Montag, 25. Juni 2012

Poezi nga Rrahim Sadiku

 
Shqipëria zonjë e madhe
 
Janë shumë trima të përkorë,
me flamur të kuq në dorë,
që na u nisën për në Vlorë,
Shqipërisë zonjë t’i vënë kurorë…

Dhe ja tashti e 100 vjet
Shqipëria zonjë e madhe
lule mbi Ballkan e botë
për bashkim këngës ia thotë…
 
 
 
 
 
Në Krujë

Erdhe nga erdhe,
Kur je në Krujë,
Je me Skenderbeun,
Që është histori shqiptare
E botërore,
Andaj këtu
Kush nuk ndjehet i huaj!
 
 
 
 
 
Shqiponja

Lepurushi veshllapushi
u nis nëpër udhëtime,
nuk mbërrini dot kund,
e shoqëruan vetëm pësime...

I lodhur buzë një breu
dëgjoi do minj e miusha,
secili dukej plot mend,
secilit i qeshte buza...

“Kjo shqiponja vetmitare
si duron, ashtu, vallë,
me ditë e ditë të tëra
sillet qiellit vërdallë...

e ne këndej kënaqemi
zhurmojmë gjithnjë kudo
nuk ka rrezik të biem,
në tokë jemi kurdo!...”

Po fliste një mi miosh
veten e quante bukurosh,
edhe arrgnat ishte mjaft,
se kokën e kishte bosh.

Një mi urtak tutje
e dëgjonte plot qetësi,
dikur u mbush kupa
lehta shkoi bri tij:

“Madhështia miku im
nuk është zhurmë e turmë,
ku arrin, çka sheh shqiponja,
nuk arrijmë kurrë ti e unë....

Madhështia kushton
paguhet me vuajtje e vetmi,
prandaj është e rrallë në botë
e denj për rrespek e dashuri...

Në botë ka miliona gjallesa,
që hanë, pijnë e gëzojnë
por, një mbatet e paarritshme:
ajo është zonja shqiponjë...

Asaj i shkojnë vërsuljet,
asaj i shkon qetësia,
asaj turma ia prish rendin,
ditët ia mbulon madhështia...”
 
 
 
 
 
Po qeshet Daorsa

Po qeshet Daorsa,
po qeshet natyra,
bukuri pranvere,
tërë ngjyra-ngjyra...
bukuri pranvere,
bukuri pa fund,
sikur kjo qeshje
në botë nuk ka kund...
 
 
 
 
 
 
Poezia

Vjen nga dikah
i thonë frymëzim,
letra e bardhë
ik gjumi im...

Më thotë babai:
koha për gjumë,
nëna shqetësohet:
je lodhur shumë!

As mendja s’ju shkon
se unë, vogëlushi,
i kam do ide
që s’i ka askushi!

Unë shoh tjetër,
në tokë e qiell,
shpesh shoh top loje
nuk shoh fare diell...

Epo... edhe u lodha...
Kjo poezia e lodhshme,
gjumi ja, po troket...
me do ëndrra të bollshme...
 
 
 
 
 
Unë e gjyshi

Gjyshi thotë:
kur prishet fusha,
rrezikohet gusha!

Unë e them
me plot gojën:
mos na e prishni lojën!
 
 
 
 
 
Zë i foshnjës

Thonë edhe qielli vallëzon nga gëzimi
Kur zë i foshnjës jehon shtëpisë
Zemrat e familjarëve me shend mbushen
E dyert i hapen këngës, gëzimit, lumturisë...
 
 
 
 
 
Kur këndojnë fëmijët

Kur këndojnë fëmijët
pranvera bëhet cicërimë,
vashat bëhen lule
e lulet kthehen në vasha

e vera bëhet liqen
e në të derdhet gjelbrimi
me frytet e jetës

vjersha bëhet aromë
e përshkon rrugët
e freskon dashuritë

dimrit i ndalet acari
zemrat krejt qeshje
e bardhësi
e këngë...

orët e bardha dalin nga përrallat.
 
 
 
 
 
 
Fuqia e buzëqeshjes

Çupa niset për në diku,
e merr vrapin me shikim!
Për shpejtësi mos e pyesni,
nuk e matë me aparaturë,
ajo nuk di matematikë,
ajo nuk ka mësuar ende fizikë!
Ajo njeh krejt çka sheh
Dhe masë e ka besimin
Dhe fuqi e ka buzëqeshjen
Prandaj arrin kudo
Dhe çdo gjë e bënë të sajën
Me dukjen tërë gaz
Me zërin cicërimë
Ma mirësinë pa kufi…
Ja ajo shkoi e erdhi nga hëna
Dhe mund të niset përsëri…
Përsëri…
 
 
 
 
 
 
Bretkoca e pilivesa

- Cila je ti?
- Jam bretkoca!
- Me profesion?!
- Kam dy muaj në pension.
- Vendbanimi?
- Në kënetë.
- Ke parë liqen? Ke parë det?
- Uh, ç’më thua!? S’janë për mua.
- Pse oj mike?
- Kanë rreziqe!
- Kush ta tha gjithë këtë rren?!
- Lepurushi që s’gënjen.
- Qenka tallur ori mike...
Pak më parë nga kush ike?
- Nga një hije.
- E ndonjë fëmije?!
- Më duket po.
- Pse, ai të do!
- S’kam besim, është shumë trim!
- Po nga unë a ke frikë?
- Ti je e mirë, nuk je e ligë!
- Si më njeh?!
- Syri sheh.
- Kush jam pra?
- Pilivesa...
- Më njohe vërtet, besa...
- ... Tungjatjeta... kam nipin në gjumë...

Keine Kommentare:

Kommentar posten