Samstag, 17. August 2013

Vjersha nga Rifat Kukaj

 
1. ZOGU I LASGUSHIT

Yll i ndritur në natë qershori
Sikur ra prej gjithësisë,
Ngazëllyeshëm, sytë m’i mori
Në degë t’qershisë.

U purtekëm unë e gjethet
Qetë e lehtë me petalet,
Qielli vetë nisi të prehet
Edhe malet.

Kënga nga zogu i brishtë
Lindi krejt ëndërrimtare,
Dritë feksoi n’flatra e bisht
Dhe n’për dritare.

Gëzim, shpresë, në gji më derdhe
E hare të butë si pushi,
Zog-magji ti mirë se erdhe
Nga Lasgushi!

Ato porosi të larta
Te dritarja e shtëpisë
Po m’i thotë me vargje t’arta
Kalorësi i bukurisë.

 

2. NËNË KAM POR JAM JETIM

(Mikut të sinqertë, shkrimtarit Odhise Grillo,
që ma frymëzoi këtë vjershë)


Udhëtova nga anë e anës
Deri n’sheshin e Tiranës.

Aty pashë një vogëlush
Që i kishte sytë si rrush!

Dhe e putha në dy faqe
Ç’aromë lulesh-manushaqe!


E përkëdhela dhe në gushë
Si rrezja zogun në fushë.

Ai më pa me habi:
-Or xhaxha, kush je ti?!

Jam poet - ca i krisur
Nga Drenica larg i nisur...

Erdha të thith nënën në gji
Bashkë me një vëlla të ri.

M’i fshij lotët ylli im
Nënë kam por jam jetim.

Na ndau skilja Evropë
Që u ndaftë: copë-copë!

 
3. BALADËZ

Me pushkë në krah
Një ditë dola për gjah.

N’shteg qëndroja si guhak
Zagari lehte n’imshtak.

U mbështeta për një ah
Harrova zagar e gjah,
Mbi dëborën e ndritur
Pikasa një zog të përhitur,
Aq i brishtë e krejt i ngrirë
Në acar ai martir
Në shpinë i shtrirë!

Këmbët thik përpjetë
Ah jetë, sa e shkretë.

Mbase shpresa i ka thënë:
“Shtriji e ngrohi në Hënë!”

Në mua vajtonte dita
Në dy zyçka ende drita
Po fiksonte por e mekur
Porsi Hëna e paprekur
Nga këmbët e zogut të gjorë
Orëprerit në dëborë.

Mbaron rrëfmi për një jetë
Në vargun e njëzetetretë!

 
4. BUKUROSH EDHE LAROSH

Kryet në det
Bishtin te retë...

Në këtë shpat
Puth shtëpitë,
Në atë shpat
Zogjtë e fëmi’ të...
Degë më degë

Edhe qershitë...
Bukurosh edhe larosh
Ah, ta kisha për krahosh!
Lart në qiell I larmi hark
E gudulis Lumi në bark...

Nuk është urë
Është pikturë!

Këndoi trishtili:
“Ciu, ciu, ciu...

Se ç’na doli
Pas shiut?!!!”



5. NËNA 

Ti ke pak zjarrmi
Vogëlushe Leonorë,
E nënës i digjet
Zemra në kraharorë.

N’mëngjes, po e zëmë
S’të hahet - nuk ha,
Urinë e tërë botës
Nëna at’ ditë e ka...

Oh, pa pandehur gishtin
E gërvishte pak,
E di ç’ndodh me nënën?
Zemra i pikon gjak!

Mbi shtrojën më t’butë
Ajo shpesh këlthet:
-Kam dro’ ndonjë pupël
Vashëzën mos ma vret.

 
6. VESHËT E LEPURIT
 

Në arën me grurë
Në fshatin Veleshtë
Lepuri herë i çonte
Herë i palonte veshët...

Në fshat po qante një fëmijë
Këtë lepuri s’desh ta dëgjonte
Ndaj veshët i palonte...

Në fshat po qeshte një fëmijë
Këtë lepuri desh ta dëgjonte
I lumtur veshët i çonte...
 

7. DY MOTRA

“Dy motra, ven’ e vijnë,
Njëra tjetrën s’e arrijnë..."

”Kujdes, në kthesë
Mos e ngre kokën lart
Se më puthesh me asfalt!

Lëviz me këmbë mbaju me dorë
Hapi sytë-në semaforë!

Je i lehtë në Biçikletë, a dëgjon?
Por s’je vetëm në komunikacion...

Keine Kommentare:

Kommentar posten