Dienstag, 27. August 2013

Klasa jonë plot ngjyra, ja dhe Shqipëria!


Tregim nga Fran Ukcama

Marin Miri, djaloshi bjond e syshkruar nga Fieri, vajti në Athinë së bashku me babin, mami, motrën Dafina dhe gjyshen Katina. U vendosen në lagjen Kukaqi, afër Akropolit. Ditët e para Marini u mërzit shumë, i mungonin rrugicat e lagjes, shokët e shoqet e shkollës, këngët, vallet, cicërimat e zogjve anë Gjanicës. Kur filloi viti i ri shkollor, hasi vështirësi me gjuhën, rrinte i druajtur, por shpejt zuri shoqëri të re. Në matematikë ishte më i miri; aq shpejt i zgjidhte ushtrimet e problemet, sa mësuesja nuk e thërriste me emrin Marin, por Anjshtajn. Në mësime i ndihmonte të gjithë. Fitoi zemrat e vajzave dhe djemve. Edhe në lëndët e tjera të gjitha notat 20 i merrte. Aq i njohur u bë, sa dhe prindërit e fëmijëve të tjerë, pak nga zilia, pak nga dashuria, pëshpërisnin: "Ua, ky alvanosi, ore sa i zgjuar! Puuu pu, nga ka mbirë ky! Kataplaktiko..."
Kur erdhi festa kombëtare e Greqisë ndodhi një keqkuptim i vogël, por që më vonë u bë i madh. Si rregull, në parakalimin që bënin nxënësit e shkollës, flamurin duhet ta mbante nxënësi më i mirë. Më i miri te klasa e 5-të A ishte Marini. Mësuesit caktuan Marinin për të mbajtur flamurin grek. Po u inatosen dy-tre fëmijë të tjerë, Menelao dhe Ksanthi, që vinin pas Marinit në mësime.
U ndezën keq dhe prindërit grekë. Puna vajti në drejtori. Drejtori mbajti anën e prindërve dhe caktuan si flamurtar Menelaon. E kështu ndodhi, Menelao i priu rreshtit të klasës.
Pas një muaji i erdhi radha festës kombëtare të Shqipërisë, 28 Nëntorit. Marini e mbante vath në vesh sjelljen jo korrekte që bënë për flamurin në paradën e kaluar. Iu lut gjyshe Katinës t`i qëndiste një flamur.
- Po mirë copën e kuqe po e gjej në dyqane, se ka copa mëndafshi, po shqiponjën kush ma vizaton?- i tha gjyshja Marinit.
- Unë, gjyshe!- ia ktheu Marini gjthë gëzim, përflakur si rreze në fytyrë. Të nesërmen, mbi fushën e kuqe, Marini vizatoi me laps shqiponjën dykrenare, me këmbë e flatra. Nga nxitimi kishte harruar thonjtë e këmbës së majtë. Gjyshja kur e pa, i tha: - Po thonjtë, kush ia preu shqiponjës?!
Marini lëshoi një "Uuaaa!" të zgjatur. Qeshën të gjithë, por më shumë Dafina e vogël që i rrinte gjyshes mbi kokë, herë i jepte syzet, herë lëmshenjtë e herë i kapte faqen si simite.
Për dy ditë flamuri kuq e zi, i qëndisur për bukuri, ra në dorën e Marinit. Marini e fërkoi, e puthi, e mbajti ngjitur me faqen, e mbështolli e futi në gji. Me të fjeti në krevat atë natë.
Zbardhi dita e lumturuar. Më i lumturuari ishte Marini. 28 Nëntori i vitit 1988 u bë njohur në klasën e Marinit në Athinë. E dini përse?
Në orën e edukimit qytetar ishte tema "Ku keni lindur?". Aty Marini, foli i pari. U ngrit krenar dhe iu drejtua klasës:
- Jam alvanos... Vij nga Shqipëria! - dhe nga gjiri nxori flamurin kuq e zi. Nxënësit mbeten gojëhapur dhe mësuesja u shtang, nuk e priste këtë gjest. Ca fëmijë duartrokitën, ca shqyen sytë. Të tjerë si Melenao ulën kokat si të zënë në faj. Marini e vazhdoi bisedën:
- Ky është flamuri im. Fusha e kuqe është gjaku i lirisë, shqiponja janë luftëtarët e lirisë. Unë jam krenar për të! E dua flamurin tim mbi të gjithë flamujt e botës!
Sa mbaroi Miri, flamurin kinez e nxori Çini, dhe pakistanezi Shoket shpalosi një flamur. Nuk vonoi, kur nga gjiri nxori flamurin Hasani nga Kurdistani. Polaku me flokë si thekër ngriti lart bluzën e tij me flamur, kurse Valentina, rumunia simpatike, hoqi xhupin dhe bluzën dhe tregoi se në krah kishte tri ngjyrat e flamurit të saj. U habitën të gjithë. Mësuesja u skuq, u befasua. Klasa u mbush me ngjyra, ngjyrat e kombeve, gati e gjithë bota aty. Mësuesja e emocionuar tha:
- Kjo ishte ora e mësimit më e bukura e jetës sime! A mundet t`i këndoni himnet e flamujve tuaj?
– Pooo!- u përgjigjën fëmijët. Marini u ngrit dhe këndoi: "Rreth flamurit të përbashkuar,/ me një dëshirë, me një qëllim,/ të gjitha aty duke u betuar, të lidhim besën për shpëtim!". Vazhduan të tjerë.
Buçiti klasa nga këngët. U krijua një festë e bukur botërore për nder të festës shqiptare. Këtë e bëri Marin Miri. Gjithë Athina e mësoi këtë lajm.
Të nesërmen gazetat më në zë të Greqisë shkruanin: "Patrioti i vogël shqiptar Marin Miri na dha një mësim..."
U mbushën zemrat me ngjyra. Shqiponja shqiptare fluturon në Greqi!. Marini prej Fieri krijoi një histori. Ju si do vepronit po të ishit në vend të tij?


Nga libri "Keshtjella e kujteses"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen