Dienstag, 6. September 2016

Pesë poezi nga Sheremet Prokshi

Sheremet Prokshi


Ëndrra e Erëzesë

Ngjitet fluturakja
Pëpmbi çdo çati,
Insekte e zogj
I bëjnë shoqëri.

Në shtëllungë të reve
Kjo raketë u tret,
Një botë tjetër sheh
Erëza mbi qytet.

Veç për pak sekonda
Thot xha psikologu,
Ëndrra në hapësirë
Fluturon si zogu.

Ëndrra e Mentorit

Një ënderr kishte parë
I vogli Mentor,
Në shkollë ku mësonte 
ishte bërë drejtor.

Dëgjohen kudo 
Hapat e “drejtorit”
Me shikim të mbreht
Ecte koridorit.

Dilnin me takt nxënësit
Pa zhurmë e rrëmujë,
Dy nga dy rreshtuar
Me rend pinin ujë.

Pa qëllim dikush
Hapin ngadalëson
Luli prapa tij
këmbën e çalon.

Me gisht ja bënë “ eja “
Drejtori nervoz,
-eja para meje
Ti djalosh kodosh.

-shikoje patiken,
Pse nuk e lidhë tojen?!...
-e qorton pandalur 
Se lë ta hap gojën.

Largohet pa frymë 
Luli i habitur
Pyet pse sillet ashpër
“ky mistrec i rritur”?

Nuk i mbushet mendja
Nuk ia rrethon truri,
Të bëhet drejtor
Mentor picimuli.

Kur cingërron ora
Trembet, i del gjumi,
Ëndrrën për drejtor
Shpejt e rrëmben lumi.


Vallë,e ditka zogu

Vallë, e ditka zogu
Sa flatra ka trupi,
Apo sa i lartë
Është Kaci-Pupi.

Po hamendej lepuri 
Paksa dhe ariu,
Sa ka qime n’mjekër
Dac Mustaqeziu.

Nuk e di gomari
Të them seriozisht,
Sa bëjnë katër këmbë
Dy vesh e një bisht.


Çupëzat artizane

Dy çupëza të vogla
Me xhaketa gri
Lozin e vrapojnë
Nëpër mot me shi.

-eni hyni brenda
Urdhëron nëna Dritë,
Sa nis njëra hapin
Tjetra i vë pritë.

Del gjyshja me krroqe
Dritën e qorton,
-është ky shi i verës
Veç rriten ua shton.

Ngazëllehen çupëzat
Flokët shpupurisin,
Mbi tokën e qullur 
 Gishtat i ngulisin.

Me këmbët e zbathura
Baltën e shqelmojnë,
Pa laps e pa brushë
Murin vizatojnë.


Torta e përkryer

Vezë e miell përziejnë
Pakëz me mikser,
I shtojnë flegra arre
Dredhëza e sheqer.

Yndyr margarine
Qumësht një filxhan,
Eurokrem të bardhë 
Vetëm njëqind gram.

Vënë enën mbi avull
Pesëmbëdhjetë minuta,
Grimcojnë çokollata
Të ëmbla të buta.

Lavdëron mamaja 
Tortën e përkryer 
që e kanë bërë vajzat
me punë të shkëlqyer.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen