Samstag, 14. Dezember 2013
Ali Huruglica - Biografia dhe një cikël me poezi
Ali Huruglica
(1930 – 1996)
Njëri ndër poetët më të frytshëm dhe më risimtar të letërsisë shqipe, në lëminë e krijimtarisë poetike për fëmijë, Ali Huruglica, u lind në vitin 1930 në fshatin Gjyryshec të Dardanës. Fëmijërinë, deri në moshën 12 vjeçare, e kaloi në vendlindje, si bari. Babai i tij, Salihu, e mësoi të shkruante dhe të lexonte në gjuhën shqipe. Gjatë vitit 1942 u regjistrua në klasë të dytë të shkollës fillore “Bogdani” në Gjilan, ku përjetoi masakrën e njohur të Gjilanit. Në dhjetor të vitit 1944, ai dhe motra e tij 5-vjeçare, Taibeja, u detyruan të largohen nga Gjilani. Shkollën fillore arriti ta kryen tek në vitin 1948.
Pas përfundimit të shkollës fillore ai mori përsipër detyrën e mësuesit, të cilën e kreu me sukses për 24 vjet me radhë. Shkollën Normale dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Letërsisë Shqipe, i përfundoi në Prishtinë, pa shkëputje nga puna . Më vonë shkoi në Shkup, ku punoi si redaktor i revistave për fëmijë “Fatosi” e “Gëzimi”. Më 1973 u kthye përsëri në Gjilan dhe u punësua në bibliotekën e qytetit, ku punoi një kohë të gjatë.
Në Gjilan ka udhëhequr Klubin letrar “Dardania” të qytetit si dhe organizoi një shkollë letrare për fëmijë, me të cilët edhe nxori dy numra të revistës “Ylberi” dhe një libër më shkrime të vijuesve të kësaj shkolle “Libri që po shkruhet…”
Huruglica shumicën e veprave të tij letrare ua kushtoi fëmijëve, vdiq me 15 dhjeto 1996.
Krijimet e tij janë përfshirë në disa nga antologjitë e poezisë shqipe për fëmijë, po edhe në gjuhë të tjera.
Disa nga veprat e Ali Huruglicës:
“Zani i zamarës”, 1964
“Kaçuba”, 1966
“Ylli m’ka tregue”, 1967
“Kangët e plakut me lahutë”, 1968
“Pulëbardha’, 1968
‘Shkurtabiqi zemërartë”, 1968
“Zogu i bardhë”, 1969
“Xhita me yll”, 1969
“Kthimi në fëmijëni”, Shkup, 1971
“Bilbili i gëzimit”, 1971
“Qershia me çadër”, 1973
“Këngët e shkronjave” (bashkë me Fejzi Bojkun), 1973
“Vjersha të zgjedhura”, 1976
“Princi i trandofilave”, 1977
“Dreri në mal” 1989
“Jastëku i ëndërrave”, 1996
PËRSHËNDETJA E NJË FËMIJE
Sot duke ecur nëpër trotuar
M’u afrua një fëmijë
Duke buzëqeshur si lule
Më përshëndeti me zë bilbili
Në zemër më këndoi një shpend i bardhë
Dhe në ballë më çeli trëndafili.
KOPSHTI
Do t’i mbledh
Të gjitha buzëqeshjet e fëmijëve,
Do t’i mbledh
Të gjitha buzëqeshjet e nënave,
Do t’i mbledh
Të gjitha buzëqeshjet e luleve
Dhe me to do t’i stolis
Faqet e mia.
BARKA VELËBARDHË
Kur ti vrapon
Pas fluturave të gjumit...
Atëherë nëpër syrin tënd
Nëna joto lundron, o bir,
Me barkën velëbardhë,
Me barkën velëbardhë...
LULJA NË KARRO
Lulen e shëtitë nëna
Me karro nëpër hije;
Zogjtë këndojnë n’degë:
- Çfarë bukurije!
Hëna ia paska falë f’tyrën,
Lulet – kësulën,
Fustanin – ylberi,
Lum nëna për lulen!
Plakat e shikojnë
Dhe ja bëjnë me dorë...
Lulja shkrihet në buzëqeshje
Dhe ua falë t’gaztën kurorë.
RRËFIMI I MËSUESIT PËR PESËSHEN
Kur ndonjë fëmije
I vë pesëshe në ditar,
Për mua këndon shpendi më i bukur
Dhe dielli më lanë me rreze vizëllimi.
Kur ndonjë fëmije
I vë pesëshen e kuqe në fletore,
Atëherë shndërrohem në pëllumb të bardhë
Dhe fluturoj mbi fushat e mia të blerta.
ZONJA E SHTËPISË
QË FSHIN ME FSHISË
Nëna e sëmurë,
Kata zonjë e shtëpisë,
Gatuan, pastron
Dhe fshin me fshisë:
Vëllathin e lanë:
Kllum, kllum!
E hap kutinë
Dhe çkllap një llokum!
E zien gjellën
I qet biber,
Dhe vëzh, vëzh
Me grushta ha sheqer!
Macës i jep
Qumësht me pjatë,
E kllap çkllap!
Han një çokollatë.
Në krua mbush
Ujë me bokall,
Kur kthehet
Fësht! një portokall.
Nëna prej shtratit
Thërret: - Katë, Katë!
Ajo nuk e ndien
Se pi limonatë.
Sa e shpejtë Kata!
Punët kryen filhall...
Derisa t’shërohet nëna
Shtëpia tangall...
Ç’BËN TANI DRERI NË MAL
Koftori po këndon ngadal, ngadal...
Athua ç’bën tani dreri i vogël në mal?
Bora bie e era fryn e fryn...
Ndoshta ai atje tani mërdhin?!
Errësirë e madhe. Natë pa hënë!
Ndoshta sonte asgjë s’ka ngrënë?
Dreri ndoshta s’ka gjetur strehim?
Po më dhimbset si biri im.
Koftori po këndon ngadal, ngadal...
Athua ç’bën tani dreri i vogël në mal?
ZOGU I VOGËL
Degën e blertë
Po e përkund puhia,
Në të zogu i vogël
Po flen si fëmija.
Nën degë – burimi
Ëmbël po gurgullon,
Zogut të vogël
Ninulë po i këndon.
LEPURI
Asnjë ditë s’kam guxuar
Të shtrihem nëpër blerime
Asnjë natë s’kam bërë gjumë të qetë
Në strolullën time.
Çdo herë më është dashtë
Ta fsheh fërkemin,
Që të mos më bien në erë.
Asnjëherë s’jam gëzuar
Për të bukurën pranverë.
Por tani jetoj pa frikë
Se njëmijë fëmijë trima
I kam rojtarë
Qe afër shkollës
Prej tyre s’guxon të afrohet
Asnjë zagar.
FLUTURA
Unë jam
Kordela e blertë
Në flokët e mëndafshta
Të çupëzave
Buzëgaze.
Unë jam
Kravata e shkruar
Në qafat shtalbe
Të çunave
Zemërbardhë.
KETRI
Jam larg fshatit,
S’jam më në lëndina e shpatia.
E kur të kuqëlohet lajthia
Më trego, lum fëmija!
________
Prezantimin e përgatiti shkrimtari Rrahim Sadiku
Për fotografinë e shkrimtarit A.Huruglica, e falënderojmë poetin Sinan Sadiku
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen