Montag, 26. August 2013

Sa kripa...

Na ishte seç na ishte. Na ishte një herë një baba që kishte tre vajza. Një ditë prej ditësh i shkon mendja ti pyesë vajzat e tij se sa e donin. Në fillim pyet vajzën e madhe:
- Sa e do babanë, i thotë, dhe ajo i përgjigjet,
- Sa mjalti. Dhe babai u gëzua shumë.
Pastaj pyeti vajzën e dytë. Dhe e dyta i përgjigjet,
- Sa sheqeri. Dhe përsëri babai u gëzua shumë.
Pastaj i erdhi radha vajzës së tretë. Ajo ulet afër babait të saj dhe me një zë të ëmbël iu pergjigj,

- Baba unë të dua sa kripa...
Babait nuk i pëlqeu përgjigjia e vajzës. Ai u zemërua shumë. Shumë i zemëruar i tha,
- Sa kripa?? Që sot e tutje ti nuk je më vajza ime.

E ndoqi nga shtëpia. Ajo u largua shumë e mërzitur dhe nuk e kuptonte pse babai nuk e donte më. Motrat e tallnin dhe e përbuznin. Kalon kohë. Vajza e vogël kalon shumë peripeci. E vetme ia del mbanë vështirësive.
Një ditë prej ditësh ajo njihet me një djalë të ri e të pashëm. Ata të dy e duan njëri-tjetrin dhe martohen. Në dasmë vijnë shumë të ftuar, edhe babai me motrat e saj. Kishte shumë të ftuar dhe shumë guzhinierë punonin që ti kënaqnin.
Vajza vete në guzhinë dhe u thotë guzhinierve,
- Për babanë tim do gatuaj unë.
Ashtu tha dhe ashtu bëri. Vajza pregatiti të gjitha pjatat njëlloj si të tjerët por nuk hedh kripë. Gjellët i shërbehen babait të saj. Ai mundohet të hajë por nuk i shijon asnjë gjë.

Koha kalonte. Të gjithë hanin me kënaqësi dhe dëfrehen shumë në dasëm. Vetëm babai rrinte dhe shikonte të tjerët. Atij nuk i shijon asnjë gjë. Më në fund, e humbet durimin dhe shkon në guzhinë.
- Kush i ka pregatitur këto ushqime?, thërret.
Kryeguzhinieri i bën me dorë nga vajza e tij. Vajza afrohet.
Vajza i hidhet në qafë babait dhe e pyet, - Hë baba, a po kënaqesh? A të pëlqejnë ushqimet? I kam pregatitur posaçërisht për ty.

- Ç'farë ke pregatitur kështu? S'ke turp? Pse nuk ke hedhur kripë? Asnjë gjë nuk munda të ha. Ishin të gjitha pa shije.
Vajza buzëqesh, - Baba, të kujtohet kur më pyete sa të doja, dhe unë të thashë se të doja sa kripa, dhe ti më përzure nga shtëpia? Ti nuk e do kripën baba, prandaj edhe unë bëra shumë kujdes dhe nuk përdora fare kripë për ushqimet e tua...
Babai uli kokën dhe largohet i mërzitur pa folur asnjë fjalë...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen