Shkruan Kozeta Zylo
Me një ditë të bukur plot diell dhe cicërima zogjsh në pemë ku dëgjohej një fëshfërimë e lehtë gjethesh pranë xhamave të dritareve filloi dita e parë e shkollës shqipe në Staten Island të lejuara nga Bordi i edukimit të shtetit të Nju Jorkut. Në mjediset plot komoditet të një shkolle amerikane të cilët kanë vite që na e kanë vëne në dispozicion të mësimit të gjuhës shqipe erdhën fëmijë, prindër dhe mësues të gëzuar. Nxënësit e vjetër grupe-grupe takoheshin dhe përqafoheshin me njeri-tjetrin, ndërsa të rinjtë shihnin plot kurreshtje përreth.
Sa shumë janë prej tyre që mezi e presin mësimin e abetares dhe të gjuhës shqipe, edhe pse në komunikim me ta ka shumë vështirësi për të folur lirshëm shqip. Disa prej tyre kishin shkuar me pushime gjatë verës në Shqipëri dhe ata jo vetëm që kishin përmirësime, por dhe ndihej që ishin ngarkuar me një barrë këshillash nga gjyshërit e tyre. Ja tha Edia një nxënëse e bukur me prindër nga Dibra se: mua nëna gjithmonë më thotë që unë nuk të kuptoj anglisht duhet të flasim shqip. Po kështu dhe Fitimi një djalë tjetër plot talent më thotë se ne prindërit dhe gjyshërit në shtepi nuk na lejojnë të flasim gjuhë tjetër vetëm shqip. Ndërsa nxënësja e re Aurora me sy gjithë dritë që u regjistrua sivjet për herë të parë kishte ardhur me vëllain Aronin dhe me gjyshen përdore. Gjyshja e vet fisnike më tha se Aurora mezi po priste të vinte sot në shkollë dhe ndjehej shumë e gëzuar se sa shumë do ta lumturonte ajo drejtorin e shkollës, njëherazi dhe miku i babait të vet. Të rriturit si Brian, Oresti, Marvi, Aroni, Aduson, Irsa, Andri, Rafaeli, Elio, Davit, Almira, Elsa, Edon etj...po tregonin herë në shqip dhe herë në anglisht se si kishin kaluar pushimet e verës dhe njëkohësisht mbresat gjatë dy javëve në shkollën amerikane. Nxënëset më të vogla në moshë duke filluar me Dean, Vivian etj herë pas here vizatonin ndonjë lule në dërrasë ose ngjyrosnin në fletoret e tyre përkatëse dhe kur i mbaronin kishin mjaft dëshirë t'i shikonin punët e tyre. Ndërsa Ari një djalë i vogël simpatik i cili u regjistrua për herë të parë kishte dëshirë të rrinte më shumë me gjyshen dhe të ndjente ndihmën e saj.
Hapja e shkollës shqipe filloi me dy himnet kombëtare shqiptar dhe atë amerikan. Programin e shkollës Shqipe e ka prezantuar Dr.Valbona Watkins, profesore në universitet dhe drejtore e programeve të shkollave shqipe. Paraqitja e programit të pasur ku përfshihen dhe aktivitete kulturore për të ruajtur traditën shqiptare u mirëprit me duartrokitje nga të gjithë të pranishmit.
Nxënësit, mësuesit dhe prindërit i ka uruar sopranoja e shquar shqiptare Lindita Mezini Lole njëkohësisht mësuese e muzikës në Nju Xhersi e cila së bashku me pianistin e talentuar, prof.Petrika Melo kanë dhënë një kontribut tepër të vyer në shkollat shqipe. Ndërsa z.Qemal Zylo themeluesi i shkollave dhe president i TV Alba Life iu ka uruar gjithë nxënësve mirëseardhjen dhe ndërkohë ka prezantuar mënyrën e organizimit të shkollave shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe më gjerë. Z.Zylo vlerësoi punën e palodhur të mësueseve që do të japin mësim këtë vit si: Valbona Kostrista, Ornela Melo, Dita Kacubaj, Mimoza Salillari dhe mësueses më të re në punë znj.Liza Pëllumbi të cilat janë dipllomuar në Shqipëri si mësuese dhe disa prej tyre janë në proces për konvertimin e diplomës së tyre nga Bordi i edukimit të Nju Jorkut. Eshtë tejet emocionante të ndodhesh pranë nxënësve, është ngazellyese t'i shikosh me abetaret shqip përpara duarve të tyre, por ndërkohë nuk ke se si të mos mendosh se sa shumë punë kemi për të bërë përpara. Kjo për vetë faktin se ka shumë fëmijë në Diasporë që asimilohen, nuk flasin fare shqip . Dhe kjo duhet të jetë problem i ditës për qeveritë shqiptare dhe të Kosovës, për gjithë organizatat në Diasporë, duke i lënë pritjet dhe përcjelljet plot bujë që ju bëhen qeveritarëve, por ato pritje të kthehen në punë, të kthehen në ndihmë për shkollat shqipe. Do të dëshiroja të shikoja një qeveritar, nje kryeministër, një president, të ulej pranë bankave të shkollës, apo të merrte shkumësin në dërrasë dhe t'ju shkruante fëmijëve shkronjat shqipe, ashtu siç ka bërë senatori amerikan Golden i cili do të ngelet gjatë në kujtesën e nxënësve. Do të dëshiroja që një ditë të inagurohej një godinë e shkollës shqipe ku të mësohej çdo ditë rregullisht shqip ashtu siç i kanë shumë komunitete të fuqishme në Diasporë, si hebrenjtë, rusët, kinezët, grekët, ndërsa ne na shkoi jeta me qera në shumë fusha kryesore.
Kjo gjuhë e Shqipërisë që është dhe gjuhë e Perëndisë siç thotë Naim Frashëri do një bashkëpunim dhe vëmendje tejet të posacme për t'i thënë: Stop asimilimit të Gjuhës Shqipe! Me sa duket atë do ta bëjnë vetëm Bilbilat e Gjuhës Shqipe në Diasporë.
21 shtator, 2013
Staten Island, New York
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen