Tregim për fëmijë
Sot erdha në fshatin tim të lindjes, në Komogllavë. Sapo dola në oborrin e shtëpisë sonë të vjetër, sikur takova gjyshen edhe një herë. Eh, mezi i mbajta lotët. Për t’u ikur atyre, u lidha me kujtime. Para syve më erdhi gjyshja, si e gjallë. Gjyshja Ramize, që ishte dhe mbeti njeriu më i mirë që kam njohur. Edhe pse ka shumë vite qëkur nuk është në mesin tonë, dashuria e saj, fjalët e saj dhe qëndrimi saj më shoqërojnë kudo dhe më janë mësim e frymëzim.
Gjyshja e donte shumë stinën e verës. Me ardhjen e ditëve me diell e me gjelbrim, ajo sikur rinohej, fytyra i mbulohej nga një tis hareje e shkëlqimi, fjala i bëhej më e butë dhe një plotni jete mbushte secilën pore të trupit të saj. E rritur në kushte të rënda, ajo sikur kishte mbledhur mirësinë dhe dashurinë e gjithë botës. As edhe një herë të vetme nuk kam dëgjuar fjalë qortuese e hidhërimi nga ajo. Ndaj askujt.
Kur korrej gruri e vinte mielli i parë i atij viti në shtëpi, gjyshja gatitej të gatuante me dorën e saj, flinë e madhe, si e quante ajo gatesën me miell, gjalpë e ujë. Merrte e pastronte edhe një herë saҫin, rregullonte mbajtësen e tepsisë zgjedhte degët e thara dhe ulej e lutej. Mandej përgatiste qullin për flinë, e linte të pushonte e shkonte dhe bisedonte me secilin nga anëtarët e familjes, po më shumë ndalej me ne fëmijët, që grumbulloheshim nga e gjithë lagjja, për ta shikuar gatimin dhe ritualin me të cilin e shoqëronte këtë akt ajo. Kur ajo shkonte të vishte rrobat solemne të këtij ceremoniali, unë organizoja fëmijët dhe mblidhnim lule në livadh e rrethonim vendit rreth me tufa lulesh. Kur vinte dhe e shihte vendin të zbukuruar ashtu, gjyshja Ramize na përqafonte me radhë, na falënderonte dhe na jepte nga një sheqerkë, që i ruante gjithnonë në xhepat e padukshëm të rrobave të saj. Pastaj merrte tri-katër lugë nga qulli, i hedhte në një pjatëz të vogël dhe shkonte te dera e oborrit, ku thoshte një lutje e në pjesën e saj të epërme vizatonte një rreth, të cilit ia ngjiste edhe disa viza rreth e rrotull, në anën e jashtme. Ne e pyesnim se pse e bënte atë e ajo na thoshte se ashtu duhej, se prej se që mbahej mend ashtu ishte vepruar: me qullin e flisë së parë të të korrave të atij viti gjithnjë ishte vizatuar dielli me rreze, për të qenë shtëpia e sigurtë, e begatshme dhe njerëzit e saj të shëndoshë. Ndezte pastaj degët e thara, vënte mbi to saҫin, rregullonte tepsinë mbi mbajtësin trekëndësh dhe niste nga gatimi. Atëherë ne uleshim përreth dhe prisnim me padurim të piqeshin rendet e para të flisë e gjyshja të na i jepte në duar pjesët e ngrohta të flisë, secilit nga një copë dhe ne i hanim këndshëm e ëmbël, me një shije që kurrë tjetër nuk e kam ndjerë.
Kështu, nga vera në verë, ne prisnim me ëndje e me padurim ditën e flisë së madhe, vizatimin e diellit në derën e oborrit dhe shijen e rrallë ta gatesës nga gjyshja. Ne atëherë nuk e dinim se ashtu bëheshim pjesë e një rituali tejet të vjetër, që nga kohët më të lashta, të nderimit dhe adhurimit të diellit, që ishte besim ilir. Ashtu si nuk e denim se përse diej me rreze vizatoheshin në secilën derë të shtëpive të fshatit, kur aty gatuhej flija e parë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen