Donnerstag, 5. März 2015

Kur duhet të fillojnë të lexojnë fëmijët?

Bota e teknologjisë me kompjutera, tableta e celularë inteligjentë, ka bërë që leximi i librit të kalojë në plan të dytë. Ky problem global është më i përhapur te fëmijët. Por, cilat mund të jenë disa mënyra interesante, me të cilat fëmija mund të motivohet për lexim?

 

Leximi i prindërve bashkë fëmijën:

 Leximi i përbashkët është ndër mënyrat më të mira për ta bërë fëmijën të interesohet për librat. Natyrisht, kjo gjë varet edhe nga koha e fëmijës në ditën e caktuar dhe a do të ketë dëshirë për të lexuar, por provojeni me “unë do ta lexoj një faqe, pastaj do ta vazhdosh ti”. Kjo është dëshmuar se ka sukses, sepse e ndani punën dhe në vazhdimësi ngjall interes te të vegjlit.



Imitimi i personazheve:

 Shumë nëna këshillojnë se leximi rreth karaktereve, të cilët fëmijët mund t’i imitojnë, është një karrem i shkëlqyeshëm. Po ashtu, edhe gjithë seria e librave, në të cilat gjenden të njëjtat karaktere. Në të vërtet fëmijët, kur i pëlqejnë dhe identifikohen me personazhe nga librat, mezi presin që të dalë vazhdimi i veprës dhe zhvillojnë edhe më shumë dashurinë ndaj leximit.

 

Krijoni klubin shtëpiak të adhuruesve të librave:

 Në këtë mënyrë, një nënë ka arritur të tërheqë në lexim tërë familjen. Në fund të ditës, të gjithë bashkë diskutojnë rreth asaj çfarë kanë lexuar dhe çfarë u ka pëlqyer më shumë.

 

Ku mund të lexohet?
 

Fëmijët është mirë të lexojnë në këndet, ku ata studiojnë dhe ku bëjnë detyrat, por edhe mjediset e qeta dhe të freskta të shtëpisë janë motivuese. Për ta bërë zakon dhe edukatë leximin, është e mirë që fëmijët të mësohen të lexojnë edhe gjatë pushimeve, apo udhëtimeve.

 

Kur duhet të fillojë të lexojë fëmija?

 Fëmijët, që në moshën njëvjeçare, shfaqin interes të madh për librat me figura. Me kalimin e viteve duhet shtuar sasia dhe cilësia e librave. Fëmija duhet të lexojë në çdo kohë, sipas regjimit dhe planifikimit ditor. Mirë është që për librin të mos vihet orar, por ai të lexohet sa herë që shihet e nevojshme, sa herë ndihet nga fëmija.

Në çdo lloj forme, libri është ushqim për trurin! 

_____________
/ Top Channel /

Fëmijët dhe leximi

Të lexuarit nuk është vetëm një çelës që na çon drejt një suksesi akademik, por dhe mbi të gjitha një nga burimet më të mëdha të kënaqësisë që mund të përjetojë një qenie njerëzore. E megjithatë, shumë të rinj, veçanërisht djem e kanë shumë të vështirë që ta lidhin aktin e të lexuarit me kënaqësinë.

“Fëmijët nuk mund të mësojnë, nëse nuk lexojnë”, na kanë thënë dhe vazhdojnë të na thonë vazhdimisht mësuesit nëpër shkolla. Sigurisht që është një thënie e drejtë, por leximi është shumë më tepër sesa një rrugë drejt diturisë. Librat sjellin kënaqësi dhe aventura të paimagjinueshme. Të lexuarit na bën njerëz më tolerantë, më të hapur, më të mirëkuptueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve, sepse përmes tyre mësojmë për kultura të ndryshme, për vende, kohë dhe njerëz që nuk mund t’i takojmë dot gjatë ekzistencës sonë shumë të shkurtër dhe të kufizuar gjeografikisht. Ka fëmijë që vazhdojnë të jenë të magjepsur pas librave, veçanërisht ndaj librave të fantazisë, sepse ua zhvillojnë imagjinatën duke i çuar në situata dhe vende të panjohura. Por jo të gjithë fëmijët e të rinjtë, veçanërisht djemtë, janë të këtij mendimi, apo të dhënë pas librave.

Sipas një studimi të bërë në Europën Perëndimore, gjatë 10 viteve të fundit numri i fëmijëve që marrin hua librat nga bibliotekat për t’i lexuar dhe për t’i rikthyer sërish është shumë më i vogël krahasuar me një dhjetëvjeçar më parë. Po sipas këtij sondazhi, 42% e djemve nga mosha 11 deri në 16 nuk kanë lexuar kurrë një libër thjesht për qejf apo me kënaqësi dhe se një e dhjeta e djemve nën 14 vjeç lexojnë librin e parë në moshën 9-vjeçare.

“Shumë djem thjesht nuk arrijnë që ta rrokin dot konceptin se libri është edhe kënaqësi”, thotë një psikolog britanik. Sipas tij, leximi duhet nisur që në vogëli dhe me kalimin e viteve duhet shtuar pak nga pak dhe në këtë mes një rol shumë të rëndësishëm kanë pa dyshim prindërit. Dhe të lexosh nuk mjafton vetëm të dish germat. Sigurisht që në epokën e internetit është shumë e vështirë që t’i motivosh fëmijët që të bëhen lexues të rregullt dhe të ndiejnë kënaqësi prej librit. Kjo sepse pjesën më të madhe të kohës së lirë ata e kalojnë online dhe para ekranit të televizorit.

Sipas një përllogaritjeje një fëmijë perëndimor çdo ditë kalon një mesatare prej 1.0 orësh online dhe 2.7 orësh para televizorit. Ata jetojnë në një botë që dominohet nga celebritetet, pra personat e famshëm shpesh për hiç mosgjë dhe ajo që u përcillet është ideja se fama dhe paraja mund të arrihen lehtësisht e pa e vrarë shumë mendjen. Në këto rrethana të lexosh shpesh kërkon një sforcim shumë të madh edhe pse po të fillosh ta shijosh leximin e kupton se sa e lehtë dhe e këndshme është kjo veprimtari. Një tjetër problem i madh është varësia ndaj fjalorit të varfër, një varësi që lexuesit e mirë nuk e kanë. Shpesh ata që fillojnë të lexojnë për herë të parë hasen në një numër fjalësh që nuk ua kuptojnë domethënien dhe kjo i bën që leximi t’u duket i lodhshëm dhe kësisoj duke qenë se lojërat e internetit janë më të thjeshta ato e lënë librin për t’iu drejtuar lojës. Vetëm praktika mund t’i japë një fëmije besim dhe kënaqësi në të lexuar. Ja përse shkollat më të mira kanë në programin e tyre dhe një orë që quhet ora e leximit gjatë së cilës fëmijët shkojnë në bibliotekën e shkollës dhe kalojnë të qetë e në heshtje një orë me librin për t’u familjarizuar dhe për t’u ushtruar me të lexuarit në mënyrë që më pas kjo veprimtari të shndërrohet në kënaqësi.

Po çfarë duhet të bëjnë prindërit nga ana e tyre? Në shtëpi, strategjia inteligjente janë ato që funksionojnë më mirë. Kështu, nëse do t’u thoshim vazhdimisht se sa i mirë është leximi, fëmijët do të lodheshin dhe do të kishin efekt të kundërt. Të mësuarit me librin duhet të fillojë që në fëmijërinë e hershme. Fëmijëve fillimisht u duhen treguar librat me figura, më pas kur ata nisin që të kuptojnë u duhen lexuar përrallëza dhe tregime të shkurtra dhe kështu kalitet dhe çelikoset një marrëdhënie e gjatë dhe e shëndoshë me botën e librit. Fëmijët që kanë dëgjuar tregime, apo histori që në fëmijërinë e tyre janë më të gatshëm që ta vazhdojnë kënaqësinë e ndier duke lexuar libra kur arrijnë moshën e vështirë të adoleshencës dhe të ndërtojnë kështu me librin një marrëdhënie që do të zgjasë gjatë tërë jetës. Një këshillë është ajo e të lexuarit bebeve që nga momenti që lindin e derisa ato arrijnë të kuptojnë vetë shkronjat, madje kjo praktikë, sipas disa psikologëve, duhet vazhduar deri në moshën 12-vjeçare ose deri në atë moshë që fëmijë kërkon vetë që të ndalosh së lexuari për të.

Ndërkohë, një fëmijë duhet të marrë mesazhin se të lexuarit nuk është vetëm një gjë që e bëjnë fëmijët dhe këtë askush më tepër se një prindër i devotshëm pas leximit, nuk mund t’ua tregojë. Shembulli pozitiv është shumë më i vlefshëm për djemtë e vegjël. Nëse ata shohin dikë që e respektojnë shumë si prindërit, apo ndonjë të afërm tjetër që lexon vazhdimisht, atëherë ai do të dëshirojë që ta imitojë atë. Nëpër shkolla të ndryshme të Britanisë së Madhe organizohen shpesh konkurse për lexuesin më të mirë, konkurse që janë një inkurajim më shumë për fëmijët, kryesisht për djemtë e vegjël. Kjo dhe masa të tjera po ndërmerren me një intensitet shumë të madh nga shumë institucione mësimore në Perëndim, sepse tashmë ata janë bërë të ndërgjegjshëm se nëse do të vazhdojnë që të injorojnë rënien e lexueshmërisë te brezi i ri pasojat do të jenë shumë negative te brezi që do të qeverisë nesër. /Shqip/

Dienstag, 23. Dezember 2014

Kënga e Abetares

Let e let e bukur-bukur
Dora ime sa e lumtur
Hap një faqe, kthej një fletë
Nëpër shkronja bota vet;

Me ty mendjen lartësoj
Me ty zemren e gëzoj
Bëhem zog e fluturoj-
    ABETARE!

Let e lete bukur-bukur
Dora ime sa e lumtur,
Dap një faqe, kthej një fletë
Nëpër shkronja bota vet

Me ty mendjen lartësoj
Me ty zemren e gëzoj,
Bëhem zog e fluturoj-

 -Abetare! - Abetare!
Sillma diellin në dritare,
Sjellmë fjalë, plot kuptim
Gjuhë e lashtë e venditit tim.
             

                            Xhevahir Spahiu


p.s.

Vargjet e strofës së fundit përsëriten tre herë.
______________
Përzgjodhi për fëmijët mërgimtar, Imri Trena

Donnerstag, 30. Oktober 2014

Agim Gashi - Kur më erdhi xhaxhi


KUR MË ERDHI XHAXHI

Unë e vogla Sara,
E mbushur plot gëzim,
Jam bija e gashëve
Mbesa e xhaxhit Agim.
 


Kur më erdhi xhaxhi
Hangrëm fik e arra, 

I ulësha në prehër
E ai më tregonte prralla.


O sa do të doja xhaxhin 
Ta kisha pranë çdo ditë,
Do të më shtohej buzgjeshja
Shpejt - shpejt kisha për t'u rritë!

Por ai prapë do të ikë
Larg - larg në mërgim,
E mua sërish do t'më mungojnë 
Përrallat dhe prehëri i xhaxhit Agim. 

30.10.2014

Sonntag, 10. August 2014

Agim Metbala - Aforizma për fëmijët

- Aty ku paraqitet FËMIJA - në rrënjë katrore, shtohet DASHURIA!
- Fëmija dhe dielli, janë shumë identik, të dytë lëshojnë nxehtësi or mik!
- Buzëqeshja e fëmijës, shëron edhe zemrat e sëmuar!
- Fëmijës vërtet i ka hije LLASTISJA!
- Nipat dhe mbesat, janë qenie që të bëjnë të lumtur në çdo çast!
- Çdo gjyshe dhe gjysh, në nipat dhe mbesat, shofiin ringjallje!...

- Nëse dëshiron të çmallesh me bisedë të sinqertë – shko në çerdhe të fëmijëve!
- Ka njeri në këtë botë që nuk do fëmijën dhe qengjin?
- Fëmijëve më me vlerë është t’u japish edukatë se sa t’u lësh dukatë!
- Çdo fajqë bënë fëmija, bënë nga loja e jo nga mëria!
- Djallëzinë, mos e kërkoni tek fëmijët, atë e gjeni në mesin e të rriturve!
- Syri i fëmijës është si dielli që vazhdimisht rrezon!
-Nëse jeni përmalluar për sinqeritet – shkoni e bisedoni me një vogëlush/e!
- Në çastin kur të lodheni nga idiotizmat e të rriturve, ju preferoj ta vizitoni çerdhen e fëmijëve!
- Çdo fëmi, është llambadar në familje!
- Libri është fanar që vazhdimisht ta ndriçon rrugën përpara!
- Buzëqeshja e fëmijës, i ngjan shumë diellit – tërë dhomën e mbushë me nxehtësi!
- Sherret e fëmijës – janë gëzimet e prindërve!
- Fëmija është burim i pashtershëm i gëzimeve në një familje!
- Fëmija i ngjan frenës që zbraps prindërit në shumë veprime negative!
- Fëmija dhe hëna, janë shumë identik – për çdo kë bëjnë dritë njësoj or mik!
-Toleroje maksimalisht secilin fëmi – me kamatë, do t’i kompensoj të mirat në pleqëri!
- Fëmija është si kamerë e fshehur, vetëm incizon e incizon me mall, në pleqëri ta pregatit filmin dokumentar!
-Lum ai poet që shkruan për fëmijë – do të mbetet i “gjallë” deri në përjetësi!
- Edhe poezitë më të fuqishme për të rritur, mund t’i ha koha – vjersha për fëmijë, nuk vdesin kurrë!
- Fëmija ka brishtisinë e vesës, bukurin e engjëllit – kujdes të vazhdueshëm, lëndohet lehtë!
-Kur qeshë fëmia, bota merrrë pamjen e mrekullueshme!
- Kushdo që i krijon vuajtje një fëmije, është monstrum në këtë botë e djall në botën e amshueshme!
- Shpirti i fëmijës është i pastër si fjollat e borës në qiell!

Freitag, 6. Juni 2014

Mentor Thaqi - Vjersha për fëmijë


VDEKJA NUK ËSHTË HESHTJE
(Mbretit Agron dhe Lyrës Ilire)

Gresë, moj mbesë,
Mbreti Agron, thërret,...

na e merr atë Lyrë,
kënaqësisë i jepë ngjyrë
dhe freski si vesë,
shpirtit plot shëndet,
qeshjen në fytyrë
na e bën shembëlltyrë!

Si urdhëron, Mbreti im,
e kam shumë për nderë,
me Lyrë dhe këngë
të të sjellë kënaqësi,
o Fisnik, Mbret-Trim,
arti ynë merr vlerë
dhe zbutë atë brengë,
Art në Iliri!

O Zonja e Madhe Teutë,
ti, Mbretëresha ime,
eja këtu pranë meje
dhe ia puthi duart,
do të vdes i sigurtë
se k´të Mbretëri Sublime
të udhëhequr prej teje
e kemi Muranë të Gurtë!

Nën tingujt e Lyrës
dhe këngën e Gresës,
Mbreti mbylli sytë,
dha shpirtë me buzëqeshje,
një shkëlqim fytyrës
dhe bindjen e shpresës,
Mbretëreshën te kryet,
jo, vdekja nuk është heshtje!

VS., 06.06.2014

 
FLAMURI
 
Në ngjyren tënde t´kuqe,
gjaku rrodhi gurrë,
s´e shlyen dot shekujt me huçe,
as do e shlyejn kurrë!

Pranë teje, i fortë ndjehem,
mendoj të matem me Qiellin,
në shpirtë as mendje s´thehem,
fytyrëshkëlqimi matet me Diellin!

Të don shumë Arbër Guri,
Flamur, ti që pushtove vendin,
më së shumëti të don Flamuri,
njëri tjetrit i morët emrin!

VS., 06.06.2014

 
JAM UNË, VETVETJA

Nuk mund t´jem një tjetër,
jam plotësisht i bindur,
në gjenin tim të vjetër,
ashtu si jam lindur!

Dhe, kam një traditë,
atë të të parëve,
lojëra, mësim e rritë,
n´rrënjë t´lashta t´shqiptarëve!

Nëna më thotë, djalë,
babai më thotë, je burrë,
ah, sa t´ëmbla k´to fjalë,
nuk do t´i harroj kurrë!

Vashëzat më thonë trim,
çunat më thonë trimosh,
jo, nuk kanë guxim
të më quajn sarhosh!

VS., 06.06.2014

 
EDHE UNË JAM FËMIJË

Edhe unë, jo sall sot jam fëmijë,
fëmijë, sa i rritur, poaq i pa rritur,
e dua shumë lojen e bukur në fëmijëri
dhe mundësinë e mësimit për të ditur!

E flas në dy forma njëgjuhësinë shqipe,
të shtëpisë, si dhe atë të shkollës,
i kam dhe dua ëndërrat e mia magjike,
dhe të kuqtë e faqes si të mollës!

E dua padjallëzinë time të kthjelltë,
njësoj si fëmijët e tjerë të mbarë Botës,
ngrohtësinë rrezuese njerëzore të dielltë,
si në Familje, në zemër të Votrës!

Paj, edhe unë sot jam një fëmijë,
por, jo sall sot me Një Qershor,
gjithë fëmijëve iu dëshiroj fëmijëri,
të bukur, të bekuar nga Hyu-Hyjnor!

VS., 01.06.2014

 
PSE JO BABADIMËR SHQIPTAR?!

N´tirçi
me dy palë gajtana,
shall e shokë, …
Antikës-Iliropellazgjikës
ia rikthen Kodin,
vlerën,
ia ndalë ekzodin,
ia rihapë derën!
Paj,
kënaqësi ka syri,
shije ka ëndja,
dhe, ec e ndali
legjendat tevona
në ushqimshpirti brezash,
zhgëndërr bëhet ëndërra!
Po po,
pse t´mos jetë
ashtu si ishte,
bile edhe para Noas
dhe, t´mos ketë
çfarë kishte,
etapave të kohës,
e ne me dhurata
e urata,
në Etapa
jetëgjata?!
Epo,
le të jetë,
le të ketë
kuptim përjetë,
n´shpirtë e mendje,
t´ruhet me ëndje!
Paj,
edhe fantazitë
sjellin mrekullitë!

VS., 26.12.2011 


NDAL DISKRIMINIMIT NJERËZOR!

(Në respekt njerëzor edhe për ata me Sindromin DOWN, jo të diskriminohen)

Jo jo, mos i quani mongoloid,
thjeshtë, pjesa tjetër e Shoqërisë,
do ishte emër fyes, tepër perfid,
do ishim të padrejtë ndaj Perëndisë!

Po i quajm njerëz me të meta!
Po cili nga ne është pa to?!
Shpesh, e padrejtë është vetë Jeta,
me aftësi të kufizuara, ne jemi kudo!

Ska klasë të parë, të dytë, të tretë,
ky do ishte dhe një Diskriminim,
të barabartë, para Zotit vetë,
Dhuratë Jetën, na e dha me Bekim!

Jemi njerëz, andaj, borxh ua kemi,
pjesës tjetër që ka vështirësi,
n´shtëpi, n´shkollë, n´rrugë, ku të jemi,
si Shtet, Komb, Popull, Shoqëri!

Janë t´përvuajtur, të pa djallëzuar,
i bëjnë përpjekjet me mundësi t´veta,
t´ua pakësojmë dhimbjet, ti bëjmë t´gëzuar,
mos të lejojmë të i dënoj jeta!

Ata kanë të Drejtën e Shkollimit,
do duhej t´ua japim edhe mundësinë,
të rishikohen edhe mundësitë e punësimit,
se janë të denjë të ndihmojnë Shoqërinë!

Nuk kanë nevojë për bashk-keqardhje,
as për kuje, lëmoshë, vaj dhe ndjeshmëri tjetër,
duhet të jenë në mes të të barabartëve,
të dëshmohet, jo me fjalë por me vepër!

Dhe, 21 Marsi, Dita e parë e Pranverës,
po quhet si Dita e të Hendikepuarve,
le të mbetet edhe Dita jonë e Ndërgjegjes,
që të mos ketë Shtresë të diskriminuar!

Të i ruhemi ofshamës së tyre, lotit...
që t´mos vuajn për çështje ekzistenciale,
përkrahja, ndihma, mirëkuptimi para Zotit,
janë Vepra Njerëzore e Hyjnore Kolosale!

Motra dhe vëllëzër, sot është Dita juaj,
Ditë e Familjeve dhe Shoqërisë që i kanë,
ta shënojmë të devotshëm, mundësisht t´gëzuar,
janë pjesa tjetër jonë, thjeshtë njësoj si ne janë!

VS, 20.03.2011

Samstag, 22. Februar 2014

Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha, talente që premtojnë.

Dy talente që premtojnë
AGNESA HASI DHE MELISA BERISHA
·         Ato shkëlqyen me zërin e tyre të magjishëm.
Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha, janë dy vajza anëtare të Shoqatë „17 Shkurti“ që vepron në Baden të Austrisë.  Ato janë aktive dhe shumë të talentuara. Qe të dyja marrin pjesë në vallet e kësaj shoqate, të cilat me mjaft përkushtim i përgatitë koreografja e vyer Diellza Turkaj. Agnesa dhe Melisa janë të rregullta në ushtrime, janë shumë të sjellshme dhe i marrin seriozisht këshillat e koreografës dhe anëtareve me të moshuar të shoqatës. Kjo edhe është arsyeja që të gjithë i duan dhe flasin fjalë të mira për to.
Në manifestimin e mbajtur nga kjo shoqate me rastin e 6 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Baden, më 15 shkurt 2014, Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha u prezantun me sukses edhe si soliste. Ato befasuan të pranishmit me zërin e tyre të fuqishëm. Edhe pse të reja në moshë, ato shkëlqyen në skenë. Paraqitja e tyre me këngët „Moj Kosovë sa fort të dua“ dhe „Xhamadani vija-vija, ishte shumë dinjitoze. Me zërin e tyre të magjishëm, me sharmin, me qëndrimin e lirië dhe lëvizjet e akorduara , me komunikimin vizuel ndërmjet veti dhe me interpretimin duke vallezuar, ato fituan simpatinë e publikut dhe morën shumë duartrokitje.
Prandaj, me plot bindje mund të themi se, këto dy vajza talente premtojnë shumë. Agnesa Hasi dhe Melisa Berisha, mund të jenë e ardhmja e shoqatës „17 Shkurti“ të Badenit. Ato, bashkë më anëtaret tjera të kësaj shoqate, mund të prezantohen lirshëm edhe në veprimtari tjera kulturore të diasporës dhe në vendlindje. Emrat e tyre duhet mbajtur mend. E ardhmja e tyre është e ndritur. Dhe pjse jo?! Ato mund të jenë dy nga solistet që së shpejti mund ta nderojnë skenën e muzikës shqiptare. Ndaj e meritojnë urimin, përpara dhe suksese!
Haxhi Muhaxheri
Austri, 17 shkurt 2014