Dienstag, 1. Oktober 2013

Rrahim Sadiku: Cikël poezish për fëmijë

Në Himarë e në Butrint

Tashti u rrita, ore djalë,
Andaj erdha në Himarë,
Andaj detin përshëndeta:
Bukuri shqiptare,
Tungjatjeta!

Si i rritur
Rëndë e rëndë
Arrita dhe në Sarandë
Dhe u deha bukuri,
Në qytetin madhështi.

Sa u kënaqa
Në Ksamil,
Vend si dritë
E trëndafil
Ishte krejt imagjinatë
Ai pejsazh i pamatë!

Jo, nuk ishte labirint,
Kisha arritur në Butrint,
Ku lashtësia ishte gjallë,
Ku madhështorja bënte pallë…

Filozofë e hyjni,
Ndërtimtarë e besimtarë
Sikur ishin në garë
Kush të dukej më i parë,
Në qytetin muze,
Ku koha bëhet ne…

Po po. Tashti u rrita
Dhe mësova e mësoj
Dua koha të më dojë,
Dua kohën ta dua,
Dhe kudo që të jem
Dua shumë
O shumë e dua
Atdhenë!



Po të fliste

Po të fliste
secila flutur do të thoshte:
jeta është e plot ngjyra,
është e bukur!

Po të fliste
secili lepur do të thoshte:
jeta është madhështi,
është trimëri!

Po të fliste
secila breshkë do të thoshte:
jeta është e furishme,
është shpejtësi!

Po të fliste
secili peshk do të thoshte:
kur di të vërtetën
mos hesht…

Po të fliste,
po të fliste,
po të fliste…
secila gjallesë
jetën do ta kishte dashuri
madhështi e shpresë!



Mëngjes vjeshte

Zhurmë e trokitje në dritare,
gjumi nuk di ku të fusë kokën,
gjethet përplasen nga era,
rrëke uji gërryejnë tokën!

Ëndrra nuk do të lëshojë udhë,
me një ari po ecin shpative,
lodra nga më të bukurat
me dashuri u japin fëmijëve!

Ja edhe dita ka nisur e hapet,
mjegullat rrezeve u zënë pritë,
se nga shpërthen zemërim natyre,
i gjithë vendi befas merr dritë!

Mandej gjithҫka sikur qetësohet,
kënga e shiut shtrihet ngado,
bimët vallëzojnë sikur të dehura,
“E duam shiun, e duam, po!”

Edhe kuzhina nis e gjallërohet,
nëna për ne gatit mëngjesin,
unë e babai shpejt i bashkohemi,
të jemi gati, punë na presin!



Deti të mos bëhet kos

Jemi mbledhur disa shokë,
S’po na rrihet më në tokë,
Deti le të bëhet kos,
Ne po shkojmë në kozmos!

Por, si të shkohet në lartësi?!
Pa fluturake,pa orendi!
S’ kemi asgjë që na duhet,
S’dimë si ushqimi ruhet!

Nuk kemi pajisje kozmike,
As lëndë për motor,
Nuk kemi, nuk kemi…
Gjatë na shoqëroi ky kor!

Dhe vendosëm doemos
Deti të mos bëhet kos!
U betuam ne si shokë
Shumë ta duam këtë tokë!



Agoi dita e re

Agoi dita e re,
Dielli u duk plot hare,
Na preku me rreze në faqe,
Ishim lule manushaqe,
Ishim drunj të bleruar,
Ishim kopshte krejt lulëzuar…

Agoi dita e re,
Cicërima u bëmë ne,
Duke mësuar mësimet,
Duke shkruar përjetimet,
Ishim vrapim puhie
Faqet bërë dritë,
Shtatin rritë!

Agoi dita e re,
Qielli foli me kaltri,
Nëna me dashuri,
Natyra me ngjyra,
Ne si bletë,
Duke mbledhur diturinë,
Duke mbjellë lumturinë…


Mbretëresha

Po, qebesa,
Presim të arrijë mbretëresha!
Të gjithë jemi në oborr
Të renditur si për kor…
E duam aty, nuk na pritet,
Sa hedh hapin, duartrokitet…
Por mbretëresha, tërë madhështi,
Mezi denjon të na hedh sy,
O, qenka e mërzitur,
Jo, qenka e zemëruar,
Diku kukullën ka harruar.
Vrapojnë të gjithë të ҫliruar,
Sa hap e mbyll sytë, mbretëresha
Me kukulla gjendet e rrethuar!
Nis hareja nga fillimi,
Kjo mbretëreshë është vetë gëzimi!



Daorsa shkon në kopsht

Mirëmëngjes i tha Daorsa
diellit me rreze plot,
sa të bukur po e shoh Atdheun,
falë teje,
rrugës për në kopsht!

Dielli ishte i zënë
Duke larguar terrin,
Duke përhapur ngrohtësi
Për Daorsën shtoi buzëqeshjen,
Nga ajo sikur mori pak fëmijëri!

 

Fëmijët

Ka shkruar një i ditur:
Fëmijët janë madhështia e jetës,
Pranvera më e hareshme,
Njerëzimi duke u rritur!

Në fushë e mal

Eja dalim në mal e fushë,
të na puthë era në gushë!

Gjethet me shushurimë,
zogjtë me cicërimë
të na bëhen këngë.

Krojeve e përrockave,
dhiarave e livadheve,
të mbushemi hare e shend!

Eja të dalim në fushë e mal,
Ta shijojmë natyrën qetë e ngadal!



Breshka e vjeshta

Me ardhjen e vjeshtës,
U bëra mik breshkës:
E përcjell I mrekulluar,
përditë duke udhëtuar,
endjeve pa pushuar
me shtëpinë mbi shpinë!

Vërtet e do shumë,
Si askush tjetër,
E ruan kur është e re,
edhe kur duket e vjetër,
Kurrë nuk e lë vetëm,
As zgjuar as në gjumë…

Lodhur shumë e shkreta,
Bota krejt pa fund,
Pa arritur kund,
Ec e ec e ec,
Horizonti diku ngec!
As largohet, as afrohet
Jo, me të ajo nuk ngatërrohet…

Vjeshta
i prin ardhjes së dimrit,
Breshka
nuk po i ndahet udhëtimit!
As unë
Nuk i ndahem shkrimit.



Vjeshta poliglote

Blerina me krenari e thot:
kam bindje se vjeshta
është artiste e rrallë,
punëtore, kërkuese, plot kthesa…!

Kudo plot ndryshime,
plot gjallëri,
e vetëdishme si njeri,
plotësisht poliglot!

Shiko, bërë një bukurinë,
edhe shkurret e shtogut
i ka bërë piktura,
si të punuara
nga dorë e Van Gogut!

Kur luan me erën
krijon harmoni,
sikur ka dhuntinë e Ҫajkovskit
për të krijuar simfoni.

Duke e ruajtur me xhelozi
ritmin, rimën, harmoninë,
sikur ndikuar nga De Rada e Agolli
selit hapësirës poezinë…

O, ja si shtrihet natyrës,
si endet në fushë e mal?!
Sikur nën tingujt e vendlindjes,
drejtuar nga shkopi i Fahri Beqirit,
po na organizon kudo festival?!



Piktorja vjeshtë

I thashë:
Përshëndetje, vjeshtë!
Ajo heshti.
po pikturonte gjetheve, në vreshtë!

Mandej doli dielli,
bryma se nga u tret,
vjeshta prapë e heshtur,
duke vazhduar me brushën e vet!

Drunjët u përflakën,
qielli u bë i artë,
majëbjeshka u zbardh
diku horizonti u bë i zjarrtë.

Pemët e arrira
morën rrugën drejt tregut,
piktorja sikur u deh nga këngët e zogjëve,
nisi të derdhte ngjyra luginës e bregut!



Ditëlindja e Daorsës

I themi:
Daorsa, je rritur,
Ke lëshuar shtat,
Faqja të është ndritur!

Ajo na përqafon
E qesh,
Na do, me bindje,
Andaj luan e këndon,
Punon e nuk pushon…
Sot
Duke na nderuar edhe më shumë,
Në këtë ditë të madhe
Me emrin: ditëlindje!



Nëpër tonën Shqipëri

Rrup e tup, në Shkup e Shkodër,
Me një qerre,me një lodër,
Bëjmë pushimin në një kodër,
Na sjell dardha ketri i vogël,
nuk përtypet asnjë kokërr!

Mandej nisemi rrap e tap
Kemi synim për në Llap,
Në Drenicë pushojmë pak,
Pimë kafe bërë në oxhak,
Shoqëruar nga një plak.

Më befasoi një mik:
“Ejani këndej, në Kaҫanik,
Kemi mjaltë në fllanik,
S’ka si Sharri për piknik,
E pimë tamblin me shinik!”

Kur, do ti nga Skrapari
Vjen mesazhi i një djali:
“Një ari doli nga mali
Dhe s’del kush që ta ndali…
O, një kurorë na e fali!”

Epo, nisemi tup e rrup
Sa në Shkodër, sa në Shkup,
Sa në Vlorë, sa në Prishtinë,
Hapin tonë e bëjmë madhështi
Nëpër tonën Shqipëri…