Mittwoch, 23. November 2016

Poezi për fëmijë nga Sheremet Prokshi

Sheremet PROKSHI

DIELLI

Nuk e di pse je hidhërue
Dielli ynë o rreze artë,
Na bën dritë që nga mëngjesi
Ndaj zbrit pak, mos rri aq lart!...

Të kërkoj pak ngrohtësi
Për mbesën dhe nipin tim,
Për ata që nisen hapin 
N’rrugë të shkollës për mësim.


ERA

Kur fryen era mbi shtëpi 
Rrotull sillet rreth oxhaku,
Tymi zjarrit kthehet prapa
Brenda odës ku rri plaku.

Fishkëllen nëpër kopshtije
Shtruar me gjethe palë-palë,
As pulat si lë të qeta
Ju hedh pluhur nën hambar.

Shpupurit flokët e mbesës
Kur del luan me trotinetë,
Ndërsa Lenti futet brenda
E kërkon një çaj të nxehtë.


ACARI

Sa fillon të ngrij acari 
Në degë zogjët i trazon,
Qielli lart e ndërron ngjyrën 
Re të bardha turbullon.

Dhe ti diell, o dielli ynë
Pse i fsheh rrezet e ngrohta?
Ende dimri pa arritur
Na merdhin me erna t’ftohta.


VIZATUESJA

Se ndal dorën vizatuesja
Me një laps herë me një tjetër,
Zemrën, zogun, lulen, diellin
Bashkë i bëri në një letër.

Sa shikonte vizatimin
Shkëlqyen rreze në dritare,
Prit i thanë se tash të sjellim
Të shtatë ngjyrat ylberiane!...
Sh. Prokshi, 19.11.2016


NËNTORI

Në fundjavë të çdo nëntori
Këngë e valle nuk pushojnë,
Disa luajnë lojna skenike
Disa ëmbël recitojnë.

Kuq e zi do veshet festa
Me flamurin kombëtar,
Mbushim zemrat ngjyra jete 
Për Ademin legjendar.


KËRKESA

Dje Erëza bëri kërkesë
Të na jap dielli ngrohtësi,
Dhe shikoni, sot plot rreze
Falë për ne, për ju fëmijë.

Të hareshëm ngriten zogjët
I lajnë flatrat në burim,
Nuk mërdhin as dallendyshja
Që është nisur për shtegtim.

Do të vi, thot e merzitur
Me qindra shoqe të tjera,
Veç na duhen disa muaj
Sa ti hap bulëzat pranvera.

20.11.2016

LISA QINDVJEÇARË

Ka kohë janë prerë 
Lisat qindvjeçarë,
I nxorren me cung
Ata rrënjëdalë.

Aty vinin trimat
Trojesh arbërore
Me fjalë i qendisnin
Shpresat për fitore.

Aty ndeznin zjarre
Aty piqnin kafe,
Aty mblidhnin krushq
Për ahengje dasme.

Ngritej lart aroma
Nga dhjetra filxhana
Disa me dy vija
Disa laramana...

E krahë merrte syri
Qiellit të paprekur
Moshës fëmijërore
Ëndërres së fjetur.


NGATËRRESA

Me trung ngatërrohej
Shpesh një çukapik
Degët ia çukiste
Si t’ishte armik.

Po kur hynte brenda
Bazen ta zgjëronte,
E kishte më ngushtë
Me sqep të qellonte.

Dilte lakuriq
Si djall i tronditur,
Ikte përtej bjeshke
Mplakjen duke pritur.

23.11.2016

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen