbukuruar ashtu, gjyshja Ramize na përqafonte me radhë, na falënderonte dhe na jepte nga një sheqerkë, që i ruante gjithnonë në xhepat e padukshëm të rrobave të saj. Pastaj merrte tri-katër lugë nga qulli, i hedhte në një pjatëz të vogël dhe shkonte te dera e oborrit, ku thoshte një lutje e në pjesën e saj të epërme vizatonte një rreth, të cilit ia ngjiste edhe disa viza rreth e rrotull, në anën e jashtme. Ne e pyesnim se pse e bënte atë e ajo na thoshte se ashtu duhej, se prej se që mbahej mend ashtu ishte vepruar: me qullin e flisë së parë të të korrave të atij viti gjithnjë ishte vizatuar dielli me rreze, për të qenë shtëpia e sigurtë, e begatshme dhe njerëzit e saj të shëndoshë. Ndezte pastaj degët e thara, vënte mbi to saҫin, rregullonte tepsinë mbi mbajtësin trekëndësh dhe niste nga gatimi. Atëherë ne uleshim përreth dhe prisnim me padurim të piqeshin rendet e para të flisë e gjyshja të na i jepte në duar pjesët e ngrohta të flisë, secilit nga një copë dhe ne i hanim këndshëm e ëmbël, me një shije që kurrë tjetër nuk e kam ndjerë.
Kështu, nga vera në verë, ne prisnim me ëndje e me padurim ditën e flisë së madhe, vizatimin e diellit në derën e oborrit dhe shijen e rrallë ta gatesës nga gjyshja. Ne atëherë nuk e dinim se ashtu bëheshim pjesë e një rituali tejet të vjetër, që nga kohët më të lashta, të nderimit dhe adhurimit të diellit, që ishte besim ilir. Ashtu si nuk e denim se përse diej me rreze vizatoheshin në secilën derë të shtëpive të fshatit, kur aty gatuhej flija e parë.

Freitag, 3. Januar 2014

Nga trashëgimia jonë - Gojëdhënat


Gojëdhënat

Gojëdhëna ose legjenda, është tregim i dalë nga mendja e krijuesit të panjohur (anonim), e bartur nga mbamendja dhe e treguar nga goja e popullit, gjatë shekujve. Zakonisht gojëdhënat u kushtohen personave ose dukurive me rëndësi që ndodhin apo që kanë ndodhur në rrjedhat e jetës së një vendi a të një populli. Me kalimin e kohës, këta persona apo dukuri mvishen me tipare të mistershme, u shtohet rëndësia dhe roli në atë mjedis dhe lidhen më shumë me jorealen. Kjo ndodh me persona dhe dukuri që kanë lënë gjurmë të thella në jetën e një shoqërie dhe janë bërë mësim e frymëzim për të tjerët. Të kthyera në gojëdhënë, ndodhitë dhe personazhat fitojnë apo aftësi dhe fuqi mbinatyrore, por duke mos e humbur lidhjen me të vërtetën, nga e cila kanë dalë. Edshe pse secila gojëdhënë ka një themel real, atyre nuk u dihet koha dhe vendi e në të cilin kanë ndodhur e janë zhvilluar. Aspekti i përmasave të ngjarjeve e bëmave të jashtëzakonshme në gojëdhëna lidhet me pamundësinë e njeriut për të njohur sa duhet dukuritë natyrore dhe shkaqet e tyre, kështu që shpjegimi për to gjendet në ndihmën e objeketit të mbinatyrshëm që i ka shkaktuar ose ndihmuar ato.
Besohet se nuk ka popull në botës që nuk i ka gojëdhënat e veta. Te shqiptarët gojëdhënat njohin shtresime të kohëve të ndryshme dhe në to kemi elemente të kohëve më të lashta, të iliriëve e të mesjetës, po edhe të ditëve tona. Nga më të lashtat janë ato gojëdhëna që lidhen me fiset, me të fuqishmit e fiseve që bëjnë vepra të mëdha e të pamundshme për të tjerët, duke kaluar te gojëdhënat për mbretëreshën Teuta; te gojëdhënat për ngrehjen e objekteve të mëdha, si kështjellat e urat; mandej te gojëdhënat për Skenderbeun e të tjera.
Edhe në kohën tonë krijohen gojëdhëna për njerëz e dukuri të caktuara. Sot ato krijohen nga shkrimtarët, kanë autorin e tyre, u dihet koha dhe vendi i fillimit, kështu që janë më të mundshme dhe më të lidhura me ngjarjet e dukuritë e kohës. Më afër gojëdhënave të lashta janë sot gojëdhënat për fluturimet në gjithësi, që bartin në vete etjen shekullore të njeriut për ta njohur, bërë të vetin dhe banuar kozmosin.

 

Legjenda e emrit shqiptar

Një djalosh kishte dalë për gjah, diku në malet e Shqipërisë. Një shqipe fluturoi sipër tij, dhe u ndal në majën e një shkrepi. Shqipja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në çapojt e saj një gjarpër. Mbas pak shqipja fluturoi nga shkrepi, ku kishte çerdhen. Djaloshi u ngjit atëherë në majë te shkrepit, dhe gjeti në çerdhe zogun e shqipes, i cili po luente me gjarpërin e mbytur. Por gjarpëri nuk ishte vërtetë i mbytur. Befas ai lëvizi, ngrejti kokën dhe nxorri thimthin që ta helmonte zogun. Në atë çast djaloshi nxorri harkun dhe vrau me shigjetë gjarpërin. Mandej ai mori zogun e shqipes dhe u nis drejt shtëpisë së vet. Befas ai dëgjoi mbi kokë zhurmën e krahëvet të shqipes.
"Pse ma grabite foshnjën?" - bërtiti shqipja.
"Foshnja është imja, sepse unë e shpëtova nga gjarpëri që ti nuk kishe mbytur me kohë" - u përgjegj djaloshi.
"Jepmë foshnjën time dhe unë të jap si shpërblim mprehtësinë e syve të mi dhe fuqinë e krahëve të mi. Ti do të jeshë i pamposhtur dhe do të quhesh me emnin tim!"
I riu i dha shqipes zogun e vet. Kur u rrit zogu, ai i sillej mbi krye djaloshit, që tashti ishte bërë burrë. Me harkun e vet ai mbyti shumë bisha të pyllit e me shpatën e vet preu shumë anmiq të vendit. Ndër të gjitha këto vepra shqipja i printe dhe e drejtonte.
I çuditun nga këto punë, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim. Ai e quajti Shqiptar, që do të thotë "Bir i Shqipes", dhe mbretëria e tij mori emnin Shqipni, që do të thotë "Vendi i Shqipeve."

 

Vat Losha dhe ora e tij
Vati po gjuante cjepër. Në errësirë e sipër ai u rrëzua nga një shpat, u plagos në njërën këmbë dhe humbi ndjenjat. Pasi erdhi në vete dhe jehona i zgjoi të therrurat në këmbë, ndezime një shkrepse një tufë bari dhe si për habinë e tij u gjend përpara një grupi femrash. Disa prej tyre ishin të bukura dhe kishin një ngjyrë të çelët në fytyrë, të tjerat ishin të shumtuara dhe me ngjyrë të zezë. Në largësi ai arrinte të shihte pishtarët e ndezur të shokëve të tij gjahtarë, të cilët ishin në kërkim të tij.
Përmes grupit të frikshëm të grave Vati deshte t’u binte në sy shokëve të tij që po e kërkonin, por sa më shumë që ai përpiqej, aq më shumë i ngushtohej rrethi, i cili e detyroi të binte në qetësi dhe të hiqte dorë nga përpjekjet për t’u vënë re nga gjahtarët e tjerë. Për të parë më mirë se kush ishin kundërshtarët e tij, ai hodhi në prushin e mekur dhe disa tufëza të tjera bari, kqyrri dhe njëherë përreth flakadanit, grupin e femrave dhe i pyeti disa prej tyre që i kishte afër, se kush po i binet në qafë?. “Ne jemi orët e njerzve, të bukurat janë orët e mira, të zezat janë ato të njerzve të këqinj. Nëqoftëse një njeri mëkaton atij i shfaqet papritmas fytyra e orës së tij”.
I plagosuri u nis padashje drejt lartësisë dhe aty vuri re, se shumë prej grave u ngjanin të afërmëve të tij. Lëvizja që kreu i lëndoi këmbën dhe ai gulçoi. Jehona iu përgjigj sërisht, por kësaj rradhe ajo nuk i ngjau e largët, përkundrazi, iu bë se ishte shumë afër. “kush rënkon këtu?” pyeti ai në ankth, po ato që më parë iu përgjigjën. “Ora jote, e cila para teje në të njëjtin vend u rrëzua”. Në atë çast Vat Losha humbi sërisht ndjenjat dhe u zgjua vetëm kur pishtarët e gjahtarëve i ndriçuan sytë.
Në fakt Vat Losha ishte me temperaturë, megjithatë klani i tij beson se ai vërtetë pa orën dhe foli me të.

__________
Përgatiti për Revistën "Bukureza": Rrahim Sadiku, shkrimtar

Donnerstag, 19. Dezember 2013

Përralla popullore shqiptare


Nga trashëgimia jonë

Përgatiti: Rrahim Sadiku, shkrimtarë

 Përralla është format më të përhapura e më e njohura e prozës popullore, po edhe të prozës në përgjithësi. Me emërtimin përrallë emërtojnë krijimtarinë imagjinative popullore, tërësisht të trilluar, mbushur me plot fantazi e me elemente të çuditshme, me anë të të cilave gdhenden me fjalë mendimet, dëshirat, idetë e ëndërrimet e njerëzve, shpesh me veshje përditshmërie e ndanjëherë edhe me brendi alegorike të shprehjes. Përrallat gjithmonë janë të mbushura me figura, mitologjike e stilistike. Përrallat kanë të veҫantat e tyre dhe ato pothuaj asnjëherë nuk nisen nga ndonjë fakt i vërtetë apo me subjekt historik, që pastaj vishte me imagjinatë e legjendarizohet. Ato që nga fillimi janë trillim i plotë, edhe pse mbajnë lidhje të vazhdueshme me problem jetësore, me dukuri, me situata dhe me ҫështje filozofike, morale, shoqërore të jetës njerëzore.
Përrallat janë themeli i prozës artistike dhe kanë strukturë e plot elemente plotësuese dhe dalluese nga zhanret tjera të krijimtarisë. Ato janë të përhapura në gjithë botën dhe janë tepër të pëlqyera nga të gjitha shtresat dhe moshat e njerëzve. Ndodh kjo për për vlerat artistike, filozofike e didaktike që posedojnë. Mu për vlerat e tyre të gjithanshme, përrallat kanë tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve të fushave të ndryshme. Me studimin e përrallave merren folkloristët, etnografët, psikologët, letrarët e të tjerë. Etnografia e studion përrallën si dokument kulturor e historic, por edhe për rolin e saj të madh në shoqëri; psikologjia e sheh përrallën si shprehje të proceseve shpirtërore, ndërsa shkenca e letërsisë përpiqet të përcaktojë se ç'është ajo që e bën përrallën të jetë e veçantë brenda prozës gojore e ndikimin që ka ajo në rjedhat e mëvonshme letrare.
Roli i fantastikës edhe në tregime tek ne është shumë i madh, andaj përrallat shqiptare shquhen për larminë e fantazinë e tyre dhe për thurjet interesante të subjekteve. Me anë të tyre rrëfimtari popullor përpunon artistikisht dhe në mënyrë filozofike subjektin, elementet e realitetit duke krijuar një simbolikë të pasur. Pikërisht në këtë gërfshetim qëndron edhe një nga anët më të rëndësishme të përrallës. Veҫori kryesore e rrëfimit të përrallës është mënyra se si rradhiten episodet me qëllimin për ta mbajtur tensionin emocional deri në fund
Në përrallën tone triumfon e mira dhe përpjekjet e sakrificat e njerëzve, duke qenë ata kurdoherë i ndershëm dhe të vendosur të arrijnë në fund lumturinë, fitoren, shkëlqimin e të mires e trimërisë. Ky vizion optimist e realist e ka burimin te karakteri edukativ, tradicional dhe shumëdimensional i përrallës dhe shpreh soliditetin dhe qëndrueshmërinë e popullit përballë problemeve të jetës dhe vështirësive që dalin përpara.
Shumë folkloristë e studiuesë të tjerë i kanë mbledhur përrallat dhe i kanë botuar ato në vëllimet të vecanta. Në gjuhën shqipe kemi dhjetra vëllime me përralla popullore autokton, dhe shumë studime për to, si “Përralla”, “Përralla të zgjedhura”, “Të veҫantat e përrallave shqiptare” etj. Shumë shkrimtarë shqiptarë kanë shkruar tregime, nvela e romane, duke u mbështetur në përrallat popullore shqiptare.

Besa e Kostandinit

(Përrallë popullore)

Gjashtë e gjashtë dymbëdhjetë, Doruntina trembëdhjetë... Dhe fillon përralla. Ajo na tregon se na ishte njëherë e një mot një nënë shumë e mirë dhe i kishte dymbëdhjetë bijë shumë të hijshëm. Të trembëdhjetën kishte një bijë të bukur,më të bukur se të gjitha shoqet të gjitha, që ia thoshin emrin Doruntinë. Doruntina u rrit me përkëdhelitë më të mëdha të mundshme dhe na u bë vajzë që të mahniste me bukurinë e saj.
Me lumturi kaluan motet e shkuan e vasha u rrit e na u bë për t’u martuar. Mirëpo nga bujarët e atij vendi askush nuk e gëzoi. Të gjithë e dëshironin askush s'guxonte ta zërë nuse, sepse nuk e ndjente veten të zotin për ta marrë atë për shoqe të jetës. Atëherë na vjen një trim i largët; i mirë, i hijshëm, i fisëm dhe dërgon për shkesë dallëndyshen, që t'a kërkojë Doruntinën nuse. E ëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit e mëdhenj nuk donin t'ia jepnin, sepse trimi ndonëse i mirë e i fisëm, ishte nga një vend shumë i largët. Vetëm i vogli, Kostandini donte.
“T'ia japim zonja mëmë - thosh ai - se trimi është i mirë. Më ka hyrë në zemër.”
“Kostandin biri im, cfarë po thua ti kështu? - ia kthente e ëma. Aq larg do ma shpiesh Doruntinën time? Se në e daça për gëzim, për gëzim nuk do t'a kem; se në e daça për helm, për helm nuk do t'a kem.”
“Të jap besën zonja mëmë, se kur t'a duash ti Doruntinën, qoftë për gaz qoftë për helm, vete unë e t'a marr dhe do ta sjell në shtëpi!”
Mëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit u bindën: e fejuan dhe e martuan Doruntinën me trimin e largët. Bënë dasmë nëntë ditë. Të dhjetën trimi mori nusen e shkoi tek dheu i tij i largët. Mëma e vasha qanë me lot kur u ndanë ...
Shumë luftra u luftuan atë mot te dheu ynë, se kish ardhur i huaji t'a shkelte e t'a pushtonte. Të dymbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin e tyre dhe u vranë një pas një të gjithë. Kur iu vra djali i parë, mëma psherëtiu e tha:
“Biri im unë nuk kam helm e nuk do të të qaj, sepse ti re për dheun tënd e më mbeten dhe njëmbëdhjetë bij të tjerë për luftë.”
Kur iu vranë gjashtë, që të gjashtë trima e të dashur, ajo derdhi vetëm nga një lot për secilin e bëri vetëm nga një vajtim. Po kur nisën t'i vriten dhe të tjerët, mëmës iu këput zemra dhe lëshoi një psherëtimë të madhe sa uturoi tërë vendi :
“Mjerë unë, ç'helm i madh të mos kem Doruntinën pranë në këtë zi që më mbuloi shtëpinë!”
Kur u vra djali i fundit, Kostandini, mëma shkuli leshrat e bardha e thirri:
“Bobo, ç'vdekje, e nëmosura vdekje! Ti më more dymbëdhjetë bij e tani kush mund ta dijë a s'ma ke marrë edhe bijën time të vetme, bijën time të dëshiruarën!”
Kur agoi e shtuna e të vdekurve, mëma vajti te varret e të bijve. Dymbëdhjetë djem kish pasur, dymbëdhjetë varre kish tani... Mbi çdo varr ndezi nga një qiri e bëri një vajtim, po mbi varr të Kostandinit ndezi dy qirinj dhe bëri dy vajtime, qau me ngashërime dhe thirri tre herë:
“O biri im! O biri im! O biri im!...”
Edhe tri herë të tjera:
“O Kostandin! O Kostandin! O Konstandin!”
Pastaj u shemb përdhe, pushtoi gurin e varrit e u trua:
“Kostandin, o biri im, ku është besa që më dhe, se do ma sillje Doruntinën, tët motër? Besa jote vdiq bashkë me ty e kalbet në varr të zi!”
Kështu tha dhe e lau gurin me lotët e syve.
Në mesnatë Kostandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si nata. Edhe dheu i zi u bë shalë e zezë si nata. Rrotulla që mbante gurin u bë fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit, u përkul përpara, uli kryet dhe i ra me shporet. Kaptoi si frymë male e fusha, hodhi lumenj e përrenj, la prapa katunde, kodra , pyje... Kostandini arriti te shtëpia e motrës kur kish dalë dielli. Ajo ndodhi ditë e kremte. Në shesh, përpara shtëpisë, gjeti të bijtë e të motrës, nipërit e tij, që loznin e vraponin pas dallëndysheve. I pyeti:
“Bij të zemrës, ku është zonja, mëma juaj?”
“Kostandin, o zoti lalë, - i thanë ata - mëma jonë po hedh valle në fshat, atje tek bëhet dasmë.”
Kostandini shkoi shpejt tek vallja e parë, pa një luzmë vashash të bukura tek këndonin e vallonin dhe tha me vete :
"Të bukura jeni, moj vasha, por për mua nuk jeni, sepse unë s'jam nga kjo botë...".
Dhe u afrua të pyesë:
“Gëzuash, o vasha të bardha! A është me ju Doruntina, motra ime?”
“Shko përpara trim, se do ta gjesh tek kërcen hareshëm veshur me petk të ndritshm kadifeje.”
Kostandini vajti tek vallja e dytë dhe u mat të pyesë përsëri, po Doruntina e pa vetë dhe i thirri:
“Kostandin, o im vëlla!”
Dhe iu afrua e përqafoi. Kostandini i tha:
“Doruntinë, motra ime! Eja të shkojmë. Të do zonja mëmë në shtëp!”
“Më thuaj vëlla, si të vij unë atje? Po të më dojë për gaz, do të vete të marr stolitë më të mira, por po të më vajë, mos qoftë e thënë, a për helm, do vete të vishem me të zeza.”
“Eja motër, kështu si je!”
E mori në vithe të kalit. Kali ikën si shakullimë. Ata kapërcejnë si në ëndërr male e fusha, pyeje e kodra, lumenj e përenj. Hëna e yjet kanë shtangur lart e shikojnë me të drojtur. Gjatë udhës, motra e pyet vëllanë:
“Kostandin, vëllai im, përse shpatullat e gjëra të janë mbushur me myk?”
“Doruntinë, motra ime, shpatullat mi ka mbuluar tymi i shkatrrimeve që solli lufta. Se në vendin tonë u bënë luftra të mëdha, erdhën armiq të na shkelin dhe ne të gjithë dolëm të luftojmë.”
“Kostandin, vëllathi im, përse flokët e derdhura i ke gjithë pluhur?”
“Doruntinë motra ime, gjatë udhës kishte shumë pluhur dhe mi pluhurosi flokët.”
“Kostandin vëllathi im, përse vëllezërit e mi të bukur si drita, s'kanë dalë përpara të na presin?”
“Doruntinë, motra ime, ndoshta janë në lodër e s'presin të vemi sonte.”
“Kostandin vëllathi im, përse dritaret e shtëpisë janë mbyllur sot krejt?”
“Doruntinë motra ime, i kemi mbyllur se fryn erë e fortë e dimrit nga deti.”
Kur arrinë pranë kishës, Kostandini i tha motrës:
“Ti shko përpara se unë dua të hyj të përgjunjem!”
Kostandini shkoi e hyri prapë në varr të zi. Kali u bë prapë gur, shala u bë dhè dhe freri i argjendtë u bë rrotullë. Dhe përsëri reth e qark zotëroi heshtja e vdekjes. Ndërkaq Doruntina ngjiti shkallët dhe trokiti gazmend në derë.
“Mëmë, hapma derën!”
“Kush je ti që trokëllin aty tek dera?”
“Hapma zonja mëmë, jam jot bijë, Doruntina.”
“Ikë tutje nga ke ardhur o vdekje e shkretë. Ti mi more të dymbëdhjetë bijtë e tani ke ardhur të më marrësh dhe mua që të mos e shoh më Doruntinën time!”
“Ҫ'po thua ashtu zonja mëmë? Nuk ma njeh zërin? Besa zonja mëmë, jam unë vetë, Doruntina jote.”
“Ngul gishtin tek vrima e kyҫit që të ta shoh e të t'a njoh.”
Doruntina nguli gishtin e vogël tek vrima e kyҫit, atë gisht të hollë e të bardhë. Mëma ia njohu sakaq e i hapi derën.
“Kush të solli këtu, o zemra ime?”
“Më solli Kostandini, im vëlla.”
“Cili Kostandin, moj bijë? Kostandini im ka vdekur bashkë me të njëmbëdhjetë vëllezërit e tjerë. U vranë në luftë...”
Dhe ashtu si ngrin, ashtu si rinin të dyja, njëra tek praku e tjetra në derë, plasën si qelqi me verë...

Miti, mitikja dhe mitologjia

Përgatiti: Rrahim Sadiku, shkrimtarë

 *Miti ka lindur me njeriun dhe ka mbetur shoqërues i pandashëm i tij.
*Fjala mit vjen nga greshiqshtja e lashtë: mythos, që do të thotë fjalë, ligjërim, e thënë. Fillimisht ai lidhej me besimet e popujve të vjetër, me legjendat që kishin krijuar ata për krijimin e botës, për dukuritë natyrore, për zotërat etj.
*Me kohë miti lidhet me shndërrimin e legjendave, heronjëve, ngjarjeve historike e të tjera, me ndikim në kulturën dhe zhvillimin e një p...
opulli, nga e zakonshmja në të pazakonshmën e në imagjinaren. Kohëzgjatja e mitit kushtëzohet nga marrja e gjatë me të dhe kjo krijon mitikën e një populli.
*Të shumtën e rasteve, ngjarjet dhe ndodhitë e shndërruara në mit janë ato që lidhen me esencën e mbijetesës dhe zhvillimit të një populli a vendi.
*Ndikim të madh në kulturën botërore kanë patur mitet egjiptiane, babilonase, greke, romake, ilire etj.
*Te shqiptarët janë të njohur miti për mbretin Pirro, miti për kreshnikët, miti për Skënderbeun etj.
*Mitikja del nga miti dhe merr forma të besimit, të shpirtërores, të asaj që arrihet me mendje, me imagjinatë, po që gjithnjë shkon larg nga realja.
*Mitikja ushqen shpirtin e një populli, mbamendjen dhe kulturën e tij, duke u bërë kështu pjesë e pandarë e shpirtërores dhe kujtesës që jeton brenda atij populli.
*Mitologjia është shkencë e cila merret me studimin e miteve, duke ndjekur aspektin historik dhe kronologjik të dukurive që lidhen me mitin. Kjo shkencë, edhe pse këtë emër e merr shumë më vonë, njihet që nga koha e Rilindjes Evropiane, kur mitet greke dhe kultura antike greke shndërrohen në mit real për Evropën dhe ndikojnë në historinë, krijimtarinë dhe mendimin evropian përgjithësisht.
*Mitologjia shqiptare është veprimtari e re e shkencës kombëtare e botërore dhe deri diku ka shënuar rezultate të dukshme në studimin e mitit shqiptar dhe krahasimit të tij me mitet të popujve të tjerë.